Përshëndetje, ky mesazh është për bashkëqytetarët tanë që kanë ngecur prej ditësh e javësh tanimë në pika të ndryshme të kontinentit, pas mbylljes së kufijve nga lufta. Kam marrë jo pak mesazhe nga studentë, prindër, familjarë të ndarë nga kufiri i mbyllur dhe me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ambasadat tona kemi punuar realisht ditë – natë dukë i kontaktuar dhe listuar. Kemi zgjidhur disa raste sipas mundësive shumë të kufizuara që kemi pasur, por e dimë shumë mirë, jemi plotësisht të vetëdijshëm për çfarë stresi dhe për çfarë peripecish që rritën përditë për njerëzit tanë që kanë mbetur rrugëve të Europës. Grupi më i madh është në Itali, 650 persona, në Britaninë e Madhe 114 persona, në Kroaci 341 persona, në Zvicër 77, në Greqi 45, Gjermani 35, Francë 37, Austri 19, Suedi 21 dhe pastaj në një sërë vendesh të tjera ka nga një, dy deri në 10 a 12 persona.
Ju nuk keni nevojë për shpjegime të kësaj situate të jashtëzakonshme sepse situata dihet nga i madh e i vogël. Ashtu sikundër, besomëni se unë e di fort mirë që fjala durim nuk është fjala më e mirëpritur, për dikë që gdhihet e ngrysët më një hall si ky për ditë të tëra. Por durimi është një armë që duhet ta mbushim përditë më energjinë e rezistencës në këtë luftë botërore.
Ndërkohë dua t’ju siguroj të gjithëve se unë po bëhem e të gjithë ne po bëhemi katërmbëdhjetë copash përditë e përnatë, që të mos lëmë asnjë prej jush vetëm. As edhe një! Që nga familjet e individët që kanë nevojë për ndihmë imediate ushqimore, shëndetësore, lëvizjeje e me radhë, deri tek ata që nuk kthehen dot në shtëpi se kanë ngecur në vende të ndryshme të kontinentit. Për hir të së vërtetës shumë prej tyre kërkojnë vetëm të vijnë një orë e më parë në shtëpi dhe kanë shprehur gatishmërinë të paguajnë udhëtimin. Unë i falenderoj për këtë, sepse shoh ndërkohë plot të tjerë që rrinë mbyllur por e vrasin kohën brenda mureve, dukë bërë lloj – lloj komentesh të pa lëvdueshme nëpër rrjetet sociale, me qarje për popullin me demek, që po vdes për bukë, me ndihma që po vidhen, me kërkesa absurdë deri edhe për të mos paguar drita apo më tallje e fyerje për njerëzit në uniformë apo punonjësit social që po sakrifikojnë duke shkuar derë më derë për të shpërndarë ndihma.
Këto janë të turpshme, në një kohë kaq të vështirë kur duhet durim, mirëkuptim, inkurajim e unitet i vërtete i një familje, unitet kombëtar! Ne nuk kemi shkop magjik. Nuk jemi as një shtëpi e pasur në këtë lagje të varfër të Europës, siç është Ballkani, edhe pse me thënë të drejtën, as në shtëpitë më të pasura të kontinentit, nuk po shoh të bëhet ndonjë mrekulli e veçantë për njerëzit e kapur në këtë zinxhir hallesh befasisht.
Unë nuk do të lë gur pa luajtur e gjë pa bërë për t’i ardhur në ndihmë të gjithëve, kjo është detyra imë, por dreqi e mori futeni mirë në kokë të gjithë që jemi në luftë. Jemi në luftë dhe secili duhet të shtrëngohet. Qeveria mbahet me kontribute, me kontribute nga secili sipas asaj që i takon, pagesa detyrimesh e taksa, jo më dëshira a më dokrra rrjetesh sociale. Për shembull ne falëm kamatëvonesat, i falëm se jemi në luftë, përndryshe kurrën e kurrës unë nuk do ta pranoja logjikën e faljes së tyre! Por kjo kuptojeni, e dobëson OSSHE nuk e forcon dhe nëse këtë goditje në financat e saj, kompania që ju sjell dritat në shtëpi mund e duhet ta mbajë, për të lehtësuar të gjithë njerëzit sidomos ata më në nevojë, mos pagesa e dritave e rrëzon përtokë sistemin tonë elektroenergjitik, duke krijuar një efekt shkatërrues zinxhir në arkën e shtetit. Kjo do të na e bënte të pamundur jo fitoren, po edhe mbarimin e kësaj lufte pa përfunduar të vrasim njëri tjetrin, dukë rënë në një gropë të zezë, në një gropë të zezë për shkak se nuk ndajmë si duhet atë që i takon shteti dhe atë që i takon individit. Pra motra e vëllezër, një për të gjithë ë të gjithë për një ose konkretisht, shteti për të gjithë sa të mundet, secili për shtetin sa i takon, nuk ka rrugë tjetër.
Tani, dukë u kthyer tek njerëzit që kanë mbetur rrugëve jashtë shtetit, ne do të nisim dhe ky është një lajm i mirë për ta besoj, ditën e hënë fluturimet për t’i sjellë në atdhe. Nesër do të publikojmë besoj kalendarin e misioneve të riatdhesimit dhe pikat përkatëse ku do të bëjmë imbarkimin e personave të listuar tanimë. Këto misione do t’i kryejmë pa pagese nga ana e individëve dhe unë besoj se i takon Lasgushit t’i sjellë njerëzit tanë në shtëpi. Air Albania është kompania e flamurit kuqezi dhe në këtë hall të madh kombëtar, unë i kam kërkuar kompanisë të marrë përsipër barrën e të qenit shtëpia e shqiptarëve në qiejt e Europës, e të mos kërkojë lekë për të kryer këto misione humanitare. Jam i lumtur që gatishmëria e kompanisë ka qenë e menjëhershme dhe ndërkohë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe e po punon për lejet speciale të këtyre fluturimeve charter.
Shpresoj miq, që ky mesazh të përcjellë tek ju edhe një të vërtetë të thjeshtë tek ju të gjithë. Unë nuk jap premtime pa u siguruar mirë që do të realizohen dhe ndërkohë që ju ankoheni e ankoheni, ne punojmë e punojmë për ta adresuar gjithë tërësinë e ankesave. Siç bëjmë më çdo ankesë legjitime. Ne nuk jemi një shtet i madh, ne nuk jemi as një shtet më fuqi të pakufishme, por ju siguroj se përkushtimin e kemi të madh dhe fuqinë për të luftuar për Shqipërinë e për shqiptarët e kemi të pakufishme. Do të luftojmë kështu, përditë, përnatë, deri në fund, duke besuar së ju do të bëni të gjithë luftën tuaj dhe duke shpresuar se do të na i bëni hallall vuajtjet e kësaj luftë, që nuk e sollëm në, po na gjeti të gjithëve bashkë dhe të gjithë bashkë duhet ta bëjmë e duhet ta fitojmë në fund fare. Nuk kemi rrugë tjetër!