Një yll mes yjeve të Murit të Kujtesës së Policisë së Shtetit

Dëshmori i Atdheut Saimir Hoxha i rënë në krye të detyrës u nderua sot në një ceremoni të posaçme me vendosjen e një ylli, mes yjeve, në Murin e Kujtesës së Policisë së Shtetit që simbolizojnë Dëshmorët e Atdheut, pjesëtarë të trupave të mbrojtjes së rendit dhe të sigurisë, që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama nderoi jetët e rëna në krye të detyrës:

Shumë të nderuar familjarë të Saimirit!

Shumë të nderuar miq dhe kolegë të tij!

Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndë për ju dhe në tërësi është një moment aspak i lehtë për të gjithë bashkësinë tonë, pasi humbja e jetës në krye të detyrës të një punonjësi të policisë është vërtetë një humbje tragjike që shkon përtej familjes përtej miqve dhe të afërmve dhe prek shpirtin e një shoqërie dhe të një vendi.

Sot, ne jemi këtu për të kryer ceremoninë e vendosjes së yllit të Saimirit në Murin e Kujtesës së Policisë së Shtetit, pranë yjeve të gjithë dëshmorëve të trupave tona të mbrojtjes së rendit dhe të sigurisë në harkun e gjithë këtyre viteve.
Është një kohë e gjatë qysh se është vendosur ylli i mëparshëm dhe në një kuptim është lehtësim që në gjithë morinë e atyre yjeve në atë mur, në këto vite numri i rasteve tragjike është më pak se gishtat e një dore, por nga ana tjetër statistika nuk ka asnjë rëndësi sepse qoftë dhe një jetë e vetme vlen sa të gjitha jetët kur ajo humbet.

Ky shi që po bie rrëmbyeshëm i thotë më mirë sesa të gjitha fjalët, ndjenjat tona në këtë moment që jemi mbledhur këtu. Por sidoqoftë, ndjej një lehtësim kur mendoj se fëmijët e dëshmorit nuk do të jenë vetëm dhe ne do të përkujdesemi për ta siç kemi nisur qysh dje të përkujdesemi për familjen e tij, deri kur ata të arrijnë moshën e pjekurisë dhe të jenë të gatshëm për të dalë me këmbët e tyre në jetë.
Natyrisht që 170% e pagës së babait për fëmijët nuk thotë asgjë në raport me humbjen.

Natyrisht as ato 50 milionë lekë që ne i akorduam menjëherë familjes nuk thonë asgjë në raport me humbjen, por sidoqoftë është një lehtësim të mendosh se fëmijët do të jenë të shoqëruar për dore, jo vetëm nga nëna dhe nga gjyshërit, por edhe nga shteti dhe nuk do t’ju mungojë absolutisht asgjë, njësoj sikur babai të ishte në jetë, natyrisht përveç mungesës së tij, të cilën askush nga ne nuk e zëvendëson dot.

Nderime dhe lavdi përjetë të gjithë Dëshmorëve të Atdheut, të cilëve sot u bashkohet edhe ylli i Saimirit!