Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në luftën kundër evazionit dhe informalitetit:
Unë do ta nis aty, ku Prokurori i Përgjithshëm solli shembullin më domethënës. Një marrëveshje e tillë e ngjashme është bërë në një periudhë kohe të caktuar për të luftuar gjithë informalitetin nëse mund ta quajmë kështu, por në fakt vjedhjen në sektorin e shpërndarjes dhe konsumit të energjisë elektrike.
Më duhet të them që, pikërisht, bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve të përfshira, në atë rast të Ministrisë së Energjisë, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka qenë baza e suksesit të padiskutueshëm të atij operacioni.
Ne arritëm të bëjmë atë çka edhe më optimistët nuk kishin kurajë ta imagjinonin si të realizueshme; transformimin rrënjësor të marrëdhënieve mes konsumatorëve të energjisë elektrike dhe administratorëve të kësaj pasurie kombëtare.
Sot ne jemi në kushte tërësisht të tjera. Kemi një kompani të shpërndarjes së energjisë që po rimëkëmbet me shumë shpejtësi, falë një uljeje drastike të humbjeve jo teknike, pra të humbjeve si rezultat i vjedhjes kolektive të energjisë elektrike, si dhe falë një transformimi në të njëjtën kohë të gjithë sistemit të administrimit të gjithë kompanisë.
Sot, ne kemi një sektor të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike për konsumatorët që nuk kërkon më para nga buxheti i shtetit, por që arrin të prodhojë të ardhura më të cilat ka filluar shërimi i plagës së tmerrshme të borxheve brenda sistemit të energjisë. Borxhe të rënda dhe ekspozim të madh karshi bankave, akumuluar në vite, të kompanisë shtetërore prodhuese, të kompanisë së transmetimit dhe sigurisht edhe të vetë kompanisë së shpërndarjes.
Ky është një sukses jashtëzakonisht domethënës, për të kuptuar se aty ku ka vullnet shtetformues nuk ka asgjë që mund të bëhet pengesë objektive. Pengesat e ngritura kanë qenë në vijimësi subjektive, kanë qenë rezultat i një qasjeje tërësisht të gabuar të qeverive ndaj problemeve të vendit dhe i politikave tërësisht qorre, në raport me qytetarët e interesin publik dhe të ardhmen e vendit.
Por, në atë operacion i cili siç e patëm deklaruar qysh në fillim, nuk ishte një aksion që do të ndizej dhe do të fikej si një flakë kashte si në të shkuarën, por vazhdon dhe sot dhe gjithë ditën, – çelësi ka qenë bashkëpunimi i ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.
Për këtë dua t’i shpreh mirënjohjen dhe respektin Prokurorit të Përgjithshëm, i cili me shumë vendosmëri ka zbatuar të gjitha angazhimet e marra në atë Memorandum Bashkëpunimi dhe jam i bindur që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me këtë memorandum që do të firmoset sot.
Sigurisht, do të kishte qenë edhe më i efektshëm, në kuptimin edhe më spektakolar në rezultate, operacioni kundër hajdutërisë në sektorin e energjisë elektrike, nëse një pjesë dhe fatkeqësisht jo e vogël e përpjekjeve të materializuara konkretisht me prova të policisë dhe të prokurorisë nuk do të ishte shkelur me këmbë nga gjykatës të korruptuar. Të cilët, në vend se të zbatojnë ligjin kanë preferuar dhe vazhdojnë të preferojnë rryshfetin përkatës për të lënë të lirë hajdutë të kapur me presh në dorë.
Jam i bindur që e njëjta gjë na pret edhe në këtë operacion. Jam i bindur që edhe në këtë operacion do të kemi përballë, jo vetëm ata që bëjnë evazion dhe që do të ndalohen për veprën penale të shmangies apo fshehjes së detyrimeve tatimore, por edhe gjykatësit e korruptuar të cilët bëjnë evazion përditë me ligjet e Republikës sonë. Kjo është gjithmonë për ne, fatkeqësisht, një betejë brenda beteje. Kjo është gjithmonë për ne një këmbanë alarmi që e dëgjojmë çdo ditë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi dhe për domosdoshmërinë e transformimit të gjykatave të vendit në struktura që japin drejtësi, jo që tregtojnë të drejta njerëzish apo kompanish.
Dua të sjell këtu në vëmendjen tuaj faktin se çfarë po ndodh në këtë periudhë fare të parë të këtij operacioni rrënjësor kundër informalitetit është mjaftueshmërisht domethënëse për të kuptuar se edhe në këtë aspekt përpjekja është po ajo në thelb; duhet të fitojë Shqipëria që punon, Shqipëria që paguan rregullisht detyrimet dhe Shqipëria që fiton duke respektuar ligjin.
Duhet të fitojnë në këtë betejë të gjithë ata, të cilët në mëngjes hapin qepenat e aktivitetit të tyre tregtar dhe respektojnë ligjin dhe hapësirën e aktivitetit të tyre. Që fitojnë, por nuk përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe shoqërisë. Kjo nuk është një betejë kundër biznesit, kundër sipërmarrjes apo kundër më të dobëtëve. E njëjta gjë na u tha, na u stërtha, do na thuhet, do të na stërthuhet edhe në këtë operacion; që ne po godasim ata që nuk kanë bukë, se është bërë modë që për mungesën e bukës të flasin ata që e kanë barkun deri në fyt, qoftë fizikisht qoftë edhe barkun zullum, të mbushur me zullumin e zullumeve të së shkuarës. Po kjo është pjesë e të tërës edhe kjo nuk na bën përshtypje. Ajo që ne na bën përshtypje është që në Shqipëri ata të cilët bëjnë sipërmarrje falë ideve, falë talentit, falë vullnetit dhe vendosmërisë së tyre, nuk duhet të jenë të pambrojtur nga çakejtë që nuk respektojnë ligjin, që deformojnë konkurrencën dhe që bëjnë të fortin ballë për ballë ose në krah të aktivitetit që është brenda gjithë kufijve të ligjit.
Shqipëria që punon, Shqipëria që paguan detyrimet dhe Shqipëria që meriton që ato detyrime që paguan t’i marrë mbrapsht në formën e investimeve për çerdhe, për kopshte, për shkolla, për rroga për pensione, për ulje taksash, është shumë më e madhe sesa Shqipëria që vjedh, Shqipëria që mashtron, Shqipëria që përfiton në kurriz të një shumice, e cila me të drejtë kërkon dhe me të drejtë do të ketë të gjithë mbështetjen tonë.
Ky operacion do të shkojë deri në palcë.
Ky operacion, i cili në pamjen e jashtme zhvillohet në dyert e njësive tregtare në çdo qytet, në fakt do të synojë zemrën e evazionit që janë kompanitë e mëdha, që janë distributorët e mëdhenj, që janë shmangësit e mëdhenj.
Arsyeja pse ne jemi sot në dyert e çdo aktiviteti në të gjithë zonat urbane të vendit është shumë e thjeshtë; Sepse ato janë pikat fundore të një zinxhiri evazioni, që origjinën e vet, hallkën e vet të parë e ka tek kompanitë e mëdha. Ato janë pikat ku shkarkohet ky evazion i madh dhe pikat ku fillon bllokimi i gjithë kanalit të evazionit.
Pa dyshim, që ky Memorandum në themelin e vet ka atë qëllim që nënvizoi ministri i Brendshëm, që bashkëpunimi i fortë mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme të çojë në identifikimin dhe ndalimin e evazorëvë të mëdhenj, në radhë të parë dhe në goditjen e krimit financiar që prej 20 e kusur vitesh nuk është prekur kurrë në Shqipëri.
Ne jemi shumë të vendosur ta çojmë përpara këtë betejë. Ne jemi shumë të vendosur të përballemi me të gjitha sfidat që kjo betejë ka, edhe pse sfida e sfidave mbetet përballja fundore me gjykatësit e korruptuar. Por një gjë është e sigurtë, që asnjë gjykatës nuk duhet të mendojë se drejtësia vonon përgjithmonë. Drejtësia vonon, por nuk harron. Të jeni të sigurtë se drejtësia nuk do t’i harrojë ata, të cilët me çekiçin e gjykatësit shkelin çdo ditë të drejta individësh, të drejta komunitetesh dhe të drejtën themelore të kësaj shoqërie për të qenë e lirë dhe e çliruar njëherë e mirë nga kthetrat e hajdutërisë, e korrupsionit, dhe e krimit ekonomik dhe financiar, i cili nën sqetullën e gjykatësve të këtij vendi ka gjetur folenë ku zhvillohet pa i hyrë gjemb në këmbë. Edhe njëherë faleminderit Prokurorit të Përgjithshëm që është këtu me ne. Me siguri që bashkëpunimi i përcaktuar në pikat e këtij Memorandumi do të na japë frytet që meritojnë qytetarët e këtij vendi. Do të na bëjë të mundur që të gjitha ato të ardhura të shtuara nga kjo luftë e vërtetë, – në një gjendje lufte ku është sot ekonomia, në ballafaqimin me fenomenin e informalitetit, – t’u kthehen qytetarëve një orë e më parë në ulje taksash, në rritje rrogash, në rritje pensionesh në më shumë investime. Për këtë, qytetarët duhet të jenë të gjithë të vetëdijshëm se çdo kupon i marrë është një kontribut i drejtpërdrejtë për të marrë mbrapsht paratë që aty brenda tek ai kuponi i takojnë komunitetit, i takojnë të moshuarve, i takojnë fëmijëve, për t’i marrë mbrapsht në formë investimesh.
Kur ne blejmë, blejmë si individë, por kur ne marrim kuponin, kontribuojmë si qytetarë për të marrë mbrapsht si qytetarë atë që kemi investuar si individë për bashkëjetesën tonë dhe cilësinë e saj.
Shumë faleminderit!
* * *
Në kuadër të operacionit kundër informalitetit në ekonomi, sot u nënshkrua në Sallën e Hartave, Memorandumi i Bashkëpunimit në luftën kundër evazionit dhe informalitetit, mes tre institucioneve Ministrisë së Financave, Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje këto institucione dhe hallkat e tyre dakordësojnë një platformë bashkëpunimi permanente, në funksion të hetimit në fushën financiare.
Marrëveshja u firmos nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.