Spitali i fëmijëve brenda Qendrës Spitalore Universitare, në Tiranë, është shndërruar në një kantier ku po punohet intensivisht për ndërtimin e kompleksit të ri, që do të ofrojë shërbimin spitalor për pacientët e vegjël, në kushtet më optimale, të standardeve moderne e bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në terren, për të parë nga afër punimet e infrastrukturës së re, e cila renditet me dinjitet në zinxhirin e transformimit të QSUT-së, duke përmbushur një ëndërr të hershme të mjekëve dhe infermierëve të shumë brezave. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se investimi i ri pritej prej dekadash në godinën e ndërtuar në fund të viteve ’50-të, rehabilitimi i së cilës në vite ka qënë thuajse minimal dhe jo rrënjësor. “Jemi në Pediatrinë e re. Është një investim që kishte vite që pritej pasi Pediatria, nga vitet ’58-të që është ndërtuar e më vonë, me rehabilitimet që i janë bërë, asnjëherë nuk ka qenë në standardet që meritojnë mjekët, por edhe që meritojnë fëmijët që trajtohen në këtë shërbim. Projekti prek të gjithë Pediatrinë, sepse edhe Pediatria Infektive po i nënshtrohet rehabilitimit, meqenëse ishte dhe pjesë e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Projekti parashikon Urgjencën e re. Ka një ndarje tashme natyrale e strukturës së Urgjencës, ku autoambulancat vijnë, lenë pacientët dhe largohen për të të mos krijuar konfuzionin që krijohej në QSUT. Ndërkohë hyrja për prindërit, familjarët, por edhe për stafin është e dedikuar. Investimi që jemi duke bërë është 9 milionë euro në këtë strukturë dhe duke nisur nga viti tjetër, edhe pajisjet janë të përfshira në buxhetin e 2021-it,” – shpjegoi ministrja Manastirliu.
Projekti është konceptuar i tillë që të mos jetë thjeshtë një hapësirë ku të vegjlit marrin trajtimin spitalor, por edhe një mjedis miqësor dhe i dashur për ta. “Janë konsideruar si hapësira miqësore për fëmijët dhe nuk është projektuar thjeshtë si një spital, por edhe si hapësira të dashura për fëmijët që do të trajtohen, të mos jenë hapësira të ftohta spitalesh, por të kenë komoditetin e nevojshëm,” – – u shpreh ndër të tjera Ministrja e Shëndetësisë.
Në bisedën me mjekët e pranishëm, Kryeministri Rama rikonfirmoi rritjen e pagës prej 40% për mjekët dhe infermierët në vend. “Sot do të kemi publikimin e masës që do të marrim për pagat, që do fillojnë nga 1 janari. Do të përfshihen në ligjin e ri të buxhetit për vitin 2021. Kështu që të gjitha bluzave të bardha do t’u rriten me 40% pagat. Nuk është pak.” Nga kjo masë do të përfitojnë mjekët dhe infermierët në të gjithë Shqipërinë.