Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Repartit të Radioterapisë në Spitalin Onkologjik në QSUT i është shtuar një akselerator i dytë linear, pajisje e teknologjisë bashkëkohore për trajtimin me lazer të pacientëve me sëmundje tumorale. Investimi prej rreth 1.2 milionë euro i qeverisë shqiptare, në bashkëpunim me Agjencinë Atomike të Vjenës, do të mundësojë trajtimin e dyfish personave që luftojnë me këto sëmundje, por që deri më tani duhet të prisnin për një kohë të gjatë në radhë për seancat e radioterapisë.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ishin sot në repartin e Radioterapisë për të parë nga afër këtë transformim teknologjik të Spitalit Onkologjik. “Pas instalimit të akseleratorit të parë në shërbimin dhe njësinë e radioterapisë, sot kemi instalimin e akseleratorit të dytë. Kalimi i çiftit të akseleratorëve i hap rrugën përmirësimit të të gjithë sëmundjeve tumorale nëpërmjet akseleratorit linear. Tashmë ulen ndjeshëm radhët e pritjes, pasi me një akselerator, në momentin kur kishte mirëmbajtje duhet të ndërprisnim trajtimin, por vendosja e akseleratorit të dytë, një investim rreth 1.2 milionë euro i qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Atomike të Vjenës bëri të mundur dhe këtë pajisje, e cila është e nivelit të lartë terapeutik,” u shpreh ministrja Manastirliu.

Edhe mjeku radioterapist, Orges Spahiu pohoi se futja e dy akseleratorëve, që zëvendësojnë epokën e trajtimit të tumoreve me pajisjen e kobaltit në QSUT, është një tjetër hap përpara drejt standardeve ndërkombëtare. “Aktualisht njësia e radioterapisë tashmë ka potencialin për të bërë trajtime bashkëkohore. Me futjen e teknikave të reja, në kuptimin e softëare-ve, ne arrijmë në standarde europiane dhe bëjmë të mundur trajtimin në një precizion të lartë të tumorit, gjë që më përpara nuk e realizonim dot me aparaturat e vjetra,” tha ai.

Sipas ministres së Shëndetësisë, tashmë, me akseleratorin e dytë pritet që të trajtohen afro 1200 pacientë në vit. “Një pajisje trajton 45 pacientë në ditë, kështu që dy pajisje trajtojnë rreth 90 pacientë në ditë, ose rreth 1200 pacientë në vit do trajtohen në njësinë e Radioterapisë në QSUT. Ky është me të vërtetë një standard shumë i mirë dhe na fut ne në ato vende me trajtime shumë të mira të sëmundjeve onkologjike nëpërmjet radioterapisë,” shtoi Manastirliu.

“Botë tjetër”, krahasuar me 4 vite më parë, e konsideroi Kryeministri Rama transformimin që ky shërbim ka pësuar. “Këtu ishte një depresion i paparë. Kuptohet që gjërat nuk mund bëhen të gjitha përnjëherë, se ka akoma gjëra, por të flasësh sot për Onkologjikun dhe për trajtimin dhe të harrosh që 4 vjet përpara këtu ishte një paradhomë e botës tjetër…!” nënvizoi ndër të tjera Kryeministri.

Por transformimi i Spitalit Onkologjik evidentohet tashmë qartazi edhe nga mjekët, të cilat shprehen se ndryshimi është rrënjësor. Silva Çeliku, një prej mjekeve më të vjetra onkologe, e cila këtë vit mbush 35 vite në këtë spital, u shpreh: “Sidomos pjesa e radioterapisë është një ëndërr. Vërtetë që ne shikojmë një ndryshim super të madh.”

Në këtë spital është zgjidhur përfundimisht edhe problemi i trajtimit me herceptinë, medikament i domosdoshëm për trajtimin e tumoreve të gjirit, i cili tashmë është përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme dhe jepet falas për pacientët. “Unë ciklet i kam bërë në Itali. E kam filluar herceptinën që në tetor dhe duhet ta vazhdoj për një vit. Herën e parë e kam bërë me venozë, kurse sot, së daç nga komoditeti këtu, në daç të gjitha, janë si në Itali,” u shpreh një paciente.

Shefja e Repartit të Kimioterapisë, Dhurata Tarifa shprehet se po zgjidhet edhe një tjetër problem për pacientët nga rrethet, ardhja e tyre në QSUT për kryerjen e seancave për herceptinën, pasi ky medikament do të ofrohet edhe në spitalet kryesore rajonale, gjë për të cilën po kryhet edhe një trajnim i mjekëve përkatës. “Jemi në një situatë shumë të favorshme, që nga rimbursimi i herceptinës. Kjo na e shtoi shumë lehtësinë në aplikimin për pacientët e Tiranës, por edhe të rretheve, sepse tashmë funksionojnë rregullisht kabinetet e rretheve të mëdha, ku kemi preferuar të çojmë pjesën më të madhe të herceptinës, duke qenë se rastet që ata kanë janë më të pakta dhe nuk ka mbetje të ilaçit që të shkojë dëm. Ndërkohë sot po bëjmë dhe trajnimin e mjekëve dhe personelit të kabinetit të rretheve për mënyrën e aplikimit,” u shpreh ajo.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.