NJOFTIM PËR KANDIDIM
PËR
PËRZGJEDHJEN E KANDIDATIT PËR KOMISIONER PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT DHE MBROJTJEN E TË DHENAVE PERSONALE
Në mbështetje të neneve 33, 34 dhe 35, të ligjit nr.9887, date 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, njoftojmë hapjen e procedurës për kandidim për funksionin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave, për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.
Funksioni i komisionerit është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër shtetëror, me anëtarësimin në partitë politike dhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, si dhe me çdo veprimtari tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies.
Kandidati duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:
a) ka arsim të lartë juridik;
b) ka njohuri dhe veprimtari të shquara në fushën e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
c) shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale;
ç) ka vjetërsi pune në profesionin e juristit jo më pak se 10 vjet;
d) nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) nuk është larguar nga puna ose shërbimi civil me masë disiplinore.
Shënim: Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
- Kërkesë për aplikim;
- Kopje e letërnjoftimit;
- Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;
- Dokumente të diplomimit e të përvojës në fushën e kërkuar;
- Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
- Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
- Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim, për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.)
Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 17 korrik 2024.
Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr.1. 1000
Tiranë, Shqipëri
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
tel: 04 22 77 401