Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.

* * *

PAKETA E MALEVE

Nisma për “Paketën e Maleve” përmes projektit “Investo në tokën tënde”, është një nismë e cila synon të ofrojë një qasje realiste për tërheqjen e investimeve në zonat malore të vendit për të gjithë ata të interesuar nga diaspora e emigracioni, apo residentë të cilët janë të interesuar, falë politikave të reja të mbështetjes për ta, të investojnë “në tokën e tyre”. Ekonomia malore dhe turizmi malor është një potencial ende i pashfrytëzuar sa duhet dhe shkak për ketë janë bërë disa problematika të lidhura me çështjet e pronësisë në këto zona, për të cilat deri tani nuk është arritur t’i jepet një adresim i posaçëm për zgjidhjen e tyre. Paketa e maleve do të synojë të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. Vetë fakti që në ditën e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë paketë pati 800 shprehje interesi nga shumica dërrmuese e shqiptarëve jashtë Shqipërisë flet vetë për fuqinë tërheqëse që ka kjo paketë. Paketa është ndërtuar për të lehtësuar totalisht, ata që duan të investojnë në tokën e të parëve të tyre dhe që nuk i kanë dokumentet.

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.