Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Në kushtet kur në Shqipëri nuk ka opozitë dhe në kushtet kur në këtë parlament, në fakt ka thjesht dy qeveri, një qeveri e re në detyrë dhe një qeveri e vjetër e rënë nga vakti, nuk ka sesi të mos ndodhemi dhe përpara situatash të tilla, kur qeveria e vjetër ikën dhe as nuk arrin ta shpjegojë dot se pse ikën.
Megjithatë, nuk ka problem, ne mund ta vazhdojmë seancën si një asamble të zgjeruar të së majtës së bashkuar, për të folur për problemet reale dhe sfidat reale, e mbi të gjitha, për tu fokusuar gjithnjë e më shumë tek objektivat tona, e për tu marrë gjithnjë e më pak, mundësisht aspak me Saliun dhe me faktet e tij të fabrikuara.
Por një gjë është e qartë, ata ikin sepse në këtë parlament dhe në anën e majtë të këtij parlamenti nuk ka asnjë person me rekorde kriminale. Ata ikin sepse ligji më ekstrem, unikal në planet i kaluar edhe me bekimin tonë për të ashtuquajturin dekriminalizim të parlamentit dhe të politikës, nuk arrin dot të zbulojë asgjë.
Edhe gjithë ajo seancë absurde, 48 orë marrëzi, negociata të mbyllura 6 herë dhe të rihapura 6 herë për ta çuar në ekstrem një formular qesharak, ishte shprehja e dëshpërimit për faktin se ata 19 kriminelët që do kapeshin nga ky proces ishin vetëm pjellë e fantazisë së një propagande të shthurur që prodhon çdo ditë fakte të rreme. E ashtu siç nuk ka në këtë parlament persona të inkriminuar, nuk ka as ndër të zgjedhurit e popullit në qeverisjen vendore, persona të inkriminuar, ligjërisht. Ndërsa, persona të inkriminuar politikisht ne jemi të gjithë këtu. Unë i pari dhe kryetari i kuvendit i dyti, e të gjithë me radhë, kemi kryer të gjitha krimet që fantazia, por jo vetëm fantazia, por dhe eksperienca e Saliut mund të përmbledhë në sulmet me libër shtëpie të kundërshtarit.
Dy fjalë për INSIG-un, se përsëri jemi në fushën e luftës midis fakteve të vërteta dhe fakteve të fabrikuara. INSIG-u është katandisur nga një kompani lider në tregun e sigurimeve, në një fantazmë që ka thuajse më pak se 5% të tregut sot. INSIG-un e katandisën nga një kompani lider dhe një kompani rajonale sigurimesh, në një fantazmë me thuajse më pak se 5% të tregut, ata që sapo ikën. Politika e qeverisë së vjetër që nuk bëhet dot opozitë. Një kompani, e shtrirë në gjithë territoret ku ka shqiptarë në rajon dhe që në Kosovë ishte në prag të humbjes së licencës pasi krijoi një gropë për të cilën ministri i financave ka negociuar ngushtësisht dhe intensivisivisht për ta kapërcyer.
E nga ana tjetër, në një treg që e kthyen në xhungël, dështuan tre herë ta privatizojnë INSIG-un. E vërteta sot, është se një kompani ndërkombëtare vlerësimi ka bërë vlerësimin, kompania BDO, të cilën Saliu e përmend shpesh në ligjëratat e tij, dhe vlerësimi është publik, është online, e ka vlerësuar kompaninë në harkun e 10 deri 15 milionë eurove.
Sot, në një proces tërësish transparent, ministria e financave sapo ka lajmëruar që ofertat janë përtej parashikimeve më optimiste e faktikisht shkojnë deri në 2.2 miliardë lekë. Pra përtej kufirit maksimal të vlerësimit të kompanisë. Ky është fakt, nuk është opinion. E mbi këtë fakt, ka një tërësi arsyesh të tjera që lidhen me ndryshimin rrënjësor të praktikave, në raport me ekonominë, në raport me borxhin, në raport me sipërmarrjen, në raport me të gjithë grupet e interesit dhe padyshim në raport me praktikat koncesionare apo të partneritetit publik-privat.
Ka një dallim themelor. Koncesionet e qeverisë së vjetër, ishin para që iu merreshin qytetarëve për shërbime prej të cilave përfitonin privatët. Ndërkohë që partneritetet tona publike, private janë para që investohen nga privatët për shërbime që i fitojnë qytetarët. E nëse qytetarët mbanin dhe mbajnë sot në këmbë kompanitë koncesionare të Saliut, që nga skanimet tek targat, e me radhë që mos i numërojmë të gjitha se janë shumë, me paratë e xhepit të tyre, për shërbime, së pari tërësisht të papërmirësuara dhe së dyti, që janë thjesht dhe vetëm përfitim i shtetit.
Nga partneritetet tona, qytetarët paguajnë zero lekë dhe përfitojnë shërbime! Nëse për kontrollin mjekësor bazë, qytetari duhet të paguante 51 mijë lekë të vjetra, sot paguan zero lekë! E kompania partnere private nuk merr paratë e qytetarëve, por merr mbrapsht përfitimin e investimit nga buxheti i saj. Një investim të cilin shteti e përfiton nga kompania private dhe për të cilin padyshim kompania private merr përftimin e saj, – por jo duke tarifuar qytetarët, – siç ndodh në të gjithë doganat e Shqipërisë. Kush fut një mall apo kush nxjerrë një mall, paguan një faturë për skanim edhe kur nuk skanohet. Nuk ka skaner në Muriqan, secili që futet e del me një mall, paguan para. Kujt ia paguan këto para? Ia paguan kompanisë, për një shërbim që kompania e bën në pak pika dhe mbi të gjitha që kompania e bën për shtetin dhe jo për qytetarin. Ky është dallim esencial. Edhe një here tjetër do doja të nënvizoja. Ne nuk duhet të humbasim kohë me Saliun, nuk duhet të humbasim kohë, duke zhvilluar betejën e fakteve te ndryshme. Është një betejë parazitësh dhe është një betejë që buron nga e shkuara, nga pamundësia për të ballafaquar qeverinë dhe shumicën tonë me vizion tjetër, me program tjetër, me ide të tjera. Është një betejë për të kriminalizuar shumicën tonë qeverisëse, për të kriminalizuar qeverinë, për të kriminalizuar çdo projekt. Ja ku janë këtu, të gjithë deputetët që marrin pjesë nëpër komisione dhe të më thonë një projektligj, – përveç konventave ndërkombëtare, – ku nuk ka pasur baltosje, ku nuk ka pasur përpjekje për ta kriminalizuar idenë në bazën e projektit, ku nuk ka patur akuza për të linçuar hartuesit e projektit. Pa folur për akte, apo për punë konkrete që kthehen në shënjestër e një gjyqi politik, të organizuar rregullisht përditë nga këta që sot ikën se nuk kanë çfarë bëjnë këtu. E harxhuan kohën e këtij kuvendi me fjalët “kriminelët, kriminelet, ligji, ligji!” Tani që është ligji, ikin. Pse ikin? Se s’ka kriminelë këtu. Na nxorën tani dekusarizimin. Nga dekriminalizimi del dekusarizimi. Nga dekusarizimi, kur të mos ketë as kusarë këtu, kushedi ku do dalin.
***
Replika e parë e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Vangjel, ti je një mik i mirë dhe përgjithësisht je i vëmendshëm. Nuk e kuptova pse ishe i pavëmendshëm gjatë fjalës sime në pikën që ktheve përmbys atë që unë thashë. Unë nuk thashë jemi të gjithë bashkëfajtorë. Unë thashë jemi të gjithë kriminelë dhe unë i pari. Për vete fola. Jemi kriminelë, të trajtuar si të tillë për vite e vite të tëra.
Akuzat mbi mua, – prandaj përmenda edhe kryetarin e kuvendit dhe gjithë protagonistët e tjerë që janë këtu, në një jetë politike më të gjatë ose më të shkurtër, – janë treguesi ulëritës i faktit që problemi madhor i Shqipërisë dhe i shoqërisë sonë dhe i politikës sonë nuk është dekriminalizimi, por kriminalizimi. Kriminalizimi i kundërshtarit me çdo mjet, me çdo kusht, me çdo çmim, kriminalizimi i çdo ideje, kriminalizimi i çdo përpjekje, kriminalizimi i çdo pune. Ky është problemi i madh i yni, kriminalizimi përmes faktesh të fabrikuara, që shiten si liri apo si kundërshti apo si demokraci. Ja ku i ke të gjithë këtu në sallë, je dëshmitar i vjetër i këtij kuvendi.
Ja ku i ke me radhë këta që kanë vite në këtë sallë dalin të përbaltur, në dinjitetin e tyre, të përbaltur në personalitetin e tyre, të përbaltur në familjet e tyre, të përbaltur në fëmijët e tyre, të përbaltur në fisin e tyre, të përbaltur në miqtë e tyre, të përbaltur në gjithçka kanë më të shtrenjtë. Njësoj si në kohën e vjetër me një ndryshim, atëherë përfundonte me plumb, kurse këtu vazhdon me baltë.
Nuk i kam thënë kurrë unë partnerëve ndërkombëtar se Shqipëria ka problem kriminelët në parlament apo në politikë. E kundërta është e vërtetë. Sigurisht që ne bëmë mirë, që vendosëm një vijë të kuqë për të gjithë ata që marrin një funksion publik apo që hyjnë në shërbimin publik dhe kam qënë unë bashkë me zotërinë atje në majë që kemi propozuar atë që Partia Demokratike as që nuk e kishte fare ndër mend, – futjen e transparencës mbi të shkuarën, jo thjesht të atyre që zgjidhen, por dhe të atyre që shërbejnë publikun shqiptar dhe paguhen nga taksa e popullit Shqiptar, pra të gjithëve nëpunësve të shtetit shqiptar se nuk mundet më të vazhdojmë më një përbaltje të përbindshme, – “filan punonjës në Tropojë është dënuar për korrupsion dhe ja Edi Rama, Ilir Meta promovojnë bla bla”.
Kjo është arsyeja pse ne e kemi mbështetur këtë proces, por kurrë asnjëherë se kam përdorur përveçse me neveri dhe me përbuzje fjalën dekriminalizim. Shqipëria nuk është një xhungël në Brazil dhe është turp të thuash klasë politike e kriminalizuar, është turp, është vetëposhtërim, se nuk ka në Shqipëri klasë politike të kriminalizuar, nuk është ky parlamenti i kriminelëve. Ky është parlamenti i plot burra dhe grave që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës me suksese në jetën e tyre. Edhe ata biznesmenët që janë këtu janë njerëz të suksesshëm, janë njerëz që kanë bërë sukses në jetën e tyre, edhe të gjithë të tjerët kush me shumë e kush më pak plus edhe ata që vijnë nga karriera politike. E kush janë kriminelët këtu?! Zotërote që ke kaq vite që je dëshmitar. Unë mendoj që integriteti yt moral nuk do ta pranonte kurrë që ti të uleshe bashkë me kriminel. Në qoftë se unë do të isha këtu i vetëdijshëm se këtu ka një kriminel do të isha unë që do i thoja, “ose unë ose ai”, por kriminel Vangjel nuk të bën goja e ç‘thurur e atij që nuk të do. Kriminel të bën veprimtaria kriminale e hetuar dhe e gjykuar dhe e dënuar si e tillë. Nuk të bën kriminel fakti që flet Saliu. Ato që thotë Saliu janë medalje, janë certifikata nderi për mua. Pavarësisht se shija e asaj balte është një gjë e tmerrshme sidomos për ata që nuk janë mësuar më të. Pavarësisht se shija e asaj balte është një gjë e tmerrshme sidomos për familjarët, sidomos për fëmijët tanë që duhet të dëgjojnë gjithfarëlloj poshtërsish dhe ndyrësish nga tribuna e parlamentit, për prindërit e tyre.
Po të them dhe një gjë tjetër, ikën nga parlamenti nga sytë këmbët, e s’morëm vesh se për çfarë ikën dhe pastaj donin të ktheheshin në parlament se iu digjeshin mandatet. Kjo është e vërteta, iu digjeshin mandatet dhe nuk dinin si të ktheheshin ne parlament, edhe kërkuan që të sjellin nja dy veta nga Brukseli, një të majtë e një të djathtë që të na fusin ata. Dhe ne i pranuam të gjitha këto. I pranuam me bonsensin që ti rikthejmë në parlament se helbete ishin të traumatizuar nga gjithë ai dru që hëngrën në 2013 nga populli shqiptar. Traumë e madhe, një parti e lindur për të bërë ndryshime historike në Shqipëri dhe e katandisur në një atavizëm të historisë.
Së dyti, unë nuk dua të besoj që ti je i pavëmendshëm se të ka shqetësuar dalja në dritë e ca fakteve që provojnë atë që kemi thëne. Kufiri detar është faktikisht tradhti. Si mundet qeveria e një vendi të fali, të japi, të dorëzoje kilometra të tërë katror vetat? E fakti që ata, të cilët me demek kanë negociuar atë vije kufitarë të papranueshme kanë qënë nën presion, nën presion politik. Është e qartë ajo, nuk ka zyrtar, nuk ka ekspert, nuk ka njëri normal që përfaqëson shtetin e tij dhe që firmos atë lloj pakti, nëse nuk është në presion të madh politik. E nuk ka presion më të madh politik për të shitur trojet e atdheut tënd, përveçse tradhtia. S’ka tjetër. Ne s’kemi asnjë problem me Greqinë, më vëllezërit tanë, as më ty. Nuk është përgjegjësi e qeverisë greke që në Tiranë gjeti ca kokrra tradhtarësh që falën gjithë atë territor ujor të Shqipërisë për ca interesa mizerabël. Gjetën, morën, por s’mund ta mbajmë, ne nuk mund ta pranojmë.
Për këtë arsye ne kemi dialoguar, kemi dakordësuar një linjë diskutimesh të arsyeshme. Ne duam ta zgjidhim atë problem. Por ai problem as nuk harrohet, as nuk fshihet dhe mbi të gjitha as nuk mund të jetë litar në këmbët e dy vendeve.
Së treti Vangjel ke humbur gjithçka, nuk ta ka fajin Partia Socialiste, nuk ta kam fajin unë, nuk ta ka fajin qeveria jonë që në komunat të cilat u kthyen ne bashki, në respekt të minoritet, siç nuk ndodh kurrë të imagjinohet, jo të bëhet, në vendin e dashur fqinj, humbe gjithçka. Kush ta ka fajin? Nuk bëmë zgjedhje të lira deshe të thuash? Është e dobët shumë. Është shumë e dobët, është jashtë zakonisht e dobët.
Jo Vangjel, ta kam thënë miqësisht dhe po ta them prapë miqësisht. Ke vetëm një rrugë. Eja anëtarësohu në Partinë Socialiste. Bëhu pjesë e jona, ke vlerat e tua. Përfaqëson një komunitet që ne e vlerësojmë shumë dje gjithmonë më shumë do të përfshihet në gjirin e të majtës së bashkuar. Nuk do rendim më pas atyre partizave që e përdorin flamurin e pakicës për të ngulur shkopinjtë e interesave dhe gardheve personale. Përfshihu dhe ti bashkë me shumë vëllezër dhe motra minoritare në Partine Pocialiste. N.q.s. ke ndonjë rezervë këtu ke dhe dy mundësi zgjedhjeje se jemi dy parti socialiste, kështu që mund të bashkohesh me Tavon me LSI dhe bëhu pjesë e jona sepse je një vlerë dhe një kapital i madh. Por nuk mund të dalësh ti këtu Vangjel të na tregosh dështimet, të na tregosh ne pasqyrat, të na tregosh ne konet. Është shumë dobët kjo. Imagjino tani sikur dikush këtu të thoshte mos bëj konen e Greqisë. Do ishte një fyerje shumë e madhe, e papranueshme. Ti nuk mund ti thuash Erjon Braçes pse bën konen e Shqipërisë.
Nuk po vazhdoj shumë, por po të ftoj duke iu adresuar arsyes tënde jo zemërimit tënd, je i zemëruar, je i mllefosur. Mos u bëj si ata që s’janë këtu në sallë që mllefin e kanë më të madh se turpin dhe që gjuhën e kanë më të gjatë se shikimin, se nuk je ndër ta.
Ndoshta u ofendove që thashë mbetëm këtu me asamblenë e zgjeruar socialiste dhe deshe të bësh dallimin që ti s’je me ne. Por unë se kisha me qëllim. Unë të shoh si pjesë tonën. Dhe ti e di shumë mirë ne jemi një familje ku kemi shumë arsye dhe mosmarrëveshje, por nuk e lëshojmë njëri-tjetrin. Kështu të pranojmë dhe si xanxar, por si tonin dhe të siguroj do të ndjehesh shumë më mirë.
E do të jesh edhe më i hapur të dëgjosh Vangjel që ekonomia në 2013 ishte në lëngim, ishte si një qenie që i gjëmonte bishtit vet. Sot jemi ne kushtet kur synojmë trefishimin e rritjes këtë vit. 3.4 % a është kjo mjaftueshëm? Absolutisht jo! Por a është kjo një gjë krejt tjetër nga 2 e gjysmë më parë? Duhet të jesh Saliu të thuash që është e kundërta. Ti nuk je Saliu, Vangjel. Nga ana tjetër, fole për të varfrit, por të lutem se po bëhet e dhimbshme, që kush s’ka çfarë ofron kapet mbas të varfërve. Të varfërit nuk janë mish për topat e ambicieve politike. Ti e di shumë mirë se ti e njeh shumë mire historinë e re të Greqisë. Në emër të të varfërve u bënë shumë hapa të gabuar dhe sot po vuan Greqia keq. Në emër të të varfërve u bë gjithë ai zjarr i madh duke kënduar edhe Internacionalen nëpër sheshet e Athinës, por kënga mbaron varfëria thellohet. Kjo është historia e Internacionales dhe së majtës së lodhur. Po ti nuk je një i majtë i lodhur, ti je një grek i mirë, je një mik i joni, kështu që reflektoje këtë që të thash shumë sinqerisht, shumë vëllazërisht. Hajde bëhu pjesë e partisë socialiste dhe të siguroj që ne do të bëjmë të mundur atë që duket e pamundur. Do të të bëjmë edhe mik me Shpëtim Idrizin.
***
Replika e dyte e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Vangjel,
Meqenëse tani besoj që nuk është kohë e humbur të merresh me ty, përkundrazi dhe meqë krijove një dritare ku ka vend për të punuar, unë i kërkoj Pandeliut që të punojë me ty, që ti ta shikosh Partinë Socialiste ashtu siç e the vetë, që Partia Socialiste nuk është Edi Rama dhe ti të bëhesh pjesë e Partisë Socialiste për ta përmirësuar apo për ta larguar, madje të marrësh pjesë edhe në referendum në Partinë Socialiste.
Unë jam i bindur që ty të foli tani pjesa më e mirë e jotja, pjesa jote socialiste. Sinqerisht, konsideroje këtë, mos të errësohen sytë nga një mllef shumë i përkohshëm që ke me mua. Ti nuk je njeri i inateve antike por je njeri i respektit për antikitetin dhe ajo që the si frymë dhe si germë platoniane duhet të të udhëheqë, “miqtë janë të shtrenjtë, e vërteta është edhe më e shtrenjtë”.
Kështu që, për të vërtetën tënde të shtrenjtë, që të lidh kaq fortë me Partinë Socialiste, për shumë miq të shtrenjtë që ke këtu, përfshirë edhe mua, – por që në këtë moment kam nevojë edhe për ty që të korrigjohem, – bëhu anëtar i Partisë Socialiste dhe bëhu pjesë e gjithë lëvizjes së madhe që po ndodh në minoritet drejtë kthimit në shtëpi.
Minoriteti po kthehet në shtëpi, po kthehet në familjen socialiste, po ribëhet pjesë e asaj familjeje që ka treguar historikisht respekt, vlerësim, tolerancë, dashuri për gjithë minoritarët, përfshirë edhe ty.
Ti ke dhënë dashuri por ke marrë shumë më tepër dashuri nga kjo parti. Kështu që në këtë fushatë anëtarësimesh, unë e kam për detyrë të të ftoj edhe një herë që ti të bëhesh pjesë e Partisë Socialiste.
Të përfitoj nga ky rast sepse unë mendova se këta ikën, por këta ishin të gjithë në kafe, u habita, këta janë në kafe, domethënë mirë që ikin nga këtu por s’dinë ku të shkojnë që këtu. Nuk e dinë pse ikën që këtu por s’dinë as ku të ikin, që këtu, atje dhe janë të tërë në kafe përveç Saliut. Kështu që ti Vangjel, vendin nuk e ke as këtej, as në kafe dhe aq më pak jashtë kësaj aule. Kjo aulë do ketë gjithmonë nevojë për ty dhe ti në këtë aulë mund të vazhdosh të jesh si anëtar i grupit të Partisë Socialiste. Sigurisht, duke e merituar me punë, me mund, me përkushtim dhe mbi të gjitha me përpjekje për ta demokratizuar më tutje Partinë Socialiste.
Mos u mërzit se Erion Braçe nuk të mirëpret sot por jam i sigurt që do të mirëpresë kur ti të kesh reflektuar plotësisht.
Faleminderit Vangjel!