Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Panairin e Punës në Elbasan ku Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka mundësuar ndërmjetësime për punësim real edhe për shumë individë nga familje të dala prej skemës së ndihmës ekonomike:
Përshëndetje të gjithëve!
Jemi këtu, në këtë Panair të Punës që është pjesë e zinxhirit të panaireve të punës që ne po organizojmë në të gjithë Shqipërinë, pasi besojmë që është një tjetër instrument, është një rrugë alternative për t’i afruar njerëzit drejt zyrave të punës dhe drejt bizneseve me ndërmjetësimin e zyrave të punës dhe për t’ua bërë të prekshëm informacionin e tregut të punës.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se, për shkak të të qëndruarit larg edhe nga mediat të realitetit të tregut të punës dhe për shkak të përsëritjes pa pushim të “s’ka punë”, ka një hendek mes realitetit të tregut të punës dhe shumëkujt që dëshiron me të vërtetë që të punojë, por është i dekurajuar nga ky perceptim.
Sot, në këtë hapësirë janë 1567 vende të lira pune që ofrohen nga të gjitha sipërmarrjet e pranishme. Vende të lira pune nga më të ndryshmet, vende të lira pune edhe me paga nga më të ndryshmet. Natyrisht ka vende të lira pune për punonjës të thjeshtë në manifakturë, por ka vende të lira pune edhe për financierë, ekonomistë dhe inxhinierë, vende që kërkojnë një formim të lartë dhe që paguhen edhe me rroga të larta.
Iu bëj thirrje atyre që na ndjekin dhe që janë banorë në kërkim të një pune në këtë territor, të vijnë dhe të kontaktojnë drejtpërdrejtë me kompanitë, ndërkohë që zyrat e punës janë në dispozicion për të bërë të gjitha ndërmjetësimet dhe lehtësimet e nevojshme të këtij procesi.
E vërteta është që në sistemin e zyrave të punës në Qarkun e Elbasanit ka një përmirësim të ndjeshëm të rezultateve, sepse metodologjia e ndryshuar e funksionimit të zyrave dhe vendosja e objektivave të përmuajshëm për çdo zyrë ka krijuar një atmosferë të re dhe ka krijuar kushte për rezultate shumë më cilësore.
Shkalla e papunësisë për këtë qark është ulur me 5.4%. Është një rezultat inkurajues, i shënuar vetëm në harkun e vitit të fundit. Nëse një vit më parë ishte 13.6%, sot është 8.2%. Mundësia për ta ulur më tutje është reale, sepse të gjitha këto kompani që kanë ardhur këtu janë reale e të gjitha vendet e punës që ofrojnë janë reale.
Ndërkohë 424 punëkërkues të papunë janë punësuar drejtpërdrejtë nga zyrat. Po flasim për të punësuar vetëm nga zyrat, nuk flasim për të gjithë të punësuarit që janë drejtpërdrejtë të punësuar nga bizneset, pa kaluar nëpërmjet zyrave.
Ndërsa 525 punëkërkues të papunë janë dërguar për formim profesional, që do të thotë, për t’u aftësuar dhe për t’u bërë të gatshëm që të mund të thithen nga kompanitë, sipas kategorive dhe profileve të ndryshme të formimit profesional.
80 punëkërkues financohen drejtpërdrejtë nga programet e nxitjes së punësimit dhe aktualisht jemi në kushtet kur vetëm gjatë muajit maj dhe vetëm në këtë territor janë punësuar 221 persona.
Ne besojmë shumë që ekziston mundësia për të gjithë ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike dhe që janë fizikisht në gjendje të mirë, që me vullnet për të kaluar nga kurset profesionale, kur s’kanë një aftësi të caktuar, apo me vullnet për të pranuar çfarëdo pune që në rastin më “të keq” është 5-fishi i ndihmës ekonomike në muaj, mund të bëhet shumë më tepër.
70% e personave që kanë dalë nga ndihma ekonomike janë grupmosha 24-45 vjeç. 24-45 vjeç është një grupmoshë në pjesën më aktive dhe është e pamundur që të mund ta konsiderojmë këtë si një grupmoshë që mund të mjaftohet me një lëmoshë të ndihmës ekonomike. Prandaj, e përsëris, mundësitë janë, natyrisht ne do të punojmë çdo ditë për të pasur më shumë mundësi, por 1567 vende të lira pune janë vetëm këtu, sot që flasim.
Dua po ashtu të nënvizoj se në Elbasan kemi disa shkolla të arsimit profesional që janë vërtetë për t’u marrë shembull. Unë pata mundësinë të takoj disa nga të rinjtë dhe janë të gjithë vajza dhe djem me punë të garantuar nesër. Shifrat thonë se kush kryen arsimin profesional ka mesatarisht 20% më shumë mundësi për të filluar punë menjëherë, sesa kush kryen universitetin. Ndërkohë që kush kryen arsimin profesional ka më shumë sesa 35% mundësi sesa dikush tjetër që ka vetëm shkollën e përgjithshme profesionale.
Për të gjitha këto arsye, unë dua ta ritheksoj edhe njëherë tjetër se jemi në një rrugë ku duhet të bëjmë shumë më tepër, por jemi në një rrugë të mbarë, pasi po shohim rritje të vazhdueshme të punësimit real.
Vetëm në këtë periudhë, ne kemi kaluar në 10 300 të punësuar dhe besojmë shumë që do ta tejkalojmë objektivin e vitit për 25 mijë të punësuar vetëm nga zyrat e punës. Gjithmonë në këto aktivitete flasim për aktivitetin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe për proceset që lidhen drejtpërdrejtë me zyrat e punës. Ndërkohë që ka plot të tjerë që punësohen drejtpërdrejtë nga kompanitë, pa kaluar nëpërmjet zyrave të punës.
Shumë faleminderit!