Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:

Qysh prej ditës së djeshme mbrëma, edhe sot, ka mbirë në gjuhën e miqve tanë rrugëhumbur shprehja: “e tha Zëri i Amerikës”. Domethënë, “e tha Amerika”. Fatkeqësisht, është e dyta herë në një periudhë kohe të shkurtër që Zëri i Amerikës bëhet zëdhënës i kazanit të Tiranës. Herën e parë, ne e demonstruam me qindra faqe të dokumentuara, të gjithë gënjeshtërsinë e lajmit të dhënë mbi rekrutimet e punonjësve në sistemin peripenciar, ndërsa këtë herë mund të them vetëm kaq, asgjë e re nga fronti juaj. Një sallatë fjalësh, e cila nuk ka asnjë shans të çorodisë asnjë shqiptar të vetëm, zero.

Tani, meqë ju e doni me Amerikën dhe meqë ju i dini shqiptarët në vitin 2019, kaq të pashëtitur e kaq të pamësuar sa mund t’i tërhiqni pas vetes duke ju thënë, “e tha Amerika”, unë po ju them juve që me Amerikën, ne, kjo qeveri dhe unë personalisht, komunikojmë drejtpërdrejtë. Pas kësaj fjale, do të jem i detyruar t’ju lë sepse jam në pritje të një komunikimi të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë dhe në varësi të sa do të jem i autorizuar t’ju them, do t’ju informoj, patjetër.

Saliu këtu, e nisi fjalën e tij natyrisht me Amerikën e më bëri mua një pyetje të drejtpërdrejtë për bashkëshorten time. Nuk i jam përgjigjur kurrë, por sot do t’i përgjigjem se kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë pastaj për Saliun.

Sali, ABI Bank është një bankë, e cila monitorohet drejtpërdrejtë nga Enti Rregullator i Bankave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nëse bashkëshortja ime do të ishte aksionere, të jesh i sigurt që mua nuk do të më lejonin ta kapërceja më oqeanin. Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali, ti e kapërcen dot oqeanin po të duash? Hajde përgjigju. Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë për të të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë. Ti, po të duash, e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurtë që unë nuk do e kapërceja dot oqeanin e jo më të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi të kërkoj diçka të tillë.

Fole për Transparency International, Sali. Po të informoj se ne kemi një rënie nga viti i shkuar, por pavarësisht rënies nga viti i shkuar, ne sot jemi as më shumë e as më pak, por mbi 15 vende, krahasuar me Shqipërinë që na le ti, në vendin e 116, ku Transparency International nuk thoshte siç thotë këtë herë që “Shqipëria ka një rënie për shkak të reformave të bllokuara antiokorrupsion”, por thoshte Shqipëria jote “është vendi më i korruptuar i Europës”. “Transaprency International” në vitin 2012 kur zotrote dole këtu dhe the, Transparency International punon për Edi Ramën.  Sali, përgatit përgjigjen e pyetjes time, por mendoje mirë atë përgjigje që do japësh këtu. Nëse nuk do e japësh, je i mirëkuptuar se është e vështirë përgjigja. Është i gjerë dhe i thellë ai oqean Sali dhe ti mendove se gjithë jetën do ta kalosh detin në këmbë, por oqeani nuk është Valbona, ku ti i dhe lejet për hidrocentralet e sot fshihesh si skuth sepse je ti që e shkatërrove Valbonën, duke dhënë lejet për hidrocentralet  dhe atyre tropojanëve të tu, nuk ke fytyrë t’ju dalësh përpara e t’ju thuash, “jam unë autori i këtyre lejeve”. Ti dhe leje për 15 hidrocentrale, nga të cilat ne mundëm të anulojmë 13 për të mos shkuar në arbitrazh për shkakun tënd Sali. Kështu që oqeani nuk është Valbona. Dakord?

Ju të tjerët jeni të mirëkuptuar. Juve hani përsheshin e Saliut. Tani keni lugën e Saliut, Lul Lugën dhe juve në lugë jeni, jeni në rregull. Ju hani përshesh dhe nuk ka rëndësi se është “sh”, se është “th”, pak rëndësi ka.

Sot, unë në fakt nuk do kisha ardhur fare këtu, por meqë ka një çështje shumë më të rëndësishme se sa ç’keni ju për të thënë dhe meqë ra fjala, pashë një protestues me artistin. Artisti kishte takuar një protestues potencial të 16 shkurtit. Ai thoshte, “na shkatërruan Lul”. “Na vënë gjoba në lokal për duhan”. “Nuk duan të na lënë të pimë duhan”. Artisti thoshte, “hajde në bulevard”.

Pra, në bulevard, të gjithë ata që nuk duan shtet. Në bulevard të gjithë ata që nuk paguajnë gjoba. Në bulevard të gjithë ata që kujtojnë se do kthehen “qoftet tek daja” dhe kryetari de jure i kësaj partie që vjen këtu dhe jashtënxirret i gjithë bashkë me gjithë opozitën, duke lëshuar në mes të kuvendit të lartë të Shqipërisë, të gjitha të trashat e gjuhës amtare, na tund këmbët, na kërcet dhëmbët, sepse është mësuar me “qofte tek daja” dhe kujton se me “qofte tek daja” do të vazhdojë. Lulëzim, unë të kam thënë vazhdimisht, se ti e di që ne komunikojmë dhe ti bën sikur nuk komunikon dhe sikur nuk dëgjon, por ti duhet ta mësosh, “qofte tek daja” nuk ka. Dakord?

Unë e di që Saliu të ka thënë, “sa të jetë lala Gjoni, hani, pini e këndoni”, por edhe lala Gjonit iu mbyll rruga. Kështu që zbrit në tokë, ejani në vete, lërini këto historitë me protesta që do na shkulin e do na ngulin dhe hajdeni të kontribuoni për reformën zgjedhore dhe mblidhini mirë rripat për humbjen e qershorit, se jua kam premtuar. Në qershor, jo që nuk do merrni asnjë nga bashkitë që nuk keni, por në qershor, do dorëzoni minimalisht bashkinë e Kukësit.  Minimalisht do ta dorëzoni bashkinë e Kukësit, sepse Kukësin do ta drejtojmë ne, do ta bëjmë me aeroport, do ta bëjmë me stadium, do ta bëjmë me shumëçka tjetër që fatkeqësisht ju nuk e bëtë. Ju, Kukësin e gjetët me flamur dhe e latë me shkop, pa flamur. Dakord? Kukësit i latë shkopin, këtu sollët flamurin. Me këtë do ta sjellësh Partinë Demokratike në pushtet ti? Apo me këtë lala Gjonin këtu? Hajde Lul, një mundësi ke ti që të vish në pushtet, ta kam treguar, reflekto, këtu jemi. Tani nuk kemi punë me ju, mbarova me ju.

Tani, dy fjalë vetëm për studentët lidhur me faktin që sot është afati i fundit dhe shumë sekretari, për shkak të heronjve të lalës këtu, lala Gjonit, nuk kanë mundur të plotësojnë dokumentacionin. U them të gjithë studentëve që shkruajnë e shkruajnë, të gjitha fondet janë në dispozicion, pritet vetëm dokumentacioni i sekretarive për tarifat, bursat dhe njëkohësisht do të shtyjmë afatin edhe për programin e punësimit për shkak se kemi 800 vende të para të lira, dhe janë afro 400 aplikime, ndërkohë që shumë të tjerë ankohen që nuk kanë dokumentacionin.

Në mbyllje, vazhdimisht më shikoni dhe më bëni konstatime fizike; u zverdhe, u skuqe, je i zbehtë. Sali, unë e di që ti më do në thelb dhe më sheh edhe fizikisht, por edhe një herë tjetër tani, hajde këtu dhe vetëm thuaj kaq. Po të duash ti, burri që çan malet dhe kapërcen detet, e kapërcen dot oqeanin? Hajde pak!

Replikë e detyruar me deputetin Sali Berisha:

Unë nuk të pyeta a ke marrë ftesa nga SHBA-ja. Nuk ishte kjo pyetja. Nga ana tjetër, duke menduar se si ta japësh përgjigjen pa dhënë përgjigje, bëre një gabim, the që “unë nuk dal më jashtë shtetit, për arsye pune”. Por, ti jo vetëm del jashtë shtetit, por merr prej krahësh Fatmir Mediun, shkon në Bundestag dhe nuk lë llaf pa thënë për Shqipërinë. Ti jo vetëm del jashtë shtetit, por ti nuk lë rast pa dalë jashtë shtetit dhe informon edhe ndjekësit e tu digjital. Unë nuk e diskutoj që ka njerëz që ty të ftojnë dhe për ty kanë mall në të gjithë globin. Unë të pyeta, ti me dash, e kalon dot oqeanin, apo jo?!

Sali, kam pasur një shok si ty unë, i cili kur fliste nga bankat ishte trim i madh.

Unë po të them kaq. Unë nuk jam si ti. Unë mendoj që nderi i vendit, nderi i asaj zyre ku unë jam sot, ti ke qenë dje, dikush tjetër do të jetë nesër, e do që unë të jem i dëshiruar që ti vërtet ta kalosh oqeanin në rast se do. Por, mënyra se si ti më përgjigjesh më bën të mendoj se ka një problem.

Sidoqoftë, bëre mirë që u përgjigje ashtu, sepse këtë herë nuk do të ta bëj pyetjen që do të vinte mbrapa. Por ki kujdes, sepse e mbylle fjalën me një çështje e cila s’kishte lidhje fare me pyetjen time dhe s’kishte lidhje fare me shqetësimin tënd. The që unë i paskam hyrë një loje të rrezikshme, madje më ngatërrove mua me Lulin. Për shumë kohë na kanë ngatërruar dhe mua më vjen mirë që ti na ngatërron akoma, se na sheh të afërt të dyve, por është Luli që ka paguar para Sali, nëpërmjet miqve rus për të bërë një fotografi.

Ti mos harro që, akuza jote se unë paskam paguar 20 milionë dollarë për të takuar Presidentin e Amerikës rëndon edhe Presidentin e Amerikës, jo mua, sepse Presidenti i Amerikës dhe çdo zyrtar amerikan është i ndaluar të bëjë një gjë të tillë. Ti nuk e ke problem, se tani çfarëdo të thuash nuk të numërohet më sepse çështja e vizës është përcaktuar. Por po të them një gjë, Sali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ti i ke sfiduar disa herë dhe këtu në këtë foltore, kur i ke quajtur autoret e rrëzimit tënd, këtu, bashkë me të ndjerin Bashkim Gazidede dhe me të mirënjohurin Blerim Çela.

Më kujtohen fjalimet tuaja pas zgjedhjes së Donald Trump dhe më kujtohet se sa shumë i thërrisnit që këtu Donald Trumpit që të vinte t’ju ndihmonte dhe jua kam thënë, jeni si kalamajtë e lagjes, që i thoni atij të madhit në lagje, “aman hajde se ata Guri do të na rrahin!” Por Guri nuk vjen tek ju, se s’ka si vjen tek ju.

Sali, edhe një herë po të them, ABI Bank është bankë amerikane, e cila kontrollohet nga Enti Rregullator i Bankave të Amerikës.

Po ta përsëris, ti je njeri që je marrë me gratë, je marrë me vajzat, je marrë me kalamajtë, je marrë me nipat, je marrë me mbesat, je marrë, me kë s’je marrë. Ti je njeri që s’ke kanun. Ti je njeri që s’ke kushtetutë. Ti je njeri që s’ke ligj. Ti je njeri që s’ke moral.

Replikë e dytë e detyruar me deputetin Sali Berisha:

Vetëm ilustrove atë që të thashë. Ilustrove që nuk ke lidhje me asnjë libër, të vjetër, apo të ri të rregullave të bashkëjetesës shqiptare.

Në vitin 2000, ti, së bashku me disa rreth teje, ke fabrikuar një dokument fals, sipas të cilit unë kam bërë gjyq dhe sipas të cilit unë kam mohuar atësinë e djalit tim. Je ti që e ke bërë këtë gjë. Je ti që e ke ushqyer këtë gjë. Je ti që ke shkaktuar dhimbje dhe lot në familjen time. Por, e ndolle Sali: “vizat e mallit”, “vizat e bardha”, “vizat e bardha”…, e ndolle. Unë s’kam lidhje, as me vizat e mallit, as me vizat e bardha, ti shiko vijën e kuqe që të ndan ty nga ana tjetër e oqeanit!   

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.