Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në ngarkim të ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish-punonjësve të kësaj Ministrie, për konsumin e veprës penale “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”.
Në një deklaratë për mediat, Ministrja e Mbrojtjes Znj. Mimi Kodheli siguroi se kemi të bëjmë me një padi të përgatitur nga një grup ekspertësh, të cilët kanë shqyrtuar deri në detaje gjithë këtë aferë korruptive, si dhe kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme të veprojë, duke investiguar mbi të gjitha këto veprime antiligjore që kanë çuar në shkelje të procedurave dhe në një abuzim të madh me paranë publike.
Deklarata për media e Ministres së Mbrojtjes, Znj. Mimi Kodheli:
Mirëdita të gjithëve!
Sot, Ministria e Mbrojtjes depoziton në Prokurorinë e Përgjithshme një kallëzim penal në ngarkim të ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe disa ish-punonjësve të kësaj Ministrie, për konsumin e veprës penale “Shpërdorim detyre”, “Shpërdorim i kontributeve të dhëna nga shteti”, si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankand publik”, të parashikuara këto në Nenet 248, 256 dhe 258 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Në fakt, ky nuk është një kallëzim i zakonshëm. Kemi të bëjmë me një padi të mirëargumentuar, të përgatitur nga një grup ekspertësh, të cilët kanë shqyrtuar deri në detaje gjithë këtë aferë korruptive dhe kanë dalë me konkluzionin se kush ka qenë pjesë e kësaj procedure, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë.
I kërkoj në mënyrë të veçantë Prokurorisë së Përgjithshme të veprojë, duke investiguar mbi të gjitha këto veprime antiligjore që kanë çuar, sipas nesh, në shkelje të procedurave dhe në një abuzim të madh me paranë publike.
Ndërkohë, mund t’ju them se nuk është aspak komode për mua dhe as për bashkëpunëtorët e mi për këtë veprim ndaj paraardhësit tim, por ju siguroj se kjo është gjëja e vetme që duhet të bëja në kushtet e të ndodhurit përpara këtyre fakteve dhe provave të pamohueshme.
Ju faleminderit!”