Kryeministri Edi Rama në takimin me studentë të Universitetit “Ismail Qemali”, të Vlorës mbi Paktin për Universitetin:
Shumë faleminderit për mundësinë!
Besoj që është më mirë ta zhvillojmë pjesën tjetër me pyetje-përgjigje në mënyrë që edhe të ezaurojmë aspektet që lidhen me Paktin për Universitetin, por edhe të mund t’i adresojmë ato çështje, apo ato pyetje që natyrshëm ju mund të keni.
-Unë dua t’ju falënderoj publikisht për kalimin në përgjegjësi administrative të truallit të Infermierisë, sepse është mjaft e nevojshme që të rindërtohet një godinë e re për Fakultetin e Infermierisë. Do t’ju lutesha që ky projekt të financohet nga qeveria në mënyrë që të përfundojë brenda afatit.
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi hapur një proces mbledhjeje të të gjithë informacioneve nga të gjitha universitetet lidhur me nevojat, qoftë në aspektin e infrastrukturës, qoftë në aspektin e logjistikës dhe kemi ndërtuar disa marrëdhënie partneriteti mes ministrive dhe universiteteve, sipas fushave. Në të njëjtën kohë janë ngritur grupe pune, që jo vetëm do të sigurojnë mbledhjen e të gjitha të dhënave për nevojat, por edhe do të mundësojnë realizimin e projekteve përkatëse, sepse për të financuar një proces si ky na duhen projekte dhe një program i mirëfilltë mbështetjeje. Objektivi është që deri në vjeshtë, ne të mund të kemi këtë program në dispozicion dhe pastaj të fillojmë procedurat, duke bërë thirrje të hapura për ofertues të ndryshëm, në mënyrë që të nisim nga puna konkrete në fillim të vitit të ardhshëm. Po kështu, edhe pjesa e konvikteve. Kemi filluar një punë intensive për rindërtime dhe pajisje të konvikteve sa më mirë. Do të vazhdojmë dhe do të ndërhyjmë në të gjitha konviktet e Shqipërisë, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë për të garantuar kushte dinjitoze dhe për të bërë të mundur që e gjithë ajo problematikë e trashëguar në konvikte të adresohet njëherë e mirë dhe të mund të kalojmë në një fazë tjetër.
Përsa i përket konkretisht Infermierisë që ju e ngritët, e përsëris është një nga nevojat që ka Universiteti i Vlorës. Duhet të përfundojë procesi i administrimit dhe listimit të të gjitha nevojave, projektet përkatëse dhe pastaj vjen faza e financimit.
-Para një viti ju keni qenë në Universitetin e Vlorës dhe keni paraqitur projektin për ngritjen e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve. Kur mund të fillojë ky proces?
Kryeministri Edi Rama: Ke një pasaktësi në këtë që the. Nuk e kam paraqitur unë projektin. Më është paraqitur mua projekti. Pra, unë kam qenë shikues i projektit që na u paraqit nga disa pedagogë, nën kujdesin e rektorit. Kështu që kjo është një pyetje për rektorin, se u bënë muaj që të gjitha pyetjet që keni për pedagogët, për rektorët, për Flamurtarin, m’i bëni mua. Unë dakord jam, por qeveria nuk është nënë e babë. Qeveria ka detyrat e veta. Nuk i ka të gjitha, nuk i bën dot të gjitha. Jam shumë i lumtur të bëj dhe sekretarin e Universitetit në zyrën time në ëhatsupp ku s’ka orar, ku edhe në orën 02:00 të natës, – tani më pak, por pak kohë më parë vinin shumë mesazhe, – vijnë mesazhe: “O daku çfarë do bëhet me tarifat?” “Pse s’përgjigjesh?” “Mos fli!” “Pse fle online?” Unë iu përgjigjem të gjithëve, por në rastin konkret mendoj që duhet të na japë llogari rektori, se dhe unë si puna jote jam. E kam parë projektin dhe s’di çfarë bëhet me projektin.
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Roland Zisi: Studenti ka të drejtë për pyetjen në raport me përgjigjen e rektorit. Ai ishte një projekt që u paraqit para jush dhe disa ministrave. Ju keni dhënë kontributin e madh që keni iniciuar bisedimet fillestare, por duke ditur që ky është një projekt ndërkombëtar, elementët e tij shkojnë deri në Bruksel dhe ka qenë një problem jashtëzakonisht i vështirë, për të bërë bashkë disa faktorë.
Zv/ministri i Arsimit: Situata ishte e bllokuar nga një vendim institucional ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Delegacionit të BE. Këto probleme nga pala qeveritare janë zgjidhur, për fat ka një angazhim pozitiv edhe nga delegacioni i BE në shprehje interesi. Do ta ndjekim në ditët në vijim dhe do ta shohim se si do konkretizohet në avantazh të rezultatit.
Kryeministri Edi Rama: Të gjitha projektet kanë nevojë për kohë. Këtu ne diskutojmë për rrugët, por, nëse do të shikojmë sesi bëhen në harkun e kohës veprat e infrastrukturës në Bashkimin Europian, marrin kohë të gjatë, që nga studimet, deri te procesi i financimit dhe i realizimit.
Para se të vinim këto po shikonin anoncimin e drejtorit të Turkish Airline me ministren për Air Albania, që, praktikisht, sot është firmosur marrëveshja financiare. Natyrisht është e pamundur që t’iu shkosh pas të gjithëve, megjithëse unë mundohem që t’u shkoj pas sa më shumë njerëzve, t’iu jap përgjigje, t’iu shpjegoj, por është e nevojshme të kuptohet që projektet duan kohë. Air Albania në të gjithë këtë fazë, – ku çfarë nuk u bë e çfarë nuk u tha, jo, “iku”, “humbi Lasgushi”, – ka pasur procedurat e testimeve, procedurat e trajnimeve dhe procedurat legale të brendshme dhe të autorizimeve ndërkombëtare. Është përfunduar procesi i nënshkrimit të marrëveshjes financiare, sot ka ndodhur nënshkrimi dhe për kohën që vjen, shpresoj në një kohë të arsyeshme do të merret certifikimi i kompanisë pastaj do të hyhet në procesin e marrjes së të gjithë dokumentacionit që lidhet me fluturimet ndërkombëtare në Europë, për të cilat ne kemi marrë një përgjigje pozitive nga të gjitha verifikimet që janë bërë nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare për strukturën dhe të gjithë aspektet e tjera teknike. Kështu që është një proces.
E solla këtë si shembull se është i freskët sot, por mund t’ju jap shumë shembuj të tjerë. Ashtu sikundër është një proces, edhe procesi i financimit dhe i fillimit të të gjithë këtyre projekteve që ne do të bëjmë për universitetin. E rëndësishme është që ne kemi bërë një spostim masiv të hapësirës fiskale nga projekti i autostradës Thumanë-Kashar te Pakti për Universitetin dhe kështu do të kemi në dispozicion volumin më të madh të financimit që ka pasur ndonjëherë shteti shqiptar për arsimin e lartë, besoj të krahasueshëm, në pikëpamje të financimeve në arsimin e lartë, në infrastrukturë. Është një volum më i madh se i 30 viteve të mara së bashku. Por në aspektin e financimit konkret, kjo do të kërkojë projekte të detajuara për çdo universitet, gjëra që universiteti nuk i ka bërë në tërësi, nuk i kanë projektet. Bashkërisht do t’i bëjmë dhe do të fillojmë pak na pak t’i financojmë me synimin që brenda këtij mandati qeverisës të kemi hapur dhe përfunduar një pjesë të kantiereve të infrastrukturës së universitetit, të logjistikës, kam parasysh nevojat që janë për laboratorë, për mjetet didaktike dhe të konvikteve, është masive. Patjetër që do ta realizojmë.
Tjetër është edhe është çështja e vlerësimit të titujve shkencorë. Ka qenë një nga pikat më të nxehta të protestës. Është një nga arsyet pse pedagogë të caktuar janë bërë bashkë për të bllokuar mësimin. Lëre se çfarë thonë. Mark Markët nuk kanë lidhje me atë që thonë, kanë lidhje me përpjekjen që do të shkojë duke u bërë më agresive në forma të ndryshme, ju do ta shikoni, për t’iu shmangur verifikimit të titujve, që është një nga arsyet pse investimet e prindërve dhe investimi juaj nuk përkthehet gjithmonë deri në fund në vlerën që meritojnë.
E dyta, ndalimi i tregtisë së librave të pedagogëve, që në këmbim të notës duhen blerë.
E treta, vlerësimi nga studentët i performancës së pedagogëve.
Janë 3 gjëra që kanë qenë gjëra kyçe të protestës. Unë kam dëgjuar çdo student, – nuk shoh televizion, e dinë të gjithë, nuk kam në shtëpi kanale shqip. Nëse hap televizorin, ose shoh filma, ose shoh sport, lajmet i marr në formë të përmbledhur nga zyra dhe e kam mbyllur kapakun e kazanit në jetën time private, – por nga protesta kam marrë të zbardhura të gjitha çfarë janë thënë nga studentët dhe çfarë është mundur të dëgjohet, qoftë edhe në protestat e mëdha, qoftë dhe nëpër lajme, çdo fjalë. Plus kam qenë shumë i vëmendshëm në ato pak takime që kam bërë në atmosferën e ndezur gjysmë revolucionare dhe gjysmë vulgare të tyre dhe mendoj që nuk e kam gabim kur them që këto 3 pika kanë qenë pika kyçe. Po të shikoni, në këta që u përpoqën ta zgjasin protestën që bënin ato bllokimet dhe ato shëmtitë e pafundme, apo në këta që thonë do protestojmë njëherë në javë, do bëjmë greva, etj., pa marrë përsipër përgjegjësinë që kanë që t’i japin mësim çdo studenti, ju nuk e dëgjoni dot, nuk e thonë ata që kur dhe si duan që të bëhet vlerësimi i titujve akademikë, vlerësimi nga studentët i pedagogëve dhe ndalimi i tregtisë së librave. E them këtë sepse kur dëgjojnë veshët që, “VKM-të janë antikushtetuese”, kjo lidhet me faktin që nuk i duan VKM-të që flasin për këto çështje.
Ndërkohë që, ne e kemi thënë shumë qartë, ne nuk duam të bëjmë vlerësimin e titujve akademikë, nuk i takon qeverisë kjo, i takon Universitetit ta bëjë këtë, por, ama, mekanizimi ka qenë aty. Ligji i arsimit të lartë, për të cilin këta flasin e flasin, e ka brenda edhe detyrimin edhe mekanizmin se si kjo duhet të ishte bërë nga vetë universiteti, apo jo? Nuk më rezulton që të jetë bërë! Prandaj kur flasim për Paktin për Universitetin nuk është një gjë e njëanshme. Nuk është që, çfarë do bëjmë ne? Është çfarë do bëni dhe ju?
Paktin për Universitetin unë e shoh në këtë fazë si një dokument angazhimesh, por shumë shpejt, në mars, në prill si një kontratë e jona me drejtuesit dhe me ju, me të gjithë ata studentë që duan të bëhen anëtarë të këtij Pakti, që duan ta nënshkruajnë këtë Pakt dhe që duan të marrin përsipër që ta ndjekin realizimin e tij. Kjo do të thotë që të jenë garantë të Paktit për sa i takon qeverisë. Nëse qeveria shkruan aty që, “do bëjmë bibliotekën digjitale deri në këtë afat”, duhet të mbajë përgjegjësi dikush nëse kjo nuk realizohet. Ndjekjen e kësaj, sigurisht që do e bëjë qeveria, por do e bëni dhe ju. Ama, ka disa gjëra që qeveria nuk i bën dot. Nuk futet dot qeveria dhe ju e patë vetë, të lirojë ambientet e universitetit. Nuk nxjerr dot qeveria studentët që zënë klasat dhe ngrenë bankat me këmbë përpjetë, sepse përgjegjësinë për organizimin e jetës akademike brenda mureve të universitetit ligji ia jep universitetit. Kur flasim për autonomi, autonomia nuk është vetëm liri, është dhe përgjegjësi dhe i takon drejtuesve të universitetit që të garantojnë mësimin për të gjithë dhe të garantojnë mbarëvajtjen.
Tek vlerësimi i titujve, nëse ju do dorëzoheni, do ta harroni, nuk do bëhet kurrë po ju them. Kurrë nuk do bëhet dhe jo ju që jeni rrugës për të mbaruar, por as ata që do vijnë nuk do të arrijnë dot që të kenë qartësi mbi kush është kush, ndër ata që ju japin mësim. Unë nuk e them për politikë, as për propagandë, e them sepse e besoj dhe e them bazuar në çfarë kam lexuar dhe në sa jam informuar, jam informuar shumë imtësisht për universitetin dhe e them me bindje që shumica e pedagogëve, nuk meritojnë të shikohen si armiq për shkak se janë të maskuar me tituj fallco. Nuk janë shumicë, por ama janë një pjesë e konsiderueshme që janë të maskuar me tituj fallco. Nuk janë doktorë shkencash, nuk janë profesorë, janë thjesht dhe vetëm sharlatanë, të cilët gëzojnë tituj, të cilët ju shesin librat juve dhe ju thonë blije librin përndryshe nuk të vë notën, – se vetë e keni thënë, unë nuk e dija që ekzistonte kjo – dhe të cilët nuk e pranojnë vlerësimin e studentëve. Ndërkohë që ne duam që të ketë një mekanizëm ku, siç ju vlerësojnë ju pedagogët me nota, ju të vlerësoni mësim marrjen çdo vit, një herë në vit dhe i ka bota mekanizmat se si janë ndërtuar. Nuk janë gjueti shtrigash, nuk janë kinezërira, janë mekanizma demokratikë dhe transparentë ku çdo student jep opinionin e vet për mësimin që merr dhe prandaj duhet ta dëgjoni me shumë vëmendje këtë gjë, ju dhe ata që na ndjekin. Edhe ata revolucionarët që bërtisnin tek dera kur erdha unë, bëjnë mirë mos ta harrojnë edhe atë sakrificë që bënë, pavarësisht se ishin keqkuptuar apo pavarësisht se mund të mos isha unë në gjendjen që ‘i kuptoja, por ato ditë që kanë ndenjur aty të mos i harrojnë që mos ju shkojnë dëm.
Sigurisht që ne bëmë tarifat. I bëmë tarifat sepse kishim mundësi t’i bënim. Unë e kam thënë dhe e them prapë. Sikur jo ju, por gjithë Shqipëria të ishte ngritur e të thoshte përgjysmoni tarifat dy vjet përpara, do thonim nuk bëhet. Mund të ishit sot akoma në protestë, nuk bëhet. Pse? Se nuk kishim mundësi. Këtë herë kishim mundësi. Tani, e kam dëgjuar shpesh pyetjen, “po mirë pse u kujtuat”, sepse prandaj jetojmë në demokraci. Jetojmë në demokraci ekzaktësisht sepse kemi detyrën të qeverisim, por kemi dhe jo vetëm detyrën, por dhe mundësinë të dëgjojmë nëse duam të dëgjojnë ata që qeverisen e duke i dëgjuar të kuptojmë e të mësojmë prej tyre gjëra që në momente të caktuara nuk i kuptojmë dhe nuk i ndjejmë që po ndodhin. Kjo është edhe arsyeja pse unë e kam theksuar dhe e theksoj me forcë çdo ditë, “bashkëqeverisje, bashkëqeverisje”. Nuk është slogan, por është nevojë. Duke dëgjuar ata, të cilët ngrenë zërin, mëson. Një mjek është profesionist dhe kur të viziton, të bën 1000 pyetjet përpara se sa të arrijë në konkluzion, pra ka nevojë të dëgjojë atë që ka një dhimbje. Është e njëjta gjë edhe në këtë proces. Qeveria ka nevojë të dëgjojë për të kuptuar dhe për t’i vendosur diagnozën e saktë një problemi dhe për t’i dhënë zgjidhje një problemi apo për të kuptuar veten se ku është. Ky është procesi dhe në këtë proces ne kemi nxjerrë jo pak konkluzione dhe kemi bërë një reflektim besoj unë serioz, jo vetëm mbi bazën e atyre që ishin shkruar 8 kërkesat, por kemi shkuar shumë përtej tyre. Kemi reflektuar edhe tek vetë mënyra dhe procesi qeverisës përtej fare studentëve. Pra, ajo protestë ne na ka përmirësuar. Ajo protestë ka krijuar kusht për të përmirësuar jetën universitare. Ne do ta bëjmë pjesën tonë. Pjesa jonë është të financojmë infrastrukturën. Pjesa jonë është të financojmë logjistikën. Pjesa jonë është të financojmë studentët me nënta dhe dhjeta, 100% tarifën dhe 100 mijë lekë bursë në muaj. Pjesa jonë është të financojmë ata që janë në nevojë, me ndihmë ekonomike apo ata që janë të pamundur për arsye fizike apo ato kategori të tjera që përcakton pakti,por nuk mbaron këtu. Ka një pjesë që e ka universiteti dhe këtë pjesën që ka universiteti, jeni ju që duhet ta ndiqni.
Qeveria nuk e ndjek dot përtej kësaj sepse qeveria nuk ka mundësi të urdhërojë universitetin, është zgjedhja që kemi bërë, autonomia universitare. Ashtu sikundër, edhe cilësia e mësimit dhe cilësia e teksteve dhe cilësia e pedagogëve. Është pjesa juaj. Kur ju kam thënë që unë do mbetem protestuesi i fundit, nuk kam bërë shaka. Tani, e vetmja gjë që unë nuk dua të ndodh është të ngelem i fundit e të mos më dëgjojë njeri nga protestuesit e tjerë. Thonë lëre tani, e bëmë atë një herë, pse prapë do i kthehemi asaj pune? Mirë i kemi këta që janë doktorë shkencash dhe një ditë shkencë nuk kanë bërë, se mund të vijë dhe kjo ditë dhe ka shumë gjasë që të vijë kjo ditë nëse ju do rrini mbi sustën e dritës, do fiket drita e nuk do e kuptoni që e ka fajin kurrizi juaj.
– Përshëndetje! Doja të pyesja në lidhje me masterat. Kam vënë re që tek shkencat humane, parashkollori ka një rritje të tarifës, nga 900 mijë lekë që ishte, ka vajtur 1 milionë e 200 mijë lekë. E bëj këtë pyetje sepse kam motrën time që studion, është viti i parë në master dhe doja të pyesja, pse është kjo ngritje, se duket nga një anë sikur na e hiqni ne të bachelor-it dhe ua vendosni masterave. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: E para e punës, prapë po drejtohesh gabim se nuk i kam unë këto fare. I ka universiteti dhe prandaj unë nuk po ta jap fare këtë përgjigje. Ne nuk heqim nga njëra anë dhe ja vendosim tjetrës. Tek masterat ne nuk ndërhyjmë fare. Tek masterat, ne paguajmë gjysmën e tarifës së atyre me 9-10 dhe të atyre me ndihmë ekonomike. Nuk kemi asnjë ndërhyrje tjetër tek masterat, por rektori mund ta japi këtë përgjigje se nëse është rritur tarifa, ky e ka rritur, jo unë. Duhet ta mësoni këtë gjë se të gjitha i kërkoni këtu, dakord, kërkojini. I mbaj unë nuk ka problem, unë mbaj edhe bojë, jo më llafe. Problemi është që të zgjidhet e të merret përgjigje nga burimi i duhur.
Nuk është rritur, nuk është hequr nga bachelori dhe është rritur, përkundrazi, universiteti Ismail Qemali ka tarifat më të ulëta dhe i ka edhe për masterat në raport me të gjithë universitetet e tjera. Me detaje, hajdeni në zyrën time edhe në mbarim të këtij takimi dhe ju sqaroj se e kam për detyrë. Faleminderit!
Rektori i Universitetit “Ismail Qemali” Roland Zisi: : Faleminderit zoti kryeministër. Çështja e pyetjes që bëri studentja lidhet jo me vendimmarrjen e rektorit, në kuptimin personal, por lidhet me vendimmarrjen e departamenteve dhe fakulteteve, por në fund është bordi i administrimit dhe senati ai që përcakton, duke u nisur nga kostot e mësimit për çdo student dhe çfarë harxhohet për procesin mësimor, por për të mos e zgjatur, unë ju ftoj që të vini në zyrë.
Kryeministri Edi Rama: Direkt nga mbas kësaj, bashkë, e ke faturën me vete? Po motrën ku e ke? Nuk e gjejmë dot faturën ta çojmë tek rektori. Merre motrën, thuaji të sjelli faturën dhe shkojmë bashkë e verifikojmë, por unë kam besim që në këtë rast rektori është i saktë sepse rektori, mos harroni, ka qenë në Gjirokastër. Nuk ka shans që të ngatërrojë shifrat dhe prandaj keni tarifat më të ulëta se keni rektorin që ka ardhur nga Gjirokastra. Ka ndonjë pyetje? Kaq të qartë jeni për të gjitha? Kjo tregon se këtu janë marrë pagesat, do me thënë, gjysma e tarifës është paguar, bursat janë marrë, që do të thotë që janë kthyer edhe lekë. Janë kthyer ata që kishin paguar 100%. Kanë marrë 50% mbrapa, prandaj kanë rënë në qetësi. Por është shembull për ata që na ndjekin, se kam çdo ditë ankesa që kur do i marrim, njëri e thoshte bukur, “kur do na e mbushni”, se ai si duket e lidhte me mbushjen e kartës së telefonit ose me mbushjen e skedinës, nuk e di, por dua t’ju them të gjithë atyre që nuk i kanë marrë akoma lekët e bursës apo që nuk u është përgjysmuar akoma tarifa që kjo është vetëm për shkak të dokumentacionit që duhet të na vijë nga sekretaria e universitetit dhe ky është një tjetër çmim që pjesa dërrmuese ju paguan atyre që rrinin dhe bllokonin klasat dhe që do bënin revolucion, duke ngritur bankat me këmbë përpjetë dhe e vetmja gjë që bën është që dëmtuan procesin mësimor dhe dëmtuan të gjithë të tjerët, duke vonuar të gjithë këtë proces të pagesës.
Megjithatë, fondet aty janë, nuk është se do digjet muaji janar apo muaji shkurt dhe për ta mbyllur, dua të risjell në vëmendje atë që e preku zëvendësministri, punësimin. Ne kemi hapur një platformë për të gjithë ata që kanë mbaruar me 9-10 dhe që mbarojnë sivjet, të gjitha vendet e punës, dua ta dëgjoni mirë këtu, të gjitha vendet e punës që janë të lira, në administratën publike do të jenë në dispozicion të kësaj kategorie. Të gjitha. Janë shpallur 800 vendet e para, është vetëm thirrja e parë, do të ketë të tjera dhe njëkohësisht po bëhen gati vendet e lira të punës në administratën jopublike. Dallimi është që një pjesë e administratës është shërbim civil që ka një status të veçantë problemi që kemi hasur vazhdimisht dhe pyetja që na është bërë vazhdimisht, “unë kam mbaruar me të gjitha 10 dhe nuk futem dot në shërbimin civil, nuk më pranojnë në konkurs se nuk kam eksperiencë, po eksperiencën ku do e marr unë?” dhe pikërisht për t’i dhënë mundësinë e marrjes së eksperiencës, bëhet futja direkte në punë dhe futja në punë do të bëhet sipas pikëve, pra pikët janë notat. Ai që ka 10.00 në financë po themi, është i pari që ka të drejtën të zgjedhë. Nëse dikush që është 10.00 dhe ka aplikuar dhe ka mbaruar jashtë shtetit, nuk zgjedh. Pra ai që ka 10.00, në 17 vende po themi që janë në financë, ministria e financave, tatimet, dogana e ku di unë, thotë dua këtë vend. Mbasi zgjedh, vjen radha e atij që është 9.9. nëse ai që është 9.9 thotë unë nuk dua se do shkoj në sektorin privat i vjen radha atij që është 9.8. Pra është zgjedhje bazuar mbi pikët. Ndërkohë që pjesa tjetër e administratës që nuk është shërbim civil, për shembull, hipotekat nuk janë shërbim civil ALUIZNI nuk është shërbim civil dhe ka një sërë strukturash të tjera, të gjitha vendet e lira aty do jenë prap në dispozicion të studentëve të kësaj kategorie, të atyre që kanë mbaruar vjet dhe sivjet. Mbasi të ezaurohet kjo, do të shtyhemi edhe një vit më përpara e kështu me radhë për t’i dhënë mundësi edhe të tjerëve. Kështu që, falë protestës së studentëve, kemi mundësinë që t’i mbyllim rrugë përfundimisht të gjithë prurjeve nga rrugët e tjera të jetës, por që përgjithësisht kanë ardhur në mënyrë tradicionale nga tepsia e t’i japim mundësi më të mirëve që të kenë vendin e tyre në shoqëri, duke pasur të drejtën të zgjedhin sepse mbasi kanë sakrifikuar gjithë jetën studentore dhe përpara jetës studentorë dhe kanë marrë notat më të mira, u takon që të zgjedhin. Kjo është gjëja që doja ta ritheksoja në fund. Edhe aty kemi pasur një problem, sepse një pjesë e studentëve nuk kanë mundur dot të aplikojnë sepse nuk merrnin dot dokumentet. Ata që kanë mbaruar shkonin tek sekretaritë, jo është mbyllur jo është zënë rruga, jo janë korridoret me ata të tjerët që nuk të lënë. Kemi shtyrë deri në datën 18 shkurt dhe mbas datës 18 do të bëhen shpalljet e vendeve sipas kërkesave që kanë bërë vetë studentët duke, i renditur me pikë dhe e mira e platformës është që ti shikon të tjerët, nuk është se ti merr vesh vetëm rezultatin tënd. Nëse ti ke aplikuar, nëse ti thua unë dua të shkoj në këtë vend, ti e shikon s kush e ka zonën atë vend dh ti ke mundësi ta masësh rezultatin tënd, në krahasim me atë që ta ka zënë vendin. Nuk ka shans që të ta zëri vendin dikush që ka pikë më pak se ty. Mund të ta zëri vetëm ai që ka më shumë se ty. Ka dhe një gjë tjetër që të jemi të qartë për këtë. Kjo është e imja, është urdhëri im që kur janë pikë të barabarta, midis një vajze dhe një djali, fiton gjithmonë vajza. Jo është shumë e drejtë, nuk ka nevojë të ma konfirmosh ti. Është djalë ai që e konfirmoi sepse ai e di që praktikisht vajzat janë më të mira se djemtë në rezultate dhe midis një vajze dhe një djali, është gjithmonë, 70% vajza më përpara se sa djali. Nuk diskutohet prandaj këtë vend vetëm gratë mund ta shpëtojnë që ta dish ti, që të jesh i qartë. Pse thua nuk është e vërtetë? Unë po them, po të shikosh rezultatet, po të shikosh studentët me të gjitha 10, shumica janë vajza. Çfarë bëjnë pjesa më e madhe? Ky është argument prej djemsh, fiks. “Ne nuk marrim dot 10 se ne shkojmë në inxhinieri”. Po pse vajzat që janë në inxhinieri janë më të mira se ju? Janë më të rralla? Ja pra, të gjithë këto justifikime tregojnë edhe një herë pse vajzat janë përpara jush, se në vend se të justifikohen, mësojnë, kurse ju, nejse nuk ka rëndësi. Edhe ju na duheni.
Mirë shumë faleminderit dhe për çdo gjë, ne jemi në dispozicion, realisht jemi në dispozicion. Kishe një gjë tani në fund fare? Jepja, meqë është vajzë, se të ishte djalë
– Përshëndetje! Në lidhje me punësimin, kemi menduar një ide. Sipas strategjisë së turizmit që ka dalë, do vendoset akreditimi i hoteleve dhe menduam, pse të mos ishte aty menaxher një nga studentët që ka mbaruar për turizëm?
Kryeministri Edi Rama: Ne kemi në gjithë këtë procesin e marrëdhënieve direkte dhe të partneriteteve që po firmosen mes ministrive dhe universiteteve sipas fushave, ka shumë gjëra të tilla, bashkëpunime të drejtpërdrejta me universitetin, me pagesë, për të ndihmuar buxhetin e universitetit. Pra në vend që një ministri të marri të paguajë e ta marri nga jashtë, po themi sistemit të qeverisë apo edhe nga jashtë vendit një konsulencë për një punë të caktuar, t’ia kërkojë direkt universitetit. Do të bëjmë dhe një ndryshim në legjislacion, ndryshim VKM-je ose ligji që universitetet mund të krijojnë kompani, pra të kenë kompanitë e tyre, të cilat kanë të drejtë të hyjnë në treg si kompani dhe po ashtu, edhe praktika të caktuara pune të mund të bëhen në vazhdën e këtyre lloj programeve. Edhe kjo ide, nëse nuk është marrë parasysh, është shumë e thjeshtë të merret parasysh sepse besoj që me siguri është në programin e Ministrisë së Turizmit. Ata po bëjnë gati këto dokumentet e partneritetit me fakultetet që kanë të bëjnë me turizmin dhe është patjetër diçka që mund të merret lehtësisht në konsideratë.
Shumë faleminderit!