Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot, me një fjalë, Komitetit Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, i mbledhur në takimin e tij vjetor në Romë. Komiteti diskutoi raportin vjetor për Europën dhe sfidat në implementimin e objektivave në fushën e shëndetësisë të Axhendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Kryeministri Rama, i cili shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se rritja e kujdesit shëndetësor të popullatës është një përpjekje e vazhdueshme, ku mbulimi universal shëndetësor është parësor. “Për ne, objektivi për mbulimin universal shëndetësor mbetet ylli polar i politikës sonë të shëndetësisë. Deri pak vite më parë, një e pesta e popullatës, ose 600 mijë qytetarë të pasiguruar ishin të përjashtuar nga mbulimi universal shëndetësor. Por jo më. Sot, çdo qytetar shqiptar, i siguruar ose jo, gëzon këtë të drejtë”, – u shpreh Kryeministri.

Janë disa betejat që me kurajo qeveria shqiptare ka ndërmarrë në sektorin shëndetësor dhe të cilat janë mirëpritur dhe janë vlerësuar nga OBSH. “Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka mirëpritur kontrollin e përvitshëm mjekësor bazë, pa pagesë, check up-in, për personat e moshës nga 35 deri në 70 vjeç. E njëjta vlen edhe për vizitat nga mjeku i familjes, një shërbim pa pagesë për çdo person. Programi ynë “Pa duhan” është vlerësuar gjerësisht nga OBSH-ja, që i konsideron “përpjekjet tona energjike si themelore në mbrojtjen e shëndetit publik nga epidemia e duhanpirjes”, – tha Kryeministri Rama.

Në këtë sesion të 68 të Komitetit Rajonal për Europën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë u diskutua edhe aksesi i individëve në sistemin e kujdesit shëndetësor, çështje të cilën Kryeministri e adresoi duke nënvizuar disa nga masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare që kanë çuar në uljen e barrës së shpenzimeve familjare për shëndetësinë. “Një politikë tjetër e suksesshme e qeverisë sonë është heqja e së ashtuquajturës “taksë mbi sëmundjen”, TVSH-ja prej 10% mbi ilaçet. Sëbashku me politikat tona të reja dhe negociatat lidhur me çmimin e barnave, kjo ka dhënë rezultate të menjëhershme duke ulur çmimin e tyre me 30%. Të gjitha këto reforma kanë ulur shpenzimet personale (buxhetin individual) për kujdesin shëndetësor nga 57% të totalit në 43% dhe synimi është që deri në fund të mandatit tonë të ulen në nivelin 35%, sa mesatarja e vendeve të OECD-së.”

Në vazhdim Komiteti do të trajtojë sfidat dhe strategjitë e shëndetësisë për mirëqenien e individëve, diskutime të cilat do të ndiqen nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.