Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Bashkëbidedimi me publikun i Kryeministrit Edi Rama përmes kanalit të urgjencës në platformën www.shqipëriaqëduam.al dhe rrjeteve sociale:

Përshëndetje të gjithëve!

Jam këtu përsëri për të folur drejtpërdrejt me ju, sot, kur nis një javë e re dhe besoj që është momenti i duhur për të bërë një bilanc dhe për të folur për këtë dhe javën pas kësaj.

Së pari, dua t’ju them pa entuziazëm, sepse në këtë luftë nuk ka vend për entuziazëm, por me bindje dhe me një optimizëm inkurajues duhet nënvizuar që ecuria është goxha positive, në radhë të parë, falë jush, pa asnjë diskutim. Falë 99% e më shumë shumë shqiptarëve që në këtë luftë po bëjnë më të mirën e tyre, ku 0.7%, 0.4%, 0.3% apo 0.5% e të pabindurve, e të papërgjegjshmëve, e atyre që nuk duan të dëgjojnë ndër masën e madhe që po dëgjon, po mirëkupton, po lufton, po sakrifikon. Vërtetë janë shumë pak, por mbeten sidoqoftë një minë me sahat që duhet ta adresojmë me patjetër.

Sigurisht që ka shumë e shumë halle, probleme specifike, çështje me të cilat shumë njerëz përballen dhe dua që të më besoni që po merremi me të gjitha, me gjithçka kemi mundësi, ditë-natë.

Së pari më lejoni që të prek një çështje për të cilën keni bërë edhe shumë pyetje, çështjen e kufijve. Çështjen e atyre që kuturisen të vijnë në kufi.

Faktikisht, duke shprehur edhe keqardhjen për disa media që i transmetojnë si pamje live dhe pamje të 2 apo 3 ditëve më parë, kemi një situatë si vijon;

Në kufirin e Kakavijës nuk ka asnjë problem tani që flasim, s’ka asnjë që kërkon të hyjë.

Ndërkohë që në kufirin e Kapshticës kemi 19 automjete të personave që janë banorë rezidentë në Greqi, të cilët nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme, por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjet.

Sigurisht që në një kohë tjetër, kjo që po them do të ishte absurd, por në këtë kohë është e vetmja rrugë që ne kemi që të dekurajojmë maksimalisht hyrjet në kufij.

Nga ana tjetër, kush bën patriotin, kush bën vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut përmes pengesës që u krijohet njerëzve për të hyrë në atdheun e tyre, thjesht dhe vetëm synon të nxisë katastrofën. E them këtë pa as më të voglin dyshim dhe diskutim.

Nuk është sekret, është një fakt i njohur botërisht, jo sot, por prej shumë e shumë vitesh, që Sali Berisha ka vetëm një synim, si e si të rishkatërrojë edhe njëherë Shqipërinë për llogaritë e tij aluçinante.

E solla këtu këtë emër krejt të papëlqyeshëm për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, si zanafillën e një procesi skandaloz politik nxitjeje të rrëmujës, por në këtë rast nuk është thjesht nxitje e rrëmujës, por është nxitje e zinxhirit të vdekjeve. E një zinxhiri vdekjesh që është shumë, shumë larg së qenë ai që do të ishte, nëse do të shkonim me mend e Saliut dhe të atyre që njëlloj si Saliu i bien këtij avazi. Këtij avazi që është shumë i fajshëm në këtë kohë. Është e patolerueshme, e papranueshme, e pajustifikueshme që të nxitet kjo situatë dhe të nxiten njerëzit të vijnë drejt kufijve dhe të nxitet konflikti me policinë në kufi. Kufijtë janë të mbyllur, për të mbrojtur jetët e atyre që janë këtej kufirit dhe të atyre që janë andej kufirit.

Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të ardhshme të hyjmë në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vijë në kufij tokësorë me dokumente rezidence në vende të tjera nuk do të lejohet të hyjë në asnjë rast dhe për asnjë arsye. Ndërsa kushdo të vijë në kufij me pretendime të një natyre tjetër do të karantinohet  për 14 ditë në struktura hoteliere me shpenzimet e veta. 14 ditë në hotel, në dhomë, mbyllur, ku do të marri ushqimin dhe do të paguajë vetë një çmim fiks.  Kjo është e vetmja mënyrë që ne mund të mbrojmë popullin tonë, mund të mbrojmë Shqipërinë nga katastrofa, mund të mbrojmë edhe ata që vijnë nga vende të tjera dhe familjet e tyre dhe njëkohësisht mund të mundësojmë hyrjet për ata që janë vërtetë me një arsye.

Ardhja në Shqipëri sot, nga shqiptarë rezidentë në vende të tjera, është e pajustifikueshme, është e papranueshme, është realisht papërgjegjshmëri ndaj vetes, ndaj familjes së atyre që marrin rrugët dhe ndaj vetë vendit tonë.

Sidoqoftë, brenda 24 orësh, zyrtarisht do të bëhet publike sesi do të veprohet, sesi do të jenë mekanizmat për trajtimin e çdokujt që shfaqet në vijën kufitare me pretendimin se ka një urgjencë. Duhet ta dini të gjithë se përpara se të realizohet një urgjencë, përpara se të realizohet një kontakt me familjen, do të kalohet në 14 ditë karantinë e detyruar në struktura hoteliere, që do të kontrollohen nga Policia e Shtetit dhe ku do të jetë e ndaluar dalja nga dhoma, sepse kjo është në fakt karantina, izolim i plotë në një strukturë ku s’ke kontakt me të tjerët.

Më tutje dua t’u bëj një apel të gjithë banorëve të Shkodrës. Ju lutem shumë, ju lutem shumë bëni kujdes maksimal dhe respektoni maksimalisht rregullat, në mënyrë të posaçme, sepse mosrespektimi i rregullave dhe shpërfillja e disa masave elementare që gjithkush nga ne duhet të marrë e ka kthyer Shkodrën në një bombë të kurdisur me sahat. Ne po punojmë shumë fort, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur Shkodrën, familjet që janë më në nevojë si kudo tjetër, edhe pse, për fat të keq, ende nuk e kemi pasur angazhimin dhe mirëkuptimin e plotë nga ana e strukturave të pushtetit vendor, por shpresoj që do të jetë diçka që do të zgjidhet një orë e më parë për të mirën e Shkodrës, për të mirën e qytetarëve të Shkodrës, por në fund të ditës është disiplina e hekurt dhe respektimi i masave nga vetë banorët.

Do bëjmë gjithçka për të këputur zinxhirin e infeksionit, duke ndjekur protokollet, sipas strategjisë së përcaktuar nga Komiteti i Ekspertëve dhe për të realizuar izolimin e atyre që janë të infektuar si kudo në të gjithë vendin, në fakt, sepse është diçka ndryshe për Shkodrën, por ama situata është shumë delikate.

Ajo që ka rëndësi të thuhet sidoqoftë është fakti se kemi të bëjmë me një rezultat për të cilin të gjithë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm dhe shumë të inkurajuar, një rezultat pozitiv.  Këtu, unë kam projeksionet e mundshme që ne kemi bërë kur kemi nisur luftën. Wshtë edhe projeksioni i rastit kur ne nuk do të kishim marrë asnjë masë dhe sipas tij do të kishim sot, 3008 të infektuar, në projeksionin tonë mesatar do të ishim në 600 të infektuar. Sot faktikisht kemi më pak, jemi vetëm 377. Ky është rezultat i masave që kemi marrë. Nëse ne nuk do të kishim marrë masa, sot do të kishim numëruar as më shumë as më pak, por 286 të vdekur. Me projeksionin tonë mesatar përllogaritja ishte 45 të vdekur. Sot jemi në 5.6% të rasteve. Por ajo që është matja më adekuate është me 1 milionë banorë. Nëse shikoni rastet me 1 milionë banorë dhe të vdekurit nga njëra anë, që janë jetë njerëzish dhe që realisht na dhembin fort një për një dhe me të shëruarit nga ana tjetër, që janë dhe ata njerëz, nuk janë numra, ne kemi sot një bilanc mëse inkurajues. S’po përdor fjalë të mëdha, edhe pse dhe ato mund të përdoren, por nuk i po përdor sepse asnjë bilanc nuk bëhet në mes të luftës, në mes të ndeshjes. Bilanci bëhet kur mbaron lufta. Nëse do të ecim kështu, ne do ta kemi mbaruar luftën me krye të lartë dhe do kemi bërë histori sëbashku, falë jush të gjithëve për të gjithë sakrificat, për të gjithë rezistencën, për të gjithë mënyrën sesi po përballoni halle jo të vogla dhe për mirëkuptimin tuaj shumë të madh.

Ju përulem të gjithëve me mirënjohje dhe respekt, sigurisht, sepse ju e dini shumë mirë që ne nuk jemi një vend me kapacitete të jashtëzakonshme dhe ju po e shikoni sesi edhe vende me kapacitete të jashtëzakonshme po heqin të zitë e ullirit, jo që ne nuk po heqim keq, por nuk jemi tek të zitë e ullirit, për fatin e madh të rezistencës që po bëjmë sëbashku, për mirëkuptimin e jashtëzakonshëm që po materializojmë çdo ditë, sëbashku, në terren.

Nga ana tjetër dua të vë theksin tek fakti që sot janë miratuar 9500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që hyjnë në ato kategori që e kanë mbyllur aktivitetin dhe nuk punojnë dot dhe deri në fund të javës do të miratohen dhe pastaj të gjitha do kalojnë. Që nesër do kalojnë këto që u miratuan sot. 60 440 paga e lufte për të gjithë, siç e kemi premtuar. Aplikimet bëhen në faqen online të Drejtorisë së Tatimeve dhe aty pastaj bëhen verifikimet, miratimet. Lëvrimi i 9500 të parave që janë miratuar sot fillon nesër e kështu vazhdon deri në fund të javës.

Faleminderit shumë edhe atyre që këtu, në këtë mundësi komunikimi të drejtpërdrejtë me mua në kanalin e urgjencës që kemi hapur ne platformën www.shqiperiaqeduam.al, ku kanë shtruar shqetësime që ne i kemi marrë plotësisht në konsideratë. Biznese që janë mbyllur, rrobaqepësi të vogla në lagje, agjenci turistike, servise makinash, apo fizioterapist, riparime elektroshtëpiake, këto janë de facto të mbyllura, pavarësisht se ne nuk i kemi mbyllur me vendim, sepse nuk kanë punë. Të gjitha këto kategori, ne do t’i fusim në kategoritë që do përfitojnë nga zgjerimi i paketës që do bëhet pas datës 15.

Ndihma ekonomike është shpërndarë. Familjet me ndihmë ekonomike përfitojnë dyfishin. Ashtu sikundër, ne po riorganizojmë për të targetuar si duhet tani që familjet e ndihmës ekonomike kanë marrë dyfishin, me ndihma ushqimore, jo të gjithë, por atë pjesë të tyre që janë me kushte specifike, që janë  brenda kategorive të familjeve të njohura me ndihmë ekonomike me mbi 5 anëtarë.

Patjetër nuk do të lëmë vetëm në asnjë moment ata që janë në çadra. Ata do të furnizohen rregullisht nga ne.

Nuk do të lëmë vetëm askënd që është realisht në nevojë. Por, ama, kur them realisht në nevojë, në nevojë sot është edhe qeveria shqiptare, si çdo qeveri tjetër për të përballuar dallgët e mëdha që ka sjellë kjo luftë, duke kërcënuar qëndrueshmërinë e shtëpisë tonë. Ne do ta përballojmë bashkërisht, të jeni të sigurtë. Do ta përballojmë me forcë, me rezistencë, me disiplinë dhe me krenarinë më të madhe të të qenit shqiptar, një atdhe, një familje.

[Qytetar] “Ore lëri ata brenda, po shiko ata që janë në doganë.”

Ata që janë në dogana, e thashë edhe më parë, nuk kanë pse vijnë fare në dogana, sepse kufijtë janë të mbyllur. Kjo është një luftë. Këtë luftë nuk e solla unë. Këtë luftë nuk e solli qeveria, nuk e solli shteti dhe këtë luftë mund ta përballojmë vetëm duke bërë secili detyrën e vet ndaj familjes dhe atdheut.

Ata që janë parë sot, përsëri, në ekran, janë 19 automjete të personave që janë rezident në shtetin fqinj. Thonë që kemi ardhur të takojmë familjen dhe do kthehemi përsëri. Nuk është e mundur. Është e pamundur. Ndërsa kush do të vijë sepse thotë që kam një urgjencë, apo ka një nevojë tjetër, duhet të përgatitet për 14 ditë karantinë me shpenzimet e veta në një strukturë hoteliere pranë kufirit. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kjo nuk është një shpikje e jona. Këtë e kanë bërë edhe vende të tjera, sepse pothuajse të gjitha vendet i kanë mbyllur kufijtë dhe për ata që jetojnë brenda vendit te tyre, sepse nuk i dilet dot. Është fakt i provuar që vendet që hapin kufijtë, ose i mbajtën të hapur pasi u shfaq virusi, hynë në telashe të pafundme që i paguajnë të gjithë bashkë, për të mos thënë pastaj që dikush që është i painfektuar vjen dhe infektohet këtu.

[Qytetar] “Mos mendoni vetëm për vete. Bëni diçka, se ka 85% të popullsisë që po presin!”

Së pari, ne kemi bërë atë që kanë bërë shumë vende, jo vetëm të ngjashëm, por dhe të pangjashëm, e bënë pas nesh, me vonesë. Përsa i përket mbështetjes, ne do bëjmë as më shumë e as më pak, por gjithçka që kemi mundësi.

Edhe njëherë ju bëj thirrje, ju lutem, ju ftoj, mos shikoni dhe mos bëni lidhje kaq lehtë mes asaj që del nëpër lajme, “këtu po jepen kaq miliarda”, mos mendoni që këto janë miliarda që rrjedhin dhe shkojnë të gjitha kesh nëpër xhepat e njerëzve, sepse nuk ndodh kështu.

[Qytetar] “Lër të paktën një avion dhe një traget që të kthehen në shtëpi.”

Jo, nuk ka as avion, as traget për t’u kthyer në shtëpi, sepse jemi në luftë dhe ajo që në kohë paqeje dukej komplet absurde, është sot e vetmja mënyrë që kemi për të përballuar absurdin e këtij armiku të padukshëm, që e bën kërdinë pikërisht aty ku ne hapim shtigje, duke u sjellë si në kohë paqeje.  Asgjë nuk mund të funksionojë si në kohë paqeje, në asnjë drejtim. Vetëm kështu fitohet lufta.

[Qytetar] “Zoti Kryeministër ngri çadra për ata që kanë ngelur në dogana”. 

Jo, nuk instalojmë çadra, sepse do u vëmë në dispozicion struktura hoteliere që kush vjen, do jetë i karantinuar 14 ditë me shpenzimet e veta, i mbyllur.

[Qytetar-pyetje] Një biznes argjendarie për lehtësirat në vazhdim. 

Sigurisht kemi folur për mundësinë e lehtësimit dhe faktikisht, ne po përgatisim disa masa lehtësuese që do të jenë me pikatore, por ndërkohë, për të funksionuar masat lehtësuese, duhet të biem dakord që të forcojmë masat shtrënguese, në mënyrë që çdokush që thyen rregullin, ligjin, në kushtet kur lehtësohen masat, të ndëshkohet shumë fort, sepse lehtësimi i masave mund të jetë relaksim në sjellje dhe kjo do të ishte pastaj, hapja e rrugës për katastrofën.

Masat lehtësuese që ne duam të marrim, kanë të bëjnë me lejimin e plotë të automjeteve private për punonjësit e aktiviteteve të lejuara. Por në të njëjtën kohë, marrja në automjet e personave nga familja, apo edhe personave të tjerë do të ndëshkohet me disa vite, kjo është për t’u saktësuar e kur të saktësohet, do të bëhet publike, të heqjes së lejes së drejtimit, me sekuestrimin për po ato vite të automjetit dhe me heqje lirie.

Po ashtu, marrja në automjet e një pensionisti, për çdo nevojë, përjashto nevojat e urgjencave vërtetë shëndetësore që janë lehtësisht të verifikueshme, do të ndëshkohet me disa vite të heqjes së lejes së drejtimit, me sekuestrim të makinës për ato vite dhe me heqje lirie.

Nga ana tjetër do ta hapim pak orarin e lëvizjes për të bërë pazar, do ta çojmë në 90 minuta dhe kryerja me automjet privat e pazarit do të jetë e mundur, por sigurisht me sanksione të forta, heqje të lejes së drejtimit për disa vite, konfiskim i makinës për po aq vite dhe heqje lirie.

Kemi parë fenomenin e shëmtuar, të neveritshëm, të hapjes së lokaleve nëpër lagje për trimat e lagjes, që nuk rrinë dot pa pirë kafen. Kemi vënë gjoba, kemi mbyllur aktivitetin, vazhdon historia. Janë shumë pak, gjithmonë janë shumë pak raste në krahasim me numrin e lokaleve që janë mbyllur dhe respektojnë rregullat, por janë mjaftueshëm për të na  bërë një dëm shumë të madh, prandaj hapja e këtij aktiviteti të ndaluar do të dënohet me heqje lirie, me heqje të lejes së drejtimit të automjetit për disa vite, me sekuestrimin e automjetit në përdorim dhe me konfiskimin e gjithçkaje që ka brenda lokali. Nuk ka rrugë tjetër, sepse masat lehtësohen, duhen  lehtësuar pak nga pak për popullin, për 99% të njerëzve që janë sot në llogoret që respektojnë rregullat,  që sakrifikojnë, që mbajnë fëmijët brena prej kaq shumë ditësh, që kujdesen për më të moshuarit, që dhe orët e lëvizjes i përdorin për të vrapuar, për të shkuar edhe tek prindërit, për t’i dhënë edhe atyre shërbimin që kërkojnë, për të shkuar në punë, për t’u kthyer nga puna, për këta bëhen masat. Për mos lejuar që të hiqen më shumë njerëz nga puna, duke i dhënë mundësi aktivitetit që të vazhdojë. Nuk bëhen për këta që hapin lokalet e këta nuk duhet të marrin mesazhin e gabuar që këtu u hap loja. Këtu loja do mbyllet përfundimisht për shkelësit. Do t’i mbyllin vetes derën nga mbrapa të institucionit të rehabilitimit shoqëror, jo të shtëpisë.

Duam që të lehtësojmë më tutje aktivitetet në njësi individuale, në dyqane, në njësi shërbimi, jo lokale, jo restorante, jo klubet, të jemi të qartë, jo palestrat, që nuk janë njësi tregtare brenda qendrave të mëdha tregtare që do vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur, por patjetër që dhe për këtë e këtu  do t’i kërkoja të gjithë atyre që kanë njësi të tilla, të përgatiten sepse duhet të jenë të përgatitur të pajisin me maska, me doreza, me disinfektantë për të gjithë klientët, njësitë e tyre. Mosrespektimi i këtyre masave sigurisht që do të dënohet me konfiskim të gjithçkaje që ka brenda, me mbyllje për një periudhë kohe dhe me heqje lirie. Nuk kemi rrugë tjetër! Në Kodin Penal italian, një nen i shumë e shumë kohëve më parë, që është akoma në fuqi, e konsideron thyerjen e rregullave të vendosura ad-hoc gjatë kohës së një epidemie si plagosje të rëndë dhe e dënon shumë fort me burg.

Po ashtu jemi duke studiuar hapjen e orarit, shtrirjen e fashës orare, se lehtësimi i masave duhet të shoqërohet me shtrirje të fashës orare. Sigurisht që fasha orare është e diskutueshme në kushtet që jemi tani. I qëndroj faktit dhe bindjes që nuk është fasha orare problemi. Çdo fashë orare është e diskutueshme në kushtet që jemi tani, në kushte lufte, por nuk është fasha orare problemi, se po të ishte fasha orare problemi, do ishte gjithandej rrumpalla, si ajo që bënë fatkeqësisht ditën e shtunë në tregun e Kombinatit, një krim në pavetëdije dhe papërgjegjshmërie të plotë. Do ta shtrimë fashën orare, por të gjitha këto do të jenë masa, të cilat janë gati, por do të jenë të përshkallëzuara me pikatore. Nga ana tjetër nuk do të fillojnë përpara se sa ne të shikojmë në territor, gjatë kësaj jave, zbatimin e të gjitha këtyre masave që kemi, paralelisht me ecurinë e kurbës së epidemisë.

Të dhënat e dijshme ishin pozitive, inkurajuese, por duhet të shohim sepse jemi tani në atë momentin që po ngjisim majën e kodrës e do të na thonë ekspertët se çfarë e sesi do bëjmë.

Meqë ra fjala, më vjen shumë keq që duhet të rikthehem tek një pikë që nuk dua asnjëherë të kthehem gjatë gjithë kësaj periudhe, tek pika që lidhet me Partinë Demokratike e me  opozitën. Dua t’ia përsëris dhe një herë tjetër Lulzim Bashës, nuk është koha kjo, për të bërë opozitë të llojit që edhe ai lloj në fakt është një lloj skarco, por, sidoqoftë, kjo nuk është zgjedhja ime, është zgjedhja juaj, e atij llojit të përpara fillimit të luftës. Nuk është koha kjo, për të bërë opozitë, duke thënë që Partia Demokratike mendon që testet duhet të bëhen kështu. Por kush është Partia Demokratike që mendoka për si do të bëhen testet, çfarë është Partia Demokratike,  institut i certifikuar nga OBSH-ja për shëndetësinë, apo është ndonjë institut ndërkombëtar me reputacion, që, në fakt, me thënë të drejtën, edhe për tabelën e shumëzimit ka pikëpamje të ndryshme nga shkenca. Si mundet të sulmohen ata, të cilët punojnë me stresin më të madh sot, ekspertët e shkëlqyer të Komitetit të Ekspertëve, si persona që fliskan atë që u thotë Kryeministri? Jo, more Lulëzim, unë them ata që më thonë ata, e përsëris përmendësh dhe zbatoj orientimet dhe këshillat e tyre dhe strategjinë e testeve nuk e bëj unë, e bëjnë ata e do vazhdojnë ta bëjnë ata, do ti, apo nuk do ti, do Partia Demokratike, apo nuk do Partia Demokratike.

Kjo është koha që të kontribuosh, të kontribuoni e të kontribuojmë bashkërisht, për ta fituar këtë luftë. Nuk është koha për të treguar sesa pak dini dhe se nuk dini akoma atë që nuk dini. Është koha për të koordinuar sëbashku dhe Lulzim, të kam thënë dhe e kam thënë në sy të Presidentit të Republikës,  në sy të të gjithë Komitetit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nëse keni diçka që ju shqetëson, pyesni përpara, ne do t’ju japim të gjithë informacionet. Nëse ju shqetëson strategjia e testeve, pyesni, dëgjoni. Ju shqetëson një tender këtu, një procedurë atje, merrni dokumentacionin,  pyesni, verifikoni dhe pastaj na ndihmoni ne të korrigjohemi nëse kemi gabim.  Dhe nëse nuk e njohim atë që propozoni ju si të drejtë, mund të dilni e t’i thoni publikut çfarë të doni, por nuk është […e padëgjueshme] duke folur me publikun, me forma dhe me mjete komunikimi që janë ordinere në kohë paqe e që në kohë lufte janë më shumë se ordinere, janë kriminale, për fat të keq, për fatin tënd dhe fatin tuaj të keq.

[Qytetar] Zoti Kryeministër, jam një banor i Lezhës, punoj në një restorant peshku me siguracion, por na ka nxjerrë jashtë nga puna. Sipërmarrësi thotë që nuk do ju paguhen.

Nëse restoranti i peshkut është me siguracion dhe nëse është mbyllur sepse duhej mbyllur dhe ka bërë mirë ai që e ka restorantin që e ka mbyllur, atëherë të gjithë punonjësit e tij të regjistruar janë pjesë e kategorisë që do të përfshihet në zgjerimin e paketës. Përsa i përket marsit, sipërmarrësi juve duhet t’ju paguaj sigurisht pagën që ju takon për një punë të reduktuar, që nuk është një punë për gjithë kohën deri në fund të muajit.

[Qytetar] Ne katolikët kemi Pashkët dhe do na tolerosh të furnizohemi më shumë se ditët e tjera.

E thashë edhe më përpara që masat lehtësuese do të përfshijnë përdorimin e automjetit, por do të shikojmë dinamikën, ndërkohë që duam ta shtrijmë fashën e lëvizjes për atë që del me leje në 90 minuta dhe besoj do bëhet një fashë mëse e mjaftueshme.

[Qytetar] Kush po i bën llogaritë e dëmeve që janë shkaktuar?

Ne, siç i bëmë për tërmetin, po i bëjmë përsëri dhe kini besim, siç e pe, dimë t’i bëjmë llogaritë, sepse po të mos dinim, nuk do të merrnim 1.1 miliardë euro ndihmë nga Europa dhe gjithë bota.

[Qytetar] Si do t’i ktheni përgjigje dhe qiramarrëseve për të paguar edhe muajin mars.

Qiramarrësit nuk paguajnë. Mbase nuk jemi kuptuar, nuk do të paguajnë deri në fund të majit dhe do t’i riskedulojmë pas majit marrëdhëniet tuaja dhe do të paguajnë pak nga pak. Edhe për pjesën e muajit mars duhet ta zgjidhni me mirëkuptim. Nuk mundet dot të dalin jashtë nga shtëpia, njerez që e kanë të pamundur të paguajnë, siç paguajnë në kohë të qetë. Por nga ana tjetër dua t’u them që në ndërkohë dhe kjo është e rëndësishme, kemi çelur një mundësi për  të aplikuar tek faqja e degës së tatimeve për individët që pretendojnë që qeranë e kanë të vetmen të ardhur. Ka shumë individë që janë ankuar vazhdimisht. Ne i kemi dëgjuar me shumë vëmendje, e kemi marrë në kosideratë ankesën e tyre, të cilët thonë  si do të bëjmë ne pa marrë qeranë, kur nuk kemi asnjë të ardhur tjetër. Atëherë, në kushtet kur nuk ka të ardhur tjetër, ne do të mbështesim. Deri tani kemi 100 individë. Ju lutem aplikoni tek faqja e tatimeve, nëse ju jeni në këtë kategori dhe për këta individëve do të bëjmë gati mbështetjen, për të dhënë një kontribut nga shteti.

Po ashtu dua t’u them atyre që kanë merak kreditë, që të gjithë ata që ndeshin këtë problem me bankën për këstin e kredive, ju lutem shumë tek faqja e Drejtorisë së Tatimeve bëni ankesën tuaj dhe ne do ta ndjekim rast për rast, pasi në tërësi, bankat po e respektojnë, por për fat të keq ka ende raste kur bankat po bëjnë xinxri finxri. Ne, konkretisht, rast për rast do t’ju mbështesim ju. Vetëm ju na bëni me dije rastin konkret dhe na lini ne të merremi me bankat.

Tjetra, për taksitë nuk do të ketë masë lehtësuese për momentin.

Ndërkohë kemi edhe rastin e bonusit të bebeve. Nuk ka asnjë ndryshim. Nuk do të ndërpritet asnjë qindarkë për të porsalindurit. Do të vazhdojmë të japim bonusin e bebes në të njëjtën rrugë, pa asnjë problem.

[Qytetar] Cfarë fondi ke marrë nga BE, si e le këtë popull…

Sa herë t’jua shpjegosh edhe tek e tek, prapë nuk hiqni dorë. Nuk ka fonde të BE-së në valixhe, që të vijnë këtu dhe të marrësh ti lekë nga valixhja. Fondi i BE-së për të mbështetur qeverinë shqiptare në luftën kundër  koronavirusit është një fond i akorduar prej 50 milionë eurosh, që do të vijë me pjesë deri në mars të vitit të ardhshëm. Pjesa e parë nuk ka ardhur akoma. Edhe sikur të vijë, nuk është kesh. Është fond për të mbështetur sistemin tonë shëndetsor.

[Qytetar] Pyetjet në FB, po i shet si politike.

Unë nuk shes asgjë. Po jap sqarime, po i kthej përgjigje popullit që është i interesuar për të ditur konkretisht mbi shqetësimet që ka.

[Qytetar] Kur do hapen rrugët me Italinë?

Rrugët me Italinë nuk e di unë kur hapen. Nuk e di askush. Kur të mbarojë lufta, kur t’i hapin të tjerët. Askush nuk e di.

[Qytetar] Jemi një biznes që lejohet të punojë edhe pas orës 13. Orari është 8.00 me 16.00. S’di, a do kthehemi në shtëpi pa u gjobitur?

Nuk ka gjobë për ata që janë në punë. Nuk ekziston. E kemi thënë dhe stërthënë.

[Qytetar] Të lutem mos e kapërce pyetjen se duam të dalim ne pensionistët, se mbetëm brenda. Nuk vjen kush të na bëjë pazaret.

Për momentin nuk do të dilni i dashur. Thjesht dhe vetëm do të kërkoni mbështetje dhe ne po i japim mbështetje shumë pensionistëve, për të kryer pazaret.

Ndërkohë, lajmi që kam për ata të prekur nga tërmeti është se brenda kësaj jave fillon puna për strukturën në Thumanë dhe po këtë jave do të aprovojmë të gjitha projektet e infrastrukturës për të gjitha zonat ku pastaj […e padëgjueshme] do të vazhdojë me ndërtimin e shtëpive.

Po ashtu, 46 shkolla janë bërë gati dokumentet në zonën jashtë Tiranës. 40 të tjera do të rindërtohen së shpejti.

Ndërkohë që ka dhe pyetje, të cilat vazhdojnë dhe përgjigjen e kanë marrë gjatë kohës që kemi folur; si për orarin, për bizneset, populli nuk është bagëti, thotë dikush.

Jo, absolutisht, populli nuk është bagëti. Ti –  është pyetja, – çfarë je, sepse kush i thotë popullit dele, është një ujk prej letre që patjetër duhet të shkojë tek [… e padëgjueshme] duhet të fillojë edhe njëherë nga e para, sepse ka kaluar gjithë kjo kohë, duke bërë “uuuu” në pyll, që nuk është shoqëria jonë, që nuk është mjedisi ku të kanë rritur prindërit, nuk është mjedisi ku del dhe komunikon me botën e jashtme, prandaj fillo karantinën edhe një herw nga e para, me durim që të kuptosh që jo vetëm populli nuk është bagëti, por që edhe ti nuk je ujk. Je vetëm një person i paditur, i paedukuar, i pa formuar.

Do të vazhdojmë të jemi në konktakt. Këto ishin për momentin. Kini parasysh që po bëjmë një gjë të jashtëzakonshme sëbashku. Fal jush, në radhë të parë dhe falë bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes qeverisë, shtetit dhe popullit po realizohet diçka që duhet deri në fund dhe do të jetë një faqe shumë e bukur e jetës sonë nesër, kur i gjithë ky makth të ketë kaluar, sepse do të kujtohemi se si falë këtij solidariteti dhe mënyre të kësaj lufte, ne ia dolëm aty ku shumë të tjerë, shumë më të mëdhenj, shumë më fortë, shumë më të zotë nuk ia dolën, siç duhet t’ia kishin dale po të kishin bërë edhe ata si ne.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.