Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama bashkëbisedim me fermerët në Polis të Librazhdit:

Përshëndetje dhe shumë faleminderit për durimin! Megjithëse moti nuk është shumë i përshtatshëm, koha është shumë e përshtatshme për të folur për atë që sëbashku jemi sot gati të bëjmë, pasi i kemi kushtuar bujqësisë, blegtorisë, zhvillimit rural paketën më të madhe të financimit, nga buxheti i shtetit dhe financime të BE-së. Edhe sfida është më e madhe, por është plotësisht e mundur dhe jo sepse ne kemi dëshirë, por sepse, fatmirësisht, në Shqipëri ka plot e plot shembuj që na tregojnë se është plotësisht e mundur. Nga Tropoja deri në Konispol ka shembuj kuptimplotë të së vërtetës së thjeshtë, se aty ku ka vullnet dhe aty ku ka edhe mendje ka rezultat.

Kemi kohë që flasim për domosdoshmërinë e bashkimit të forcave. Natyrisht që kur ne e themi këtë, shumëkush mendon se bëhet fjalë për t’u kthyer në të shkuarën dhe disa që janë mësua të flasin shumë e për lumë akuzojnë se po bëjmë thirrje për të kthyer të shkuarën. E vërteta është se kudo ku ka sukses sot në Shqipëri, suksesi është rezultat i bashkimit. Kudo ku ka sukses sot në fshat, suksesi nuk është personal, individual, i shkëputur nga ndërveprimi me të tjerët. Kjo nuk do të thotë që “hajde të bashkojmë tokat”. Kjo do të thotë të bashkojmë mendjen dhe të bashkojmë forcat. Secili në tokën e vet, secili në ato dynymë apo hektarë që ka, as më shumë, as më pak, por ama me një ndërveprim dhe një vendimmarrje, çfarë do prodhojmë dhe do e shesim sëbashku, sepse, nëse jemi të ndarë, 2 dynymë apo hektarë këtu e 3 atje, jemi pre e grosistëve që vijnë dhe ose na e marrin për 5 lekë, ose nuk na e marrin fare. Apo më keq akoma, jemi pre e paditurisë me prodhime që na ngelen nëpër shtëpi dhe kalben e hidhen në lumë.

Në bujqësi, historia e zhvillimeve në Bashkimin Europian dhe kudo ku ka suksese tregon se është dija e para. Të dish, të jesh i informuar çfarë kërkon tregu, çfarë është më e mira që mund të bëhet këtu në këtë zonë dhe pastaj të jesh i bashkuar në shitje, në mënyrë që të ofrosh sasi të madhe dhe të kontrollosh ti çmimin, jo të vijnë të ta vendosin çmimin të tjerët e të të kapin në hall se mund të të ngelet prodhimi pa shitur, apo mund ta hedhësh në lumë e të të ikë e gjithë djersa bashkë me lumin.

Është shumë e rëndësishme që bashkitë të jenë në krahun tuaj sot. Ne po bëjmë çmos dhe bashkitë, – Bashkia e Librazhdit është një shembull, kryetari i bashkisë është një shembull, – janë në krahun tuaj për t’ju informuar, për t’ju orientuar, për t’ju mbështetur. Mos kini asnjë dyshim. Koha do ta tregojë e nuk do ta tregojë pas 5 vitesh, do ta tregojë pas pak muajsh, që përgjigjet për aplikimet do të jenë korrekte. Nuk do të ketë përgjigje me parti, nuk do ketë përgjigje me ryshfet, por do ketë përgjigje në bazë të aftësisë që do tregojë vlerën e një aplikimi, apo të një aplikimi tjetër, me kritere shumë të qarta dhe shumë transparente. Ne duam që këto para të mund t’i thithim të gjitha dhe të bëjmë sukses. Bashkimi Europian vërtetë jep lekë, por lekë qyl nuk ka. Që t’i marrësh ato para dhe t’i përdorësh, do të thotë të kesh një projekt shumë të qartë dhe duhet të kesh argumente të plota për të marrë financim.

Është shtyrë një muaj aplikimi për agroturizmin, sepse ka interesim dhe në fakt, ne kemi qenë pak më të vonuar në kohë, sepse është një program i ri i qeverisë së re. Nuk ka qenë në qeverinë e shkuar. Kështu që kemi lënë dhe një muaj kohë, që kush ka një strukturë që do ta kthejë në agroturizëm, që do të thotë do ta kthejë në bujtinë, në një fermë të vogël me produkte blegtorale, me një kuzhinë në dispozicion të miqve që vijnë, të ketë mundësi të aplikojë. Agroturizmi është një tjetër komponent i zhvillimit, sidomos në zonat ku ka pasur dikur blegtori të zhvilluar, ku nuk ka toka për të bërë zhvillime intensive bujqësore, ku nuk ka mundësi për të hyrë në tregje të rëndësishme, por ku ka natyrë të mrekullueshme, ku ka tradita dhe ku ka mundësi për të pritur njerëz.

Ndryshe nga çfarë duket nga larg, kush e di si zhvillohen gjërat nga brenda e shikon shumë qartë që në bujqësi, ne kemi 2 realitete; Një realitet suksesi, ku njerëzit fitojnë para, ku njerëzit nuk janë të varfër, përkundrazi pasurohen dhe një realitet varfërie, ku njerëzit rrinë dhe shikojnë qiellin se çfarë do sjellë, po e solli. Nuk ka arsye që të ketë varfëri në fshat, nëse jemi të qartë, të organizuar dhe të bashkëpunojmë. Por kjo nuk mund të bëhet nga shteti e gjitha. Shteti nuk mund të vijë dhe të bëjë punën tuaj. Shteti duhet të bëjë punën e vet.

Shteti nuk është sot, ai që ishte dikur, që të vinte pushkën pas veshit e të thoshte dorëzo tokën në kooperativë dhe hajde se do bëjmë kooperativën, futi të gjithë kafshët në kooperativë dhe hajde puno skllav në kooperativë. Sot është vullneti dhe forca e mendjes tuaj dhe e të gjithë atyre që janë në punë me tokën, që t’i thoni tjetrit, po të jemi të ndarë, jemi keq, po u bashkuam, bëjmë sukses, bëjmë pasuri dhe i japim fund njëherë e mirë zvarritjes në varfëri e në lëmoshë. Për këtë arsye, ne insistojmë në këtë pikë. Për këtë arsye, edhe programi është ndërtuar në mënyrë të atillë që stimulon dhe jep më shumë para për ata që bashkohen, sepse normalisht, me sasi të mëdha toke dhe me sasi të mëdha prodhimi fitoni ju, fiton shteti, fiton Shqipëria, fiton ekonomia kombëtare, fiton ekonomia familjare, sepse rriten eksportet, rritet fuqia, ndërkohë që merr dynym këtu e dynym atje dhe shpërnda 5 lekë këtu e 5 lekë atje, hidh thërrime gjithandej, vetëm riciklohet e njëjta situatë dhe askush nuk del nga cikli i mbijetesës.

Ne duam të stimulojmë sipërmarrjen. Të gjithë mund të bëhen sipërmarrës, prandaj kemi ndryshuar edhe një gjë tjetër shumë të rëndësishme. Shoqëritë e bashkuara nuk paguajnë më, nuk janë më subjekt i TVSH-së, siç ishin. Nuk kanë më detyrimin rri nën 5 milionë e rri nën 8 milionë, se ndryshe “të kap TVSH-ja”. Përkundrazi, shoqëritë e bashkuara s’kanë TVSH dhe marrin më shumë para nga shteti, financimi i drejtpërdrejtë. Të rrish veç e të mos marrësh asgjë, apo të bashkohesh dhe të marrësh edhe para nga shteti për punën tënde privatë? Kjo është një zgjedhje shumë e qartë, shumë e thjeshtë. Nuk është se ne e kemi parë në ëndërr, apo e kemi parë në Gjermani, në Itali dhe po themi ta bëjmë edhe këtu. Ne e kemi parë këtë në Shqipëri. Në të gjitha zonat e Shqipërisë ka realitete të shoqërive të bashkuara që bëjnë sukses, bëjnë eksporte dhe fitojnë shumë para, jo pak, shumë para, për individët dhe familjet që janë të përfshira në këto iniciativa. Nuk ka nevojë për filozofi, as për konferenca, thjesht e vetëm mjafton që ata që janë fqinj me njëri-tjetrin t’i japin dorën njëri-tjetrit e të thonë tani do hyjmë bashkë në këtë proces.

Edhe këtu ka toka që janë toka shtetërore, ku keni mbjellë lajthi e qershi. Me këto toka, ju praktikisht nuk merrni dot asgjë, sepse quhet tokë e zaptuar. Kjo është në të gjithë territorin. Ajo që unë po insistoj me Ministrinë e Bujqësisë dhe me Ministrinë e Drejtësisë është që ne i kemi dhënë legalizim njerëzve që kanë ndërtuar shtëpi, ndërkohë që tokat shtetërore të lira, ne i vëmë në dispozicion të sipërmarrësve dhe iu themi merrini me qira 1 euro dhe mbilleni. Ndërkohë që këtu, këto toka janë mbjellë. Për të shkuar e për t’i prerë me sharrë këto qershi, këto lajthi, ullinj e gjithfarëlloj pemësh që janë mbjellë në të gjithë territorin është pa logjikë. Ajo që po bëjmë, është të përgatisim një formë pronësie, marrje në përdorim, – nuk e di me saktësi sot ta them, – por po punojmë që t’i njihet e drejta atyre që i kanë mbjellë, që i punojnë, i kultivojnë dhe jetojnë, sepse në fund të fundit, këtë po kërkojmë dhe ne. Ia japim një tokë që është e lirë një sipërmarrësi dhe i themi, merre e qira 1 euro për 90 vjet dhe mbille. Ia japim që ta mbjellë. Atëherë, përderisa këto toka janë të mbjella nga njerëz që i kanë mbjellë, nuk mundet dot as t’i lëmë në qiell të hapur pa asnjë strehë, duke iu thënë që ne s’kemi punë me ju, se ju nuk keni tokë, prandaj s’mund t’ju japim mbështetje financiare dhe këto pemë që janë pafund, ne nuk mund t’i presim, t’i sharrojmë, se s’ka asnjë kuptim. Atyre që këtu janë të interesuar për këto pemë, por të tilla në të gjithë Shqipërinë ka plot, ne po bëjmë një punë për t’ju dhënë një përgjigje përfundimtare dhe për t’ju thënë, këto toka, në rast se mbeten shtetërore, mbeten shtetërore, por i keni ju në përdorim për 90 vjet, siç i kanë edhe sipërmarrësit e tjerë. Duke i pasur në përdorim me letra, ju mund të aplikoni të merrni mbështetje financiare, që të mbillni më shumë, të bëni pika grumbullimi e kështu me radhë.

Pika e grumbullimit është shumë e thjeshtë, nuk ka nevojë për asnjë filozofi. Mjafton që kush mbledh bimë mjekësore bëhen bashkë, shkojnë te kryetari i bashkisë dhe bashkë me bashkinë bëjnë një projekt për të ndërtuar pikën e grumbullimit dhe të jenë aksionerë, bashkë me bashkinë. Bashkia është minorancë, ata janë shumicë dhe nuk kanë nevojë të vënë lekë, ia japim ne lekët, por ne nuk mund të vijmë të ndërtojmë pikën. Historia e këtyre 20 e kusur viteve ka treguar që kudo ku shteti ka ndërtuar pika të tilla dikur, të gjitha kanë dështuar, sepse këto pika nuk mundet dot t’i mbajë shteti. Këto pika do t’i mbajnë ata që kanë interes t’i mbajnë, ata që rrinë në mal e mbledhin bimët dhe duan t’i shesin. Kështu që, thirrja ime për ju dhe për të gjithë ata që dëgjojnë, apo na shikojnë, është se ku ka nevojë për pika grumbullimi, mos rrini të prisni shtetin, se nuk ka për të ardhur ndonjëherë që ta bëjë vetë e t’jua lërë aty dhe ta gjejë se kush do e përdorë, por nisuni nga interesi juaj, bëhuni bashkë, trokitini në derë kryetarit të bashkisë, nëse keni nevojë për ndihmë. Nëse s’keni nevojë për ndihmë, bëjeni projektin vetë, dorëzojeni projektin në AZHBR, kaq bimë do mbledhim, kaq lajthi apo kaq ullinj, kaq do përpunojmë, kaq do shesim dhe kaq përfitime do ketë ekonomia nga kjo histori këtu në këtë zonën tonë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.