Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

NJOFTIM PËR KANDIDIM

PËR

PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE PËR ANËTARË TË KËSHILLIT TË STATISTIKAVE

Në mbështetje të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, dhe të pikës 2, të vendimit nr.670, datë 7.11.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes, të përfaqësimit, emërimit e shkarkimit, rregullat e funksionimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve të Këshillit të Statistikave”, shpallim njoftimin për kandidim për anëtarë të Këshillit të Statistikave.

Konkurrimi është i hapur për përfaqësues që i përkasin përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare, botës akademike, shoqërisë civile dhe medias.

Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të Këshillit të Statistikave, që propozohen nga Këshilli i Ministrave, janë, si më poshtë vijon:

Kandidati për anëtar, përfaqësues i përdoruesve kryesorë të statistikave zyrtare:

i. Të jetë nga radhët e nëpunësve civilë të Kryeministrisë, të cilët merren, kryesisht, me hartimin e strategjive zhvillimore dhe monitorimin e zbatimit të tyre;
ii. Të jetë nëpunës civil, të paktën, i nivelit të mesëm drejtues;
iii. Të ketë lidhje me përdorimin e të dhënave statistikore në natyrën e punës së tij;
iv. Të ketë jo më pak se 3 (tre) vjet përvojë pune në përdorimin e statistikave.

Kandidati për anëtar, përfaqësues të botës akademike:

i. Të jetë nga radhët e personelit akademik, i punësuar me kohë të plotë, në institucione të arsimit të lartë, publik ose privat, të licencuar e akredituar sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
ii. Të ketë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet në fushën e statistikave ose të ekonomisë apo shkencave të natyrës;
iii. Të zotërojë tituj akademikë.

Kandidati për anëtar, përfaqësues i shoqërisë civile:

i. Të jetë nga radhët e organizatave jofitimprurëse, që përdorin tregues statistikorë për kryerjen e veprimtarisë së tyre;
ii. Të jetë i punësuar në organizatë për jo më pak se 3 (tre) vjet;
iii. Të jetë i angazhuar në përdorimin e statistikave në fushat e ekonomisë, të shkencave të natyrës apo shkencave sociale.

Kandidati për anëtar, përfaqësues i medias:

i. Të jetë nga radhët e medias kombëtare;
ii. Të jetë i punësuar me kohë të plotë;
iii. Të ketë përvojë në punë jo më pak se 10 (dhjetë) vite në fushën e gazetarisë ekonomike.

Kritere të përgjithshme:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të jetë person i padënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar.
Shënim:  Kandidatët për anëtarë në Këshillin e Statistikave duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë dokumentacionin që provon plotësimin e kritereve sipas kategorive përkatëse.

Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga data e njoftimit, organizatat e shoqërisë civile duhet të paraqesin kandidatët përkatës, së bashku me dokumentet e nevojshme, përfshirë:

⦁ kërkesën për aplikim;
⦁ curriculum vitae CV;
⦁ referencat dhe letrat mbështetëse nga 5 organizata jofitimprurëse;
⦁ dokumente dhe deklarata të tjera provuese për vërtetimin e përmbushjes së kritereve të kandidimit, si më lart.

Afati i dorëzimit të aplikimit është deri më 22.12.2022, dhe të dorëzohet në adresën e Kryeministrisë. Kandidatët e kualifikuar do të njoftohen nëpërmjet e-mail-it.
Adresa:     Kryeministria
                 Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr.1. 1000
                  Tiranë, Shqipëri 
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm 
tel: 04 22 77 401

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.