Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancë në Kuvend:

Qeveria e mëparshme ia ka lënë OSHEE-së, domethënë, KESH-it në atë kohë, detyrimin e shlyerjes së dëmeve nga përmbytjet. Ne kemi shlyer nëpërmjet OSHEE-së të gjithë atë volum detyrimesh të ndërsjella. Që do të thotë se të gjithë atyre që janë përmbytur dhe që kishin detyrime ndaj OSHEE-së, ndryshe nga të gjithë konsumatorët e tjerë dhe me të drejtë besoj, ju janë zeruar të gjitha detyrimet. Ndërkohë mbetet një pjesë tjetër, të cilën ne nuk e kemi harruar në asnjë mënyrë dhe për zgjidhjen e problemit të së cilës jemi duke punuar.

Por dua të theksoj edhe këtë; kemi një problem që tanimë është bërë kronik me Bashkinë e Shkodrës, e cila është tërësisht inekzistente në raport me problemet e qytetarëve të vetë dhe është çuditërisht, e vetmja pothuajse bashki në Shqipëri, pa dallim majtas apo djathtas, që nuk ka kapacitetin as sa një komunë e humbur e para 2015-ës, për të përgatitur dokumentacion dhe për të argumentuar atë që kërkon. Nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh në Bashkinë e Shkodrës, por di të them se sa herë flitet për Bashkinë e Shkodrës, nuk është e tepërt të thuash: Zot shpëtoji qytetarët e Shkodrës nga bashkia e tyre!

Përsa i përket paketës së solidaritetit të fundvitit, unë nuk kam asnjë çudi që mbështetja më e madhe financiare për pensionistët, për familjet në ndihmë ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar, që kurrë më parë nuk janë konsideruar pjesë e marrëdhënies së solidaritetit të fundvitit, apo për 2498 familjet e përmbytura në të gjithë Shqipërinë, apo për fermerët që kanë humbur lopët për shkak të një epidemie vdekjeprurëse, juve t’ju duket show. Nuk çuditem!

Për ju është show që çdo pensionist dhe çdo pensioniste në prag të festave të marrë 60 mijë lekë [të vjetra]. Një shumë, që nuk është dhënë asnjëherë më parë dhe që ne jemi në gjendje ta japim jo për show, por për faktin e thjeshtë, sepse nuk jemi më në kushtet ku ishim tre vjet më parë, në një gropë që rrezikonte të kthehej në humnerë financiare për këtë vend.

Jemi në kushtet kur mund të ndajmë rezultatet e para të reformave me njerëzit. E bëmë këtë dhe sot do ta vulosim me buxhetin e vitit 2017, duke akorduar shumën më të madhe të akorduar brenda një viti në 25 vjet, 100 milionë dollarë për rritje rrogash dhe pensionesh. Do ta bëjmë këtë në pak ditët në vijim për të gjithë pensionistët e Shqipërisë, për të cilët jemi të vetëdijshëm që rritja e pensioneve nuk është e mjaftueshme që ne të ndjehemi përkohësisht të qetë. E prandaj, ne e konsiderojmë detyrim që me këtë paketë solidariteti t’u japim atyre jo vetëm mesazhin e qartë se ne nuk luajmë me ta duke indeksuar inflacionin, siç bëtë ju sa ishit këtu në këtë pozicion, por përkundrazi i kemi në qendër të vëmendjes sonë. Nëse mundësitë, për të bërë aq sa ne duam të bëjmë, nuk i kemi, një gjë është e sigurt, kemi respektin e shprehur jo me fjalë, por me vepra, sy më sy, hapur, duke ndarë edhe çfarë kemi arritur, edhe çfarë nuk arrijmë dot të bëjmë në këtë fazë të qeverisjes.

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë, kur qeverisnit ju, që të jetë zëvendësuar një frymë e gjallë, pulë apo zog pule, pas përmbytjeve, ndërkohë që ne jemi këtu me plot të drejtë krenarë, jo për faktin se kemi zëvendësuar kokë më kokë çdo pulë, çdo dele, çdo lopë dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë për të gjitha ata që i kanë kafshët të matrikuluara, por për faktin se ne nuk tallemi dhe nuk bëjmë sikur me njerëzit. Kjo është më e rëndësishme, sesa vetë fakti i zëvendësimit kokë për kokë i të gjitha bagëtive dhe të gjithë shpendëve të humbur për shkak fatkeqësish natyrore.

Juve kjo ju duket show dhe nuk keni gajle ta thoni se ky është show. Shqiptarët që janë pensionistë dhe do të marrin 60 mijë lekë, për herë të parë në 25 vjet, në fund të vitit, le ta gjykojnë, janë 60 mijë lekë, apo është show.

Familjet në ndihmë ekonomike, për të cilat në këto tre vjet nuk kemi bërë ndonjë çudi, por kemi dy deri trefishuar ndihmën ekonomike që u jepnit ju, do marrin për herë të parë në 25 vjet, 20 mijë lekë në fund të vitit. Ju thoni që kjo është show, ata le ta gjykojnë, janë 20 mijë lekë më shumë se hiç gjëja që i ofruat ju, apo është show.

Personat me aftësi të kufizuar, të cilët ju i katandisët në protestuesit më të zëshëm dhe të pranishëm gjatë qeverisjes suaj, të cilët kanë protestuar tek dera e kryeministrisë, nëpër dyert e ministrive, nëpër bulevard, lart e poshtë gjatë qeverisjes suaj, sa ç’nuk kanë bërë dhe nuk do të bëjnë në të gjallët tonë, nuk është thjesht çështja se i trajtuat si ata me ndihmë ekonomike, me një përbuzje të materializuar në lëmoshën ekstreme që u jepnit, por nuk iu dhatë njëherë mundësinë që të flasin me ju drejtpërdrejtë dhe nuk u ulët njëherë të vetme t’i dëgjonit. Ata do marrin në fund të këtij viti 20 mijë lekë. Është show, thoni ju. Unë them se janë ata që do ta gjykojnë a janë 20 mijë lekë, apo është show.

Edhe familjet e përmbytura, për të cilat ju kujtoheni vetëm kur duhet dalë në televizor dhe kur duhen veshur çizme sa për t’ju parë kamera që të thoni “ç’po bën qeveria për ta”, për të gjithë ata, pa dallim,- se ju edhe të përmbyturit i ndanit në të tanët dhe të atyre,- do marrin dëmshpërblimin nga 6.8 milionë [të vjetra] deri në 110 mijë lekë [të vjetra], sipas dëmeve të regjistruara dhe të konstatuara.

Ju thoni është show. Nëse kuturisja juaj pas çdo shiu nëpër avllitë e njerëzve, për të recituar “poemën e mjerimit”, është ajo që iu duhet atyre dhe paratë në dorë, një më një, për t’i dëmshpërblyer janë show, ata le ta gjykojnë. Le ta gjykojnë dhe ata të Bregut të Lumit, që për hir të së vërtetës nuk i përmbyt shiu. Shiu i gjen të përmbytur nga politika juaj e çartur, e parimit “Ndërto kudo se ndërtimi është bereqet. Qepju buzëve të lumenjve se aty nuk vjen vetëm uji, por vjen edhe bereqeti”. Ju i çuat ata që ndërtuan në lumë. E kam thënë edhe herë të tjera se në historinë e Shqipërisë nuk ka një rast, as të katragjyshëve, as të ilirëve, as të pellazgëve,- që prezumohet se nuk e kishin diturinë tuaj në qeverisje në shekullin e 21-të,- që njerëzit të kenë ndërtuar në lumë.

Jeni unikalë në gjithë historinë e civilizimeve se si dikush që pati një mundësi të drejtonte një komunitet dhe i tha “shko te lumi dhe ndërto te lumi”.

Megjithatë ne do i dëmshpërblejmë qindarkë për qindarkë.

E ndërkohë do u themi të gjithëve, duhet të ndërrojmë këtë sistem dhe secili duhet të sigurohet në mënyrë që dëmshpërblimi të vijë siç vjen kudo nëpër botë, përveç rasteve kur ka fatkeqësi që i tejkalojnë të gjitha mundësitë.

Më lejoni t’ju jap nja dy informacione të vogla për punësimin, sepse besoj se nuk është pak që papunësia rezulton me rënie minus 2.5%, krahasuar me tre mujorin e tretë të vitit të shkuar dhe nga ana tjetër, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është rritur me 2.6%. Ashtu sikundër nuk është pak që në terma vjetor, punësimi në sektorin e industrisë është rritur me 13.6%, në sektorët e shërbimeve me 8.2% dhe në sektorin e bujqësisë me 7%.

Janë shifra domethënëse, gjithmonë të pamjaftueshme për ne, se ndryshe nga ju kur ishit në qeveri, ne nuk kënaqemi me atë që bëjmë. Ajo që bëjmë na duhet për të pasur vetëdije të plotë, sesa shumë mund të bëjmë akoma.

Kryefjala sot është përsëri Vetting-u i gjykatësve dhe i prokurorëve që ju e mbani peng. Duke qenë se drejtori ekzekutiv i partisë tuaj (PD) dje përktheu Këshillin Europian dhe iu tha shqiptarëve se në bazë të përkthimit të tij, Këshilli Europian ka thënë se “Shqipëria është një diktaturë afrikane pa zgjedhje”, unë dua të ndaj me ju deklaratën për Shqipërinë të Këshillit. E nëse në këtë deklaratë për Shqipërinë të Këshillit, dikush do të shohë, apo do të ndjejë lidhjen më të vogël me konceptin e diktaturës afrikane, është i mirëpritur të vijë dhe ta denoncojë këtu.

Këshilli mirëpret hapat e mëdha që Shqipëria ka hedhur, duke miratuar në korrik 2016, me unanimitet, amendimet shumë të rëndësishme kushtetuese, duke i hapur rrugën nisjes së një procesi gjithëpërfshirës, reformues, sistemit të drejtësisë.

Vendet anëtare vlerësuan progresin e qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria në lidhje me 5 prioritetet kyçe, progres që dallohet qartë në vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian për të tretin vit radhazi, por edhe krahasuar me vendet e rajonit që janë pjesë e paketës së zgjerimit. Në shkallë krahasimore, jo për ne, por për Komisionin Europian, progresi i bërë nga Shqipëria është më i avancuari në kornizën e vendeve që janë pjesë e paketës së zgjerimit.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve, pra, të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë, me mirëkuptimin se Shqipëria do të zbatojë ligjin e Vetting-ut, – e thonë, e përsërisin dhe e stërpërsërin dhe ju, edhe sot s’keni kurajë të tregoni me gisht se kush e liroi Lulëzim Berishën, por vraponi të thoni e liroi Bashkia e Durrësit. Imagjino se ku jeni ju!

Natyrisht, progresi i mëtejshëm me zbatimin e reformave, të ndërlidhura me 5 prioritetet kyçe, është thelbësor dhe jo vetëm për uljen në tryezën e bisedimeve, por, siç tregon ecuria në rrugën e negociatave të çelura, qoftë të Malit të Zi, qoftë të Serbisë, këto 5 prioritete janë bashkëshoqëruese në rrugën e çdo vendi deri në momentin e anëtarësimit. Nuk janë kushte, janë kritere që vendi duhet të përmbushë, ndërkohë që kusht është Vetting-u, ligji që i hap rrugë zbatimit të reformave në drejtësi. Të tjerat janë “dokrra hini” – siç thoshte At Gjergj Fishta. Janë dokrrat e dëshpërimit tuaj të pangushëllueshëm, që jeni lëshuar nga zinxhirët e logjikës, në një përpjekje të dëshpëruar për të hedhur çdo ditë baltë, shpifje dhe akuza, me shpresën që shqiptarët do ju besojnë.

Vendet anëtare kërkojnë që Komisioni Europian të bëjë një raport të ri, sapo Shqipëria të jetë gati me përmbushjen e këtij kushti. Pra, Këshilli do të vlerësojë dhënien e datës për çeljen e negociatave, sapo Komisioni të relatojë arritjen e një përparimi të mjaftueshëm. Që do të thotë fillimin e zbatimit të ligjit të Vetting-ut dhe sigurisht vazhdimin në rrugën e një procesi të qëndrueshëm me 5 prioritete. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është peng i kalendarit të Bashkimit Europian, është peng i kalendarit të PD-së dhe të gjitha të tjerat janë përpjekje të dëshpëruara për të manipuluar opinionin publik dhe për t’i ikur ballafaqimit me të vërtetën. Me atë të vërtetë, me të cilën ju nuk po gjeni forcë të ballafaqoheni, që është domosdoshmëria për të pastruar pallatin e drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë, që sot janë aleatët tuaj në pengmarrjen e kahershme dhe të vazhdueshme të sistemit të drejtësisë.

Nuk ka asnjë kusht të ri për Shqipërinë dhe ky kusht i Vetting-ut është një kusht që nuk na e ka vënë BE-ja, por na e keni vënë ju.

Ua kam thënë edhe në kohën kur askush nuk e mendonte se ju do vinit në rresht për të votuar me kartonin lart dhe me kokën poshtë, reformën kushtetuese, se vetting-u do bëhet, ju nuk e zhbëni dot.

Mund të vazhdoni ta zvarrisni veten, bashkë me Vetting-un, edhe për pak kohë, por ju siguroj se pallati i drejtësisë do pastrohet, se historia e këtij vendi e kërkon dhe ju nuk e ndalni dot historinë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.