Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në inaugurimin e faltores-Odeon në selinë e Shenjtë Bektashiane:

 

I dashur Baba Edmond Brahimaj,

Shkëlqesi, Hirësi

Shumë të nderuar dhe të dashur Miq,

Muzgu që u zgjodh për të ardhur këtu, duke përqafuar këtë hekzagon e dyfishtë në kubenë e bronxtë, më çoi në mendje muzgun e dy jetëve mbi të cilat, në këtë moment  ja vlen të meditohet.

Duke soditur këtë tempull të përfunduar, në harmoni me gjeometrinë filozofike dhe shpirtërore të gjeniut të përveçëm të bektashizmit dhe të gjeniut të përbotshëm të krijimtarisë, mu kujtua filozofi Jozef Ratzinger, ipeshkëv i ardhshëm i Romës.

Atëhere ende kardinal, i përshkuar nga një sens murgjëror vëzhgimi të hatashëm, ai pat shkruar diku se “apologjia e vërtetë e krishtërimit është arti”, perifrazë e së famshmes klithmë të Dostojevskit, “e bukura do të na shpëtojë”.

Nuk e di nëse kjo është “udha” – për t’i përshtatur këtij momenti një fjalë kuptimplotë për urdhërin bektashi – që në intimitetin e ndërgjegjes së vet pat dashur të ndjekë arkitekti i vërtetë i kësaj mrekullie, i ndjeri dhe i paharruari Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Njësoj si Moisiut të cilit, i përnderuar nga bektashinjtë, po aq sa nga besimet e tjera monoteiste, ju desh të kundronte për së largu vendosjen e popullit të tij në tokën e premtuar, po ashtu Dede Reshati e sheh sot të kryer amanetin e moçëm për ngritjen e kësaj faltoreje, e kësaj mrekullie, pa qënë fizikisht të jetë i mundur këtu mes gjithë admiruesve dhe miqve të tij.

Çdo gjë që na rrethon këtu, duke filluar nga vetë faltorja, e cila nuk gjen të dytë në Shqipëri, është mishërim i sensit të masës, të përmasës, të ekuilibrit dhe të një shijeje jashtëzakonisht të hollë e befasuese.

Këtu janë vërtet, në të 12 cepat e faltores, 12 imamët, emrat e të cilëve, ndonëse mund të tingëllojnë të huaj, janë për shqiptarët jehonë e 12 virtuteve njerëzore.

Shqipërisht i përcolli tek ne, në kujtesën e përbashkët, Naim Frashëri, në të pavdekshmen Fletore të Bektashinjve, këtë Kuran e Bibël të dytë të “besës sonë të shenjtëruar”, duke rradhitur krah tyre, 12 shtylla të udhëtimit shpirtëror: të vërtetën, drejtësinë, inteligjencën, urtësinë, vëllazërinë, dashurinë, miqësinë, humanizmin, besimin, atdhedashurinë, përvujtarinë dhe zemërgjerësinë.

Këtu janë edhe Haxhi Bektash Veliu, themeluesi i urdhërit, edhe vet Naimi, mjeshtri i ligjërimit të tij, të ndarë në mes nga ky tempull i paqtë, ashtu siç ndahen në mistikën bektashie, pa ju kundërvënë njëra-tjetrës, “lulja e së vërtetës dhe lulja diturisë”.

Pa patur kultin e imazhit, bektashinjtë reflektojnë kështu përkujdesjen ndaj një rendi gjeometrik dhe estetik shumë të përkorë, ndaj një ekonomie të shqisave, e cila është një përshkrim dhe një udhërrëfyes fillimor i jetës së një individi dhe po ashtu edhe i një bashkësie.

Faltorja dhe i gjithë ansambli që kemi mirësinë e madhe të jemi këtu për ta përuruar, sot është në fakt, simbolikisht dhe realisht, kurorëzimi i përlindjes së lirisë së bektashizmit dhe përmbushja e jetës së një njeriu të madh dhe të ndjeshëm, e cila u njësua katërcipërisht me atë të komunitetit të cilit ai i përkiste.

Sot, dhe vetëm sot, bektashizmi gjen përfundimisht atë të drejtë qytetarie që gjen edhe kujtesa e ndjerë e Baba Reshatit, i destinuar që në fëmijëri, të ndjente peshën e rrënimit, dhunën e përçmimit dhe pastaj dora-dorazi, belbëzimet e para të ringjalljes.

Një njeriu të cilit që në fëmijëri e në rini të hershme ju skalit karakteri dhe forca morale pasi i ra për pjesë të ishte dëshmitar i djegies së shtëpisë atërore nga diktatura ateiste dhe të cilit ju konsolidua besimi tamam atëherë kur feja varrosej me pahirin e kërbaçit dhe krimit shtetëror, nuk kish se si të mos kërkonte shëlbimin në mirësinë dhe bukurinë e natyrës, por edhe në perfeksionin e artit dhe artizanatit të mbrujtur nga dora e besimtarit.

Mermer, granit, porfir, vitrazhe me arabeska befasuese për nga rrafinimi i tyre, kaligrafi arabe gjithmonë shoqëruar me transliterim në shqip të emrave të martirëve të besimit bektashian, gjenden në këtë faltore, jo për t’i shpallur pelegrinit fuqinë shekullore të një feje apo të një riti, por për ta ftuar që të ketë pjesë në pasurinë dhe trashëgiminë e pasosur të përshpirtshmërisë bektashiane.

Kush nuk do të aderonte, në fakt, dhe kush nuk do të gjente paqen në këto fjalë të nxjerra edhe një herë, nga e madhërishmja Fletore e Bektashinjet e Naim beut të madh, i cili shkruan: “Kush përçudnon njerinë dhe njerëzinimin, rradhitet mes kafshëve (…) Njeriu nuk është kurrë nën hekura, në çdo pikpamje ai i përket lirisë dhe për çdo veprim të tijin është përgjegjës”.

Baba Reshati e deshi, e ëndërroi dhe e projektoi shumë kohë përpara se sa të kishte mundësi për ta ndërtuar, selinë bektashiane si një kopsht ku të kultivohej liria dhe larmia, ku mistika, po aq sa arsyeja dhe kultura të kishin një parcelë të zgjedhur e të shqueshme që në sy të parë. Një kopsht, ku në rrënjët e traditës, e vjetra të përtërihej, pa u shndërruar, në risitë e shekullit tonë.

Nëse kur ne të hyjmë në këtë faltore do të ndihemi po aq brenda vetes sa edhe nën strehën e kësaj çarshie të madhe shpirtërore, duhet të dimë që poshtë këmbëve tona, tok me njëri-tjetrin ndodhet hapësira ku përfalet kujtimi i 12 imamëve dhe biblioteka e cila përmban gjithashtu një arkivë të pasur dokumentare dhe një mjedis pushimi për vizituesin.

Në shekullin XXI, në Shqipëri mund të ketë ende projekte të mëdha, jo thjesht të natyrës infrastrukturore, por të natyrës civilizuese.

Kur Baba Reshati, i cili si shenjtët e moçëm në Perëndim dukej se e kishte paraparë momentin kur do të ndahej nga jeta e këtushme, këmbëngulte në gjetjen e mjeteve për të përfunduar Odeonin, mua më përçonte gjithmonë përshtypjen që kishim të bënim me një ndërtesë simbol, me një domethënie unike.

Ja ku jemi këtu ne të mbetur pas ikjes së tij, dëshmitarë të vizionit jashtëzakonshëm të një njeriu në pamje të parë të zakonshëm, por në thelb të shenjtë. Kjo mrekulli e realizuar me vizionin dhe vullnetin e një njeriu aq të zakonshëm me njerëz të zakonshëm dhe aq të shenjtë përballë gjithëkujt ndër ne, e cila shfaqet sot me një fuqi shumë të qetë dhe në harmoni të plotë me natyrën e këtij vendi, jam krenar që gjeti mbështetjen e qeverisë sonë, e cila në fakt duke mbështetur ndërtimin e kësaj faltoreje, nuk përmbushi thjesht amanetin e një njeriu të shenjtë, por përmbushi një detyrë patriotike karshi bektashizmit dhe të gjithë bektashinjve shqiptarë.

Në rimëkëmbjen e këtij ansambli dhe në ngritjen e kësaj faltoreje, ne kemi qenë jo arkitektë, as administratorë, por shtegtarë dhe bashkudhëtarë të përulur që kemi kontribuar të gjithë së bashku një amanet që Baba Reshati e përcolli përmes jetës së tij deri tek ne që ti lëmë brezave një monument i cili për nga mesazhi që mbart, siç do të thoshte poeti i lashtë Horac, “do të jetë më jetgjatë sesa vete çeliku”

Pa minare, pa gjysëmhënë, pa yje, pa të tjera simbole të pazëvendësueshme, një faltore që i përket universit shumëngjyrësh të fesë islame mund të habisë këdo që nuk e njeh bektashizmin.

Të them të drejtën unë nuk e di, as si, as kur, as në ç’moment, as për ç’arsye, tarikati i bektashinjve ka hequr dorë nga shpallja qartazi dhe prerazi e përkatësisë së tij ndaj një universi fetar në një ritual aq të përcaktuar.

Ndoshta kjo ka ndodhur për të mos larguar asnjë udhëtar nga pragu i teqesë, cilido mund të ketë qënë besimi i tij. Si pasuria më e madhe e bektashinjve, njeriu është aspirata, shpresa dhe pritshmëria madhore, guri filozofal i tempullit mistik që është në të vërtetë çdo teqe apo çdo tyrbe.

Në pragun e një teqeje, çdo njeri e ndjen edhe nëse nuk e kupton sensin e thellë të këtyre fjalëve të Fletores së Bektashinjve: “Bektashiu nuk përbuz asnjë besim, por i respekton të gjithë, siç respekton të gjithë librat e mësimet mbi jetën e përtejme”.

Nën këtë kube e nën këto qiparisa, në këmbët e Haxhi Bektash Veliut e nën vështrimin e Naimit, i krishteri, ortodoksi, katoliku apo ungjillor qoftë, është në shtëpinë e vet, po aq sa është myslimani synit, çdo besimtar, por edhe jo besimtar, çdo filozof, por dhe çdo i panxënë, çdo njeri, dhe deri çdo ateist i thekur.

Nën këtë muzg që po bie dhe nën siluetën e këtyre  qiparisave, në praninë e kaq shumë njerëzve nga të katër cepat e Shqipërisë por dhe në praninë  kaq domethënëse të këtyre shtegtarëve të “Lutjes për Paqe”, nga të katër anët e botës, nuk ka sesi të mos përulemi të gjithë përpara muzgut të jetës së Baba Reshatit.

Sepse me synim përafrimin dhe bashkimin, ai në fakt përmes gjithë kësaj pranie vuri në vend një borxh shpirtëror dhe moral ndaj etërve të tij bektashinj. Sot ky është një borxh përfundimisht dhe plotësisht i shlyer.

Na lejohet që sot, të jemi krenarë, qoftë edhe një moment të vetëm, për këtë tempull të ri të bashkëjetesës, i cili, qoftë edhe sot për një natë, është bërë streha e madhe e Shqipërisë, mali Tomorr i Aliut dhe Shën Elisë mes nesh.

Me këtë faltore, gdhendet në gur të punuar e të fisëm, porosia e madhe e bektashizmit e cila shkrihet në një me atë të rilindësve tanë të mëdhenj:

“Së bashku më krerët dhe fisnikët, të inkurajohet dashuria, vëllazëria, bashkimi dhe miqësia mes të tërë shqiptarëve; të mos ndahet kurrë myslimani nga i krishteri dhe i krishteri nga myslimani, por së bashku të punojnë.

Së bashku të udhëtojnë drejt dritës së pasosur, që Shqiptari, në tërë botën i shquar për diturira, kurrë të mos përpihet nga errësira!”

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.