Konferencë e Përbashkët për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama, Komisionerit Dimitris Avramopoulos dhe Drejtorit Ekzekutiv të FRONTEX Fabrice Leggeri:
Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të marr kohë për të përsëritur çka u tha në eventin e nisjes së misionit të patrullimit të kufijve nga Frontex, si rezultat i një marrëveshje të nënshkruar nga vetë Komisioneri Avramopulos më 5 tetor të vitit 2018, gjatë konferencës së ministrave të Brendshëm të Ballkanit perëndimor në Tiranë. Dua vetëm të nënvizoj dhe njëherë se kjo marrëveshje është e para e Bashkimit Europian me vende jo anëtare në fushën e mbrojtjes së kufijve të jashtëm dhe e vendos Shqipërinë në një pozicion jashtëzakonisht të veçantë si kontributore në mbrojtjen e kufijve të Bashkimit Europian nga emigracioni i paligjshëm dhe nga ana tjetër na jep një mundësi të artë, për të forcuar bashkëpunimin me Frontex edhe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e suksesit në këtë nisëm që në vijim do të pasohet nga të tjera, në të tjera vende të rajonit tonë.
Është një moment i thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë, mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përbën një nga 6 vektorët e strategjisë së Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, lançuar në shkurt të vitit të kaluar.
Pa humbur kohë, edhe një herë tjetër dua ta falënderoj Komisionerin, për angazhimin e tij të posaçëm në këtë projekt strategjik për Ballkanin Perëndimor dhe menjëherë po e lë të lirë foltoren për miqtë që na nderojnë sot me praninë e tyre.
Komisioneri Dimitris Avramopoulos: Faleminderit shumë zoti Kryeministër, për fjalët hyrëse dhe mikpritëse! Miq të nderuar, sot siç e thashë dhe më përpara është një gur shumë i rëndësishëm themeli për sa i takon bashkëpunimit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor. Më besoni që jam vërtetë shumë i lumtur të jem këtu sërish, në Tiranë, sëbashku me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama dhe sigurisht dhe me drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Europiane të Kufirit dhe Rojës bregdetare.
Ne jemi sot të gjithë këtu për të hapur, për të inauguruar një kapitull të ri të bashkëpunimit sa i takon migrimit dhe menaxhimit të kufijve. Sot, ne jemi duke parë këtu edhe një shembull të prekshëm, një shembull konkret të mënyrës se si kemi një bashkëpunim më të forcuar ndërmjet Agjencisë Europiane të kufirit dhe Rojës bregdetare dhe si kjo Agjenci mund të ofrojë mbështetje në rritje për vendet fqinje.
Nesër do të kemi në fakt, skuadrat e para të kufirit dhe të rojës bregdetare europiane, të cilat do të vendosen në Shqipëri. Ato do të mbështesin rojën bregdetare kufitare shqiptare me pajisje, si dhe me staf në pikat kyçe të kufirit me Greqinë.
Më besoni, që ky është një hap historik. Është hapi i parë apo është hera e parë që Agjencia Europiane e kufirit të rojës bregdetare vendosen në një vend jo të Bashkimit Europian dhe mund t’i ofrojnë ndihmën e drejtpërdrejtë një vendi partner në terren.
Kur flitet për menaxhimin, për mbrojtjen e kufijve tanë, kur flitet për garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e migracionit, sfidat me të cilat ne hasemi janë të përbashkëta dhe përgjigja jonë gjithashtu duhet të jetë një përgjigje dhe një reagim i përbashkët. Kjo është arsyeja sepse ne po punojmë sëbashku në frymën e solidaritetit dhe përgjegjshmërisë dhe kjo është arsyeja sepse Bashkimi Europian ka negociuar sëbashku me Shqipërinë një marrëveshje status që lejon mobilizimin dhe vendosjen e agjencisë europiane të kufirit të rojës bregdetare, këtu në Shqipëri.
Më lejoni ta qartësoj këtë gjë, Shqipëria mbetet përgjegjëse në fund të ditës për mbrojtjen e kufijve të saj dhe të gjitha aktivitetet që organizohen nga Agjencia e Kufirit dhe e Rojës bregdetare europiane do të realizohen në bashkëpunim, sigurisht me autoritetet shqiptare, por gjithashtu dhe me vendin fqinj të Bashkimit Europian që është shteti grek.
Ajo çfarë do të ofrojë Agjencia Europiane e Kufirit të Rojës bregdetare është ndihma dhe mbështetja e plotë nën frymën e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellët. Siç e kuptoni, kjo është në interesin tuaj, por është dhe në interesin e Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë është në interes të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Vendosjet ose mobilizimet e Agjencisë Europiane të kufirit dhe rojës bregdetare janë një pikë ndryshimi në mënyrën se si bëjmë ne menaxhimin e kufirit të përbashkët. Agjencia e Kufirit dhe Rojës bregdetare me anë të skuadrave të saj do të jetë në gjendje që të mbështesë rojën kufitare shqiptare që të realizojë kontrolle kufitare në pikat e kalimit të kufirit. Ndërkohë që, situata e përgjithshme, përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor, vazhdon që të jetë e qëndrueshme me nivele të vazhdueshme të ulëta të mbërritjeve, ky bashkëpunim më i fortë do të na bëjë të mundur që të reagojmë më shpejtë nëse është e nevojshme dhe në të njëjtën kohë do të na ndihmojë që të trajtojmë lëvizjet migratore bashkërisht. Kjo do të japë gjithashtu dhe vlerë të shtuar domethënëse, në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe kontrabandimit tw emigranteve në të gjithë rajonin. Për Bashkimin Europian, Shqipëria është më tepër se sa një fqinj. Shqipëria është pjesë e familjes europiane, në aspektin historik dhe ky kapitull i ri në bashkëpunimin tonë është një pikë kthese në mënyrën se si menaxhojmë migracionin dhe kufijtë bashkërisht.
Më lejoni të falenderoj përzemërsisht dhe personalisht Kryeministrin e Shqipërisë zotin Rama, si dhe qeverinë e tij dhe autoritetet e tjera shqiptare për këtë arritje kaq të rëndësishme dhe kjo është realizuar në kuadrin e besimit të ndërsjellë për të arritur këtë gjë kaq shumë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, më lejoni që të falenderoj të gjithë anëtarët e stafit që punojnë në kuadrin e Agjencisë së Kufirit dhe Rojës bregdetare europiane dhe të gjitha vendet e tjera që kanë kontribuuar me anë të stafit dhe personelit mbështetës.
Kjo është një ditë shumë e rëndësishme si për Shqipërinë, ashtu dhe për Bashkimin Europian dhe këtë po festojmë sot në Tiranë. Kjo hap dyert për bashkëpunim më të ngushtë me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshje të ngjashme me agjencinë europiane të kufirit dhe rojës bregdetare janë negociuar po ashtu, në mënyrë të suksesshme edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Malin e Zi dhe mezi pres të përfundojnë dhe këto marrëveshje me vendet që përmenda më sipër.
Hap pas hapi, gradualisht, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ne po e çojmë më pranë Bashkimit Europian, aty ku në fakt ky rajon e ka vendin dhe po hapim rrugën për një mjedis permanent dhe stabël gjeopolitik.
Po ashtu, më lejoni të falënderoj dhe Fabricion për angazhimin dhe dua të falënderoj në të njëjtën kohë dhe ambasadorin, mikun tim Luigji, i cili ka qenë një ambasador i shkëlqyer deri tani dhe një kontribuues shumë i mirë për zgjerimin dhe për përmirësimin e marrëdhënies mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Faleminderit!
Drejtori Ekzekutiv i FRONTEX Fabrice Leggeri: Së pari, më lejoni të falënderoj Kryeministrin e Shqipërisë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe autoritetet e agjencisë sonë europiane të kufirit dhe të rojës bregdetare. Po ashtu, dua të falënderoj Komisionerin Avramopulos që ka ardhur këtu dhe festojmë rezultatet e një pune të rëndësishme, në fakt të një vizioni politik të rëndësishëm që ka pasur ai vetë si komisioner dhe ne në zyrën tonë në Frontex jemi shumë të kënaqur për këtë gjë.
Zonja dhe zotërinj, jam shumë i kënaqur që jeni sot këtu, me ne, në këtë ditë kaq të veçantë në Tiranë. Në fakt, ky është një gur kilometrik, jo vetëm për Agjencinë Europiane të Kufirit dhe Rojës bregdetare, Frontex, por dhe bashkëpunimit më të gjerë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, siç u tha tashmë.
Agjencia jonë ka ndihmuar autoritetet kufitare, në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian për rreth dy vite. Mandati ynë u përforcua pas vitit 2016 kur u përforcua dhe vetë mandati i agjencisë tonë europiane për kufirin dhe rojën bregdetare, pra mjetet tona lundruese, avionët tanë gjenden në Spanjë, Itali, Greqi, Bullgari dhe në shumë vende të tjera në Bashkimin Europian. Ne jemi në kufijtë bregdetar, në kufijtë tokësorë dhe në një dyzinë aeroportesh dhe tani kemi 1200 roje bregdetare, në të gjithë BE-në.
Ne, kemi më shumë se 25 mjete lundruese dhe po ashtu një dyzinë avionësh dhe helikopterësh, por sot është hera e parë këtu që ne po caktojmë roje kufitare të Bashkimit Europian në një vend jashtë Bashkimit Europian. Pra, këto punonjës do të veshin uniformat e tyre kombëtare bashkë me një stemë në krahë, blu, që do tregojë në këtë formë që janë pjesë e Agjencisë europiane të Kufirit dhe të Rojës bregdetare. Kjo, nuk është hera e parë që ne bashkëpunojmë me Shqipërinë.
Natyrisht që, ne kemi punuar ngushtësisht me Shqipërinë për një dekadë të tërë që prej momentit kur Agjencia ka nënshkruar në fakt një marrëveshje të tillë me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë në vitin 2009. Kjo përbën edhe bazën kryesore për një punë të përbashkët analize, po ashtu edhe një punë të përbashkët apo racionale, si dhe bashkëpunim në aktivitete trajnimi për rojet e kufirit. Për shumë vite, Shqipëria, po ashtu, ka qenë dhe mikpritëse e vëzhguesve të autoriteteve të ndryshme kufitare të vendeve të BE.
Në të njëjtën kohë, po ashtu, edhe oficerë të kufirit nga Shqipëria kanë qenë pjesë e operacioneve tona në pjesë të kufijve të jashtëm të BE. Por, ama, sot këtë bashkëpunim ne e çojmë në një nivel më lart e të paprecedentë.
Duke filluar që prej ditës së nesërme, do të kemi 50 nëpunës nga Austria, Republika Ceke, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Letonia, Holanda Polonia, Rumania dhe Sllovenia që do të punojnë sup më sup me kolegët e tyre shqiptarë në kufirin e Shqipërisë me Greqinë. Operacioni në vetvete ka disa objektiva të rëndësishëm. Njëri prej tyre është kontrolli i flukseve migratore. Objektivi i dytë është lufta kundër krimit ndërkufitar, së bashku, të gjithë ne, si pjesë e menaxhimit të kufirit. Ne do të përqendrohemi te lufta kundër trafikimit dhe kontrabandimit të qenieve njerëzore, do të identifikojmë madje edhe ato risqe që ekzistojnë për sigurinë. Po ashtu, oficerët e Agjencisë europiane të Kufirit dhe të Rojës bregdetare do të merren natyrisht edhe me pjesën e mjeteve të vjedhura, do të shikojnë edhe dokumentet e falsifikuara, do të përcaktojë dhe kombësinë e migrantëve të parregullt. Meqë roli i agjencisë nuk është për të zëvendësuar, por për të dhënë asistencë shtesë autoriteteve kombëtare të gjitha aktivitetet operacionale do të kryhen në praninë e oficerëve shqiptarë. Oficerët europianë sjellin automjetet e tyre, po ashtu, edhe pajisje të ndryshme termale, si dhe pajisje me anë të të cilave diktohen dokumentet e falsifikuara.
Pra, bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor për ne është përparësor pasi është një pikë kyçe për migracionin. Rruga e Ballkanit Perëndimor është një nga rrugët kryesore dhe ka qenë korridor kyç gjatë krizës migratore të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016. Deri më tani, sivjet ne po shikojmë një dyfishim të diktimit të kalimit të kufirit në mënyrë të parregullt. Në 4 muajt e parë të vitit, pothuajse 3500 diktime të tilla janë vënë re në rajon në kufirin e BE. Pra, rajoni ndikohet nga lloje të ndryshme të krimit ndërkufitar dhe për të gjithë rajonin është e rëndësishme që agjencia jonë të caktojë pikërisht dhe të ketë operacione të përbashkëta në Shqipëri dhe ne mund të jemi efikasë në luftën kundër krimit ndërkufitar vetëm në rast se punojmë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.
Faleminderit!
-Nga pikëpamja juaj sa realiste janë shqetësimet e Parlamentit holandez që kërkon kthimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë?
Komisioneri Avramopoulos: Së pari, ne nuk është se bëjmë asnjëherë komente për atë çfarë vendoset në nivelin e vendeve anëtare, brenda për brenda tyre, d.m.th. në parlamentet kombëtare të tyre, por përderisa thelbi kryesor i pyetjes tuaj ka të bëjë me mekanizmin për pezullimin e vizave dhe mendoj që kjo është diçka që ka interes të madh për ju, me lejoni të them që deri më sot Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim nga asnjë prej shteteve anëtare që kërkon pezullimin e vizave, ose futjen në lojë të mekanizmit të pezullimit të vizave për asnjë vend në vend në Europë që përfiton nga regjimi i lëvizjes pa viza në vendet e Shengen. Por, nëse mund të ndodhë në të ardhmen që Komisioni të marrë një njoftim të tillë, më besoni, se ne do të bëjmë një analizë të kujdesshme të faktit nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo, në përputhje me procedurat dhe në përputhje me të dhënat dhe informacionin e disponueshëm që ka të bëjë me rrethana specifike të vendit X. Kjo është e qartë prej nesh.
-A ka ndonjë afat kohor për këtë marrëveshje? A ka një mandat që mund të jetë i rinovueshëm apo është një marrëveshje pa kufi?
Komisioneri Avramopoulos: Jo, është një marrëveshje që nuk ka kufi. Është pa limit. Nuk është se është pa kufij fare, por do jetë një marrëveshje që do ekzistojë për aq kohë sa do jetë e nevojshme dhe ajo çfarë do të thotë në praktikë një operacion i përbashkët dhe për aq kohë sa të jetë në interes të Shqipërisë dhe të BE.
Drejtori Ekzekutiv i FRONTEX Fabrice Leggeri: Sa i takon aspektit operativ, ndoshta do ishte mirë të themi se si i vlerësojmë rezultatet. Ne kemi një proces të vazhdueshëm vlerësimi dhe siç e tha me të drejtë Komisioneri Avramopoulos, nuk ka afat kohor dhe ajo çfarë bëjmë ne në operacionet e përbashkëta dhe në mobilizimet e përbashkëta është që bëjmë planifikimin e buxhetit në kuadër të buxhetit vjetor dhe në fillim të vitit tjetër ne bëjmë rishikimin, vlerësimin dhe shohim dhe vlerësojmë se si mund të përmirësohen hapat dhe masat. Megjithatë në fakt, synimi ynë është që të kemi një bashkëpunim afatgjatë me Shqipërinë.
-Çfarë domethënie ka për Shqipërinë ky bashkëpunim me FRONTEX dhe proceset integruese të vendit?
Kryeministri Edi Rama: Besoj që Komisioneri mund ta japë përgjigjen më të saktë për këtë pyetje. Unë besoj nga ana ime dhe nga ana jonë që ky është një moment jashtëzakonshëm i rëndësishëm, në kuadrin e afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me BE sepse e bën Shqipërinë kontributore në sigurinë e kufijve të Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër ka një vlerë të veçantë për ne, pasi siç e thashë më parë, siç e theksoi edhe miku në krahun tim garanton në disa nivele një ndërveprim të një cilësie të lartë për shkëmbim informacioni, për analizën e riskut për përballimin e përbashkët të një sfide që është shumë komplekse dhe rrit detyrimisht edhe cilësinë e kapaciteteve tona në këtë fushë.
Komisioneri Avramopoulos: Kjo marrëveshje, siç e tha dhe Kryeministri afron Shqipërinë me Bashkimin Europian. Nga ana jonë, nga ana e Bashkimit Europian ne e kemi dhënë këtë rekomandim në vitin 2018, kjo për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë këtij mendimi. Por, kolegji do të prezantojë ecurinë, përparimin që është bërë, progresin shumë shpejt. Por siç e dini ju, në fund të fundit është Këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres thelbësor në lidhje me reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të kanabisit. Kjo duhet njohur, pra duhet pranuar. Por ky progres, kjo ecuri, ky përparim duhet të vazhdojë, duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet ende në vazhdimësi, po ashtu, për të ulur numrin e aplikimeve të pabaza për azil në shtetet e Bashkimit Europian. Unë jam vërtet i kënaqur që shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për të arritur këtë synim.
-Dëgjuam pak më përpara planin për hotspotet, apo pikat e nxehta për migracionin në vendet e treta. Shqipëria ka qenë një nga ato emra që dolën në këtë bisedë. Ky plan a vazhdon të diskutohet?
Komisioneri Avramopoulos: Nuk e di, kush iu referua Shqipërisë, sepse nuk ndodhur asnjëherë dhe as nuk është diskutuar ndonjëherë kjo gjë në Bruksel. Kështu që nuk mund t’i përgjigjem një pyetjeje që nuk ekziston. Bashkimi Europian nuk do t’ia kalojë të tjerëve përgjegjësitë e veta. Nuk ka të bëjë kjo vetëm me Shqipërinë, por dhe me Afrikën e Veriut. Unë kam qenë i qartë që prej fillimit. Kurrë nuk e kemi diskutuar këtë gjë. Kurrë nuk e kemi ngritur këtë pikëpyetje dhe t’ju them të drejtën nuk kam parë asnjë vend tjetër që ka pritur këto lloj qendrash.
-Komisioneri pak më herët tha se çfarë ndodh në Shqipëri ndikon dhe në Bashkimin Europian. Zoti kryeministër ju keni deklaruar pak ditë më parë se kush tenton të prekë zgjedhjet do të hetohet nga krimi zgjedhor, kështu që do hiqet e drejta për të shkelur në vendet e BE dhe në SHBA. A keni marrë mbështetjen e vendeve të BE për këtë deklaratë?
Kryeministri Edi Rama: Siç e dëgjuat zonjën që moderon këtu jemi për t’iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë temë. Për sa i përket temave të tjera kush do ta kërkojë atë përgjigje, do ta marrë kur ta meritojë.