Mirë se erdhët në këtë mbledhje të dytë të Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë dy përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët prej disa ditësh janë bashkë me ne, madje prej disa ditësh dhe netësh janë bashkë me ne, për të diskutuar intensivisht lidhur me hapin e parë të rëndësishëm të Qeverisë së re shqiptare në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë dhe të financave të vendit.
Para më pak se 100 ditësh ne e morëm këtë përgjegjësi të lartë për të rimëkëmbur ekonominë dhe financat e vendit tonë. E dinim se rruga e rimëkëmbjes do të ishte e përpjetë, por fakti është se ajo është ende më e përpjetë sesa e parashihnim. Të dhënat dhe shifrat e nxjerra nga brenda murit që deri dje në opozitë na pengonte të shinim qartë të vërtetën e ekonomisë dhe të financave tona janë ende më shqetësuese, sesa të dhënat dhe shifrat e disponuara prej nesh përpara hyrjes në qeveri. Pra, në fakt trashëgojmë një situatë seriozisht shqetësuese nga pikëpamja e ekuilibrit fiskal. Kursi i qeverisë së mëparshme në këtë aspekt ka qenë i papërgjegjshëm, shpenzime të papërgjegjshme dhe një program butaforik investimesh ngritur mbi borxhe, që i janë ngarkuar mbi kurriz shoqërisë, shtetit, sektorit privat. Një administrim i papërgjegjshëm i të ardhurave që ranë prej marramendjes elektorale në një minimum historik. Si pasojë, Qeveria e re u gjend përballë një deficiti shumë të lartë dhe shumë faturave të papaguara dhe këto fatura përbëjnë në thelb një shtetëzim me forcë të flukseve të parasë së shumë bizneseve, ku dhjetëra mijëra shqiptarë punojnë për të prodhuar të mira dhe siguruar shërbime për qindra mijëra shqiptarë të tjerë.
Shtetëzim brutal në formën e refuzimit për të rimbursuar TVSH-në për ndërmarrjet, në formën e refuzimit për të paguar punën e kryer të kompanive, në formën e refuzimit për të shlyer detyrimet për shërbimet e marra për energji, ujë, ilaçe dhe deri për telefona. Si pasojë e këtij shtetëzimi, e gjithë kjo makineri e punës në vend ngeci, u bllokua në shumë pjesë të saj dhe tërë këto kompani hynë në telashe të mëdha, për të paguar punëtorët, për të paguar të tretët, për të paguar bankat, prej të cilave kishin marrë më parë hua, duke paraqitur si garanci kontratat me vetë qeverinë. Edhe vetë Qeveria jonë, e dinë të gjithë tanimë, u gjend qysh në fillim, para telashit të madh të pasigurisë së plotë financiare dhe u detyrua të marrë borxh në tregun e brendshëm, për të siguruar vazhdimësinë e punës së shtetit për pjesën e mbetur të vitit. E gjitha kjo, pa dyshim nuk është rruga e një Qeverie që ka vetëdijen e përgjegjësisë së vet, për administrimin e punëve të vendit dhe të popullit të vet. Kjo është rruga që dëmton njerëzit, dëmton punët, dëmton mundësitë e një vendi për t’u rritur dhe për t’u begatuar. Kjo nuk është rruga jonë. Rruga jonë është rruga e përgjegjësisë për fatet e vendit dhe të njerëzve. Kursi ynë është kursi i përgjegjshmërisë për ekuilibrat e ekonomisë dhe të financave të vendit, për liritë ekonomike dhe për rendin ligjor ekonomik. Për faktin se qeveria nuk sundon as mbi njerëzit, as mbi ekonominë, por punon me njerëzit dhe për njerëzit që ta fuqizojë ekonominë kombëtare dhe ta forcojë ekonominë familjare të secilit. Ne jemi një Qeveri e përgjegjshme dhe nuk do t’ju ikim përgjegjësive tona, duke e lënë Shqipërinë të tkurret në këtë katrahurë borxhesh dhe duke u shfajësuar se autorët e katrahurës janë të tjetër. E pra, unë jam këtu për t’ju thënë të gjithëve, se kjo Qeveri është këtu për t’i zgjidhur problemet e trashëguara dhe për të ndërtuar hap pas hapi, një rrugë arritjesh të reja për shqiptarët. Sigurisht, ne nuk jemi këtu, për t’i lënë pas, të papërfunduara projektet që kemi trashëguar në një gjendje të mjerueshme, as për t’i hedhur në kosh të gjitha mundimet dhe të gjitha paratë që janë shpenzuar për t’i nisur ato projekte. Ne, do t’i mbarojmë projektet që kemi trashëguar dhe sigurisht do të jemi të gatshëm që të vazhdojmë me financimin e projekteve të reja që do të bëjnë të mundur mishërimin e aspiratave të njerëzve, për një Shqipëri me edukim më të mirë, me shërbime më cilësore jetike, energji, ujë, ilaçe, me turizëm, me ekonomi prodhuese dhe sigurisht mbi të gjitha me punësim. Por sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm, se për t’i bërë të gjitha këto, duhet në radhë të parë të pastrojmë llogaritë dhe të vendosim rregull në librin e llogarive të qeverisë.
Ashtu si një familje, nuk mund të marrë borxh rrugën e mirëqenies, ashtu edhe një qeveri nuk mund të abuzojë me fuqinë për të marrë borxh. Ne po përgatitemi të adaptojmë një program që do të vendosë një themel të fortë mbi të cilin vendi të mund të rritet ekonomikisht dhe do të zhvillohet në të gjitha aspektet e aspiruara me të drejtë, prej njerëzve të këtij vendi. Dhe pikërisht për të bërë këtë, ne po diskutojmë intensivisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore, por edhe më gjerë, me komunitetin ndërkombëtar në tërësi, për të marrë të gjithë atë mbështetje që na duhet që kapërcimi i këtij momenti shumë të vështirë të bëhet më i lehtë. Kemi rënë dakord për një ulje graduale të deficitit, në një mënyrë që të na lejojë edhe rritje të ekonomisë sonë dhe kjo është një dakordësi themelore, për të cilën ne jemi mëse optimistë, sepse mbi këtë dakordësi bazohet edhe kurajoja për të shkuar më tutje me një projekt që do të shumëfishojë përpjekjet tona për mbledhjen e taksave, për goditjen kundër korrupsionit, për uljen e abuzimeve dhe shpërdorimeve që gjatë gjithë kësaj kohe i ka ndeshur ballë për ballë, qoftë qytetari, qoftë sipërmarrja private. Besoj se edhe në këto pak kohë, e kemi treguar se ne mund t’i rrisim të ardhurat në një mënyrë domethënëse, por ende më domethënëse do të jetë rritja e tyre bazuar në sa thashë më parë.
Gjithsesi le ta themi hapur. Për t’i sjellë në rregull librat e llogarive dhe për të pastruar llogaritë e trashëguara, na duhet të rishikojmë sistemin tonë të taksimit. E kemi thënë më parë, e kemi thënë hapur dhe jemi zotuar publikisht, se ne duam një sistem taksimi të ndershëm dhe nga ana tjetër jemi plotësisht të vetëdijshëm dhe do të jemi tërësisht të përgjegjshëm që sistemi ynë i taksimit të ndershëm, nga njëra anë të bazohet në parimin e solidaritetit, por nga ana tjetër, të mos pengojë as sipërmarrjen për t’u rritur dhe as vetë ekonominë për tu zhvilluar me prodhim dhe me punësim, si rrjedhojë e një sipërmarrjeje që rritet. Pa dashur të hyj në detaje që do të jenë pjesë e këtij diskutimi, dua vetëm të nënvizoj se qysh në krye të herës, ne kemi qenë shumë të qartë me partnerët tanë, se do t’i qëndrojmë deri në fund parimit tonë themelor, “kush fiton më pak do të paguajë më pak, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë” dhe për 95% të njerëzve do të ketë ulje taksash.
Së dyti, ne e kemi thënë më parë dhe sigurisht do t’i qëndrojmë edhe këtij zotimi se do të kërkojmë më shumë nga kompanitë. Taksa e sheshtë 10% për ne nuk përmbush as qëllimin për të cilin është vendosur dhe as, aq më pak qëllimin tonë për një sistem taksimi të ndershëm në kushtet, kur duhet të përballemi me një mal me borxhe që e kemi përpara rrugës sonë dhe duhet ta heqim nga rruga jonë dhe njëkohësisht në kushtet kur duhet të konsolidojmë sistemin tonë të taksimit të ndershëm.
Ne kemi qenë gjithmonë të bindur që taksa 10% ka qenë një fasadë, pas së cilës 95% e kompanive janë ndeshur me një forcë abuzive që forcërisht, i ka detyruar të paguajnë shumë më tepër, por jo për llogari të shtetit, por qoftë për llogari të korrupsionit, qoftë për llogari të paaftësisë së qeverisjes që pa qenë në gjendje të përballojë nevojat e buxhetit, është turrur mbi kompanitë dhe u ka shkaktuar atyre dëme që ndoshta janë të pallogaritshme.
Ne jemi të bindur se ajo që e zhvillon sipërmarrjen, në kushtet tona, nuk është një taksë shumë e ulët, në një mjedis pa asnjë siguri juridike dhe pa asnjë garanci që e mbron sipërmarrjen nga tentakulat e korrupsionit dhe të abuzimit. Ne besojmë se, në hapësirën ku kjo taksë mund të rritet dhe në mjedisin që duam të garantojmë bashkërisht, për të siguruar që paguhet vetëm ajo që shkruhet dhe nuk paguhen pastaj një sërë gjërash të pashkruara për të mbushur arkën e mbetur bosh, është plotësisht e mundshme që sipërmarrja të zhvillohet, që investimet e huaja të shtohen dhe që qëllimet e përbashkëta të përmbushen.
Pa dyshim që nga ana tjetër, ne e kemi thënë të parën dhe do t’i qëndrojmë plotësisht këtij zotimi që ka qenë një tjetër pikë kyçe e diskutimeve tona me Fondin Monetar dhe Bankën Botërore, se ne nuk do t’u kërkojmë kompanive të paguajnë më shumë, pa marrë përsipër përgjegjësinë që t’i paguajmë ato mbrapsht, për të gjitha borxhet që Qeveria, shteti, u ka atyre dhe që praktikisht, kanë tkurrur hapësirën e tyre të sipërmarrjes.
Dua të theksoj se për ne, pagesa e këtyre borxheve për kontratat e nënshkruara nga Qeveria, edhe pse nuk janë nënshkruar prej nesh, apo për vlerën e parimbursuar ende të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, përbën jo vetëm një detyrim ndaj kompanive, por përbën dhe një instrument për të nxitur ekonominë dhe për t’ju dhënë krijuesve kryesorë të vendeve të punës mundësinë që jo vetëm të marrin frymë, por të rivihen në lëvizje për të çuar përpara projektet e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune.
Ne besojmë se pagesa e borxheve të akumuluara ndaj gjithë sistemit të shërbimeve, pa dyshim, përsëri do të sjellë të mira të drejtpërdrejta për njerëzit, si dhe do garantojë shërbime më cilësore. Ashtu sikundër, ne besojmë që pagesat e këtyre borxheve për të çuar deri në fund punët e mbetura rrugëve në infrastrukturë, do të sjellin menjëherë një lëvizje të rëndësishme, edhe në funksion të hapjes së vendeve të reja të punës, por edhe në funksion të vendosjes së një baze të re, të asaj baze për të cilën fola, për të shkuar më tutje me projekte të tjera.
Por ne besojmë, po ashtu, se duke u dhënë mundësi kompanive që të shlyejnë detyrimet e tyre ndaj bankave, jo vetëm që do të ulim në një masë të konsiderueshme nivelin, sot alarmant, të kredive të këqija, por do të bëjmë të mundur që të rritet interesi i bankave për të dhënë kredi të reja. E të mos e harrojmë se për çdo lek që ne do të bëjmë të mundur të kthehet mbrapsht, duke ulur kreditë e këqija, janë 4 lekë që mund të rikthehen në ekonomi.
Ne besojmë se e gjithë kjo do të jetë një bazë dhe vetëm një fillim i ri dhe i mbarë, për të krijuar kushtet që të shkojmë më tutje me strategjinë tonë të rritjes ekonomike, duke dhënë në radhë të parë, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe me mbështetjen e dy institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare, sinjalin e qartë për të gjithë, jo vetëm në Shqipëri, se ky vend ka një pozicion financiar stabël, të besueshëm dhe të përgjegjshëm.
Sigurisht që sfida është e gjitha përpara dhe sfida është e gjitha rritja ekonomike, rritja e një ekonomie prodhuese që krijon vende të reja pune. Ne nuk mund dot të vazhdojmë me një model ekonomik të bazuar tek remitancat e emigrantëve dhe tek ekspansioni i papërgjegjshmërisë fiskale. Remitancat, dërgesat e emigrantëve, kanë ardhur në vijimësi duke rënë, jo vetëm për shkak të krizës në zonën e euros që ka prekur seriozisht motrat dhe vëllezërit tanë në Greqi, apo në Itali ose gjetkë, por edhe për shkak se tanimë, bebet e atyre që u nisën në vitet ‘90, janë 20-vjeçarë dhe janë në një fazë tjetër të jetës së tyre, gjë që provon edhe për Shqipërinë atë që është provuar për botën mbarë, se kur gjenerata e dytë e emigracionit vjen në këtë moshë, dërgesat natyrshëm bien në mënyrë të ndjeshme. Por ama, nga ana tjetër, ne na duhet një strategji rritjeje për të bërë të mundur që edhe shumë prej tyre që kanë filluar të kthejnë sytë nga Shqipëria, të kenë mundësinë të shohin këtu, në këtë vend, perspektivë zhvillimi ekonomik dhe hapësirë për çdo nismë të tyre private.
Sigurisht që axhenda e rritjes ekonomike është një axhendë e gjerë. Ajo prek shumë aspekte, të cilat ne pa dyshim, do t’i trajtojmë gjerësisht dhe në detaje edhe në ditët dhe në javët në vijim. Por, besoj se sot ne jemi në kushtet për të çuar përpara, edhe me pjesëmarrjen e dy partnerëve tanë shumë të rëndësishëm diskutimin mbi; në radhë të parë, rregullimet që ne do të bëjmë në sistemin e taksave që për ne, e përsëris, janë premisa e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, e një zhvillimi ekonomik të bazuar mbi përgjegjshmërinë, në raport me ekuilibrat financiar të vendit dhe të bazuar mbi vetëdijen se ne nuk mund t’i marrim borxh të ardhmes, nuk mund të marrim borxh të ardhmen, për të shtyrë të tashmen. Por përkundrazi, duhet të shfrytëzojmë të tashmen, për të garantuar të ardhmen. Fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë nuk na kanë asnjë borxh që ne ta kthejmë në borxh të gjithë të ardhmen e tyre dhe që nesër, t’i lëmë ata përballë pamundësisë për të jetuar në një vend të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme.
Për të mos lënë asnjë keqkuptim, dua të them në fund se ne do t’i qëndrojmë edhe një zotimi tjetër shumë të rëndësishëm, për të hequr ankthin e mbijetesës së përmuajshme të të gjithë atyre që në Shqipëri jetojnë me një biznes të vogël. Biznes i thënçin, se janë familje të vetëpunësuara. Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe sigurisht, nga njëra anë do të rrisim në mënyrë të arsyeshme tatim – fitimin mbi kompanitë dhe nga ana tjetër, do të ulim në mënyrë të ndjeshme edhe tatimin e fitimit për biznesin e vogël, sepse duam që të stimulojmë sa më shumë vetëpunësimin dhe duam që ta forcojmë sa më shumë këtë pjesë të jetës ekonomike të Shqipërisë që praktikisht, garanton të jetuarin me punë të ndershme të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare.
Faleminderit për vëmendjen dhe për durimin në këtë hyrje dhe le të fillojmë diskutimin e hapur.
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar.