Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, në ceremoninë e prezantimit të 17 Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të miratuara në Samitin e Kombeve të Bashkuara:

Sot jemi mbledhur këtu që t’i bëjmë jehonë dhe të kremtojmë nënshkrimin e deklaratës për zhvillimin e qëndrueshëm nga kryeministri shqiptar, bashkuar nismës globale për një zhvillim të qëndrueshëm global.

Natyrisht që vende si Shqipëria kanë sfida afatshkurtra dhe afatgjata. Kanë probleme të përditshme që lidhen me brezin e sotëm. Por nisma si kjo e Kombeve të Bashkuara që nuk kanë munguar që nga viti 2000 të paktën me deklaratën për Objektivat e Mijëvjeçarit ndihmojnë shoqërinë shqiptare, në mënyrë të veçantë klasën politike shqiptare për tu bërë më e vetëdijshme dhe për të vendosur axhendat tona të punës të mandatit politik apo të axhendës sonë të përbashkët, përbashkuese të integrimit në Bashkimin Europian, në kontestin global.

Natyrisht që ne kemi nevojë për këtë partneritet global. Kemi nevojë për këshillat, nismat e organizatave si Kombet e Bashkuara për të vendosur gjithnjë e më tepër, në kontekst dhe për t’i bërë objektivat e mijëvjeçarit në të kaluarën, dhe tani objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm, pjesë të axhendës sonë dhe të strategjisë kombëtare për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe për integrim në Bashkimin Europian.

Për të qenë të sinqertë nuk mund të themi dot sot, ende se gjithë shoqëria shqiptare e ka këtë vetëdije dhe se këto që po diskutojmë sot janë shumë të kuptueshme apo pjesë e diskutimeve të përditshme të shoqërisë sonë. Por, është pikërisht roli dhe detyra jonë për t’i vetëdijesuar gjithnjë e më tepër duke organizuar aktivitete si ky, dhe i takon jo vetëm politikës, por besoj edhe strukturave të tjera të shoqërisë siç janë organizatat jofitimprurëse, shoqëria civile në përgjithësi që pjesë të aktiviteteve tona dhe të projekteve, të bëjmë gjithnjë e më tepër axhendën globale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe terma si këto.

Shqipëria ka arritjet e veta në drejtim të krijimit të një stabiliteti, qëndrueshmërie, jo vetëm brenda kufijve, por edhe më gjerë. Ne kemi trashëguar edhe mirëmbajtur disa vlera, si ajo e bashkëjetesës fetare, të cilat sot për rastësi historike, rastis pra të jenë edhe një nga vlerat më të cenuara dhe më të rëndësishme dhe pse jo dhe për tu eksportuar. Ndaj dhe ne kemi sot gjithë mundësinë dhe duhet t’i japim vetes fuqinë për ta promovuar këtë vlerë të rëndësishme dhe për t’i bërë mirë, jo vetëm bashkëjetesës fetare brenda vendit tonë, jo vetëm bashkëjetesës në rajonin tonë shpeshherë historikisht të trazuar të Ballkanit, por edhe më gjerë se kaq.

Ne mund të themi që ja kemi dalë të jemi një faktor paqeje dhe sigurie në Rajonin e Ballkanit, duke bashkëpunuar me aleatët tanë të mëdhenj, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, apo duke qenë tashmë prej disa vitesh pjesë e Aleancës Ushtarake të NATO-s që ka dhënë dhe frytet e veta në të mirë të rajonit tonë të Ballkanit, por edhe të kombit shqiptar në rajon.

Të gjitha partitë politike, pothuajse të paktën ato kryesore qeverisëse dhe pjesë e parlamentit në Shqipëri i kanë dhënë mbështetje paqes, stabilitetit në rajon. Kanë dhënë mesazhe vazhdimisht për një rajon të qetë dhe i kanë bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në qetësimin dhe stabilitetin e vendeve ku ata jetojnë, duke shërbyer kështu si një urë lidhëse brenda vendeve ku jetojnë, ndërmjet vendeve tona, ku jetojnë sot shqiptarë dhe janë jo pak në rajonin tonë të Ballkanit.

Por duhet të themi që Shqipëria ka bërë gabimet e veta nga të cilat duhet të mësojmë edhe sot është momenti të reflektojmë. Kemi bërë gabime në mosplanifikimin e një zhvillimi të qëndrueshëm. Kemi bërë gabime në të kaluarën, duke e bazuar rritjen ekonomike edhe përpjekjet për të ndërtuar mirëqenie, në injorim të interesave të brezave që do të pasojnë.

Kemi shfrytëzuar në mënyrë të papërgjegjshme shpeshherë, burimet. Ajo që na bashkon të gjithëve, të gjithë globin në këtë axhendë për një zhvillim të qëndrueshëm është një fjali ose një fakt; burimet janë të kufizuara. Burimet në botë janë të kufizuara. E duke qenë se burimet janë të kufizuara natyrisht që na duhet dhe zgjuarsi dhe me përgjegjshmëri t’i planifikojmë mirë ato.

Shqipëria nuk e ka bërë këtë, në të gjitha rastet dhe në të gjithë, të paktën në vitet e fundit apo në periudhën e tranzicionit që ka qenë justifikimi për të gjitha qeveritë shqiptare i dështimeve të veta. Ne kemi keqtrajtuar për shembull territorin dhe shprehja vizuale më e qartë e tranzicionit apo e një zhvillimi të paqëndrueshëm është mënyra se si ne jemi sjellë në këto vite me territorin, mënyra se si kemi ndërtuar kuturu, pa plan, pa kriter, me lejë apo pa lejë.

Sot kemi sipas ALUIZN-it rreth 400 mijë ndërtime informale në Shqipëri, që do të thotë se përgjegjshmëria jonë në raport me territorin, i cili nuk na përket ne, nuk i përket vetëm këtij brezi, por i përket dhe brezave që do të vijnë, ka qenë shumë e ulët. Kemi përdoruar papërgjegjshmëri të lartë për burimet e tjera të rritjes ekonomike, duke e bazuar rritjen ekonomike për shembull, në vitet e fundit tek borxhi. Ta bazosh rritjen ekonomike tek borxhi, duke injoruar hapësirat e tjera dhe potencialin ë ekonomia ka për tu rritur, duke luftuar përshembull informalitetin, do të thotë të zhvillohesh në mënyrë të paqëndrueshme dhe të papërgjegjshme. Do të thotë të shesësh një mirëqenie të gënjeshtërt dhe ta eksportosh apo ta transferosh problemin tek brezat që do të vijnë.

Ndaj dhe sot është momenti për të dhënë disa mesazhe që besoj i interesojnë edhe publikut të gjerë lidhur me përpjekjet tona për të reduktuar, për të luftuar pa mungesë transparence por edhe pa tolerancë, informalitetin. Kemi shumë pak opsione sot në tavolinë për të projektuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Praktikisht borxhi publik i trashëguar ka arritur limitin e vet optimal.

Nga ana tjetër, borxhi i fshehur, e kemi thënë disa herë në këto dy vite, por do të vazhdojmë ta themi, kishte arritur nivele të frikshme në 720 milion dollarë. Kemi qenë edhe të detyruar edhe të dëshiruar që të partnerizojmë me BB dhe FMN për të adresuar këtë problem të trashëguar, për të shlyer borxhet ndaj biznesit, për të krijuar një klimë besimi, për ta restauruar klimën e besimit të biznesit ndaj institucioneve publike, qeverisë, pa të cilën nuk mund të mendohet dot, projektimi i rritjes ekonomike.

Kështu që opsionet e mbetura sot janë, ose do të reduktojmë informalitetin, i cili mesa duket, mesa e dinim, dhe mesa e dinë të gjithë është trashëguar shumë i lartë në Shqipëri, ose të mos prekim pjesën informale të ekonomisë me përkujdesjen e mostrazimit të ujërave dhe të mosdobësimit, siç mund të mendojë dikush, të krediteve politike të qeverisë dhe të rëndojmë akoma më tepër, me taksa apo me mënyra të tjera, me rëndesa administrative, atë pjesë të ekonomisë, dhe shoqërisë që paguan, është fomale, dhe mban buxhetin e qeverisë përmes taksave të veta.

Opsioni i tretë do të ishte rritja e mëtejshme e borxhit, duke vazhduar ta transferojmë problemin tek brezat që do të vijnë, që mund të mos kenë lindur akoma dhe që nuk kanë bërë asnjë faj, janë totalisht të pafajshëm, për të lindur me një barrë të madhe në kurriz. Këtë të fundit, edhe po të duam, për të qenë fare të sinqertë nuk e bëjmë dot sepse jemi angazhuar që në fillim të qeverisje sonë që nuk do të rëndojmë akoma më tepër borxhin publik.

Siç e thashë kemi partnerizuar me Bankën Botërore dhe me FMN por dhe me BE, dhe jemi angazhuar që të çojmë ekonominë tonë drejt stabilitetit, financat tona drejt stabilitetit dhe borxhin publik drejt reduktimit, jo drejt rritjes. Nuk bëjmë dot as opsionin e dytë, pra të rëndojmë akoma më tepër pjesën e ndershme të biznesit që paguan, ta rendojmë me taksa më të larta, me detyrime më të larta, ndaj dhe kemi vendosur që në vend që ta rëndojmë ti qëndrojmë atij në krah. Pra ti qëndrojmë biznesit të ndershëm në krah dhe bashkë me të fillojmë rrugën që sapo e kemi nisur në fakt, për ta pastruar tregun nga konkurrenca e pandershme, për ta mbështetur biznesin e ndershëm në zhvillimin, ne rritjen e vet ekonomike, që do të thotë edhe rritje ekonomike e Shqipërisë, që do të thotë më shumë mundësi për qeverinë, për investime publike dhe të mira materiale për komunitetin.

Pra lufta kundër informalitetit është një luftë së pari, për të rritur në mënyrë të qëndrueshme mirëqenien dhe së dyti për ta rritur atë në mënyrë të qëndrueshme. E kemi filluar me luftën kundër informaliteti në pagesat apo konsumin e energjisë elektrike. E kemi vazhduar me luftën kundër informalitetit në zhvillimin e territorit, në dy drejtime. Së pari, duke legalizuar me transparencë dhe me shpejtësi ato ndërtime për të cilat ka një konsensus politik të detyrueshëm dhe të domosdoshëm për ti legalizuar sepse nuk ka rrugë tjetër, por kemi vendosur ta shohim legalizimin si formalizim në fakt. Pra ti formalizojmë, duke hequr një vijë të kuqe, përtej së cilës Shqipëria funksionon si një shtet formal.

Kemi vazhduar së fundi me reformën dhe me operacion për të reduktuar informalitetin në biznes, në ekonomi. Ne jemi të kënaqur që ka një përkrahje popullore të gjerë për luftën kundër informalitetit, por pa dashur të shfrytëzoj këtë podium për ti bërë jehonë masave të qeverisë, mendoj se ka një lidhje shumë të fortë ndërmjet axhendës sonë për të reduktuar informalitetin dhe objektivave tashmë globale për një zhvillim të qëndrueshëm, duke mirëshfrytëzur burimet, duke mos i shpërdoruar burimet dhe duke qenë më të drejtë me brezin e sotëm dhe me brezat që do të vijnë. Ne kemi vendosur të fokusohemi fort dhe të luftojmë fenomenin, nga i cili vende si Shqipëria, vende në këtë stad zhvillimi, janë shumë të rrezikuara dhe janë drejtpërdrejti të ndikuara në përpjekjet e tyre për zhvillim ekonomik, pra korrupsionin nëpërmjet mirëqeverisjes. Sepse ne besojmë se lufta më e mirë kundër korrupsionit është mirëqeverisja, transparenca e shërbimeve duke thirrur në ndihmë teknologjinë. Dixhitalizmi i shërbimeve tona publike, sjellja e tyre më pranë qytetarit, reduktimi i kontakteve fizike të qytetarit me zyrat e shtetit, sepse ne dimë që pas çdo takimi ka një potencial për korrupsion dhe për ryshfet. Sa më shumë zyra shteti t’i duhen një investitori apo një qytetari të trokasë, aq potenciale apo mundësi të fshehura për ryshfete dhe për korrupsion ka. Pra gjithë përpjekja jonë për mirëqeverisje është fokusuar tek optimizimi i shërbimeve, thjeshtimi i procedurave, tek dixhitalizmi i tyre me qasjen që në një kohë të shkurtër gjithnjë e me tepër ti çojmë ato on-line tek qytetarët.

Ndaj dhe jemi një nga vendet pilot që kemi pranuar që mirëqeverisjen ta kemi prioritet të axhendës sonë për zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Pa u zgjatur më tepër, dëshiroj tu falënderoj për pjesëmarrjen dhe shpresoj që përmes fjalës sime, objektivin për një planet që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme i cili nuk është shumë i perceptueshëm për hir të së vërtetës për çdo qytetar, ta kem bërë të kuptueshëm, të vendosur në kontekstin e zhvillimeve të fundit.

Faleminderit!

 

***

Në një ceremoni të zhvilluar në Sallën e Hartave në Kryeministri, u prezantuan sot, 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat u miratuan në Samitin e Kombeve të Bashkuara, të zhvilluar në New York nga data 25-27 shtator.

Më shumë se 150 liderë nga e gjithë bota, përfshirë edhe Kryeministrin Edi Rama, morën pjesë dhe miratuan një program të ri të titulluar: “Ta transformojmë botën: Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2030”, i cili konsiston në një Deklaratë, 17 Objektiva për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Objektivat e miratuara synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme, duke luftuar pabarazinë, fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e qeverisjes, inkurajimin e një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, dhe përqendrimin e përpjekjeve kolektive për të siguruar që ata që kanë më së shumti nevojë të mund të kenë një shans të barabartë në jetë.

Ky program historik do të shërbejë si pikënisje për veprim nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare për të nxitur prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë, në 15 vitet në vijim.

Në përfundim të ceremonisë, ku merrnin pjesë anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ambasadorë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, sektorit privat, etj, – Koordinatorja e Përhershme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD në Shqipëri, zonja Zineb Touimi-Benjelloun i dorëzoi në mënyrë simbolike zëvendëskryeministrit Niko Peleshi e flamurin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.