Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Në radhë të parë më lejoni t’ju falënderoj përulësisht për këtë ftesë, në një moment kaq të vështirë për ju. Ndoshta, grupi më i disavantazhuar i shoqërisë shqiptare që kalon ditë vërtetë të vështira. Ditë të vështira që lidhen me një situatë të krijuar në vite dhe të kulmuar me fushatën elektorale.

Unë jam shumë mirënjohës për këtë mundësi, për të komunikuar me ju. Siç e tha Ministri, pavarësisht nëse kemi lajme të këqija apo lajme të mira, për ne, në themel të marrëdhënies mes Qeverisë dhe shoqërisë qëndron komunikimi. Komunikimi përmes të vërtetave, ashtu siç janë, ashtu siç i kemi.

Fatkeqësisht, sot, në Shqipëri, për këtë grup shoqëror është e paimagjinueshme që të thuhet siç thoshte një invalid pune amerikan se,- “aftësitë e kufizuara mund të kthehen në fuqi, nëse ti e lejon fuqinë të shprehet përmes aftësisë së kufizuar”.  Është e paimagjinueshme, sepse vështirësitë e njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri shkojnë shumë përtej vetë aftësisë së kufizuar. Vështirësi që, pa asnjë dyshim, aftësia e kufizuar i përmban në vetvete kudo, edhe në vendet e zhvilluara, por pa dyshim, jo me problematikën e mbetur nën minimumin jetik, për njerëz për të cilët dëmtimi në punë, invaliditeti i punës apo më gjerësisht, aftësitë e kufizuara kthehen në një tragjedi të jetuar dhe të përditshme.

Unë e konsideroj, posaçërisht, të rëndësishme që sidoqoftë, ne jemi bashkë, sidoqoftë, ne i japim vetes mundësinë të komunikojmë me njëri-tjetrin, sidoqoftë, ne jemi përsëri këtu, për të diskutuar për zgjidhjet. Është e rëndë që t’i përballosh vështirësitë që përballoni ju, por nuk është e vështirë, më besoni, që të imagjinosh problemet që, jo për shkakun tuaj, prodhojnë vështirësi mbi vështirësi, ekonomike dhe sociale, të cilat, për hir të së vërtetës, ju i përballni me një durim të tejskajshëm, me një dinjitet të admirueshëm, në kushtet e diskriminimit që sjell pabarazia sociale dhe ekonomike, ku gjendeni, në një mirëkuptim që ju ka sjellë edhe këtu sot, edhe pse me plot të drejtë mund të vini kujën për ekonominë tuaj, për shkollimin e fëmijëve tuaj, për mungesën e aksesit të barabartë, mundësitë që duhet t’i ofrojë shoqëria për të gjithë.

Ka shumë gjëra për t’u thënë, por në fakt ka ende më shumë gjëra për t’u bërë. Unë dua t’jua them sinqerisht, siç e kam brenda vetes, se jam i revoltuar për mospagesat tuaja mujore. Ka vite që ju nuk i merrni rregullisht pagesat tuaja. Ato minimalet. Dhe më zi se shuma krejt e pamjaftueshme e pagesave, mospagesa e rregullt e tyre, prej vitesh, është shprehja më e ulët e një abuzimi social që ka burim të vetin, prej vitesh, Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Janë pasqyruar edhe në publik, përmes shtypit, korrespondencat mes ish ministrave që tregojnë e zeza mbi të bardhë se çfarë faqeje të zezë ka keqqeverisja. Kaq e zezë është faqja e keqqeverisjes, sa kush deri dje e shpërfillte me përbuzje dinjitetin tuaj, sot del e kërkon llogari. Kërkon llogari për fonde të grabitura dhe të shpërdoruara pa as më të voglën vrasje të ndërgjegjes, në dëmin tuaj të drejtpërdrejtë. Asnjë ndjeshmëri, asnjë ndershmëri! Dhe në vend që, të paktën, të plotfuqishmit e deridjeshëm të kontribuojnë tani që ikën, pikërisht edhe për këto zullume, në zhbërjen e kulturës së diskriminimit ekonomik, social e kulturor, vazhdojnë të shpërdorojnë pushtetin e fjalës, pushtet të marrë për ta përdorur fjalën në funksion të një kërkese të ndershme të llogarisë ndaj Qeverisë që të ushqejnë kulturën e vjetër komuniste të urrejtjes ndaj tjetrit, të urrejtjes ndaj kundërshtarit, të urrejtjes ndaj kujtdo që është i ndryshëm, apo që është në një pozicion të ndryshëm.

Me llogari të shpifura shpifjesh, në formë shifrash e sharjesh, duan të lajnë duart dhe ta kalojnë përgjegjësinë e jashtëzakonshme të mospagesave shpërfillëse ndaj jush, për vite e vite, tek ne, që jo vetëm sot për sot nuk kemi asnjë përgjegjësi, por edhe s’kemi asnjë lek të mbetur në arkën e këtij viti shkatërrimtar për buxhetin e bërë rrush e kumbulla prej tyre, në fushatën elektorale të qershorit.

Kjo është e vërteta therëse që ka prodhuar ajo fushatë. Por, kjo në fakt nuk është vetëm një llogari e thjeshtë parash, të cilën e bëjnë me zhurmë, për të mbuluar shifrat ulëritëse të borxheve të krijuara nga të katër anët dhe për të gjithë shqiptarët që nga ju, tek njerëzit që jetojnë të vetëpunësuar në një biznes të vogël e deri tek sipërmarrjet më të mëdha. Nëpërmjet korrupsionit është të thuash pak. Nëpërmjet kapjes së shtetit, për ta vënë të tërin në interesat e një pushteti, të grumbulluar tek një grusht njerëzish, pa pushim, vite me radhë, sepse llogaria e thjeshtë e parave, sado fyese, prapë do të ishte gjysma e së keqes. Nëse kjo për të cilën po flasim nuk do të ishte një llogari me dinjitetin, me dinjitetin e shkelur me këmbë të më të dobëtëve, personave me aftësi të kufizuar të këtij vendi që vlen shumë më tepër se mbi 50 milionë dollarë deficit që na kanë lënë atje, në fondin e pagesave, pikërisht për personat me aftësi të kufizuar. Mbi 50 milionë dollarë deficit. Edhe goja e ka të vështirë ta thotë.

Ky deficit, kjo gropë e hapur në buxhet dhe kjo plagë e hapur në shoqëri ka thelluar pabarazinë dhe diskriminimin që, në fakt, vit pas viti është thelluar përmes mospagesave të rregullta. “Këta janë më të dobëtit, këta presin. Këta janë më të dobëtit, punë e madhe se do t’i marrin më vonë paratë. Këta janë më të dobëtit, po edhe sikur mos t’i marrin, nuk kanë se çfarë të na bëjnë.” Kjo është kultura e diskriminimit dhe e pabarazisë që është ushqyer nga të pushtetshmit mbi të papushtetshmit dhe mbi të papushtetshmit më të papushtetshëm, siç është gjithë grupi i personave me aftësi të kufizuar.

Ky është një dëm që kërkon shumë investim, jo thjesht financiar dhe shumë energji për t’u zhbërë. Një dëm që ka rritur koston morale dhe jo vetëm atë sociale në gjirin e kësaj shoqërie, si pasojë pikërisht e mosrespektimit të kontributit tuaj në shumë aspekte, përfshirë edhe atë të sigurimeve shoqërore. Të kontributit të shumëkujt që sot është invalid i punës, por që deri dje ka punuar dhe ka kontribuar bashkë me të tjerët. Është një dëm për t’u zhbërë, si fillim duke lehtësuar barrën e tejskajshme ekonomike që keni mbi shpatulla. Prandaj, ju siguroj se Qeveria do të bëjë çmos që krahas pagesave të pjesshme, mbi masën e fondit qesharak që na mbeti pas fushatës së fundit elektorale të marrëzisë e të babëzisë, bashkë, të mundësohet edhe shpërndarja e pagesës më të plotë për muajin dhjetor, për të gjitha grupimet e aftësisë së kufizuar, përfshirë edhe invalidët e punës. Do të bëjmë çmos! Ndërkohë që parashikojmë që me fillimin e buxhetit të vitit 2014 të shlyhen edhe detyrimet e prapambetura, të mbartura jo për fajin tonë, por, pavarësisht se i kujt është faji, nuk është faji që juve, në fund të ditës do t’ju mbajë shpirtin gjallë.

Ajo çfarë unë mendoj është e dyta dhe po kaq e rëndësishme, përsa i përket garantimit të vijimësisë së pagesave, sepse nga një anë duhet të zgjidhim çështjen e pagesave të prapambetura, por nga ana tjetër duhet të zgjidhim një herë e mirë, edhe problemin e vjetër të mospagesave në kohë. Të modernizojmë sistemin e kontributit ndaj jush, si pjesë e luftës me korrupsionin që i ka shtrirë tentakulat e veta, babëzisht, edhe brenda këtij grupi, duke përfshirë në këtë grup, për arsyet e veta të korrupsionit, njerëz që nuk kanë lidhje fare me aftësinë e kufizuar.

Sipas shifrave, për korrupsion, janë paguar deri në qershor për aftësi të kufizuar 20-fish më shumë njerëz, sesa ata që kanë dalë me aftësi të kufizuar në Irak, ku bëhet luftë dhe ku shpërthejnë bomba përditë. 20-fish! 100 në 1 milion në Irak. 2 mijë në 1 milion në Shqipëri! Në Irak e prodhon aftësinë e kufizuar lufta dhe bombat. Në Shqipëri e ka prodhuar aftësinë e kufizuar, korrupsioni dhe babëzia për një pushtet të dëshiruar, edhe me kushtin që paratë që u takojnë të gjymtuarve nga puna, t’u jepen njerëzve që s’kanë absolutisht, lavdi Zotit, asnjë gjymtim. Thjesht dhe vetëm për  t’ju marrë votën.

Paralelisht, me garantimin e pagesave dhe me garantimin e pagesave në kohë, të të gjithë personave realisht me aftësi të kufizuara, ne do të bëjmë çdo ditë çmontimin e skemës së korrupsionit që shton njerëz dhe i bën pjesë të përfitimit, padrejtësisht, nga fondi që ky shtet i varfër ka për personat me aftësi të kufizuar. I keni parë ditë pas dite, shifrat që po nxjerr çmontimi i skemës. Shifra rrëqethëse! Qindra e qindra dhe të jeni të sigurt, në fund do të jenë mijëra njerëz që kanë përfituar padrejtësisht, që kanë futur duart padrejtësisht, në atë xhep të shtetit, ku paratë janë nxjerrë nga parlamenti vetëm për ju dhe që sot është një xhep i shpuar nga mijëra duar grabitësish të fondit tuaj.

Ndërkohë që, e treta, jemi shumë të vetëdijshëm për çdo zotim që kemi dhënë dhe për çdo zotim që kemi dhënë para jush. Jemi zotuar që brenda 100 ditëve do të përmbysim atë rregull, të vendosur me ligj që i jepte Qeverisë të drejtën të ishte qorre dhe shurdhe përballë jush dhe që ju hiqte juve, deri edhe të drejtën që të dëgjoheni kur Qeveria duhet të marrë një vendim që lidhet me ju. E bënë me ligj. Kërkesa juaj e parë, në çdo takim që ne kemi bërë pas daljes së atij ligji, nuk ka qenë as duam të rrisim fondin, as duam të përmirësojmë kushtet, po në radhë të parë duam të dëgjohemi dhe duam që ky rregull të zhbëhet. Dhe, kur të jenë plotësuar 100 ditët, në bilancin e qeverisjes sonë, ne do të kemi edhe zhbërjen e këtij rregulli. Pra, brenda pak ditëve të mbetura, që do të thotë se në një vend, ku është ratifikuar edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar që përfshin edhe invalidët e punës, është e pamundur moralisht që të qëndrojë në këmbë si rregull, i vendosur nga Parlamenti, e drejta e Qeverisë për të mos ju dëgjuar ju. Ashtu sikundër do të thotë se kemi punë për të bërë dhe fatmirësisht, mes jush ka plot njerëz që na kanë ndihmuar qoftë në shkrimin e programit dhe që do të na ndihmojnë edhe në këtë aspekt, për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe kuadrin institucional, për të çuar përpara betejën që në këtë vend të garantohen ato të drejta që parasheh Konventa e Kombeve të Bashkuara.

Jam shumë krenar që ne jemi Qeveria e parë në historinë e Republikës që një personi me aftësi të kufizuara i japim rol të drejtpërdrejtë në qeverisje dhe që një grua e shumë sakrificave dhe e një urtësie shembullore është sot Zëvendësministre, drejtpërdrejt e ngarkuar për t’ju përfaqësuar, por edhe për të ndikuar procesin vendimmarrës, me zërin tuaj. Ashtu sikundër jam shumë krenar që reforma e thellë për të garantuar përputhshmërinë mes kuadrit tonë ligjor dhe detyrimeve të Konventës së Kombeve të Bashkuara, por dhe koherencë, vazhdimësi në gjithë bazën ligjore të këtij vendi, që sot është komplet kontradiktore, do të përfshijë në çdo hap të diskutimeve, të gjithë ju dhe do të na çojë në fund, në një vendimmarrje për të cilën të gjithë ne së bashku do të ndihemi më të lehtësuar që vumë në radhë, të zezë mbi të bardhë, të gjitha detyrimet e shtetit dhe të shoqërisë ndaj personave me aftësi të kufizuar, si detyrime që lartësojnë moralisht shoqërinë dhe shtetin.

Sigurisht që, ka dhe shumë të tjera gjëra për të thënë.

Unë jam vënë në dijeni nga Ministri, me të cilin jemi në komunikim të vazhdueshëm, për të gjithë çështjet që lidhen edhe me ju, për një kërkesë tuajën për të krijuar edhe një Institut Kombëtar të Rehabilitimit. Një kërkesë shumë legjitime dhe që duket edhe e plotëkuptimtë dhe mendoj se kjo duhet të jetë dhe do të vihet në fokusin e punës ndërministeriale, sepse kërkon bashkëpunim mes disa ministrive, për të synuar barazimin e mundësive për personat me aftësi të kufizuar dhe sa më shpejt të jetë e mundur, edhe rifillimin e një procesi, të mbetur prej kohësh në vend, të rritjes së pagesave, përfshirë edhe pensionin për invalidët e punës. Sigurisht që, flasim për një pension, i cili, sado i lartë të jetë, në një botë, ku faqja skuqet dhe nxihet para deficiteve të lëna vit pas viti, pasardhësve, mbi të gjitha nuk mund të jetë veçse, simbolikisht, një shprehje e mirënjohjes dhe falënderimit për mundin dhe sakrificën tuaj dhe të njerëzve si ju.

Kur flasim më tutje, për rastet që e sjellin invaliditetin për shkak të punës, si rrjedhojë e një pasigurie të madhe të kushteve të punës, të pakontrolluara, të pagarantuara nga asnjë lloj sistemi dhe mekanizmi shtetëror, çdo gjë që ne bëjmë për ju, çdo gjë që cilado Qeveri bën për ju është, në fund të fundit, një ndjesë që nuk e dëmshpërblen barrën fizike dhe shpirtërore që sjell dëmtimi nga puna. Por, besoj që me një punë të efektshme dhe të mirëkoordinuar, në vijimësi, ne do të bëjmë hapa përpara dhe me siguri, në fund të këtij mandati qeverisës, bashkërisht do të jemi në gjendje të themi. Ja çfarë bëmë.

E sigurisht që do të ndihemi mirë për gjërat që do të bëjmë, pavarësisht se asnjëherë Qeveria, cilado qoftë, nuk do të jetë në gjendje të shlyhet me ju deri në fund. Pavarësisht se asnjëherë, asgjë që mund të bëhet në kushtet e sotme të Shqipërisë nuk do të mjaftojë dot, për t’ju lehtësuar ju tërësisht. Ky është fakt. Kjo është e vërteta. Sado e hidhur qoftë e vërteta, është një ilaç shumë më i dobishëm sesa mjalti i ëmbël i gënjeshtrave, me të cilin aq shumë ju kanë mbingopur në vite, saqë tani me të drejtë refuzoni t’i afroheni dhe jo më t’a hani.

Më lejoni që unë t’ju siguroj në gjithë përkushtimin tim, të Ministrit të Mirëqenies Sociale, të Ministrit të Shëndetësisë, të gjithë Qeverisë sonë, për të qenë pranë jush dhe për të ndarë me ju, hallet e mëdha, por edhe mendimet për si mund t’i lehtësojmë këto halle. Ne do të punojmë çdo ditë për një qeverisje që në qendër të shqetësimeve dhe të politikave të veta ka njeriun e zakonshëm dhe që nuk shpërdoron fonde, siç nuk shpërdoron fjalë dhe siç në asnjë mënyrë nuk shpërdoron dhimbje dhe ndjeshmëri, siç janë dhimbjet dhe ndjeshmëritë tuaja.

Ne jemi të vendosur që gjithçka është e mundur të bëhet dhe për gjithçka që do të bëjmë, ne të jemi vazhdimisht në komunikim me ju, të jemi vazhdimisht në komunikim me çdo grup interesi, për të mos lënë asnjëherë shteg që njerëzit të ndihen keq, në radhë të parë nga mospërfillja dhe pastaj, nga pasojat e vendimeve që Qeveria, kur është mospërfillëse, merr pa dashur t’ia dijë apo pa kuptuar dot se çfarë shkaktojnë këto pasoja.

Miqtë e mi, më lejoni ta mbyll duke ju garantuar se çdo ditë, në ditët që vijnë, ne do të përpiqemi që të mbajmë peshën e përgjegjësisë, pavarësisht se padrejtësisht jemi të detyruar të mbajmë peshën e një përgjegjësie që nuk është e jona. Por, ne jemi sot Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe borxhin ju, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ua ka. Do ta mbajmë këtë peshë çdo ditë, për të bërë çmos që deri para Vitit të Ri, ju të merrni pjesën e pagesës që i takon këtij muaji dhe pastaj, menjëherë me buxhetin e ri, ju të merrni atë çka prej kohësh nuk e keni marrë. Prej vitit tjetër, ju të merrni rregullisht pagesat tuaja, cilido qoftë problemi ynë, sepse nuk jeni të fundit që duhet të merrni atë që ju takon, por jeni të parët që duhet të merrni atë që ju takon. Është nderi i shoqërisë që t’ju hapë rrugën, ashtu siç çdo njeri i edukuar dhe i ndjeshëm ju hap rrugën, kur ju sheh në rrugë, kur ju sheh në autobus, kur ju sheh duke dalë apo hyrë në shtëpi.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.