Kryeministri Edi Rama zgjodhi shkollën e mesme “Sadi Nuri” në Ndroq, për t’u uruar “Suksese!” të gjithë nxënësve në arsimin parauniversitar që sot nisën vitin e ri shkollor. Kryeministri zgjodhi shkollën “Sadi Nuri”, edhe pasi ky vit shkollor vjen me një risi për nxënësit e saj. Ata do të mësojnë në klasa, laboratorë e ambiente të tjera mësimore të sapo rikonstruktuara, që sjellin standarde krejt të reja për ta. Ndërkohë që ende nuk ka përfunduar puna në terrenet sportive të saj.
“Ne ju urojmë shumë sukses. Keni pasur pushime të gjata, tani nuk keni çfarë bëni, duhet të zgjoheni herët e të vini në shkollë dhe kjo shkollë që tani është e përmirësuar ndjeshëm, besoj edhe ju e vini re. Ka shumë nxënës të mirë, ka shumë mësues të mirë. Ne kemi shumë respekt për punën e bërë këtu nga mësuesit e shkollës, por edhe për nxënësit që janë të shkëlqyer. Besoj e keni parë dhe debatin për maturën dhe për maturantët që po hyjnë në universitet, kështu që forca se nuk ka më “qofte te daja”, i thonë kësaj punë. Forca!” – ishte urimi i Kryeministrit i përcjellë edhe mes batutave me nxënësit.
Ministrja Nikolla, ndërsa ju uroi vitin e ri shkollor, nënvizoi se ky vit do t’i dedikohet mësuesve: “Ata që fillojnë sivjet vitin e parë të gjimnazit vijnë edhe me një situatë krejtësisht të re në favor tuaj, një gjimnazi i lehtësuar nga ngarkesa dhe i unifikuar që do të mundësojë jo vetëm një cilësi të re të tuajën, por, padyshim, për të vijuar aty ku ju keni prirjen, aty ku ju keni interesin dhe duke lehtësuar edhe punën e mësuesve, vetëm për t’ju ardhur në ndihmë juve, për të pasur rezultatet më të mira. Unë ju uroj suksese gjithë nxënësve të kësaj shkollë, padyshim mësuesve. Ky është një vit që do t’i dedikohet mësuesve, për të qënë krah tyre në një sistem të ri të kualifikimit, në mënyrë që rezultatet tuaja të jenë ato që ju meritoni.”
Për një nga nxënësit e saj, Erdi Muça, vizita e Kryeministrit Rama dhe ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, ishte e veçantë në një ditë të shënuar për të. Erdi, sot festonte ditëlindjen e tij të 16-të. Bashkë me urimin special për Erdin, Kryeministri i kishte përgatitur edhe një dhuratë, libra të dy autorëve që janë krenaria e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare e Dritëro Agolli, “Kronikë në gur” dhe “Zhurma e erërave të dikurshme”.
“Je në moshë tani ta lexosh këtë librin që të kam sjellë. Kjo është “Kronikë në gurë, është një libër që duhet ta lexoni të gjithë. Është një nga librat më të bukur në historinë e letërsisë shqipe dhe një kryevepër e letërsisë botërore të Ismail Kadaresë dhe kjo është “Zhurma e erërave të dikurshme”. “Facebookun” mirë, por duhet të lexosh libra,” – ishte urimi, mbi të cilin Kryeministri kishte përzgjedhur edhe dhuratën.
Edhe më të ngrohtë e bënë atmosferën batutat e lirshme që Kryeministri shkëmbeu me nxënësit, të cilët iu përgjigjën aty për aty, ngacmimeve dashamirëse të Kryeministrit. Si ndihesh 16 vjeç, si të dukej vetja” – pyeti Kryeministri, Erdin, nga i cili mori një përgjigje të atypëratyshme “Një vit më i madh.”
Një urim të ngrohtë për ditëlindjen, njëherësh edhe për vitin e ri shkollor, Erdi mori edhe nga ministrja Nikolla.
Një tjetër moment falenderimi në këtë shkollë ishte edhe takimi me mësuesin e edukimit fizik, Faslli Jashari, i sapodalë në pension. Patjetër që terrenet sportive ishin në qendër të bisedës së Kryeministrit me mësuesin, i cili premton të japë ende për shkollën, edhe pse ka nisur vitet e pensionit. “Kemi një detyrë të përbashkët, – tha Kryeministri, – do të rregullojmë terrenet sportive.”
Shkolla e mesme “Sadi Nuri” është rikonstruktuar në 2016, me një investim me vlerë mbi 27 milionë lekë dhe me mbi 3 milionë lekë të tjerë është bërë pajisja me bazën materiale.