Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

NJOFTIM PËR MEDIA

MBLEDHJA E KOMITETIT TË MONITORIMIT IPA, 

Tiranë, 12 qershor 2024

U mbajt në Tiranë Komiteti Vjetor i Monitorimit për Zbatimin e Fondeve të Para-Aderimit në BE.

Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar të IPA-s (NIPAC), priti takimin vjetor të Komitetit të Monitorimit të Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) më 12 qershor 2024.

Komiteti është një mbledhje e nivelit të lartë që mblidhet një herë në vit. Mbledhja u drejtua nga znj. Jona Suli, Koordinatore Kombëtare e IPA-s për Shqipërinë, dhe Sigrid Brettel, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR). 

Për të përmirësuar transparencën, përgjegjshmërinë dhe për të siguruar përfshirjen e përgjithshme të të gjithë aktorëve të përfshirë në këto procese, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit diplomatik morën pjesë gjithashtu në takim.

Takimi synoi të shqyrtonte përparimin e përgjithshëm në zbatimin e ndihmës financiare të BE-së në Shqipëri. Pjesëmarrësit diskutuan mbi gjendjen e përgjithshme të projekteve të financuara nga BE-ja në Shqipëri nën fondet e IPA-s për para-anëtarësim. U theksua përparimi dhe arritjet, së bashku me strategjitë për të përmirësuar efektivitetin, koherencën dhe efikasitetin e programeve të BE-së në përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke siguruar një ndikim të prekshëm në institucione dhe qytetarë.

Takimi pranoi përparimin e bërë dhe theksoi përkushtimin tonë për të arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe për të rritur rritjen ekonomike.

Diskutimet u organizuan rreth Axhendës Kombëtare të Reformës dhe Rritjes së Shqipërisë për periudhën 2024-2027, e cila do të mbështetet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ky plan, me vlerë 6 miliardë euro, është projektuar me qëllim plotësimin e fondeve IPA, duke synuar përshpejtimin e reformave socio-ekonomike, modernizimin e ekonomisë, avancimin e teknologjisë, dixhitalizimin dhe kalimin drejt  modeleve të gjelbra të zhvillimit, duke forcuar ndërkohë edhe reformat politike dhe shtetin e së drejtës. Axhenda e Reformës dhe Rritjes, e mbështetur nga fondet e BE-së, pritet të fuqizojë rritjen e qëndrueshme, të krijojë vende të reja pune, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe të gjenerojë mundësi të reja për të rinjtë në Shqipëri.

 

Takimi përfshiu diskutime të thelluara në 3 fusha kyçe: (i) Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, (ii) Mjedisi, Veprimi Klimatik dhe Energjia, (iii) Arsimi, Punësimi dhe Politikat Sociale. U rishikuan projektet në zbatim dhe ato që kanë përfunduar në vitin 2023, me qëllim identifikimin e përparimit të bërë në realizimin e aktiviteteve të parashikuara, arritjeve, sfidave të hasura në zbatim, mësimeve të nxjerra dhe veprimeve korrigjuese të marra ose të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Progresi lidhur me projektet e menaxhimit indirekt u rishikua dhe u vlerësua, së bashku me çështjet që lidhen me funksionimin e sistemit kombëtar të menaxhimit dhe kontrollit nën mënyrën e zbatimit indirekt. 

Në takim u trajtua edhe programi i ardhshëm i ndihmës së BE-së për vitin 2024 e më tej, duke theksuar se Programet e ardhshme do të synojnë të arrijnë një efekt më të fortë transformues në administratën shqiptare, duke maksimizuar ndikimin tek qytetarët. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.