Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Më në fund jemi në konkretizimin e një procesi që është përgatitur prej kohësh, për të krijuar një urë, midis administratës dhe të gjithë studentëve që aspirojnë të bëhen pjesë e saj. Një urë ndërveprimi që ka një përfitim reciprok. Nuk është një shpikje shqiptare, është një eksperiencë që vendet e zhvilluara e kanë rutinë. Në vendet e zhvilluara ka dëshmuar se ka një sukses dhe një përfitim të madh. Përfitim për administratën, për institucionet, për shtetin. Përfitim për të gjithë ata që duke u futur në zyrat e shtetit pa barrën e përgjegjësisë së menjëhershme dhe të ankthit prej mungesës së eksperiencës, në mënyrë të natyrshme fillojnë dhe kuptojnë përgjegjësinë, por bëjnë dhe eksperiencën.
Ministri e theksoi që ne jemi sot në kushte tërësisht të reja, sepse kemi një platformë tërësisht të re mbi të cilën ngremë të gjithë procesin e rekrutimit dhe të konsolidimit të administratës publike, një ligj që ka pasur dhe vazhdon të ketë shumë kontestime, të cilat janë rezultat i mënyrës se si ne jemi mësuar dhe se si e kemi kuptuar funksionimin e administratës, duke mos arritur asnjëherë që të vendosim një themel të fortë dhe ta shohim rekrutimin dhe konsolidimin e administratës si proces afatgjatë.
Dihet historia e 20 e kusur viteve, por dihet edhe historia e shtetit shqiptar që asnjëherë nuk ka arritur të ndërtojë dhe të konsolidojë një administratë profesionistësh që t’i shërbejë çdo qeverie, t’i shërbejë çdo programi që merr besimin e popullit përmes votës dhe t’i shërbejë vazhdimësisë normale të shtetit.
Ky ligj është jo i lehtë në aplikim. Është jo i lehtë në aplikim, duke filluar që nga qasja ndaj ligjit e institucioneve. Institucionet nuk janë ende në nivelin që kërkon ligji dhe kanë vështirësi të mëdha në ndjekjen e të gjitha etapave që ligji parasheh, për të siguruar një proces rekrutimi dhe konsolidimi të natyrshëm, pa zvarritje, pa boshllëqe dhe pa probleme. Por, ky është i vështirë si proces edhe për ata që aplikojnë.
Ne jemi në kushtet kur kemi parë se ka shumë konkurse të cilat dalin pa fitues dhe duhet të përsëriten. Për shkak se konkurset janë reale, janë të vështira dhe mungesa e eksperiencës përbën një problem themelor në kuptimin e tyre dhe në procesin e përpjekjes për të fituar një konkurs.
Intershipet apo angazhimi vullnetar i të rejave dhe të rinjve në administratë ndihmojnë shumë për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen pjesë e administratës.
Ne e fillojmë këtë proces me një tavan paraprak prej 1900 personash, por në harkun e 12 muajve ambicia jonë është që të shkojmë në 10 mijë vajza dhe djem të shkolluar, të diplomuar dhe të interesuar për ta njohur nga brenda administratën dhe për të konkurruar që të bëhen pjesë e saj.
Brenda këtij projekti në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike ne kemi konceptuar edhe një seleksionim që do të vijë si rezultat i cilësisë së angazhimit të gjithë këtyre mijëra vajzave dhe djemve për të mbështetur dhe çuar më tutje dhe për të siguruar vazhdimësinë dhe besueshmërinë e këtij procesi. 200 vajza dhe djem që do të dallohen në këtë proces dhe që do të duhet të bëhen menjëherë pjesë e administratës publike sigurisht me konkurs, por duke pasur vlerësimin e intership-it një avantazh më shumë. Për ta fituar këtë avantazh mjafton që të aplikojnë dhe të përfshihen në këtë proces, gjithë këta mijëra njerëz. Nuk është një avantazh që jepet apriori apo një avantazh që krijon pabarazi në procesin e përpjekjes për t’u bërë pjesë e administratës.
Ky është një program që përfshin vajza dhe djem nga 21 deri në 26 vjeç, kryesisht njerëz që kanë studiuar, që kanë përfunduar studimet apo janë në përfundim e sipër të studimeve dhe që iu duket shpeshherë padrejtësisht e pamundur që të çajnë vetë në rrugën e rekrutimeve në administratën publike.
Unë mund t’ju them një gjë dhe ua them me siguri dhe krenari që kam pasur një takim me fituesit dhe kam parë bashkëmoshatarë tuaj edhe me më shumë vite se sa ju, të cilët më kanë dëshmuar se kanë konkurruar edhe gjashtë herë. Kanë konkurruar nuk kanë fituar, kanë konkurruar nuk kanë fituar dhe në fund fare ia kanë dalë, sepse kanë kuptuar edhe se si funksionon konkursi, kanë kuptuar edhe se çfarë përgatitje duhet. Ju siguroj se të gjithë më kanë dëshmuar, pa pasur asnjë nevojë ta bëjnë këtë në rastin se s’do të ishte e vërtetë, se ndjehen shumë mirë pasi e kanë marrë pozicionin që kanë synuar me meritën e tyre; kanë pranuar që konkurset janë reale, se në qoftë se nuk do ishin reale s’do kishte konkurs pa fitues. Ndërkohë që, ne kemi plot konkurse që zhvillohen dhe asnjëri nuk i merr pikët e nevojshme dhe konkurset përsëriten.
Unë kam një eksperiencë shumë pozitive nga ky proces që në bashkinë e Tiranës. Ka qenë i pari institucion në Shqipëri që e çeli derën për të ftuar dhe për të caktuar vende pune për studentë në periudhën e verës dhe mund t’ju them që sot edhe në nivele të larta drejtuese ka njerëz që vijnë nga ai proces, që kanë bërë shkollën e jetës në bashkinë e Tiranës. Pasi kaluan procesin e intershipit konkurruan dhe u bën pjesë e administratës dhe bashkisë së Tiranës dhe sot disa prej tyre janë në shkallët më të larta të administratës publike.
Është një proces fantastik për administratën nga ana tjetër, sepse krijon një ndërveprim tërësisht të ndryshëm, pasi të rinjtë që hyjnë dhe që janë të angazhuar aty vullnetarisht janë ambiciozë, janë kërkues, janë këmbëngulës. Nga ana tjetër është një proces edhe faktues nëse mund ta themi, për nervat, për zemrën, për qëndrueshmërinë psikologjike pasi të punosh në një administratë, – edhe në administratën amerikane, lëre më pastaj në administratën shqiptare, – nuk është e lehtë, rezistencat, pengesat, refuzimet janë të përditshme. Shumë gjëra kur i shikon me një sy të jashtëm iu duken absurde, atyre që janë brenda në zyrë iu duken normale. Të gjitha këto ndihmojnë shumë për të kuptuar natyrën e punës në administratën publike dhe për të sfiduar veten në aspekte që janë të panjohura pasi në shkollë nuk i ndesh. Por, ka dhe një përfitim tjetër. Ata të cilët kanë marrë një diplomë, kanë një profesion dhe kalojnë procesin e intershipit, marrin një eksperiencë që iu vlen shumë edhe në rast se pastaj shkojnë në sipërmarrjen private. Edhe nga pozitat e sipërmarrjes private është shumë e rëndësishme që të dish sesi funksionon mekanizmi i shtetit, qoftë me të mirat, qoftë dhe me të këqijat.
Për ne ky është një proces që do t’i japim një rëndësi të veçantë.
Është rasti për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë mijëra e mijëra të rinjve që për momentin mund të ndihen të shkëputur dhe nuk shikojnë urë, por shikojnë hendek, midis aspiratave të tyre, ambicieve të tyre, mundësive të tyre dhe derës së shtetit. Nga ana tjetër, për të krijuar parakushtin që në afat të mesëm, ligji i administratës dhe ambicia jonë për të ndërtuar një administratë europiane, të jetësohet në bazë të krijimit të gjithë këtij kapitali njerëzor që kualifikohet përmes intershipit.
Një element, që besoj nuk duhet lënë mënjanë është dhe natyra rajonale e intershipit, është ambicia jonë. Ne po bisedojmë me qeveritë e vendeve të rajonit për të bërë shkëmbime, pra, që të mos jenë vetëm studentët e Shqipërisë që hyjnë dhe marrin eksperiencën e tyre në administratën tonë, por edhe të tjerë të cilët mund të shkëmbehen në numra të barabartë. Këtu nuk kam parasysh vetëm studentë apo të rinj nga Kosova dhe Maqedonia, shqiptarë, por kam parasysh edhe serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, pse jo edhe kroatë, slloven. Për pjesën më të spikatur pastaj, ne do të bëjmë një projekt të posaçëm intershipesh në vende të reja të BE. Që do të thotë që, si fillim të bëjmë të mundur që kush ndër ata që fitojnë paraqet interesin për të shkuar dhe për të bërë intershipin në një institucion, në një nga vendet e rajonit, të këmbehet me dikë nga ato vende të rajonit, që vjen dhe e bën intershipin në Shqipëri. Por, kjo është pjesë e punës që do të na duhet për ta strukturuar dhe konsoliduar sa më mirë këtë projekt dhe nuk i takon sigurisht muajit korrik, por i takon procesit që vjen në vijim.
Me siguri, për ata që do të dallohen në këtë proces, ne do të kemi parapëlqimin që t’ju japim këto mundësi të reja dhe në fund të ditës apo në fund të kësaj rruge edhe nëse nuk hyn në administratën publike, vendos që të bësh një eksperiencë tjetër, ke me vete jo vetëm diplomën, por edhe një eksperiencë të shkëlqyer, që me siguri të vlen edhe për intervistat dhe për t’u rekrutuar në ndërmarrje që kanë problematika apo nevojë për të pasur interlokutorët e tyre në raport me institucionet, në raport me agjenci të ndryshme shtetërore, apo në raport edhe me vetë rajonin.
Ky është programi. Kjo është ambicia.
Për momentin besoj se që bashkarisht ne ndajmë ambicien. Ju keni ambicien që të jeni pjesë e këtij programi i cili është për ju. Me ambicie të përbashkët hap pas hapi, ne të strukturojmë një proces që pastaj të kthehet në një proces të rregullt rutinë për shtetin shqiptar, për qeverinë shqiptare dhe çdo vit studentët apo ata që kanë mbaruar shkollën, të dinë që kanë një shans të aplikojnë apo gjatë periudhës së verës apo për 12 muaj rresht të mund të bëhen pjesë e kësaj aventure me shumë interes reciprok dhe me përftim reciprok.
Sot jemi këtu për t’ju përgjigjur pyetjeve tuaja, interesimit tuaj, sepse na ndihmon që këtë proces të informimit ta kryejmë me efikasitet.
–Përshëndetje, jam 22 vjeç dhe studioj arkitekturë në universitetin “Epoka”. Faktikisht kam eksperiencë në praktikë, pasi e kam punuar në studio arkitekture private, por këtë vit kisha shumë dëshirë që të aplikoja për praktikë verore, në administratën publike. Kam edhe një pyetje lidhur me profilin që ndiqet në këto raste, pasi doja të dija që kërkesat për praktikantë që ofrohen nga këto institucione publike janë si rrjedhojë e nevojës për numër individësh apo se vërtet do t’i jepet rëndësi edhe profilit tim si arkitekte. E në qoftë se aplikoj çfarë më pret?
Sigurisht në qoftë se ju do të aplikoni si arkitekte, ne nuk do t’ju çojmë të punoni në sigurinë ushqimore, le të themi. Por me siguri, do t’ju ofrojmë që të punoni në studiot dhe zyrat e projektimit që ka administrata shtetërore.
Faktikisht, ne kemi nevojë për arkitektë të rinj. Unë tani po them atë që mendoj, pavarësisht nga programi. Nëse programi nuk e ka duhet ta përfshijë. Prandaj është e rëndësishme të kuptohet që ky nuk është një proces që ne e dimë se si do të shkojë në të gjitha, por është një proces që gjatë rrugës na mëson edhe ne, edhe ju, se çfarë duhet përmirësojmë. Pra, kemi nevojë për arkitektë dhe urbanistë të rinj. Ne kemi bërë një ndryshim të rëndësishëm në nivelin e lartë, pra në nivelin qendror të trajtimit të çështjeve të urbanistikës dhe të zhvillimeve urbane. Faktikisht, për çështje javësh do të krijojmë dy struktura. Një strukturë, ajo e agjencisë së planifikimit që është sot do të ndahet në dy pjesë, një pjesë do të shërbejë si sportel unik për të gjithë kërkesat për leje që kanë të bëjnë me zhvillimin urban dhe pjesa tjetër do të jetë vetëm laborator idesh, projektesh dhe opsionesh që do të mbështesë Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe aktorët që kanë të bëjnë me këtë ministri.
Të gjithë ata që kanë studiuar apo që kanë një eksperiencë fillestare pas shkollës në arkitekturë, me siguri që për ne përbëjnë një kapital njerëzor me interes të posaçëm dhe sipas aplikimeve do të seleksionohen në bazë të mundësive dhe vendeve. Pa llogaritur faktin që pas zgjedhjeve bashkitë e reja do të kenë nevojë për kapital njerëzor në këtë drejtim dhe do jenë hapësira, ku padyshim që do të ketë vend edhe për ata që duan të bëjnë intershipe gjatë verës dhe gjatë një viti të tërë kalendarik.
-Përshëndetje! Studioj arkitekturë tek Universiteti Epoka. Jam e interesuar për kriteret për përzgjedhjen e këtyre të diplomuarve, që aplikojnë për këto vende pune, ose ndonjë preferencë në studentë që kanë mbaruar në arsimin publik apo privat, pasi kryesisht janë pa eksperiencë?
Ne nuk kemi një qasje ndarëse apo preferenciale mes arsimit publik apo privat. Ne kemi qenë shumë të qartë që kur kemi shpallur programin tonë si PS dhe pastaj programin e sintezën me LSI-në për qeverinë, që për ne ka arsim publik të financuar nga shteti apo të financuar nga privatë, pa qëllime përfitimi. Kjo do të thotë që të gjithë resurset financiare riciklohen për të rritur kapacitetet e infrastrukturës, të teknologjisë dhe dijes në universitet, gjë që lidhet qartësisht me ligjin tonë të ri për arsimin, që është një revolucion i vërtetë në fushën e arsimit të lartë. Kështu që, për ne nuk ka asnjë problem, nëse ke mbaruar shkollën e lartë publike apo private. Sigurisht që do të ketë kritere përzgjedhjeje. Unë u informova para se të hyja këtu, numri i aplikantëve në pak ditë ka kaluar 400. Shpresojmë që të ketë shumë e shumë më tepër sesa ne kemi nevojë, për të pasur mundësi të bëjmë një seleksionim paraprak. Seleksionimi do të bëhet mbi bazën e dosjeve dhe të letrës së motivacionit që do të duhet të bëjë secili, pse do që ta bëjë këtë intership. Besoj e keni të qartë që intershipi është vullnetar. Ju do të punoni në institucione për një kohë të caktuar dhe nuk do të paguheni për këtë. Ajo që merrni si përfitim është eksperienca.
Parashikimi është që për 200 më të spikaturit do të ketë një trajtim të veçantë, një shoqërim nga ana e Departamentit të Administratës Publike, për t’i çuar drejt konkursit dhe përfshirjes në administratë.
-Jam Indrit Çela dhe kam mbaruar për marrëdhënie ndërkombëtare në Perugia në Itali. Jam kthyer vitin e kaluar. Kam aplikuar tek website i DAP për të konkurruar, por më kanë skualifikuar se nuk kam një vit eksperiencë. A vlen praktika tremujore për të aplikuar përsëri tek DAP-i?
Procesi do të jetë nga 3 në 12 muaj, kjo do të varet edhe nga interesimi juaj. Ata të cilët do të synojnë që të hyjnë në administratën publike me konkurs, kanë interes që të bëjnë eksperiencën 12 mujore, që pastaj mos të skualifikohen sipas kritereve të caktuara nga ligji, për mungesë të eksperiencës. Unë e kam ndeshur disa herë këtë gjë dhe në fillim mua më dukej si paradoks. Drejtorja e Administratës ka punuar me mua që të më informojë dhe të më bindi që nuk është paradoks. Por, më dukej paradoks t’i thuash dikujt se nuk ke eksperiencë dhe faktikisht ku ta fitojë eksperiencën. Ndërkohë intershipi është rruga e duhur për ta fituar këtë eksperiencë, pra, për të kapërcyer këtë ngërç, se është si ajo shprehja, veza pulën apo pula vezën. Ti ke mbaruar shkollën në Perugia, shkon të aplikosh dhe të thonë se je shumë i mirë, por nuk mund të fitosh se nuk ke eksperiencë në administratë. Prandaj kjo është një urë, për të kapërcyer nga ana e të qenit student në anën e shërbëtorit të shtetit, pra, është një tranzicion. Intershipi do t’ju shërbejë shumë për të kuptuar dhe për të fituar. Ashtu sikundër kjo do t’i shërbejë shumë edhe shtetit. Është me përfitim reciprok.
– Kam mbaruar për shkenca politike në Universitetin Amerikan në Athinë. Përveç intershipeve që kanë ofruar organizata të huaja, më duhej që eksperiencën profesionale ta merrja edhe nga vendi im. Falë aplikimeve të hapura kam pasur fatin të vazhdoja në ambasadën shqiptare në Athinë, pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe së fundi, në Ministrinë e Jashtme. Nga eksperiencat e mia, ajo që unë do të veçoja më shumë midis atyre jashtë dhe këtu, dallim është vlerësimi i performancave. A do të ketë kritere të vlerësimit të performancave dhe a do të jepen certifikata të vlerësimit, të cilat më vonë mund të përdoren për aplikimet për punësim?
Kur ju thashë që ligji i ri është një sfidë, nuk është një sfidë vetëm për ju, për ata që duan të futen në administratë, por madje është sfidë shumë e madhe për administratën dhe burokracinë që të kuptojë ligjin dhe që t’i adaptohet ligjit.
Ne jemi ndoshta i vetmi vend në Europë, – nuk e di në ka ndonjë vend tjetër, mbase Greqia mund të jetë si ne, – ku nuk kemi përshkrim të vendeve të punës nga i pari tek i fundit, mbi bazë të të cilit të ketë edhe vlerësim të performancës. Nuk mund të ketë vlerësim me objektivitet të arsyeshëm të performancës, në qoftë se nuk ka përshkrim të vendit të punës dhe çfarë pritet nga ai vend pune, jo nga personi. Mbi bazën e çfarë pritet nga ai vend pune rekrutohet personi dhe vlerësohet personi.
Bashkia e Tiranës ka qenë i pari institucion në Shqipëri që pati një manual të gjithë mënyrës së funksionimit të administratës, një manual procedurash, një manual performance, një manual të bazuar në një përshkrim rigoroz të të gjithë vendeve të punës. E them këtë me krenari, por nuk dua që ju apo askush që më dëgjon të mendojë që kemi bërë ndonjë çudi. Kemi bërë një gjë normale, për një institucion normal, se përndryshe s’e merr vesh i pari të dytin. Nuk dihet kush bën çfarë. Se ne kemi mësuar tani në këtë vend të bëjmë kuadrate, organigrama, por sesi ato kuadrate, po themi, funksionojnë dhe kush është produkti që pritet dhe çfarë kontributi ka çdonjëri nga ata që punojnë aty për këtë produkt këtë ende jemi larg së pasuri në të gjitha nivelet e administratës.
Kështu që, absolutisht, ju keni të drejtë dhe jam i bindur që intershipi bazohet së pari në çfarë pritet nga personi që rekrutohet dhe së dyti nga vlerësimi që i bëhet. Patjetër që do të keni në fund një dokument, një certifikatë, që do të vërtetojë këtë periudhë pune dhe do të vlerësojë cilësinë e punës suaj.
-Jam një prej përfituesve nga programi i intershipit në vitin e kaluar pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Eksperienca ime ishte fantastike dhe sot më vlen në punën time. Lidhur me procesin e sivjetëm unë kam dy pyetje; Me transparencën e tij si do të jetë procesi? Mund të ndodhë që do të favorizohen vetëm të rinjtë e qyteteve të mëdha? A do të shpërndahet ai edhe nëpër qytete të tjera të Shqipërisë?!
Së pari, ne duhet të kuptojmë që kur flasim për qytete të mëdha dhe qytete të vogla, nuk duhet të harrojmë që flasim për një vend shumë të vogël, që në një shtet tjetër mund të ishte një bashki, Shqipëria. Kështu që është karakteristikë e vendeve të vogla, që flasim për qytete të mëdha, qytete të vogla, fshatra të mëdhenj, fshatra të vegjël. Komunitet i madh nga ana andej e lumit, komunitet i vogël nga ana këtej e lumit, sepse është psikologjia e të voglit. Por, që ne të ndajmë në këtë formë rekrutimin, kjo është e pamundur, nuk ndodh. Ashtu sikundër, e përsëris, është e rëndësishme që ky intership të shihet edhe nga perspektiva e bashkive të reja. Pra, të gjitha bashkitë e reja që nga Tropoja deri në Konispol, do të kenë nevojë për rifreskim dhe për prurje të reja, për ide të reja, për gjak të ri. Ndaj, padyshim një student nga Tropoja apo nga Konispoli mund të ketë sigurisht një shans në Tiranë për të punuar në institucionet qendrore, por mund të ketë një shans edhe në Tropojë apo në Konispol, sepse potenciali që sot duhet të administrojnë bashkitë e reja është shumë herë më kompleks sesa potenciali që administronin bashkitë deri më sot.
–Jam 24 vjeç, jam në përfundimin të masterit për menaxhim mjedisi në institutin bujqësor të Tiranës. Nëpër televizione dhe nëpër rrjete sociale po qarkullon një lajm që do të krijohet një agjenci e re për Shërbimin Kombëtar të Rinisë. Nuk e di sesi do të funksionojë kjo agjenci dhe çfarë do na ofrojë?
Në fakt Shërbimi Kombëtar i Rinisë është një strukturë e re që ka filluar të funksionojë dhe që në funksionin e vet tregon se ka shumë gjëra që mund të bëjë. Por, për këtë ka nevojë të fuqizohet, se nuk është thjesht ashtu siç mund të imagjinohet nga larg që rinia, hip-hop, hop-hop, e hapësira për koncerte, për muzikë për diskutime. Por, është një shërbim që ka ambicien dhe që po krijon kapacitetin për t’iu shërbyer të rinjve që duan orientime lidhur me punën, me mundësinë e punësimit. Lidhur me mënyrën sesi mund të bëjnë një projekt dhe të aplikojnë përmes një projekti për të financuar një ide të tyren e të tjera.
Kështu që, pyetja ishte shumë me vlerë për të shpjeguar që Po, Shërbimi Kombëtar i Rinisë është i ngritur si agjenci dhe Po, ka nevojë që të shtrihet dhe të njihet nga të gjithë të rinjtë. Fakti që, ende shumë pak e dinë dhe e njohin, tregon që duhet bërë akoma më shumë punë për t’u bërë pikë referimi, qoftë edhe për një këshillë, apo për të ndarë eksperienca. Për të promovuar shembujt e suksesit dhe për të ndihmuar qoftë Ministrinë, qoftë qeverinë, për të përmirësuar qasjen dhe për të kapërcyer pengesa që dalin rrugës nga eksperienca dhe që tregojnë që janë pengesa që nuk vijnë si rezultat i të tjerëve, por vijnë si rezultat i legjislacionit, i burokracisë, vijnë si rezultat i nevojës që ka qeveria për t’u përmirësuar.
– Jam studente për administrim dhe politikë sociale. Kam 5 vjet e angazhuar me shoqërinë civile dhe vitin që kaloi pata fatin e mirë të jem pjesë e intershipit veror në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Pyetje ime është, nëse ka një qasje unifikuese për kërkesat dhe nevojat që ka secili qark vendor për praktikant. Pra, ka një qasje unifikuese midis këtyre dy elementëve?
Që të jem shumë i sinqertë ende jo, por në këtë proces jemi. Pas 21 Qershorit, pas zgjedhjeve, do të kemi më të qartë se kush janë interlekutorët dhe çfarë të këmbejmë dhe të shkojmë drejt këtij unifikimi që do të na ndihmojë shumë edhe nga pikëpamja e statistikës, për të kuptuar se cilat janë nevojat reale sipas çdo bashkie dhe sipas profileve të sfidave që kanë bashkitë, që në një pjesë të konsiderueshme janë të njëjta, por në një pjesë janë shumë specifike.
-Quhem Hans, jam nga Austria dhe jam kryetari i Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim. Është kënaqësi që jam këtu. Do doja t’ju përgëzoja për këtë nismë. Ju e dini sa e vështirë është të lançosh një nismë të tillë. Në Austri kjo gjë kërkon disa kushte paraprake si përshkrimin e punës, sigurimet shoqërore, rrogë minimale, një kontratë, si edhe dikë që të mbikëqyrë personin që kryen internshipin. Ju e dini se këto kushte paraprake këtu nuk përmbushen domosdoshmërisht, ndaj dhe dua t’ju përgëzoj për lançimin e kësaj nismë në këtë mjedis të vështirë dhe t’ju uroj fat. Jemi takuar dhe me ish-Ministrin, Erion Veliaj, dhe e siguruam për ndihmën tonë për të lidhur arsimin profesional dhe trajnimin me tregun, gjë që është shumë e rëndësishme dhe për mbështetjen e shoqërive austriake ndaj shoqërive shqiptare në mënyrë që të rinjtë në Shqipëri të mund të bëjnë praktikë.
Jam i bindur që edhe eksperienca e atyre që e kanë kaluar këtë proces në Ministrinë e Mirëqenies që u bë dhe shtysa kryesore për ta zgjeruar projektin, tregon që kjo është plotësisht, jo vetëm e mundur, por edhe e kënaqshme për të dyja palët, sepse nuk është një proces ku qoftë qeveria, qoftë ata që vijnë, vijnë me zor. Të dyja palët janë të interesuara dhe të për këtë arsye edhe angazhimi vullnetar në këtë proces është shumë i rëndësishëm, pikërisht sepse ai që vjen vullnetarisht e di shumë mirë se për çfarë vjen dhe nuk është në pozitën që për çdo gjë që i del si pengesë të fillojë të ankohet sepse nuk e ka marrë njeri me zor.
Ju faleminderit shumë! Faleminderit dhe ministrit dhe të gjithë ekipit që po strukturon këtë proces! Faleminderit të gjithë atyre që dhanë dëshmitë e tyre apo që bënë pyetje që na ndihmuan për shpjeguar procesin. Suksese të gjithë atyre që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij projekti të madh, që siç e thashë, fillon me 1900 të reja dhe të rinj që do të përfshihen në punë në administratën publike dhe në 12 muaj synon të shkoj në shifrën e 10 mijë vajzave dhe djemve që nuk dorëzohen përpara vështirësive, por që kanë nevojë vetëm për t’u mbështetur në momentin e startit. Ky është një moment starti shumë i vlefshëm për të gjithë ata që ende nuk e kanë identifikuar pozicionin se nga ku duan të startojnë apo që ende nuk kanë arritur ta marrin atë pozicion. Mos harroni asnjëherë atë që thashë, sot, në administratën publike me ligjin e ri, me konkurset që bëhen në bazë të ligjit ka të reja dhe të rinj që punojnë pasi kanë provuar pesë a gjashtë herë. Kanë humbur pesë a gjashtë herë konkursin dhe pastaj kanë fituar. Ata janë dhe më të motivuarit dhe më të kënaqurit se janë ulur në pozicionet përkatëse me forcat e tyre 100 %.
Shumë faleminderit!