Kryeministri Edi Rama në Lushnje, bashkëbisedim me gra dhe vajza për pasojat e bixhozit dhe ligjin për mbylljen e kazinove elektronike, bastet e çdo lloji dhe ato online, si dhe çështje të tjera të interesit qytetar:
Shumë faleminderit!
Më vjen shumë mirë që jemi këtu sot. Për fat të keq, për arsye të një angazhimi të papritur nuk munda të shkoj në një takim tjetër fantastik që u zhvillua në Elbasan, përsëri me gratë, me vajzat, me nënat, me gjyshet, lidhur me një nismë që ka një rëndësi të madhe, por ia vlen të diskutohet edhe pasi është kthyer në ligj, sepse ka një sërë arsyesh.
Ne arritëm që t’ia dalim aty ku në fakt u thyem disa vjet më parë, si rezultat i një presioni të jashtëzakonshëm nga kjo industri mbi deputetët dhe nuk i patëm dot votat për të kaluar që atëherë mbylljen e kazinove elektronike, por në atë kohë nuk ishte ende në diskutim çështja e basteve. Sidoqoftë u bë një kompromis që si çdo kompromis nuk ishte ideal, për të mbyllur kazinotë elektronike në të gjithë territorin e Republikës, në 31 dhjetor të atij viti dhe që atëherë deri sot kanë kaluar disa kohë, ku ne kemi parë dy anët e një medaljeje për të cilën hymë në këtë betejë.
Nga njëra anë kemi formalizuar në mënyrë të ndjeshme sektorin. Kemi arritur të marrim thuajse dyfishin e taksave që merreshin më parë. Kemi përgjysmuar kompanitë e përfshira në këtë sektor. Nuk janë pak të ardhurat në buxhetin e shtetit nga këto taksa, por është shumë më e rëndë plaga që tregon ana tjetër e medaljes.
Në këtë sektor ka vazhduar të ketë informalitet, edhe pse është tërësisht e gënjeshtërt ajo që thuhet dhe përsëritet se medemek këtu u shtuan pikat e basteve. E vërteta është që pikat e basteve u formalizuan dhe janë më pak, seç ishin kur ne filluam betejën kundër informalitetit me operacionin “Fundi i marrëzisë”. Nuk u shtuan, por u formalizuan në një pjesë të konsiderueshme. Ajo që vlen sidoqoftë të kihet parasysh është se industria i ka dhënë hapësirë të pajustifikueshme një pjese njerëzish që janë drejtpërdrejtë lidhur me krimin e organizuar dhe një pjesë e konsiderueshme e pronarëve të këtyre kompanive janë njerëz që kanë kaluar përmes burgjeve, përmes plagosjeve, përmes pengmarrjeve, përmes shfrytëzimit të prostitucionit e kështu me radhë.
Këtë herë vendosëm ta bëjmë të plotë ligjin, duke i përfshirë edhe bastet dhe duke i përfshirë gjithçka që është lojë fati – bastet sportive, bastet për garat me qen, garat me kuaj, luftë gjelash, janë të gjitha që ndodhin – dhe bastet online. Pra, gjithçka, edhe bingot, në mënyrë që mos krijojmë asnjë hapësirë për të pasur transformime të aktiviteteve dhe për të pasur hapësira paligjshmërie të fshehura nën një licencë për diçka dhe duke bërë diçka tjetër.
Ajo që na ka bërë shumë përshtypje gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë mbështetja shumë e madhe e, në radhë të parë, grave dhe vajzave. Nisma ka pasur një mbështetje siç ndodh rrallë në Shqipëri, ku politika është shumë e ndarë, ku shoqëria është shumë e ndarë në kampe, me mbi 70% të qytetarëve që e mbështesin, por janë mbi 90% gratë dhe vajzat që e mbështesin. Kjo është shumë domethënëse për sa keq ndikon në familje përfshirja e një anëtari të familjes, e një djali apo e një burri, apo e burrit dhe djalit bashkë, në këtë aktivitet që prodhon sëmundje. Realisht sëmundje.
Ajo që është specifike për situatën e Shqipërisë është se ata që lozin bixhoz në Shqipëri, gati 70% e tyre e fillojnë 10-15 vjeç. Kjo është e tmerrshme!
Ashtu sikundër janë mbi 70% e tyre, sipas studimeve, që kanë probleme stresi dhe nervozizmi, që i çon deri në kriza familjare.
Ka një diskutim lidhur me punësimin e atyre që do të dalin të papunë nga mbyllja e këtyre aktiviteteve. Patjetër që nuk do të jetë e lehtë, por ne do të bëjmë çmos që t’i krijojmë mundësinë që të kualifikohen përmes programit të trajnimit. Ne po bëjmë një program të ri trajnimi për gjithë punëkërkuesit e papunë, sepse ajo që ndeshim është shpesh pamundësia për të hyrë në punë, si pasojë e mungesës së kualifikimit. Në këtë program do të përfshihen dhe ata që dalin të papunë nga kjo histori. Por kini parasysh që janë afro 700 milionë dollarë që qarkullojnë në këtë ekonomi dhe që nuk do shkojnë për lumë apo për llum, por do mbeten në arkën e familjeve dhe do të jenë pjesë e konsumit familjar, e konsumit të shëndetshëm familjar.
Disa kryetarë bashkish më kanë thënë që në pikat e basteve nëpër qytetet e tyre i gjen me shumicë burrat e familjeve me ndihmë ekonomike. Marrin ndihmë ekonomike e shkojnë dhe e hedhin atje. E hidhnin dhe për Interin që është një problem më vete, por kjo është temë tjetër, se një ndër arsyet pse Bashkimi është gëzuar me këtë mbylljen e basteve është ngaqë Juvja fiton gjithmonë dhe këta ngelen gjithmonë të dëshpëruar dyfish.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces pati qëndrueshmëria e gjithë deputetëve të Partisë Socialiste dhe në radhë të parë, e deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, sigurisht edhe e Fred Kokoneshit, Erjon Braçes, që e shohin dhe të vogël dhe u duket më i lehtë për ta sulmuar, por nuk e dinë që kur të kthehet mbrapsht është sa 5 si puna ime, kështu që më mirë të më sulmosh mua 5 herë dhe nuk ka rrezik që të të kthehem, se sa të sulmosh Erjonin një herë, se të kthehet 5 herë.
Më e bukura e të të bukurave ishte që mbasi u votua ligji, mbasi u shkrua e zeza në të bardhë gjithçka që rrëzonte të gjitha shpifjet, prapë dolën dhe prapë shpifin. Vazhdojnë të njëjtën histori. Vazhdojnë shpifin. Megjithatë, ata e kanë zgjedhur rrugën e vetëshkatërrimit dhe mbase këtë herë, kur të shkojmë në zgjedhje, më në fund do ta kuptojnë që janë vetëm duke u thelluar në rrugën e vetëshkatërrimit nga zgjedhja në zgjedhje, sepse nuk kanë pikën e fuqisë që të shikojnë realitetin dhe të njohin situatën e tyre e të kuptojnë që janë të humbur me ne, nuk kanë shans të na mundin për 1001 arsye që lidhen me njerëzit e zakonshëm. E nëse duan të fitojnë, duhet ta fillojnë analizën nga vetja, jo ta hedhin gjithmonë fajin jashtë vetes.
Përtej kësaj, ajo çka na takon, është se rrugën e vetëshkatërrimit, ata e kanë zgjedhur vetë, ndërkohë që në rrugën e gjyqeve do t’i çojmë ne.Do të kenë gjyqe të panumërta për shpifje. Do të rrinë nëpër dyert e gjyqeve për një kohë të gjatë dhe do japin lekët kokërr më kokërr për çdo shpifje. Për çdo rast kur nuk do provojnë dot që ajo që kanë thënë është e vërtetë, do paguajnë dhe me lekët e mbledhura nga pagesat e tyre, pasi të ndëshkohen si shpifës, ne kemi vendosur të ngremë fondin e edukimit në Partinë Socialiste dhe ato para do t’i çojmë tek nxënësit e shkollave, tek fëmijët e çerdheve apo të kopshteve për të ndihmuar e të jeni të sigurt që do bëhet një sasi jo e vogël, se janë shumë gjyqe.
Kryeministri Edi Rama: Një betejë që ne tani jemi përgatitur dhe do ta nisim, është beteja kundër alkoolit, tregtimit të alkoolit për të gjithë vajzat dhe djemtë nën 18 vjeç. Qeveria po përgatit një vendim që do i përcillet të gjithë njësive tregtare, ku do t’i bëhet shumë e qartë që, nëse kapen duke tregtuar alkool për të rejat dhe të rinjtë nën 18 vjeç, do të përballen me pasoja shumë të rënda. Herën e parë me një mbyllje për “X” muaj të lokalit dhe herën e dyte me mbyllje përgjithmonë të lokalit. Paralelisht me këtë do të ndalojmë hyrjen e vajzave dhe djemve nën 18 vjeç në lokal, gjatë orëve të mësimit. Asnjë lokal, asnjë klub, asnjë disko, asnjë lloj njësie tjetër nuk do të duhet të lejojë nxënës shkollash që hyjnë në lokal gjatë orëve të mësimit. Do ta përcaktojmë shumë qartë se çfarë do kihet parasysh me orë mësimi, sepse e dimë shumë mirë që ka edhe dy turne orët e mësimit dhe vetëm të shoqëruar me mësues, apo vetëm të shoqëruara me prindërit mund të thyhet ky rregull për arsye që lidhet me organizmin e një ditëlindjeje apo feste, por përndryshe do të sanksionohen lokalet që do e bëjnë këtë gjë. Është e patolerueshme që nxënësit të mbushin lokalet gjatë ditës, ndërkohë që prindërit punojnë, sakrifikojnë, investojnë për t’i çuar në shkollë dhe ndërkohë që është tërësisht e pandodhur në vendet normale kjo gjë, këtu duhet të ndalet.
Ne kemi nxjerrë me buxhetin e ri, fondin për të vendosur 150 oficerë sigurie në të gjithë shkollat e mesme të vendit. Oficerët e sigurisë nuk janë policë, janë individë me formim në Akademinë e Rendit, ose në shkollën e sociologji-psikologjisë. Trajnohen për të bërë këtë punë dhe janë një element lidhës mes mësueseve, prindërve dhe një lloj elementi kujdestarie mbi nxënësit. Ata janë të detyruar të ndjekin të gjithë procesin mësimor dhe komunikojnë me policinë, në rast se ka nevojë të komunikohet me policinë. Komunikojnë me drejtorinë, kur duhet të komunikojnë me drejtorinë dhe komunikojnë dhe drejtpërdrejtë me prindërit.
Ne bëmë një projekt në 15 shkolla në Tiranë, për ta parë si funksionon. Rezultatet janë shumë inkurajuese. Prindërit ishin shumë të kënaqur në tërësi nga kjo risi. Tani do të shtrijmë në të gjithë shkollat e mesme, për të pasur një element plus, në funksion të sigurisë dhe të mbarëvajtjes së bashkëjetesës brenda oborrit të shkollës.
Ndërkohë i kemi hapur një luftë celularëve. Janë ndaluar celularët në shkolla. Për momentin, deri në fund të tetorit vazhdon një proces edukativ.Mbas fundit të tetorit, celularët do të sekuestrohen e nuk do të kthehen më mbrapsht. Kush vjen me celular në shkollë dhe kapet, e humbet celularin. Për fat të mirë, nuk jemi vetëm në këtë. Të njëjtën gjë bën nga ky vit edhe Franca. Pra, nuk ka ta marr e ta jap në fund të mësimit, por shiko mos hajde prape. U kape me celular, iku celulari dhe jo vetëm nxënësve, por dhe mesësit në procesin mësimor. Janë dhe mësues ndonjëherë që rrinë me celular dhe bëjnë muhabete, ndërkohë që u thonë nxënësve vazhdoni shkruani tezën. As për mësuesit, as nxënësit. Mësuesit e dorëzojnë para se të hyjnë në mësim dhe e marrin kur mbaron mësimi, nxënësit nuk duhet ta marrin fare me vete. Kjo është diçka që prindërit duhet ta kenë parasysh. Ne kemi bërë një anketim me prindërit dhe është një iniciativë që ka një mbështetje shumë të madhe nga prindërit, sepse prindërit janë të parët që e kuptojnë se çfarë tmerri është ai celulari. Janë bërë fëmijët që, edhe kur e ke në kuzhinë, ta çon me celular që nuk më pëlqen kjo gjella që po më bën. Duhet të jetë shumë e qartë që celularin do ta humbasin, do sekuestrohen e do shkatërrohen, nuk kthehen më mbrapsht.
E fundit lidhet me një masë tjetër, për të cilën unë jam shumë krenar për faktin që ne mund ta realizojmë. Një masë që do të ketë një ndikim pozitiv tek çiftet e reja, do ketë një ndikim pozitiv tek gjithë familjet që lindin fëmijë. Këtu ka nëna të reja që e dinë që është në fuqi një çek i bebes, të cilin e pata futur unë kur isha kryetar bashkie në Tiranë, 50 mijë lekë të vjetra. Pastaj u rimor nga qeveria, u bë për të gjitha bashkitë dhe që atëherë, ka më shumë se 10 vjet, mbeti 50 mijë lekë të vjetra. Ne tani kemi mundësinë që ta ndryshojmë komplet këtë politikë dhe ta kthejmë nga një masë simbolike në një politikë të mirëfilltë sociale, duke e 8-fishuar për beben e parë në 400 dollarë, pastaj duke e 16-fishuar për beben e dytë në 800 dhe pastaj 1200 dollarë për beben e tretë. Herë pas here më pyesin po kur bëjmë dy përnjëherë, dua ta sqaroj se në rastin kur lindin dy përnjëherë, marrin të dy 800, se nuk do t’i themi ti që dole i pari do marrësh më pak, se ai që del i pari meriton edhe komplimente se është më i shpejti për të dalë. Madje kemi pasur goxha trinjakë në Shqipëri këtë vit, në një numër jo të vogël dhe në rastin kur vijnë tre, të tre marrin 1200 dollarë.
Unë kam një përvojë personale. Para një viti jam diagnostikuar me një lloj tumori dhe kisha nevojë për një lloj medikamenti, Avastin. Ishte një problem shumë i madh për mua. Kalova në një depresion, jo vetëm unë, por e gjithë familja ime. Mirëpo me mundësinë e miqve të mi gjeta numrin e ministres, të cilës i bëra një mesazh dhe ajo më ktheu një mesazh shumë shpejt, që unë, nëpërmjet jush, dua ta falënderoj dhe e bëj Avastinën tani rregullisht. Por kam dhe një kërkesë tjetër. Ne bëjmë vazhdimisht analiza për qeliza tumorale dhe unë jam pensioniste, nuk arrij dot t’i bëj me pensionin, sepse bëhen në privat. Dua t’u kërkoj ndihmë që analizat t’i bëjmë në shtet, nëpërmjet reagentëve që mungojnë në shtet.
Kryeministri Edi Rama: Me këtë rast dua të them 3 gjëra; Së pari, ju lutem shumë, nuk do lodhem së përsërituri, në rast se keni një problem me shtetin, kam parasysh zyrat e shërbimeve të shtetit, – se shtet janë dhe gjykatat, por ne nuk kemi asnjë fuqi me gjykatat, janë pushtet më vete, – në rast se keni një problem me ministrisë, ju lutem shumë mos kërkoni as numrin e ministrit, as deputetin, as kryetarin e bashkisë e askënd tjetër, kushëri apo rrugë leku, thjesht çoni një mesazh te www.shqiperiaqeduam.al. Kush ka celular mund ta shkarkojë falas dhe e ka aty. Kush nuk ka celular mund të shkojë te njësia administratave, ish komuna, apo te zyra e Postës, mund të shkojë edhe te zyrat e bashkëqeverisjes që kemi hapur ne si Parti Socialiste për të ndihmuar dhe thjesht jep kartën e identitetit dhe e shkruani atje. Për 3 minuta, ajo shkon drejt dhe del te ekrani i ministrit. S’ka nevojë fare as të të njohë, as të të dijë, asgjë, duhet patjetër brenda 10 ditësh të të japë përgjigje. Kemi zgjidhur 16 mijë raste brenda një viti, qëkur ka filluar funksionimi i platformës. Mund të zgjidhim edhe shumë më tepër, nëse të gjithë e bëjnë këtë gjë, pa u lodhur fare. Kush është i moshuar pensionist e ka një nip a një mbesë që kur janë në shtëpi, ta hapin celularin dhe ta bëjnë këtë për gjyshen apo për gjyshin. Është gjëja më e kollajshme dhe funksionon. Më besoni, funksionon! Nëse nuk më besoni, vendoseni në provë. Me Hipotekën me ALUIZNI-n, me mbifaturimin e dritave, me llogarinë e pensionit, me çështjen e ilaçit, me çështjen e cilësdo zyrë, apo dhe me një çështje të komunitetit, thjesht shkruajeni aty dhe të vjen menjëherë përgjigja që e morëm mesazhin tuaj dhe do t’ju japim përgjigje brenda 10 ditëve. Brenda 10 ditësh të marrin në telefon dhe të thonë, shko merr hipotekën, shko merr ALUIZNI-n. Ose, në rastin kur s’të takon, të thonë nuk të takon. Ka dhe raste të tilla.
Përsa iu përket medikamenteve, – se këtu është çudi e madhe, sepse, për fat të keq, ekranet e televizorëve dhe këto faqet e tjera të informacionit janë të mbushura vetëm me “zi, zi, zi”, “krim, krim, krim”, “kushëriri qëlloi me thikë kushëririn” etj. dhe kur vjen puna te shumëçka që është bërë dhe që vlen si informacion, jo për propagandë, as nuk thuhet fare – ne e kemi çuar faturën e pagesës nga buxheti i shtetit për ilaçe, duke përfshirë edhe 600 mijë njerëz të pasiguruar, – nuk janë të siguruar sepse kanë pamundësi sigurimi, jetojnë në fshat, nuk kanë sigurime, – mbi 105 milionë dollarë. E dini sa ka qenë rimbursimi kur ne kemi filluar qeverisjen? Pak më shumë se gjysma e kësaj shume. E kemi çuar 105 milionë dollarë, që i nxjerr arka e shtetit për të paguar ilaçet e njerëzve.
Përpara disa kohësh, në një dëgjesë u ngrit çështja, e Herceptinës. Herceptina është ilaç super i shtrenjtë, ilaç jetik për gratë dhe vajzat me kancer të gjirit. Çfarë ndodhte në të kaluarën? Merrej në doza shumë të vogla dhe jepej me lekë, ose me mik. Të tjerat nuk e merrnin. Arsyeja ishte sepse ishte shumë i shtrenjtë.
Çfarë bëmë ne?
Ministrja e Shëndetësisë bëri një negociatë me kompaninë e huaj, duke i kërkuar, duke ekspozuar të gjitha arsyet pse do donim të kishim një çmim të arsyeshëm, për të ndihmuar këto gra në pamundësi për ta blerë me çmimin normal për të gjitha gratë, sepse, ose duhet ta marrin të gjitha, ose s’mund ta japësh. Jo vetëm që e merrje me mik, por nuk e merrje të gjithë dozën. Ju e dini shumë mirë. Merr 2, pastaj pas 3 muajsh. Ajo nuk funksionon dhe bëhej një farsë komplet. Ne e siguruam. Sot, të gjitha gratë që kurohen nga kanceri i gjirit në të gjithë republikën marrin Herceptinën falas. Është një ilaç me efekt shumë pozitiv dhe është, si të thuash, garancia më e fortë që ka sot për sot, edhe pse në këto lloj sëmundjesh s’ka asnjëherë garanci 100.
Edhe në rastin konkret e kam dëgjuar Avastinën, pasi dhe unë kam marrë mesazhe për këtë. Ne zakonisht iu përgjigjemi njerëzve kur na çojnë mesazhe dhe ajo që nënvizoj është, ju lutem www.shqiperiaqeduam.al është një klik dhe gjen “mikun” më të fortë, gjen ministrin vetë, pa e njohur fare. Nuk ka rëndësi fare kush je e nga shkruan. Njerëzit nga Amerika deri nga Australia kanë kërkuar nga www.shqiperiaqeduam.al zgjidhje për çështje prone, hipoteke, legalizimi, ALUIZNI dhe e kanë marrë nga Australia. S’ka nevojë, e bën interneti këtë punë.
Ne po përgatisim, bile po bëjmë dhe një shtjellim pak më të detajuar, me gjithë vështirësinë që krijojnë ekranet që nuk janë të interesuar fare për këto çështje, për të treguar se sa shumë para kemi spostuar nga arka e shtetit në arkën e familjeve, duke filluar që tek taksa e ndershme progresive që zëvendësoi atë marrëzinë e sheshtë me 10%, – paguante sanitarja e Kryeministrisë, taksë më të lartë se Kryeministri, shoferi i Kryeministrit taksë më të lartë se Kryeministri, apo furra e bukës taksë më të lartë sesa 15-katëshi në Tiranë dhe nuk diskutohet pak më të lartë sesa lotot e kazinotë, që nga ajo dhe tek një sërë masash të tjera.
Kontrolli mjekësor bazë, për fat të mirë, sot janë 1.2 milionë dëshmi njerëzisht që e kanë bërë një herë, dy herë, apo tre herë. Një analizë e përgjithshme mjekësore që të jep mundësinë të marrësh vesh çfarë ke në trup, edhe në qoftë se duhet të parandalosh diçka që ti nuk e di fare se e ke dhe kur të del në fund që e ke, ajo është kosto e lartë për shëndetin, është dhe kosto financiare. Kontrolli mjekësor bazë e gjitha që paguhet nga shteti, për ta marrë falas individët. Nga mënyra sesi e tregojnë këta shpifësit, duket sikur ne kemi marrë lekët e shtetit dhe ia kemi dhënë privatit që ta bëjë. Në fakt, 1.2 milionë analiza, e dini se sa do të kushtonin me tarifën e analizave të kontrollit bazë që kishin paraardhësit tanë në pushtet? Ishte 81 dollarë një analizë dhe askush nuk shkonte ta bënte. Se ne nuk e kemi, – edhe unë që flas, – në kulturën tonë që të shkojmë te mjeku të bëjmë analiza, nëse nuk na dhëmb ndonjë gjë. 81 dollarë e kishim. Sot, nga arka e shtetit, ne paguajmë shumë herë më pak dhe njerëzit e marrin falas. Ato kushtojnë se janë mjete, janë instrumente, janë laboratorë e falas do të thotë që falas e merr ti si qytetar, por shteti paguan për ty. Kjo është falas. Nuk është falas që vjen nga qielli. Do t’ju nxisja që ta bënit kontrollin. Është diçka që të merr një kohë të shkurtër, por të jep një pasqyrë të plotë të të gjithë gjendjes së organizmit dhe kupton nëse duhet të marrësh masa. Nga kontrollet kanë dalë rezultate nga më të rëndësishmet për njerëzit, për të kuptuar çfarë masash duhet të marrin për një shfaqje në organizëm, para se të kthehet në sëmundje.
Pas çdo burri të suksesshëm qëndron në grua. Unë jam një kosovare që kam tremuaj që jetoj këtu dhe punoj si kardiologe. Unë kisha një kërkesë Zoti Kryeministër, të mos e pranoni ndarjen e Kosovës. Kjo do të jetë një kërkesë edhe për qeverinë e Kosovës. Por do ta kërkoja nga ju si shqiptar, si intelektual, si burrë shteti, ju lutem mos e pranoni ndarjen, se mjaft jemi ndarë.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për fjalët tuaja. Jam shumë dakord që pas çdo burri të suksesshëm ka një grua të fortë. Pa Shotë, s’do kishte Azem Galicë. Nuk diskutohet, sipas meje. Tani do çohen burrat e Kosovës e do thonë, “jo, po…”. Unë këtë mendim kam. Ashtu sikundër, unë e kam bindje që shqiptarinë mund ta shpëtojnë vetëm gratë, se burrat e kanë treguar që nuk e shpëtojnë dot.
Përsa i përket asaj që ju thatë, unë personalisht them që ne duhet të mendojmë si të bashkohemi, jo si të ndajmë këtë apo atë, por si të bashkohemi me njëri-tjetrin. D.m.th., këto të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nëse i shohim të ndara, atëherë ngatërrohemi. Në qoftë se i shohim të lidhura, kuptojmë se çfarë rruge kemi. Por në fund të ditës, kjo i takon në radhë të parë atyre që janë në Kosovë, se ju thatë që nuk e ka bërë asnjë atë që bëra unë. Në fakt, ata që janë në Kosovë kanë bërë luftën, unë nuk e kam bërë luftën. Kështu që kanë bërë më shumë se unë në Serbi për Kosovën, besoj dhe nuk e them për modesti, por sepse kjo është e vërteta. Kështu që, shumë faleminderit për fjalët.
Të falënderoj shumë për mbylljen e lotove. Unë kam dhe një hall shumë të madh. Kam dy vajza të sëmura. Me karrocë i çoj, por nuk po e përballoj dot me gjendjen time financiare për t’i çuar në shkollë. Terapinë ua kam lënë, se s’mundemi, jemi të dy, burrë e grua, vetëm me ato merremi. Ç’mund të bëjmë ne? Kemi vajtur në bashki. Nuk e di a i ka vajtur në vesh apo jo kryetarit. Kam shumë respekt. Bashkia na ka thënë që vajzës së madhe nuk i takon. Në daç të shkojë në shkollë, në daç të mos shkojë.
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që është e thjeshtë, në kuptimin për të marrë përgjigje. Të lutem, te bashkia apo vetë, një mesazh sqarues me kartën e identitetit, me emrat konkretë, tek www.shqiperiaqeduam.al dhe numrin e telefonit dhe për 10 ditë do merrni zgjidhen që ju takon pa shkuar andej-këtej. Do merrni përgjigjen nga Ministria e Arsimit, nga Ministria e Mbrojtjes Sociale, sipas kanalizimit që do i bëhet problemit dhe çfarë ju takon do ta merrni, patjetër.
Shumë faleminderit!