Dëgjesë me përfaqësuesit e pakicës kombëtare greke në Grapsh, Gjirokastër:
Përshëndetje të gjithëve!
Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit që na prisni, edhe pse ora nuk është fort e përshtatshme!
Sigurisht nuk kemi ardhur deri këtu për të mbajtur fjalime, unë sidomos, – mua më shikoni shpesh në televizor, ndonjëherë dhe në frigorifer ka mundësi, – por për të folur me ju, për t’ju dëgjuar dhe sigurisht për t’iu përgjigjur interesimit tuaj për çfarëdolloj gjëje që ju mund të keni dëshirë të pyesni.
Zoti Kryeministër, fusha e Dropullit është nga më të mëdhatë e të tërë bashkive të Gjirokastrës, por për ne fermerët mungon investimi për fushën e Dropullit, është lënë në mëshirën e fatit. Bashkisë së Dropullit nga ana e qeverisë i është mohuar dhe është denigruar gjithmonë nga përfaqësuesit tuaj të Partisë Socialiste, në të gjitha takimet që janë bërë. Nuk do të thotë që antitavizmi i drejtuesve lokalë të Partisë Socialiste dhe atyre që keni dërguar nga lart të kthehet në një antidropullizëm dhe të shihen të gjithë sikur janë Vangjel Tavo. Që të pushohen 51 dropullit nga Gjirokastra e të mos vihet asnjë dropullit këtu në Gjirokastër është e papranueshme.
Promovimi disa herë i nacionalizmit ekstrem nga ana juaj për të realizuar ato që thatë ka provokuar ndjenjat e dropullitëve. Unë jam provokuar sepse si grek që jetoj këtu në Shqipëri, si emigrant i kthyer për të jetuar këtu në fushën e Dropullit me 100 dele më ka provokuar… Arrestimi në mënyrë të tillë, flagrante, i një ministri [Spiro Ksera], por padrejtësi, në 25 milionë tendera, zoti Kryeministër, a ishte ky një provokim në minoritet? Arrestimi para fëmijëve të tij dhe para derës së shtëpisë?! Drejtësia e pavarur, që është një drejtësi e komanduar, nuk mund të arrestonte një dropullit para shtëpisë së tij në mes të Derviçanit për show mediatik.
Kryeministri Rama: Respekt që na ke nderuar me praninë tënde. Besoj është një shembull që këto takime janë të hapura për të gjithë dhe kushdo qoftë mund të vijë, edhe anëtari i Partisë Demokratike, edhe i LSI-së, edhe i çdo partie tjetër dhe të bëjë propagandë këtu, pa asnjë problem. Po i marr pak me radhë.
Qeveria nuk arreston njerëz, që të jemi të qartë. Arrestimet i bën prokuroria. Këtë e kam edhe për shumëkënd që, duke qenë i dëshpëruar nga shumë vite padrejtësi, ka humbur durimin dhe thotë duke mu drejtuar mua, pse nuk fut në burg këtë apo atë. Lavdi popullit shqiptar në ’90-n, sistemi ku të kapte e të fuste në burg partia, apo qeveria, apo Kryeministri mori fund. Sot jemi në një sistem ku këtë gjë do ta bëjë vetëm drejtësia. Sigurisht ajo që shumicat parlamentare në demokraci kanë detyrë të bëjnë është që të krijojnë kushtet me reformat e nevojshme që drejtësia të funksionojë. Ne kemi ndërmarrë pas shumë vitesh një reformë që të tjerët as nuk e çuan nëpër mend, jo më ta ndërmerrnin; reformën në drejtësi. Në një kohë rekord, po të shikojmë shumë vende të tjera që kanë kaluar nga ky proces, ne kemi ndryshuar Kushtetutën, kemi kaluar në sërë ligjesh që ndryshojnë krejtësisht të gjithë ngrehinën e sistemit të drejtësisë, kemi nisur procesin e vetting-ut që është garanci për pastrimin e Pallatit të Drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe shpresoj dhe uroj që të mos jetë e largët koha, por hap pas hapi, sistemi i pastruar i drejtësisë të fillojë të bëjë ato gjëra që kanë mbetur pezull, pa u bërë, për shumë e shumë vite.
Në raport me Spiro Kserën më vjen shumë keq që e përmend madje, se unë personalisht kam pasur një raport miqësor me të. Nuk e kam takuar, por kudo që ta takoj i jap dorën me respekt për raportin që kam pasur. Problemet e tij me tenderat dhe me drejtësinë nuk janë probleme të miat, nuk janë probleme të qeverisë. Të atij dhe të kujtdo tjetër që mund të jetë ministër, zëvendësministër, zyrtar i lartë i cilësdo parti. Ato janë probleme individuale të secilit që zgjidhen me drejtësinë, nuk zgjidhen as në qeveri dhe as në propagandë midis teje dhe meje.
Përmende disa gjëra që janë të pavërteta. Unë nuk e di ku e ke dëgjuar, por të jesh i sigurt që nuk e ke dëgjuar nga unë. Unë nuk kam thënë kurrë dhe as e mendoj dhe as kam si ta mendoj që Shqipëria të shtrihet në Jug, të shtrihet në Lindje e të shtrihet në Perëndim. Nuk e kam thënë. Ku e ke dëgjuar? “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je”, i thonë një fjale.
Përsa iu përket atyre shifrave që the, janë të pavërteta, nuk ekzistojnë. Lidhur me 150 dropullitë që qenkan “masakruar” këtu, edhe 50 të tjerë që qenkan “masakruar” atje, janë thjesht të pavërteta. Ndërkohë që një përfaqësuese tuajën e keni në qeveri. Aq më mirë akoma, nëse qenka edhe një tjetër që e paske përgatitur ti, bëhen dy. Domethënë, nuk jemi në kushtet e diskriminimit, por jemi në kushtet e konsideratës dhe të vlerësimit konkret për të gjithë këtë komunitet. Kështu që mendoj se është mirë t’i lëmë këto broçkulla që ziejnë në kazanët e atyre që duan të nxjerrin përfitime personale politike dhe jo vetëm politike, duke i futur xixat në një marrëdhënie që ne e kemi dashur, e duam dhe do ta duam gjithmonë, një marrëdhënie miqësore, vëllazërore dhe për të cilën jemi investuar aq sa kemi mundur.
Bashkinë e Dropullit, sëbashku me Bashkinë e Finiqit, ne i bëmë bashki jashtë kushteve. Kur u bë reforma administrativo-territoriale, nëse në vend u vendosën disa standarde, sa banorë duhet të ketë dhe sa sipërfaqe, ne dolëm nga këto standarde dhe i dhamë jetë faktikisht 3 bashkive specifike: Dropullit, Finiqit dhe bashkisë tjetër, edhe më të vogël akoma, të Pustecit.
Pse e bëmë këtë ne?
Po të ishte për të diskriminuar, apo për ta asimiluar, zbatonim standardet, siç ndodh në shumë vende të tjera dhe s’kishim asnjë arsye të krijonim dy bashki me përqendrim të komunitetit minoritar grek. E bëmë sepse e vlerësojmë si shumë të rëndësishme çdo pakicë kombëtare dhe pakicën kombëtare greke, padiskutim, si një urë e fortë lidhëse traditash, kulture e miqësie.
Kështu që këto broçkulla lërja kazanit të atyre që nxjerrin përfitime, se ti personalisht je një fermer i vogël, je bërë dhe këshilltar bashkie i opozitës, por edhe aty nuk je për përfitime të nxjerra nga këto. Prandaj lëri këto dhe të flasim për gjëra që janë të vërteta dhe janë konkrete.
Përsa i përket bujqësisë, në këtë vit, ne kemi financuar fermerët më shumë se çdo vit më parë, nga pikëpamja e volumit financiar. Ndryshe nga çdo herë tjetër, këtë vit kanë përfituar 90% e aplikantëve. Pra, nuk ka pasur, t’i ndajmë disa këtej, disa andej, disa tanët, disa të tyre, disa të nënës, disa të njerkës. Ajo që vlen për vazhdimin është që ne kemi mundësi të vazhdojmë të financojmë qoftë nëpërmjet programit të financimit të komunitetit europian, qoftë nëpërmjet Fondit të Garancisë Kombëtare. Por, siç e kemi bërë të qartë dhe siç do vazhdojmë ta përsërisim, ne do vazhdojmë të thellojmë politikën tonë të financimeve që nuk janë thjesht thërrime të shpërndara, që krijojnë edhe iluzionin e mbijetesës, por nuk sjellin zhvillim.
Ajo që unë do përsëris edhe këtu është: bashkohuni që të merrni shumë më tepër financime.
Kini parasysh që ne kemi kaluar një vendim shumë të rëndësishëm për të mbështetur fermerët, që heq Taksën mbi Vlerën e Shtuar mbi Shoqëritë e Bashkuara Bujqësore. Nëse në një familje kishte 5 NIPT-e për shkak të xhiros 50 milionë, sepse pas asaj kalon në TVSH, ne e kemi hequr. Po ndenje vetëm e ke shumë më të vështirë, sesa të bashkohesh. Kur them bashkohu, nuk kam parasysh bashkimin e tipit të vjetër, por kam parasysh bashkimin për të vendosur çfarë do mbjellim në këtë sipërfaqe ku jemi fqinj, si do ta kultivojmë dhe për ta shitur sëbashku, secili me sasinë e vet të tokës, por sëbashku për të krijuar volum prodhimi dhe për të dalë në shitje të fortë, jo të dobët, njëri me një trastë me qepë e tjetri me një trastë me patate. Këto lloj iniciativash, ne nuk do t’i mbështesim më siç janë mbështetur më përpara, por gjithmonë e më pak dhe do mbështesim iniciativat e fermerëve të vegjël që bashkohen dhe krijojnë një njësi prodhimi shumë më të fuqishme dhe fitojnë shumë më tepër lekë. Kjo është logjika e thjeshtë.
Unë nuk i ndaj kryetarët e bashkive në të tij apo atij, aq më tepër në të Vangjelit, të Spiros, apo të Mirelës. [Nuk e di pse përmende Vangjel Tavon, por Vangjel Tavon, unë e kam mik, mendoj. Se çfarë mendon Vangjeli, le t’ua thotë kur të takoheni.] Për Bashkinë e Dropullit, ne kemi mbështetur sa kemi mundur. Është e vetmja bashki në republikë që ka marrë financim për godinën, për t’i dhënë kësaj bashkie të re, dinjitetin që i takon si një njësi qeverisjeje edhe nga pikëpamja e godinës. Nuk kemi financuar godina bashkish të tjera. Zero. Edhe tjetra që mund ta mbështesim është Finiqi. Këto të dyja, me një qëllim të caktuar, që duket qartë që është qëllim i mirë.
Ardhja juaj në Dropull mund të na hapë ndonjë rreze drite për punë, se ka ardhur aty ku s’mban më. Kam bërë një ndërtesë që doja ta vazhdoja unë dhe fëmijët e mi. Megjithatë kam gjetur përballë hipotekën. Duke mos pasur personalisht asnjë gabim, që nuk po e hipotekoja dot, që të vazhdoj ndërtimet, të vazhdoj investimet, të vijnë dhe firma të huaja që të punojnë, vendosa të bëj Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, t’ua kaloj fëmijëve dhe të vazhdojnë fëmijët e mi me atë punë. Edhe këtu hipotekën e gjeta bunker. I kam hipotekuar tokat në 2013-ën dhe dua t’ua kaloj fëmijëve. Hipoteka thotë që i ke marrë gabim nga brenda.
Kryeministri Rama: Unë për të gjithë këto historitë e hipotekave kam vetëm një përgjigje, www.shqiperiaqeduam.al, Sa kohë rrini e vini vërdallë, ankoheni, shfryni nëpër kafene, me të drejtë, edhe nëpër zyra, duhen vetëm 3 minuta. Tek www.shqiperiaqeduam.al shkruaj problemin që ke me hipotekën dhe për 10 ditë do marrësh përgjigjen. Nëse të takon, do ta marrësh. Nëse nuk të takon, nuk do ta marrësh. Çështja që shtrohet në platformë shkon drejt e tek ministrja e Drejtësisë.
Administratori i njësisë administrative Pogon, për Bashkinë e Dropullit: Drejtorin më të mirë që keni në Gjirokastër është drejtori i Hipotekës, për të cilin, jo vetëm për veten time, por dhe për problemin e Pogonit i ka zgjidhur të gjitha.
Pogoni që ishte i harruar dhe ka 3.5 kilometra asfalt. Do ju lutem shumë interesohu, mos na lër jetim, që të vazhdojë deri në Libohovë. Keni falënderime të mëdha nga Pogoni, nga unë, sepse neve nuk na keni harruar.
Kryeministri Rama: Zotëria ka hall me hipotekën, ti më thua drejtori është i mirë. Nëse është i mirë është për veten e tij. Mos i dil për zot drejtorit. Drejtori t’i dalë për zot punës dhe zotëria të marrë përgjigje.
Zoti Kryeministër, ke ardhur shumë herë në Dropull. Siç na dhe premtimin për abc-në, për dritat, tani do na japësh edhe një premtim për ujin, se Dropulli vuan për ujë. Besoj se këtë do na e mbështesësh, se kemi besim. Je një Kryeministër që ke bërë punën më të madhe deri tani. Dhe tjetër shumë të mirë që ke bërë edhe në Dropull, qendrat shëndetësore, nuk ishin kështu siç i kemi parë tani. Themi ato që janë bërë dhe do të bëjmë në vazhdim. Bashkë me ne bëhen këto, duke u bashkuar, jo duke ndjekur njëri-tjetri. Jemi të gjithë dropullitë dhe duhet të bashkohemi të gjithë për një të mirë.
Kryeministri Rama: Faleminderit që e kujtove atë çështjen e energjisë dhe është e vërtetë, në këtë komunitet historikisht ka qenë dhënë një shembull qytetarie i shkëlqyer, sepse edhe në periudhat më të errëta, kur njerëzit dolën komplet nga binarët, këtu është paguar rregullisht energjia elektrike. Kështu që ishte një ndërhyrje më shumë sesa e merituar dhe nuk ishte ndonjë mrekulli që bëmë ne. Tek çështja e ujit është e njëjta gjë. Këtu është një nga komunitetet që nuk ka probleme kur vjen puna tek pagesat. Pra, njerëzit nuk është se nuk duan të paguajnë, ose i shmangen pagesave, por është çështje e miradministrimit të sistemit. Duhet ta keni parasysh që ndërmarrjet ia kemi kaluar çdo bashkie. Përpara ka qenë shumë e vështirë se i kishin komunat dhe ishte një ngatërresë shumë e madhe. Tani është bashkia që ka ndërmarrjen e ujësjellësit dhe ka detyrën ta mirëadministrojë. Ne ia kemi bërë të qartë kryetarëve të bashkive, që ne do të financojmë ujësjellësit që administrohen si duhet. Tek ujësjellësit kemi një trashëgimi të rëndë, nga pikëpamja e transformimit të ndërmarrjeve në çerdhe për të futur njerëz pa lidhje në punë. Kjo ka bërë që ndërmarrjet të jenë shumë të dobëta nga pikëpamja e profesionalizmit dhe cilësisë së aktivitetit të tyre. Në bazë të rezultateve të çdo ndërmarrjeje, ne do mbështesim me financime.
Pra, nuk është një premtim që unë mund ta jap këtu, në kuptimin që, meqë u hap kjo bisedë, do ta bëjmë këtë menjëherë. Jo se nuk duam ta bëjmë menjëherë, por sepse varet shumë nga ndërmarrja e bashkisë. Nëse ndërmarrja e bashkisë i ka shifrat sipas objektivave, patjetër që ne do ta mbështesim. Nëse ndërmarrja e bashkisë nuk i ka shifrat sipas objektivave, ne nuk kemi si e mbështesim, sepse nuk mund të vazhdojmë të njëjtën histori, financo ndërmarrjet e ujësjellësve, pavarësisht se çfarë bëjnë ata me lekët, pavarësisht se çfarë bëjnë ata me aktivitetin. Nuk e di konkretisht rastin dhe nuk është as vlerësim e as kritikë për bashkinë se nuk i kam të dhënat këtu përpara, që të them që menaxhohet mirë, apo nuk menaxhohet mirë. Është çështje rezultatesh konkrete dhe këtë gjë duhet ta kërkoni nga vetja dhe nga bashkia dhe pastaj, ne patjetër do jemi në mbështetje.
Kryetari i Bashkisë Dropull: Dua t’ju falënderoj për godinën e bashkisë, sepse është e vetmja bashki që është bërë ndërtesa e re. Dua të falenderoj për rrugën e Pogonit, 3.5 km dhe besoj do jetë dhe vazhdimi i asaj rruge. Dua të falenderoj pasi kemi një projekt për ujësjellësin që ka filluar faza e parë dhe ka mbaruar. Tani po presim të financohet edhe faza e dytë, që prek Dropullin e Poshtëm, që ka shumë nevojë për ujin e pijshëm.
Një falënderim tjetër është për linjat elektrike. Është bërë një financim në afro 18 fshatra. Problemi është se jemi në fshatin ku është stacioni elektrik dhe shkon energjia në Gjirokastër dhe nga Gjirokastra shpërndahet në Dropull.
Është bashkia e vetme që paguan 95% të taksave.
Ne kemi dy shkolla të mesme dhe tre nëntëvjeçare dhe deri më tani nuk është bërë asnjë investim dhe sidomos për bujqësinë. Unë kur shoh bashkitë e tjera që marrin “x” lekë dhe bashkia e Dropullit zero, prekem. Le të marrin ata 5, bashkia e Dropullit le të marrë 1 të paktën.
Kryeministri Rama: Unë e di që kur numëron vezët e pulës së komshiut, 10 të duken sikur janë 30 kokrra. Të tuat 5 të duken sikur janë 1.
Ne kemi hapur këtë rrugë të financimit të drejtpërdrejtë të fermerëve dhe me shumë më tepër mbështetje financiare se më parë, por këtu bashkia duhet të luajë një rol të veçante. Kjo nuk është vetëm për bashkinë tuaj, por për të gjitha bashkitë. Është edhe Fondi i Garancisë Kombëtarë dhe nëse fermerët kanë nevojë për një pikë grumbullimi, për një pikë përpunimi që ka të bëjë me prodhimin, mjafton që të bashkohen fermerët e interesuar dhe bashkia dhe ne financojmë investimin dhe investimi ju mbetet juve. Pra, partnerë bashkia me grupin e caktuar të fermerëve dhe pastaj varet nga kontributet, sa njëri dhe sa tjetri. Nga fermerët nuk kërkojmë asnjë lek. Pjesën e fermerëve e mbështesim ne, por projektin duhet ta bëni ju. Bashkia me fermerët të paraqesin një projekt, përshembull, për një pikë grumbullimi dhe ne ju mbështesim me financim. Dhe këto janë financimet që krijojnë vlerë të shtuar.
Ne kemi bërë një financim masiv në të gjithë Shqipërinë për kanalet. Kemi mbështetur edhe me logjistikë dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, hap pas hapi. Por kryesorja është që të mbajmë parasysh që shpërndarja nuk bëhet kurrë mbi bazë politike, por vetëm mbi bazën e sipërfaqeve dhe të personave përfitues nga pikëpamja e investimit të përgjithshëm, kurse nga pikëpamja e aplikimeve, varet nga projektet. Nëse ju bëni projekte të mira, ne i financojmë dhe nuk nisemi fare nga fakti sa banorë ka, sepse financohet drejtpërdrejtë projekti.
Ne kemi 80 qendra shëndetësore për të rindërtuar gjatë këtij viti. 300 gjithsej gjatë këtij mandati. Janë 52 shkolla për t’u rindërtuar këtë vit. Në rast se ju keni një projekt dhe keni nevojë për mbështetjet nga ana jonë për shkollën, ne jemi shumë të gatshëm që ta mbështesim. Na sillni projektin dhe ne do ta fusim në kalendarin e fillimvitit të ardhshëm për ta financuar.
Ne kemi nisur dhe një proces në të gjitha bashkitë për pronat. Ne duam që ta certifikojmë me tituj pronësie në ZRPP dhe jo me ato aktet e marrjes së tokës në përdorim, të gjithë tokën bujqësore. Është shumë e rëndësishme në këtë proces që të kemi mbështetjen e bashkive, sepse vetëm këtë gjë nuk e bëjmë dot. Kudo ku janë të qartë kufijtë dhe ku bashkia certifikon qartësinë e tyre, hipoteka është e detyruar të veprojë menjëherë për të dhënë certifikatat e pronësisë mbi tokën bujqësore. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për një arsye tjetër. Nuk është se këtu tokën ia merrni njëri-tjetrit, apo vjen të ta marri njeri, por po nuk patët certifikatën e tokës, është e pamundur për të marrë financime nga fondet e komunitetit europian.
Unë kam një problem të vogël, burokratik, për çështjen e ndarjes së tokës. Dua t’i ndaj fëmijëve tokën, por më ka dalë si kryefamiljar një i ikur që në 1850 në Amerikë…
Kryeministri Rama: Do ta trajtojmë patjetër. Do ta trajtojmë veçmas këtë gjë, që mos mundohesh. Jepja letrat atyre.
Ne si fshat kemi një problem që në 2001-n e deri tani me hipotekën. Nga Tirana, të gjitha i kemi marrë. Kemi vajtur e kemi paguar qimet e kokës.
Kryeministri Rama: Nëse do të vazhdosh të paguash, vazhdo. Unë të them që nuk ka nevojë të paguash, nuk ka nevojë të shkosh gjëkundi. Nëse nuk di ta përdorësh vetë kompjuterin, me siguri ke ndonjë nip që të ta shkruajë problemin dhe për 10 ditë merr përgjigje. Çoje në adresën shqipëriaqëduam.al dhe ministrja e Drejtësisë e çdo ministër ka detyrimin të merret me çdo ankesë qytetari që vjen në adresë të sektorit të tij dhe për 10 ditë do marrësh përgjigje. E nëse të takon, jo vetëm do marrësh përgjigje, por kush të ka penguar përgjigjen do iki nga puna, se kështu funksionon. Nëse nuk të takon, do të të thuhet që nuk të takon. Mund të jetë problem gjyqësor, që nuk kemi ne mundësi ta zgjidhim.
Unë dua të ngre tre probleme, të cilat preokupojnë fshatin. Për zyrën e pasurisë, pemëtorja që kemi mbrapa është e fshatit, nuk është ngarë akoma. Ne paguajmë. Nuk na jep njeri përgjigje. Kjo nuk është personale, por e gjithë fshatit. Këtu kalon një linjë elektrike 10 mijë volt dhe nuk dihet se kur mund të kemi një disfatë, një këputje të telit dhe mund të kemi probleme. Meqë ne kemi stacion elektrik këtu, ajo mund të spostohet, të dalë më poshtë dhe të kalojmë pa ndonjë rrezik.
Kryeministri Rama: Të gjitha këto që më the, ja ku e ke kryetarin e bashkisë, se janë të ndara këto detyra. Ai ta ka bërë stacionin atje, shko tek kryetari i bashkisë dhe kërkoi llogari. Ai do të të shpjegojë pse është stacioni atje dhe pse nuk është këtu. Edhe atë të bëj unë, të vendos stacionin e makinave këtu dhe të çohet ai e të thotë “na pushtoi”.
Doja të flisja në lidhje me hapat që ka bërë qeveria së fundi sidomos me ligjin për minoritetet dhe duhet kuptuar që ligjet janë ato që përcaktojnë përparimin, mirëqenien dhe rregullimin e marrëdhënieve të qytetarit me shtetin. Besoj se ai është një ligj që duhet jo thjesht të përmendet, por duhet edhe lavdëruar për arsye se mbi 25 vjet pretendohej për t’u bërë një ligj i tillë. Ne kishim për ligjin disa vërejtje dhe besoj që erdhi momenti që me aktet normative çdo gjë të rregullohet. Ka një problem ligji dhe unë besoj se duhet të zgjidhet me mirëkuptim, sepse besoj se penalizon minoritetet ekzistuese. Në pikën e vetëdeklarimit, pra, në mbledhjen e informacionit për minoritetet ekzistuese që kanë pasur gjendje civile, atëherë i bie që këto të penalizohen në raport me minoritetet e njohura rishtazi dhe që nuk kanë. Them që një problem me shumë rëndësi është problemi i arsimit me minoritetin grek. Dua të përgëzoj zonjën ministre që ka qenë e hapur dhe ka bërë hapa të tilla që nuk ishin vënë re më parë. Megjithatë i mbetem idesë që duhet ngritur struktura për të menaxhuar çështjen e arsimit në minoritet dhe po ashtu struktura për ta drejtuar atë. Ne jemi në një zonë që ka mbi 120 piktorë dhe skulptorë. Është rast unikal që një zonë kaq e ngushtë të ketë një larmi kaq të madhe dhe besoj që duke pasur përkrahjen edhe të zonjës ministre besoj që zona e dropullit e meriton të ketë një pinakotekë ku mund të organizojmë artin dhe kulturën. Të mos harrojmë që nuk duhet lënë Onufri të na shkatërrohet sepse ne nuk zgjidhim dot disa probleme të tjera. Besoj se pa u integruar ky lloj turizmi me turizmin në përgjithësi, atëherë nuk do të kemi një frymëmarrje të turizmit më të gjerë.
Kryeministri Rama: Ne e kemi me vëmendje të veçantë të gjithë zonën, natyrisht, për arsye të minoritetit, por jo vetëm, sepse ne mendojmë që kjo është një zonë që ka potenciale të mëdha zhvillimi të turizmit dhe ka edhe njerëz me shumë eksperiencë, me dije të ndryshme nga puna në emigracion dhe potencialisht njerëz që duan të kthehen dhe të investojnë kursimet e tyre në shtëpitë e të parëve të tyre. Më vjen shumë mirë që kemi shifra shumë inkurajuese për turizmin në zonë. Janë rritur dhe vazhdojnë të rriten strukturat e mikpritjes. Përpara 4 vitesh, në Gjirokastër numëroheshin me gishtat e njërës dorë pikat e mikpritjes, hotele apo bujtina. 2-3 mezi gjendeshin. Sot kemi mbi 15 të tilla dhe janë të tjera që po bëhen gati për t’u çelur. Investimi që kemi bërë në qytet do të sjellë nga njëra anë, rritje të fluksit, nga ana tjetër, rritje të vlerës së pasurisë. Po kështu në Tepelenë, në Libohovë, në Përmet, në Këlcyrë, po kështu dhe këtu. Ajo që dua t’ju siguroj është se, nëse bashkitë kanë projekte të besueshme dhe cilësore, ne i mbështesim.
Përsa i përket bashkisë së Dropullit, për çështje që u ngritën këtu, që nga çështja e furnizimit me ujë, pas përfundimit të fazës së parë të investimit dhe shpresoj me shifrat e duhura të performancës së ujësjellësit nga ana e bashkisë, ne do mbështesim fazën e dytë.
Rrugën e Pogonit do ta vazhdojmë patjetër. Është një vepër shumë e madhe, sepse ju jeni të vetëdijshëm që ka dhjetëra kilometra dhe nga pikëpamja financiare nuk është fort e lehtë, por ne nuk do ta lëmë aty, hap pas hapi, vit pas viti, ne do ta çojmë deri në fund, sepse është edhe ajo një zonë që ka një potencial të madh nga pikëpamja e turizmit, për natyrën e me radhë.
Për shkollën ia thashë kryetarit, ne jemi të gatshëm, mjafton që të kemi identifikimet e duhura nga ana e bashkive. Nuk mund ta vendosim ne nga Tirana se cila shkollë bëhet e para, cila shkollë e ka radhën e dyta. Është bashkia që duhet ta bëjë këtë gjë, por, siç kemi bërë me çështjen e programeve të arsimit dhe me kujdesjen e veçante që t’ju japim fëmijëve të minoritetit të gjitha mundësitë që të mund të arsimohen si duhet në gjuhën tuaj amtare, ne do të bëjmë dhe me infrastrukturën. Por nuk mund ta bëjmë pa nxitjen tuaj e në radhë të parë, pa projektet tuaja.
Gjatë këtyre katër viteve është investuar më shumë se në të gjitha vitet e tjera të mbledhura sëbashku, për të frenuar rrënimin e monumenteve, pavarësisht se edhe në këtë aspekt është si puna e vrasjeve. Vrasjet në Shqipëri kanë qenë mesatarisht 115 në vit, sot janë 55 në vit dhe këtu varet se kush bërtet më shumë dhe varet sesa më shumë, ose më pak pasqyrohet në media dhe krijohet një perceptim sikur këtu është e njëjta gjë, apo më keq. Në fakt, edhe shifra e investimit në monumentet e kulturës është e pakrahasueshme se më parë.
Nuk diskutohet që në asnjë fushë nuk është aq sa duhet, sepse këto janë mundësitë. Por të mos harrojmë asnjëherë që, nëse do të bëjmë një bisedë të ndershme, duhet të shikojmë nga u nisëm e duhet të shikojmë se ku duhet të arrijmë. Po të shikojmë se nga u nisëm, nuk besoj se ka diskutim që në çdo fushë është bërë progres i rëndësishëm. Po të shikojmë se ku duam të arrijmë, nuk diskutohet se duhet të bëjmë shume më tepër së çfarë është bërë dhe ky është edhe qëllimi ynë. Unë nuk mbaj mend për vete, por, nëse dikush nga ju apo nga ata që dëgjojnë mbajnë mend, mbase ma kujtojnë, ndonjë qeveri që të mund të ketë shkuar tek njerëzit për të bërë takime të tilla, pa kërkuar votën, se nuk është fare kohë votimesh. Deri dje thuhej “vini vetëm kur është për votë”. Sot, të paktën, kjo nuk thuhet dot. Ne vijmë për të folur, sigurisht për të shpjeguar gjërat që mendojmë që duhen shpjeguar më mirë, për t’ju dëgjuar ju, por të jeni të sigurt që kjo është gjëja e duhur për t’u bërë. Nëse nuk është bërë përpara e nëse duhet bërë më mirë sesa po e bëjmë ne, këto janë diskutime të tjera, por kjo është gjëja e duhur për t’u bërë dhe patjetër që edhe unë vetë personalisht do vij përsëri, edhe përpara votimeve. Pastaj, edhe për votime, ku do kemi debat me atë anëtarin e të gjitha partive që ndërkohë që unë i thashë i LSI, ai më tha jam i PD, ndërkohë që dikush tjetër këtu tha ka qenë i PDIU-së, tani vetëm me PS nuk ka qene asnjëherë.
Shume faleminderit!