Në dialogun e ministrave, pjesë e grupit të punës për Paktin e Universitetit, me studentë, rektorë, dekanë e pedagogë, Kryeministri Edi Rama u shpreh në lidhje me disa nga çështjet e ngritura në takim:
Gentiana Kera, zëvendësrektore për Kërkimin Shkencor në UT, në lidhje me verifikimin e plagjiaturave: Unë shikoj që ka një problematikë, nisur edhe nga VKM-të e shumta që janë miratuar nga qeveria. Shikoj një problem në përfshirjen e universiteteve në hartimin e tyre dhe mendoj që një pjesë e tyre, jo vetëm nuk do t’i zgjidhin problemet, por përkundrazi i përkeqësojnë. Unë po marr një shembull që ka lidhje me VKM-në për kontrollin e plagjiaturës së doktoraturave. Është komplet e paqartë, doktoraturat e cilës periudhë do shqyrtohen. Sigurisht, nuk është marrë fare në konsideratë që kriteret e shkrimit akademik të kërkimit shkencor kanë ndryshuar. Një doktoraturë e mbrojtur në vitet ’80-të ka të tjera standarde dhe kërkesa, një doktoraturë që mbrohet tani ka të tjera. E shikoj problematik faktin që software do jetë diçka e përqendruar në Ministrinë e Arsimit dhe unë doja të pyesja, nëse realisht Ministria e Arsimit i ka kapacitetet për të verifikuar këtë lumë doktoraturash të të gjitha universiteteve, publike dhe private. Do doja të dija edhe, nëse software e ka kontrollin për gjuhën shqipe dhe si mund ta adresojmë këtë problem. Di që qarkullon në internet, një faqe për një software për tekste në gjuhën shqipe, por nuk kemi informacion sesa funksional është ky program. Mendoj që zgjidhja është që ky kontroll, që është një kontroll mekanik dhe me të drejtë, kontrolli i verifikimit, nëse bëhet fjalë për plagjiaturë apo jo, të bëhet nga Këshillat e Etikës nëpër universitete, por kontrolli mekanik është diçka që fare mirë mund ta bëjë dhe universiteti, në momentin që ka akses në një program të tillë.
Kryeministri Edi Rama: Po bëj një ndërhyrje të shkurtër. Qeveria është përqendruar me të gjithë kapacitetin e vet për t’i dëgjuar studentët. Pyetja ime është, po ju zonjë, i dëgjoni studentët dhe sa i dëgjoni studentët? Nuk e kam me ju personalisht, por e kam me shumë nga ju që duhet ta thoni qartë, çfarë doni të bëni ju me plagjiaturat. Nuk mund ta lini si një top mes studentëve dhe qeverisë dhe nuk mund të refuzoni t’u jepni mësim studentëve, për të bërë presion që studentët dhe qeveria të tërhiqen nga transparenca e titujve.
Si do bëhet transparenca e titujve, e tha edhe ministrja, është absolutisht e hapur, por, ama, qeveria po dëgjon sot, ato që duhet t’i kishit dëgjuar ju, gjithë këto vite, sepse ligji i Arsimit të Lartë ju ngarkon ju, me të gjitha ato që sot po i merr përsipër qeveria.
Po i marrim përsipër, sepse, së pari, këta janë fëmijët tanë dhe fëmijët tanë ne nuk mund t’i bëjmë top ping-pongu, duke e kthyer çështjen e tyre në një betejë publike kompetencash. Por ligji i Arsimit të Lartë ju detyron juve dhe sot ju duhet ta kishit bërë transparencën për të gjithë titujt. Nuk e keni bërë.
Duhet ta thoni çfarë doni dhe thojuni studentëve, tregojuni studentëve të vërtetën. Doni që të bëhet, apo nuk doni që të bëhet?
Pastaj se si bëhet, s’ka asnjë problem. Bëjeni ju, ne nuk duam të bëjmë detyra përtej atyre që kemi. I bëjmë detyrat përtej atyre që kemi, për të mos i lënë studentët, fëmijët tanë, si top ping-pongu, por këto që po bëjmë, nuk janë detyrat tona. Janë detyra tuaja, që jua jep ligji i Arsimit të Lartë, të cilin ju e kontestoni në mënyrë të padrejtë. Pse?
Sepse nga ligji, ju kërkoni liri, por nuk doni të merrni përgjegjësi. Ligji i Arsimit të Lartë ju jep liri, ju jep edhe përgjegjësi. Merreni përgjegjësinë dhe na thoni, çfarë doni nga ne.
Ne dimë çfarë duan studentët dhe do i bëjmë një për një. Se çfarë doni ju, ne nuk e kemi kuptuar akoma, ose më saktë, unë e kam kuptuar, por nuk kam ndërmend ta them akoma. Mos prisni ditën, kur do bashkohem unë me studentët e të vij përballë jush dhe t’u them studentëve se çfarë, në fakt, ju nuk doni. Nëse unë e kam gabim këtë që mendoj, aq më mirë akoma. Ju bëhuni bashkë tani dhe ndajeni këtë punë. Do të mbarojë historia e doktorëve të shkencave që vetëm me shkencën nuk kanë lidhje, apo nuk do mbarojë? A fillon në vitin ’55-së, në vitin ’65-së, në vitin ’85-së, në vitin ’95-së, apo fillon në vitin 2005 a 2015-të, këtë do t’ua thoni ju studentëve, jo ne. Ne nuk kemi problem.
Ju e dini shumë mirë për çfarë flas unë dhe e dini shumë mirë, sot, çfarë po ndodh. Nuk janë ato grupe studentësh të ngujuar problemi. Problemi janë pedagogët që nuk shkojnë t’u japin mësim. Një student i vetëm ka të drejtën të marrë mësim.
Dua ta theksoj sot, thjesht dhe vetëm kaq, i mirëpres absolutisht të gjitha kërkesat, të gjitha kritikat. Ama, një gjë duhet të jetë e sigurt, që këtu duhet të ndajmë “kush bën çfarë”. Studentët bënë detyrën e tyre, sipas meje dhe ngritën zërin. Ne e dëgjuam. Unë akoma nuk e kam kuptuar sa kanë dëgjuar universitetet nga kjo. Nuk dua të flas. Do të flas, nëse kjo shfaqje me shumë fytyra, nuk do mbarojë. Duhet të mbarojë një orë e më parë dhe duhet të ulemi të merremi me çështjet. Ne jemi gati të bëjmë aq sa mundemi dhe madje të kalojmë edhe përtej mundësive tona, por ne nuk mund të marrim përsipër të bëjmë detyrat që ligji ia ngarkon universitetit. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Detyrat që ia ngarkon zonjës për kërkimin shkencor.
Vërtetë, iniciativa jonë, për të mbuluar me ministri fakultetet, buroi si rezultat i dëgjimit të një halli të madh të studentëve. Pyetja ime është, kush e ka ndaluar universitetin, në gjithë këto vite, që t’i drejtohet qeverisë, t’i drejtohet ministrive e të kërkojë të marrë pjesë në proces e të përfitojë të ardhura. Ne nuk e zbuluam sot. E kemi thënë që ditën e parë që ne duam që universiteti të hyjë në treg. Është kollaj të flasësh për tarifa e buxhete, por duhet të flasim edhe për sa universiteti gjeneron të ardhura. Universitetet në botë gjenerojnë të ardhura. Këtu, të ardhurat gjenerohen nga prindërit që paguajnë për fëmijën dhe nga buxheti i shtetit. Të ardhura të tjera, me përjashtime të vogla, nuk ka.
Ne duam të krijojmë këto mundësi e do ta bëjmë deri në fund. Por tek plagjiaturat duhet ta thoni ju çfarë doni. Nuk e kam për debat, sepse në këtë pikë, ne nuk mund të jemi peng. As qeveria, as studentët. Peng qeverinë nuk keni për ta marrë dot tek kjo pikë, duke bërë presione, duke bërë sikur nuk kuptoni, duke u fshehur, duke mos shkuar në mësim e të tjera.
Ne dimë vetëm kaq, duam që ky proces të ndodhë. Por si do ndodhë, nuk ka rëndësi, as çfarë thotë VKM-ja, as çfarë thotë dokumenti. Parimisht, duam, apo nuk duam të ndodhë? Në momentin që duam parimisht të ndodhë, bëni gjithë propozimet dhe ne jemi absolutisht dakord që ta bëni ju të gjithë procesin. Qeveria nuk ka punë të bëjë vetting akademik, në kuptimin që ta marrë e ta bëjë qeveria. Duhet ta bëni ju. Me ligjin e Arsimit të Lartë duhet ta kishit bërë. Nuk e keni bërë. Kështu që këtu nuk duam polemika dhe nuk duam asnjë problem. Thjesht duam të shihemi në sy, drejtpërdrejtë dhe të flasim drejtpërdrejtë. Jo të shihemi në sy e të mendojmë gjëra të tjera dhe të bëjmë gjëra të tjera. Atë që themi, ta bëjmë e atë që bëjmë, ta themi. Ndryshe nuk do shkojë gjatë kjo histori. E kam shumë të sinqertë këtë gjë.
Jemi totalish të angazhuar dhe ua kam thënë të gjithë atyre që kam komunikuar, që unë këtë protestë nuk e lë, sikur të ngelem vetëm. Kuptojeni mirë këtë gjë. Jam i gatshëm t’i mbaj të gjitha përgjegjësitë, edhe për borën që bie, por për budalla, njeri dot mua nuk më bën.
Studente: Ne nuk kemi diçka të sigurt, sepse jemi në vit të tretë e nuk e dimë çfarë na pret. Ne mund ta vazhdojmë protestën, por pastaj? Si do përfundojmë?
Kryeministri Edi Rama: Kur në moshën tënde studentët kanë dalë për të përmbysur regjimin komunist, bashkë me pedagogët, bashkë me popullin, bënë një zgjedhje të qartë, që të mos kemi asgjë të sigurt, por të luftojmë të gjithë bashkë që e ardhmja të jetë sa më e sigurt. Nuk ka gjëra të sigurta në sistemin që kemi zgjedhur. Ka konkurrencë, ka meritë dhe patjetër ka 1001 beteja që duhen bërë çdo ditë.
Kemi zgjedhur të jetojmë në demokraci. Kemi zgjedhur një sistem zgjedhje të lirë të personit, ku të gjithë bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë dhe rrugës përplasen me njëri-tjetrin, në kuptimin e konkurrencës. Këtë pyetje e kemi zgjidhur në vitin 1990. Shqipëria e të ardhmes së sigurt, që ti mbaroje shkollën dhe e planifikonte partia me shtetin që ta kishe punën në filan vend, pastaj nga ai vend të shkoje në një vend tjetër, mos kishe të drejtë të lëvizje e të zgjidhje gjë tjetër, se ta zgjidhte shteti. Të thoshte, shko mësues fizkulture, p.sh., në Theth dhe e kishe të sigurt, do rrije 5 vjet e pastaj vazhdonte historia. Kjo është mbyllur atëherë. Kaq e thjeshtë është kjo.
E dyta, kemi zgjedhur një sistem, ku prezumohet që kush qeveris, nuk i di të gjitha. Në ’90-ën e zgjodhëm këtë. Deri në ’90-n kishim një sistem ku ai që qeveriste, i dinte të gjitha dhe shteti kishte përgjigje për çdo gjë. Që do të thotë që njerëzit nuk kishin pyetje, sepse i kishin përgjigjet e gatshme.
Sistemi që kemi zgjedhur është sistemi i pyetjeve, jo i përgjigjeve të gatshme. Për këtë arsye, në këtë sistem, ti je po kaq e rëndësishme sa unë, kur vjen puna për çështjen tënde dhe zëri yt, i bashkuar me zërin e të tjerëve, kthen vëmendjen time më shumë drejt teje. Ky është sistemi që kemi zgjedhur. Kjo teoria që çdo ndodhi, sikur këto gjëra të mos ndodhin? Do vazhdojë beteja. Do të vazhdojë beteja jote individuale, do të vazhdojë beteja e komunitetit tënd, do të vazhdoje beteja jonë si shoqëri. Nuk do të biem dakord për të gjitha, diku do jemi dakord, diku s’do jemi dakord.
Këto janë pyetje që unë nuk e di se çfarë bëni ju në universitet. Jam shumë i habitur nga shumë pyetje që dëgjoj, sepse janë rezultat i mungesës së shumë aspekteve që kanë të bëjnë me edukimin, jo në universitet, por që nga klasa e parë. Ajo që po korrim ne sot, është ajo çka është mbjellë 27 vite. Ajo që po bëjmë sot, janë që çfarë mbillet sot, nesër të jetë një produkt shumë më i mirë. Kjo edhe për ligjin e Arsimit të Lartë. Është për nesër. Nuk është për të kthyer mbrapsht sigurinë e kohës që ne e mbyllëm.
Ne do të vijmë në çdo universitet. Unë, ministrja po e po. Ministria do të shkojë të takojë edhe ata që janë të ngujuar, sepse ajo vjen nga ngujimet, e ka në CV, si protestuese që është ngujuar edhe vetë. Unë nuk jam nga ata të ngujimeve, jam nga ata të përplasjeve. Do të vijmë në çdo universitet dhe Pakti për Universitetin është dokument i hapur. Ajo për të cilën unë i ftoj të gjithë, edhe dekanët, rektorët, pedagogët, ta marrin dokumentin, ta kthejnë përmbys komplet. Të shtojnë, të heqin dhe në fund të bëjmë një pakt që është pakt angazhimesh, jo program elektoral. Pakt angazhimesh për Universitetin në tërësi dhe për çdo fakultet në veçanti. P.sh., çfarë do Fakulteti i Arkitekturës dhe çfarë do bëjmë ne për Fakultetin e Arkitekturës dhe kur do ta bëjmë, me kalendar, vitin e parë, vitin e dytë, vitin e tretë e me radhë.
Ashtu sikundër, të gjitha aspektet e tjera.
Ne duam ta forcojmë autonominë e universitetit. Nuk duam të marrim pushtetin e universitetit. Nuk duam ta bëjmë ne punën që duhet ta bëjë universiteti. Duhet t’i japim fuqi maksimale universitetit, që të bëjë punën e vet që nuk e ka bërë deri më sot, sipas ligjit të ri të Arsimit të Lartë. Kjo është e vërteta.
Këtë herë e morëm ne të gjithë zjarrin, herë tjetër nuk ka për të ndodhur kjo. Besoj, nuk do të lëmë që të ketë një herë tjetër. Por ne duhet të bashkëpunojmë të gjithë bashkë. Për këtë arsye, dialogu është gjëja më e rëndësishme.
U çua një vajzë e tha për familjen me pension familjar e ka shumë të drejtë. Si do përfshihet kjo familje në këtë grup, nëse vajza nuk ka mundësi të flasë e të dëgjojë. Nëse e gjithë ajo kategori nuk ka mundësi të flasë, nuk ka mundësi të dëgjojë. Rri, ngujohu dhe thuaj ne po presim. Çfarë po pret? Pse, skedina janë këto, që mbushen dhe rri në televizor e sheh si do ja bëjë Cristiano që ty të të zgjidhet problemi?! Nuk janë skedina! Ato do të përmbushen sipas afateve të publikuara dhe me punë. S’janë as pica që priten në ngujim. Janë punë.
Të gjitha ato do të bëhen pikë për pikë. Do i bëjmë sepse janë të drejta, jo sepse po i kërkoni ju me ngujime, por janë të drejta. Të gjitha gjërat e drejta, ne kemi për detyrë t’i përmbushim. Kështu që do të bëjmë diskutime të mëtejshme, sepse ka shumë gjëra të tjera për të diskutuar.
Gjëja shumë e rëndësishme është që dokumenti i Paktit do t’i jepet në dispozicion të gjithëve dhe të gjithë do ta konsiderojmë një dokument të hapur. Ne nuk kemi thënë aty fjalën e fundit, nuk mendojmë se i dimë të gjitha, nuk mendojmë që jemi partia që udhëheq dhe shteti i dikurshëm që i thoshte universitetit do bësh kështu, sepse kështu them unë.
Ne mendojmë se gjithkush këtu do japë një kontribut dhe shuma e të gjitha këtyre kontributeve të na çojë në një pakt angazhimesh, ku ta themi, çfarë do bëjnë studentët, sepse s’jeni vetëm për të kërkuar, çfarë do bëjnë pedagogët, dekanët dhe rektorët dhe çfarë do bëjë qeveria. Ne do të marrim pjesën tonë. Secili të marrë pjesën e vet. Mbi bazën e atij pakti duken qartë palët se kush është në lartësinë e duhur e kush nuk është dhe pastaj bëhen gjykimet. Kjo është ajo që ne na vlen.
Ky Pakt duhet parë si një zbërthim i ligjit për Arsimin e Lartë. Të gjitha ato çështje që duket sikur i pengon ligji, ose duket sikur i ka ligji, të adresohen aty. Ka 1001 rrugë dhe eksperienca e mundëson që secili nga drejtuesit e universiteteve të thotë, në këtë pikë, dakord, por na duhet kjo periudhë tranzicioni për të implementuar këtë aspekt të ligjit.
Z. Kryeministër tha që duke u bazuar në ligjin e Arsimit të Lartë, vlerësimi i titujve akademikë të pedagogëve duhet të ishte realizuar tashmë. Nuk e di ku bie përgjegjësia, tek pedagogët, apo tek qeveria dhe Ministria e Arsimit. Marrim një shembull, nëse një kriminel kryen një krim, kush i ka kompetencat që ta gjykojë, policia, apo jo? Nuk mund të presim që krimineli të vijë të dorëzohet në polici. As pedagogët nuk do vijnë të thonë unë kam një doktoraturë që është plagjiaturë.
Kryeministri Edi Rama: Padija nuk është argument, thonë latinët. Për gjëra të tilla është mirë të informohesh, pastaj të flasësh. Qeveria nuk është polici e universitetit. Kurrën e kurrës! Ligji i Arsimit të Lartë është sanksionim përfundimtar i kësaj. Edhe policinë në universitet nuk e çon dot, nëse nuk e kërkon dikush për arsye madhore. Qeveria nuk është polici e titujve të pedagogëve e nuk mund ta bëjë kurrë këtë gjë. Nëse futet qeveria në këtë proces, atëherë, një qeveri mund ta bëjë me drejtësi, një tjetër mund ta bëjë politikisht dhe fillon një gjueti shtrigash që nuk mbaron. Kjo është një çështje e universitetit në të gjithë botën. Këtu është një gjë që do të ndodhë për herë të parë dhe ka vështirësinë e vet, por këtë gjë duhet ta bëjë universiteti. Si do ta bëjë universiteti, këtu është pika që duhet të diskutojmë, që mekanizmi të jetë i sigurt dhe transparent, që të mos ketë devijime.
Që të jemi të qartë se çfarë do bëjmë, të mos bëjmë sikur e bëjmë. Bëhet si top ping-pongu, do bëhet, s’do bëhet, jo po qeveria, jo po studentët. Duhet të jemi shumë të qartë, është pika më e nxehtë ajo. Jam shumë i qartë për këtë. Studentët e kanë vënë në rendin e ditës.
Dy gjëra janë themelore tek kërkesat, s’ka 7, vetëm dy:
Çështja e kostove, në raport me cilësinë e shërbimit arsimor që marrim;
Vërtetësia e pedagogut. Janë ata që duket, apo kush janë.
Ne nuk mund të lejojmë që pedagogët realë të kthehen në shënjestër për inat. Nga ana tjetër, pedagogët që nuk janë realë, por që janë fals, duhet të ndërrojnë profesion.
Këtë nuk e bëjmë ne, por duhet ta bëjë universiteti, bazuar në një mekanizëm të dakordësuar. Të mos merremi kush e ka përgjegjësinë. Këtë debat, unë besoj që e kemi mbyllur, e kemi marrë ne përgjegjësinë.
E thashë që në fillim, po të ishte një kategori tjetër, nuk e merrja përgjegjësinë për një gjë që s’e kemi fare. Por për këtë e kemi marrë ne përgjegjësinë, sepse ju jeni fëmijët tanë. Ti, fare mirë mund të ishe vajza ime.
Të mos të merremi se çfarë përgjegjësish ka e shkuara, të marrim të gjithë përgjegjësitë tona tani. Çfarë përgjegjësie ka qeveria, ne do i marrim të gjitha. Nëse ato që janë shkruar në Pakt, ju duken të pamjaftueshme, thoni jo, qeveria duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Ta thonë dekanët, ta thonë pedagogët, pa problem. Por çfarë përgjegjësie do të marrë universiteti? Çfarë përgjegjësie do marrin studentët? Kjo duhet të jetë e qartë. Kjo është gjëja që duhet të bëjmë. Kjo është vlera më e madhe që ka prodhuar protesta.
Mos e bëni më atë pyetjen, “pse duhet të çoheshim ne”. Ka gjë tjetër më të bukur, sesa në moshën tuaj të çohesh, në vend që të rrish shtrirë, apo të rrish ulur në kafene dhe të merresh me Facebook-un!