Fjala e Kryeministrit Edi Rama në hapjen e edicionit të dytë të Panairit Kombëtar të Arsimit Profesional, “Olimpiada e Aftësive”:
Është shumë interesant fakti që kaq shumë përfaqësues të komunitetit të miqve dhe i partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë mblidhen o për kriza politike, o për Arsimin Profesional. Madje është edhe më interesant fakti që, edhe pse shumëkush sot mendon ndryshe nga unë, që Shqipëria ka një krizë politike, deri tani unë nuk i kam parë gjithë këta njerëz të mbledhur për krizën politike, siç i shoh këtu, për Arsimin Profesional. Besoj shumë që kriza më e rëndë ndër gjithë gamën e krizave që ne trashëguam, është kriza e papunësinë rinore dhe adresimi më i rëndësishëm i gjithë spektrit të politikave tona të reja është pikërisht adresimi i kësaj krize.
Bëhet fjalë për një krizë sistemike, të thelluar në çerekshekulli, duke e zhveshur Shqipërinë nga aftësia për një gamë të gjerë punësh. Vetëm pak vite më parë, Dhoma Gjermane e Tregtisë e përshkruante më së miri pasojën dramatike të kësaj krize, 20 e kusur vjeçare, në një raport ku thuhej: “Shqipërisë i mungojnë punëtorët e kualifikuar në industrinë tekstile, ushqimore, në ndërtim, në mirëmbajtjen e makinerive industriale, në industrinë elektromekanike.” Shqipërisë i mungojnë saldatorë, elektricistë, kuzhinierë, i mungojnë guidat turistike, i mungojnë gjeologë, minatorë, specialistë ashensorësh, – unë do kisha shtuar, – i mungojnë rrobaqepës, duke pasur një problem të madh me rrobaqepësinë, për shkak të përmasave që më kanë përcaktuar nëna me tim atë.
Është një listë që vazhdon më tej edhe me shumë zanate të tjera, që në fakt tregon një gjë shumë të thjeshtë; Një vend që ka burimet fantastike natyrore të Shqipërisë dhe që ka një popullatë, e cila ka treguar në 25 vjet tranzicion se individualisht ka aftësinë të mbijetojë në çdolloj sfide – sfidat si ato që kanë përballuar shqiptarët individualisht, pasi kapërcyen detin, janë romane më vete, – faktikisht humbi aftësinë për t’i adresuar këto potenciale. Për ta përmbledhur, Shqipërisë, tre vite e gjysmë më parë i mungonin punëtorë të kualifikuar në çdo zanat të mundshëm.
Ama, Shqipëria sot ka tetëfish më shumë juristë se Gjermania dhe nuk mund të themi se ka një sistem gjyqësor të krahasueshëm me Gjermaninë, përkundrazi.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është fakti se tre vjet e gjysmë më parë, më pak se gjysma e kompanive që operonin në Shqipëri e dinin që në Shqipëri kishte arsim profesional dhe pjesa dërrmuese e kompanive shpreheshin se për çdo zanat dhe aftësi të veçantë çonin njerëz tërësisht të patrajnuar jashtë shtetit për kualifikime.
Sot, ne kemi për shembull, një zinxhir rastesh flagrante, të trashëguara nga e shkuara në sektorët më strategjikë të një zhvillimi të qëndrueshëm të Shqipërisë. E kemi ditur, nuk e kemi mësuar sot, që Shqipëria është e pasur në burime natyrore, naftë dhe minerale. Shqipëria sot ka kompani të huaja që operojnë në këtë fushë, që kanë qenë të detyruara të ngrenë brenda tyre sisteme trajnimi, për shkak të mungesës së njerëzve të kualifikuar për këtë punë. E kemi ditur prej kohësh që Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe faktikisht, problemi kryesor sot, me të cilin vazhdojnë të ndeshen operatorët turistikë, është mungesa e punonjësve të kualifikuar. E kemi ditur që Shqipëria ka një potencial të madh, për të zhvilluar në një mënyrë inteligjente bujqësinë dhe agropërpunimin, por 20 e kusur vite, Shqipëria nuk arriti të krijojë asnjë shtresë të re njerëzish të kualifikuar në këto fusha dhe po të mos ishin njerëzit e kualifikuar në regjimin e vjetër, sot, në fshatin shqiptar nuk do kishte njerëz të kualifikuar.
Kompania që administron gjithë projektin për realizimin e gazsjellësit Trans-Adriatik ka hapur shkolla të posaçme, në të cilat trajnohen punonjësit përpara sesa të nisë puna e vërtetë. Janë kurse për saldatorë, për teknikët që vendosin tubacionetm deri tek kurset për gjeolog.
Ne jemi shumë të kënaqur që këto kanë ndodhur, sepse ka qenë nxitja jonë e madhe për t’i shtyrë këto kompani që të na ndihmojnë në këtë fazë dramatike të kalimit nga një Shqipëri pa punonjës të kualifikuar, në një Shqipëri me punonjës të kualifikuar. Megjithatë, ajo që vlen të thuhet sot është se shumica e kompanive të huaja, që kërkojnë profesione të posaçme, nuk e kanë luksin që të bëjnë detyrën e shtetit dhe zgjedhin rëndom që të shkojnë në vende të tjera të rajonit, pavarësisht se Shqipëria mund të jetë zgjedhja e tyre e parë.
Në një anketim që ne bëmë me kompanitë e huaja në Shqipëri, në fillim të qeverisjes sonë dhe përpara se të ndërmerrnin reformën e thellë të Arsimit Profesional, pyetjes çfarë e pengon rritjen e kapitaleve të investuara prej tyre në Shqipëri, ata nuk iu përgjigjën “taksat”, por “sistemi i korruptuar i drejtësisë dhe mungesa e krahut të kualifikuar të punës”.
Politikat e ndjekura, jo vetëm që nuk sollën ripërtëritje të krahut të kualifikuar të punës – nëse ne nuk do kishim bërë reformën, shumë nga këta të rinj që shikoni këtu, tani do ishin duke vënë skedina për gjysmëfinalet e Champions Ligue, – por deformuan në mënyrë dramatike tregun e punës, duke e tejngopur me disa profesione të caktuara dhe duke e lënë tërësisht të uritur për shumë profesione të tjera. Sot kemi një ushtri juristësh që janë të papunë.
Ndërkohë që kemi vetëm në aksin nga Zogu i Zi deri në dalje të këtij aksi, në çdo ndërtesë, vende të lira pune. Ka ndërtesa në këtë aks që kanë deri në 50 vende të lira pune, por nuk mund t’i mbushin me juristë.
Në një raport i vitit 2012 i Bashkimit Europian për zanatet në Shqipëri ka një paragraf që shpreh habinë se numri i të diplomuarve ishte më i lartë se kurrë më parë dhe niveli i punësimit në vend ra me mbi 2%. Gjë që shpjegon atë që po themi dhe që shpjegon pse janë këtu, gjithë këta miq dhe partnerë të Shqipërisë dhe pse kjo krizë e trashëguar është kriza kryesore që ne duhet të zgjidhim, për të pasur në dekadën e ardhshme Shqipërinë që Duam.
Numri i të rinjve që zgjidhnin arsimin profesional në vitin 2012 ishte 38%, sipas raportit, më i ulët sesa numri që zgjidhnin arsimin profesional në vitin 2007 dhe shumica dërrmuese e nxënësve që shkonin në arsimin profesional ishin thjesht ngelës në shkollat e përgjithshme dhe merrnin rrugën e arsimit profesional për të kaluar kohën. Në vitin 2012, vetëm 2844 të rijë në të gjithë Shqipërinë morën diplomën e një shkolle profesionale. Ishin 50% më pak se në vitin 2011. Ndër ta pothuajse askush nuk u punësua, sepse nuk ishin shkolla profesionale, por ishin vatra ngushëllimi për ngelësit. Një ngushëllim i përkohshëm, me iluzionin që jeta do sjelli ditë më të mira.
Reforma jonë, që filloi me kalimin e arsimin profesional nga xhep fals në Ministrinë e Arsimit në Ministrinë e Mirëqenies dhe Rinisë, shënoi çeljen e një faze tërësisht të re. Ajo që sot është shenja që jemi duke bërë gjënë e duhur, jo se jemi aty ku duhet të jemi, është se në vitin 2016 kemi 26 mijë vajza dhe djem, të regjistruar në një shkollë profesionale, por më e rëndësishmja është që vit pas viti, ata që regjistrohen në shkolla profesionale nuk janë më ata që shkojnë te “lëngu se mishi mbaroi”, por janë nxënës gjithnjë e më cilësorë, që preferojnë zanatin në vend të universitetit.
Ky panair i madh kombëtar këtu, kjo olimpiadë e aftësive është një aktivitet përmbyllës i një zinxhiri aktivitetesh rajonale në zona të ndryshme të vendit, për të promovuar profesionet. Por, nëse ka një fushë ku çdo fjalë e mirë që themi për Bashkimin Europian e për miqtë tanë është 100% e vërtetë, është fusha e arsimit profesional.
Realisht, unë i jam mirënjohës të gjithëve atyre që janë këtu, duke filluar nga dikush këtu që përfaqëson një vend që s’është në Bashkimin Europian, Zvicra, por që ka luajtur një rol absolutisht themelor në këtë përmbysje të një sistemi komplet të falimentuar dhe për të ndërtuar një sistem të ri. E me radhë, gjithë të tjerët.
Më e rëndësishmja është se, edhe sikur të gjithë këta miq e partnerë, Gjermania, Austria, Italia, Bashkimi Europian si tërësi, Kombet e Bashkuara, të ishin angazhuar po kaq, nuk do të kishte qenë e mundur kjo që kemi arritur dhe nuk do mund të imagjinohej ajo që duam të arrijmë, pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të sipërmarrjes shqiptare. Kalimi nga një sistem ku arsimi profesional ishte teori pa praktikë, pasi shkolla tona nuk kishin as dhe një lloj laboratori, faktikisht, shkolla elektrike ua mësonte lidhjet elektrike nxënësve, duke shkuar nëpër lagje tek lidhjet e paligjshme, për të treguar si vjen korrenti, ku shkon teli edhe si kalon energjia nga shtylla deri te televizori, në një sistem ku gjysma e kohës është shkollë dhe gjysma është punë në kompani. Ky është investimi më i mirë moral, se deri tani, të thënë të drejtën, kompanitë shqiptare nuk kanë bërë investim financiar dhe nuk ia kemi kërkuar, për të mbështetur këtë sistem.
Faza ku duam të hyjmë, është një fazë që bëhet e mundur për shkak se ne kemi vendosur themelet; Nga një anë, gjithë ky partneritet fantastik dhe gjithë këta njerëz që folën këtu dhe që i falënderoj shumë sinqerisht, nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e fondeve të qeverisë për arsimin profesional. Në vetëm një vit, ne e kemi rritur buxhetin e arsimit profesional 30%, por është relative. Kjo fazë ka nevojë për pjesëmarrjen më aktive të kompanive, që të fillojnë të financojnë jo shtetin, por të financojnë seriozisht të gjithë ata që marrin në punë, gjatë kohës së caktuar të javës për të shkuar në punë. Nxënësit apo nxënëset që shkojnë në kompani gjatë javës, jo thjeshtë duhet të marrin dije, por duhet të marrin para. Ky është thelbi.
Ne kemi këtu, përfaqësuesit e turizmit. Deri më sot, ne nuk mund t’u thoshim merrni edhe nxënës dhe paguajini, sepse paguanin taksën 20%. Këtej e tutje e paguajnë taksën 6%. Parlamenti tani që ne po flasim është duke diskutuar për këtë dhe do ta kalojë. Që do të thotë se mundësia për ta rritur këtë partneritet, jo vetëm duke i shkelur syrin njëri-tjetrit, por edhe duke bashkuar xhepat, është shumë e madhe.
Po ashtu, gjithë korniza ligjore është e re. Kemi falë mbështetjes gjermane dhe dhomave të Tregtisë të Gjermanisë, një ligj zejtarie krejtësisht i bazuar në standarde europiane dhe që e mbështet zhvillimin e zejtarisë, të zanateve, duke mbështetur kompanitë. Po ashtu kemi ligjin e punëkërkuesve të papunë. Kemi ligjin mbi ndërmarrjet sociale. Kemi planin e veprimit mbi riintegrimin shoqëror të përfituesve të ndihmës ekonomike. Nuk mund të vazhdojmë të japim ndihmë ekonomike për njerëz që i kanë krahët, këmbët, mendjen e zemrën në vend. Sigurisht do t’u japim ndihmë ekonomike, deri kur t’u ofrojmë një mundësi pune dhe ofrimi i mundësisë së punës nuk mund të jetë për të larë gojën, por duhet të jetë ofrimi i një mundësie trajnimi profesional. Ajo që bën Gjermania, Austria, Zvicra dhe të tjerë vende dhe nuk e bëjnë sot, por qëkur kanë filluar të ndërtojnë atë që sot është e tashmja e tyre dhe që është e ardhmja jonë, është trajnimi në vazhdimësi. Kualifikohen profesionalisht edhe burra e gra nga 50 vjeç, për të vazhduar të jenë aktivë në tregun e punës.
Korniza shqiptare e kualifikimeve ka brenda edhe mekanizmin për të akredituar cilësinë. Kjo u jep mundësi të rinjve që me një akreditim cilësor, të njohur nga vendet e tjera, të mund të punojnë edhe atje. Është një mekanizëm që i bën të diplomuarit në arsimin profesional në Shqipëri të gatshëm për tregun europian të punës.
Ne nuk kemi refugjatë, siç kanë të tjerët. Ne kemi njerëz që shkojnë për të kërkuar punë. Ata nuk janë refugjatë. Por ajo çka i bën refugjatë, është se ata nuk kanë akses në tregun europian të punës, siç kanë bullgarët, rumunët etj.. Po të numëronim rumunët, bullgarët, polakët, që ikin çdo vit nga vendet e tyre për të punuar në Gjermani e Austri, atëherë numri i refugjatëve do të ishte llahtar, por s’janë refugjatë. Gjermania, e para dhe të tjerët e kanë bërë shumë të qartë se shkuarja ilegalisht në Gjermani është e papranueshme, me të drejtë. Ndërsa shkuarja me certifikatën e akredituar të zanatit është e mirëpritur. Kjo sot, nesër, kur Shqipëria të jetë pjesë e tregut europian të punës, do të jetë domosdoshmëri për të gjithë, se mund të shkosh të lëvizësh lirisht, por prapë punë nuk gjen, po nuk dite çfarë pune të bësh.
Dua ta mbyll aty ku në fakt duhet mbyllur çdo mendim sot, në Shqipëri dhe ku në fakt, me të drejtë e preku edhe përfaqësuesi i Komisionit Europian, tek Vetting-u dhe Reforma në Drejtësi. Ne mund të bëjmë arsim profesional, mund të bëjmë shumë gjëra të tjera, por nuk bëjmë një sistem drejtësie që të jetë i besueshëm, nuk mund të rrisim aq sa na duhet volumin e investimeve të huaja në Shqipëri. Është shumë e thjeshtë, për arsye se investitorët e huaj kanë njëmijë e një arsye për ta parë Shqipërinë si një vend mundësish të mëdha, në fusha ku ne jemi shumë të pasur nga Zoti apo Natyra, por kanë një arsye për ta pasur frikë Shqipërinë, se ndërkohë që vijnë për të investuar, u del përpara një Gjon, një Hysen, një Tom dhe ju thotë stop se jam unë këtu, gjykatësi që ta bëj nul gjithçka që t’i bën.
Një shembull konkret, flagrant, i vetëm para pak kohësh është sesi na dështoi një investim strategjik në turizëm, me një tokë publike në bregdet, pronë e ushtrisë, që bashkë me disa prona të tjera kaluan për zhvillim në turizëm. Projekt për të cilin punuam dy vjet, ku do kishim 1200 të punësuar. Kur n e ishim gati të firmosnim kontratën, një Tom Hasan Gjini nxori vendimin që kjo tokë nuk ishte më e shtetit.
Kjo tokë nuk ishte më e shtetit, pse? Sepse disa pretendentë kishin shkuar në gjykatë dhe kishin kërkuar 49.8 hektarë. Tom Hasan Gjini ju kishte dhënë 498 hektarë, i kishte hequr pikën 49.8 dhe e kishte bërë 498. Kështu ikën 500 hektarë menjëherë dhe investimi strategjik vdiq.
Cili gjykatës në Gjermani, ku ka 8 herë më pak juristë sesa në Shqipëri, do e kishte bërë një gjë të tillë!
Cili investitor nuk do të trembej duke dëgjuar një histori të tillë!
Histori të tilla ka pa fund. Në fund të ditës, si mund të pretendojmë ne, të shkojmë aty ku duam, nëse Tom Hasan Gjini atje nuk ndëshkohet, por vazhdon të jetë gjykatës. Kush e ndëshkon? E ndëshkon ligji i Vetting-ut, që është themelor për të gjitha të tjerat. Pa Vetting-un, si mund të bëjmë pastrimin e këtyre gjykatësve dhe prokurorëve, që nuk janë të gjithë njësoj. Shqipëria ka gjykatës dhe prokurorë të gatshëm për të përballuar sfidën e një drejtësie të drejtë, por aty ku ka një mollë të kalbur, kalbet e gjithë arka. Për këtë arsye, të gjitha janë të lidhura me Vetting-un, të gjitha janë të lidhura me Reformën në Drejtësi dhe paralelisht me gjithë këtë punë, ne jemi shumë të vendosur që të zhbllokojmë Vetting-un, një orë dhe më parë.
Vetting-u do të zhbllokohet dhe Shqipëria që Duam, me shtet, me punë, me mirëqenie, është një program kompleks për një vizion kombëtar që nuk është shpikja jonë, por është amanet që nga Rilindësit tanë dhe është i mundur. Është i mundur, siç tregojnë të gjithë këto që po ndodhin dhe siç tregon edhe fakti se sot, ne kemi filluar procesin për 6 shkolla ekselence të Arsimit Profesional që janë të binjakëzuar me Zvicrën, Italinë, Gjermaninë, Austrinë dhe ku ata që do të shkojnë në këto shkolla, do të shkojnë praktikisht në Zvicër, Gjermani, Austri, nga pikëpamja e të gjitha kushteve, standardeve, kurrikulave, etj., por do jenë këtu, në Shqipëri. Është një investim 30 milionë euro i qeverisë shqiptare me programin “1 miliardë për rindërtim” dhe që do të na japi shumë më tepër sesa kemi sot. Por pa bërë Vetting-un dhe pa vendosur drejtësinë, të gjitha këto thjesht do të prodhojnë më shumë punonjës të kualifikuar, që do të ikin jashtë, sepse do të jetë shumë e vështirë që të kemi një rritje të investimeve të huaja saç duhet, saç mundet dhe saç patjetër Shqipëria ka nevojë.
Shumë faleminderit!