Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë, pjesë e transfomimit rrënjësor të Vlorës:
Përshëndetje të gjithëve!
Më vjen shumë mirë që sot jemi këtu në Vlorë për të nisur një tjetër projekt, i cili është pjesë e mozaikut të transformimit të Vlorës. Një projekt që do të sjellë lidhjen e bukur dhe të natyrshme mes Bulevardit të ri dhe Lungomares dhe do të krijojë një hapësirë krejt ndryshe dhe krejt të re për të gjithë banorët, për vizitorët e ditës, por edhe për turistët në Vlorë, duke iu ofruar një mundësi të gjithëve, pavarësisht moshave, për të patur më shumë hapësirë dhe më shumë ndërveprim me njeri-tjetrin. Unë jam i bindur që ky park do të jetë shumë i jetuar gjatë çdo dite.
Mendoj se ky do të mbetet si Parku i Shtëpisë së Pavarësisë. Kjo është shtëpia më e rëndësishme e Shqipërisë dhe për fat të keq, për shumë e shumë kohë është një shtëpi që ka mbetur e vetmuar, ndërkohë që duhet të jetë e hapur dhe plot njerëz në mënyrë të vazhdueshme. Por mënyra se si është rrethuar dhe ka humbur pas gardheve dhe pas kioskave, e ka bërë të pamundur që edhe kjo shtëpi, e vogël në përmasë, por kaq e rëndësishme nga pikëpamja historike, të bëhet pjesë e aseteve që e bëjnë Vlorën një vend për t’u vizituar jo thjeshtë për detin e për diellin, por edhe për historinë e saj.
Projekti është pa asnjë dikutim pjesë e zinxhirit të projekteve që i kalojnë përmasat e ngushta të një qyteti, kur vjen puna tek aspektet e veta urbanistike dhe arkitektonike.
Jam i bindur se është një projekt që njësoj si Lungomare, njësoj si Sheshi Skënderbej, njësoj si shëtitorja pranë detit në Himarë dhe njësoj si një sërë projektesh të tjera, do t’i kalojë kufijtë e vendit tonë, do të shikohet në publikime të ndryshme ndërkombëtare të urbanistikës dhe të arkitekturës. Pse jo, do të jetë pjesë edhe e konkurseve të mëdha ndërkombëtare, siç ishte edhe Lungomare apo Sheshi Skënderbej që fitoi çmimin si hapësira më e bukur publike, e ndërtuar në Europë në vitin 2017.
Mua më vjen shumë mirë po ashtu, që ne me këtë projekt rrisim edhe përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijojmë një mundësi urbanistike të re, për të lidhur të gjithë aksin kryesor – me këmbë, jo me makinë dhe pa qenë të detyruar për të kaluar nëpërmjet makinave – me bregun e detit, por edhe më atë që unë shpresoj dhe ne po bëjmë përpjekjet tona, që do të jetë Porti i Jahteve të Vlorës. Ideja nuk është ë re, është e kahershme. E kemi diskutuar dhe e kemi komunikuar disa herë këtu në Vlorë, për ta spostuar portin e mallrave dhe për të patur dy porte funksionale, një port turistik, i cili sjell me vete shumë punësim, sjell me vete ekonomi. Nuk bëhet fjalë thjeshtë për t’i krijuar mundësi anijeve turistike që të ankorohen, por bëhet fjalë për të pasur në mënyrë të vazhdueshme këtu ekuipazhet e tyre, për të marrë të ardhura nga ankorimi i tyre gjatë gjithë periudhës së qëndrimit, për të patur të gjithë infrastrukturën e shërbimeve, e cila do t’i shtohet në sasi dhe në cilësi infrastrukturës së shërbimeve në zonën e Lungomares. Aty ku ju e mbani mend shumë mirë, jo shumë vite më parë, por vetëm pak vite më parë, kishte shumë pak pika ku shërbehej dhe ku mund të qëndrohej dhe pjesa tjetër ishte gropa, makina, erresirë.
Po ashtu është me rëndësi që paralelisht të sistemojmë portin e peshkatarëve, të kemi një port që bën shërbimet e mallrave me standarde dhe në mënyrë dinjitoze. Patjetër të kemi një terminal për tragetet, në rast se porti turistik do të marrë jetë.
Ndërkohë që unë flas, ka njerëz që bëjnë komentet e tyre dhe thonë “prit njëherë se nuk është bërë akoma aeroporti”, apo “ku e ke aeroportin”, apo “sapo erdha në aeroport”, të gjitha nivelet e ironisë së vlonjatëve apo të shqiptarëve në përgjithsi. Sidomos atyre që nuk i kanë thënë kurrë punës “mirëmëngjes” dhe që me paratë e prindërve konsumojnë kafe dhe luajnë me iphone. Por edhe të shumëkujt tjetër që për 1001 arsye, edhe të kuptueshme, ka mërzitë e veta, ka padurimin e vet dhe nuk e kursen përqeshjen, apo nuk kursen edhe sharjet, duke hedhur romuze që këtu jemi të gjithë njësoj, që këtu nuk ka ndryshuar asgjë, madje jemi edhe më keq se ç’kemi qënë. Janë fjalë që mund t’i dëgjosh rëndom, por sigurisht janë fjalë që nuk kanë lidhje me realitetin. Jo se realiteti sot, jo në Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë është një realitet rozë për të gjithë, as se transformimi ynë ka arritur ta bëjë Shqipërinë të dytën pas Gjermanisë. Këtë as nuk e kemi thënë se do të jetë një objektiv në këtë kohë që ne kemi detyrën dhe as që nuk e kemi çuar nëpër mend, por nga ana tjetër, ne ballafaqohemi dhe me problemin e madh të disinformimit të vazhdueshëm të shpifjeve dhe të sajesave. E për fat të keq, siç vërtetojnë edhe të gjitha studimet e bëra botërisht mbi rrjetet sociale, fjala e popullit, “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta s’ka veshur akoma pantallonat”, rezulton të jetë e vërtetë.
Prirja për të besuar gënjeshtrat, prirja për të besuar sajesat dhe të pavërtetat është shumë më e madhe sesa prirja për të vërtetuar faktet. Megjithatë, procesi për fillimin e punës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës u ndërpre nga karantina e përgjithshme. Të gjitha kompanitë e interesuara bënë kërkesa në drejtimin tone, që jo vetëm për Aeroportin e Vlorës, por për të gjitha projektet të shtyhen proceset. Ajo që ne bëmë është që procesin e ngrimë aty ku ishte, që do të thotë, në javën e parë të tetorit, procesi do të rihapet. Janë vetëm pak ditë ende, do të fillojë aty ku u ndërpre, që ne të marrim ofertat ndërkombëtare për të lidhur kontratën për Aeroportin e Vlorës.
Unë do të kisha dashur që kjo të ndodhte më parë, por eksperienca më ka mësuar dhe ka mësuar këdo që merret me projekte dhe me punë të kësaj natyre, jo vetëm me aeroporte, por që lidhen me infrastrukturën, atë shëndetsore, arsimore e me radhë, që ka të papritura, ka vonesa, ka nevoja që shfaqen rrugës, të paparashikuara të të gjitha natyrave. E patjetër, që ka një rrugë të gjatë për të bërë deri kur lidhet një kontratë. Projektet nuk nisin kur njerezit shikojnë fadromën që nis punën. Projektet nisin kur ideohen, pastaj kalohet nga ideja në koncept, nga koncepti kalohet në projektin e zbatimit, nga projekti i zbatimit kalohet në garantimin e financimit, nga garantimi i financimit kalohet në procesin e garës dhe pastaj, në procesin e negociatës për të nënshkruar kontratën. Pastaj vijmë tek fillimi i punimeve në terren. E projektimi nuk është një proces i thjeshtë. Ne nuk kemi bërë ndonjë mrekulli, por unë jam shumë i bindur që në çdo lloj diskutimi, me argumenta, jo me llafe, për cilësinë e projekteve dhe për standardet e realizmit të tyre nuk ka krahasim puna e bërë prej nesh me punët që janë bërë përpara. Nuk ka asnjë krahasim. Këtë e tregojnë të gjitha punët e bëra në Shqipëri, që nuk janë pa të meta, pa diskutim, por që nuk kanë asnjë krahasim. Ne i vëmë shumë rëndësi projekteve. Ne i vemë shumë rëndësi standardeve të projekteve. Edhe ky projekt, edhe projekti i Aeroportit të Vlorës, edhe projektet që ne do të vazhdojmë të bëjmë për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë janë projekte me standarde ndërkombëtare në çdo aspekt.
Unë jam besimplotë, në rast se diçka tjetër nuk ndodh, pasi kjo që na ndodhi me dy goditje të njëpasnjëshme shumë të forta, me tërmetin që nuk është thjesht se prishi dhe shkatërroi pasurinë e shumë njerëzve, shtëpinë, por goditi themelet e financave tona dhe pastaj me shfaqen e COVID-it, që ka goditur themelet e financave të të gjithë botës, edhe vendeve më të mëdha dhe më të zhvilluara, nëse, largqoftë, do të kishte ndodhur në kohën kur qeverisnin ata që sot flasin sikur kanë ardhur nga hëna, them që do të kishte qenë katastroftë, për të gjithë ata që e përdorin fjalën katastrofë pa lidhje. Parafytyroni vetëm një moment, sikur COVID-i ta kishte gjetur Shqipërinë me QSUT-në që gjetëm ne, kur filluam punën jashtëzakonisht të ngatërruar dhe të vështirë të transformimit të Qendrës Spitalore Universitare. Parafytyroni COVID-in dhe betejën kundër tij në atë spital, ku nuk dalloheshin dot kush ishin mjekët, kush ishin të sëmurët, kush ishin të afërmit e të sëmurëve dhe kush ishin shitësat e zarzavateve dhe plaçkave në territorin e spitalit. Në atë spital ku nuk kishte asnjë lloj kushti për sterilizim dhe higjenë minimale. Në atë spital ku njerëzit, i kemi parë pafundësish nëpër ekranet e televizorëve, vareshin nëpër hekura, me receta në duar, se nuk dinin ku të shkonin të gjenin ilaçet që mungonin në spital, në atë spital ku vinin me batanije e çarçaf me vete.
Pavarësish këtyre, ja ku jemi sot e për fat të mirë, kthesa ka filluar shumë shpejt, pas goditjes së dytë, edhe për ekonominë, edhe për sipërmarrjet. Kemi parë shifrat e konsumit dhe kemi parë kontributet në TVSH-në e vendit në muajin korrik e gusht. Faktikisht jemi në një “V”, e një rënie shumë të shpejtë, drastike dhe me një ngritje të shpejtë, që do të kërkojë akoma pak kohë, por që pa diskutim do të ndodhë shumë shpejt. Unë e kam thënë, ne do të dalim nga kjo situatë brenda këtij viti dhe viti i ardhshëm do të jetë viti i një hopi tjetër në çdo aspekt, edhe në aspektin ekonomik, për arsye se kemi vendosur shumë baza.
Dëgjoj njerëz që thonë pse u kujtuat tani.
Ne nuk jemi kujtuar tani. Ne jemi kujtuar që ditën e parë. Dhe atyre që thonë pse u kujtove tani u them që unë jam kujtuar edhe në kohën kur zotrote që flet, flije gjumë, çdo ditë e çdo natë, por të rrisësh kontributet nga shteti për njerëzit, të heqësh komplet TVSH-në, të heqësh komplet tatimin e fitimit mbi një kategori, siç është kategoria e sipërmarrësve të vegjël, nuk është një fjalë goje e nuk bëhet se do ti ta bësh, por bëhet se ti do dhe mund ta bësh kur janë krijuar kushtet për ta bërë.
Po ashtu të rrisësh pagat e mjekëve është detyrim i madh, që është bërë edhe më i madh në kushtet kur e kemi parë me sytë tanë, i kanë parë të gjithë ata që duan të shikojnë, ata që nuk duan të shikojnë nuk kanë për të parë kurrë, sado që Zoti ua ka dhënë të dy kokërdhokët e syve me dritë në ballë, se çfarë në të vërtetë janë mjekët në Shqipëri. Pyll pa derra nuk ka në asnjë aspekt të jetës e ka patjetër mjekë, ka patjetër infermierë, ka patjetër në çdo fushë njerëz që fusin duart paturpësisht në xhepat e njerëzve, por janë pikërisht këta mjekë, janë pikërisht këta infermierë, është pikërisht ky sistem, që ne kemi ringritur nga gremina ku e gjetëm, që po e përballon akoma, sot e gjithë ditën, me dinjitet dhe me sukses goditjen tronditëse të virusit. Ama sot, ne kemi mundësi ta bëjmë edhe këtë, pra,të rrisim pagat. E kjo nuk ka lidhje fare se ne kemi zgjedhje në prill. Sot janë krijuar mundësitë për ta bërë këtë, pavarësisht se kemi një volum masiv financimi për të rindërtuar shtëpitë e mijëra e mijëra familjeve e po i rindërtojmë, por edhe ato duan kohën e tyre. Kjo ka të bëjë vetëm me faktin që duke punuar, duke hedhur hapa përpara, duke mbyllur vrimat që Shqipëria kishte nga të 4 anët në ekonominë e vet, në financat e veta e duke rritur të ardhurat nga puna, – të ardhurat rriten nga puna, nuk rriten nga reshjet, që thonë këtu nuk punon asnjeri. Sikur këtu të mos punonte asnjeri, ne, jo këtë parkun këtu nuk do bënim dot, por nuk do paguanim dot pagat e jo t’i rrisnim ato.
Jemi sot në këto kushte, po ashtu për mësuesit.
Është e vështirë sot të flasësh me gjuhën e fakteve, sepse ndërkohë që ti thua një fakt, 10 gënjeshtra e dëngla janë hedhur në ajër, mos them 1 milionë. Sidoqoftë, ne do vazhdojmë punën e as kjo që thashë, as kjo që po bëjmë, as ajo që do bëjmë, nuk ka lidhje me faktin që ka zgjedhje vitin e ardhshëm. Zgjedhjet ne i fitojmë si me këto, si pa këto, kjo nuk diskutohet. I fitojmë sepse përtej shumë individëve dënglaxhinj, përtej shumë individëve që mund të kenë pakënaqësitë e tyre të natyrshme, mund të kenë stresin e tyre të natyrshëm, nuk ka qenë e lehtë për askënd, për asnjë familje të përballojë gjithë këtë stres në harkun e thuajse 1 viti nga nëntori i vitit të shkuar, kur ra tërmeti. Populli është më i mençur se secili prej nesh, veç e veç.
Asnjë individ nuk është populli. Prandaj unë u them të gjithë atyre që thonë unë jam popull, populli po vuan, populli këtu e populli aty, që askush nuk ka mandat dhe të drejtë të flasë në emër të popullit, përveç vetë popullit që flet kur i vjen dita e populli do flasë prapë siç ka folur. E jam i sigurtë që do flasë prapë drejtë e do t’i japi zotit atë që është e zotit, Çezarit atë që i takon Çezarit.
Në mbyllje dua t’ju them që ne do vijojmë punën me projektet e Vlorës. Kemi ende plot gjëra, na duhet të bëjmë paralelisht edhe këto ndërhyrje të mëdha urbane, të cilat sjellin ekonomi, sjellin punësim, jo thjesht zbukurim. Kemi bërë një llogari përpara ca kohësh për impaktin ekonomik të Lungomares. Është i pabesueshëm impakti ekonomik, përveç atij social, në jetën e qytetit për shkak të asaj vepre. Të gjitha këto vepra që bëjmë ne në vetvete nuk janë zbukurime, nuk janë fasada siç thonë injorantët, nuk janë as thjesht ndërhyrje që lehtësojnë qarkullimin, lehtësojnë shëtitjen, lehtësojnë shikimin. Janë ekonomi. Sjellin më shumë të ardhura. Kam parë vende të bukura dhe të varfra, por as e kam parë vetë e as e kam gjetur në ndonjë fotografi ndonjë vend të shëmtuar e të pasur, nuk ekziston. Ndonjë vend të pistë e të pasur nuk ekziston. Kështu që ne do vazhdojmë me këto projekte. Do bëjmë ndërhyrje në Sheshin e Flamurit, që mbetet një hallkë e dobët sot e gjithë këtij transformimi, pasi është si midis dy krahëve, nga njëra anë lagja e vjetër, nga ana tjetër bulevardi i ri e në mes ai shesh që kërkon patjetër të rikonceptohet e të pastrohet. Kur them të pastrohet, të pastrohet rretherrotull, të pastrohet dhe kur i ngre sytë lart nga ajo godina e llahtarshme që ka mbetur atje si mallkim për Vlorën. Ata që kanë lindur kur ka filluar ajo godinë, sot janë bërë me fëmijë dhe ne nuk do i lëmë të bëhen gjyshër e të presim që të mbarojë ajo godina, që nuk ka edhe arsye pse të mbarojë sepse është jashtë çdo standardi për një qytet që ne kemi ambicien ta bëjmë një nga qytetet e bukur të Mesdheut, jo të Shqipërisë, se të Shqipërisë është. Vlora që kemi ambicien ta bëjmë një nga pikat turistike më intensive në Mesdhe, ku të ketë një sezon më të gjatë, ku të ketë shërbime më shumë, ku të ketë atraksione më shumë. E patjetër ku të ketë para më shumë si rezultat i të gjitha këtyre. Duhet ta vazhdojmë me fazën tjetër të lagjes historike, por duhet të vazhdojmë dhe me ndërhyrje më brenda për brenda, aty ku janë lagjet, ku njerëzit jetojnë përditë. Vlora nuk është vetëm qyteti. Vlora është edhe zona përtej qytetit, jo thjesht se edhe përtej qytetit, në fshatrat e Vlorës jetojnë njerëz që kanë nevojë për shërbime, por se është një aset shumë i madh ende u pashfrytëzuar ekonomik. Rruga e Lumit po vazhdon. Tani kanë filluar e thonë që e ndërpretë se nuk do bënin urën atje e ku di unë se çfarë. Këto janë të gjitha përralla. Ne do i bëjmë të gjitha ato që kemi thënë, por do i bëjmë të gjitha sipas mundësive dhe do i bëjmë shumë mirë, nuk do i bëjmë shkel e shko si rrugët që ngelën rrugëve. Po shikonim para ca ditësh shifrat. Në fakt, qeveria e mëparshme, ajo e rrugëve të lëna rrugëve, ka tenderuar shumë rrugë në fakt, ka bërë shumë kilometra me letra, me tendera e me pisllëk, ndërsa jo vetëm që nuk ka përfunduar asgjë nga ato, po nuk ka disbursuar para për pjesën më të madhe të asaj pune. Ajo punë është vazhduar më pas e është paguar më pas. Një qeveri nuk bën rrugë duke bërë thjesht tenderin e duke i rënë daulleve kur pret shiritin. Një qeveri nuk bënë punë thjesht duke dhënë ato indulgjencat majtas e djathtas e duke treguar që u bë dhe kjo. Jo nuk u bë, ajo bëhet kur bëhet, jo kur thua ti që u krye.
Po ashtu do të vazhdojmë më tutje. Së shpejti do të fillojmë projektin matanë Ujit të Ftohtë, për të shkuar deri në Rradhimë e matanë Rradhimës ku zbret Bypassi i Vlorës që po ecën me ritme shumë të larta tani, pasi u hoqën të gjithë pengesat nëpër këmbë me shpronësime, me varreza e me lloj-lloj historish e me një projekt mizerje, që u bë nga e para dhe ku do të hapet rruga që lidh këtë pjesë me atë që do të jetë tuneli i Llogarasë.
Për tunelin, besoj e keni ndjekur, është bërë gara e projekteve dhe ne jemi shpresë plotë, – nuk po vë data tani dhe muaj se gjithçka mund të ndryshojë për arsye të paparashikuara në aspekt të muajve, – por në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, ne do të fillojmë ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Ama gjithë pjesa që lidh Ujin e Ftohtë me zonën e Orikumit, që kalon përmes Rradhimës, do të rindërtohet e do të bëhet një zonë ku jo vetëm ata që kanë sot bizneset e tyre dhe shtëpitë, por dhe të tjerë që me siguri do të investojnë atje të kenë mundësi dhe një forcë tërheqëse shumë më të madhe, sepse ne duam që në Vlorë të kemi një qytet me miliona turistë në 10 vitet e ardhshme, jo thjesht me pak më shumë turistë sivjet se vitin e kaluar. E nuk mund t’i mbajë as Lungomarja, as Sheshi i Flamurit, por do t’i mbajë e gjithë zona që do të ketë në zemër Vlorën, Bashkinë, por do ketë e të tjera, ndër të cilat është dhe Orikumi e po ashtu deri në Sazan.
Kjo është pak a shumë pamja. Unë jam shumë mirënjohës që kemi mundur të bëjmë këto gjëra, që nuk do ishin bërë dot pa shumë njerëz të tjerë që kanë dhënë kontributin e tyre. E meqë u përmendën zgjedhjet, që mos hapni llafe se unë nuk do jem në Vlorë, mos i hapni këto llafe. Do thoni nuk i hapëm ne, ne i dëgjuam. Bëni kujdes nga çfarë dëgjoni se çfarë nuk dëgjohet sot nëpër Shqipëri. Mjafton të hapësh televizorin, çfarë nuk dëgjon njeriu i shkretë dhe nuk di se çfarë të besojë dhe shumë i bien shkurt, besojnë pa bërë asnjë verifikim. Lëre pastaj po të hapësh ato kanalet e portalet nëpër xhepa, aty pastaj bëhet mullar, çfarë del prej aty.
Unë në Vlorë kam qenë edhe përpara se të bëhesha kryetar i Partisë Socialiste. Në Vlorë kam qenë edhe kur u bëra kryetar i Partisë Socialiste. Në Vlorë jam dhe tani që jam kryeministër. Në Vlorë do jem deri kur të jem kryeministër e në Vlorë do jem edhe pasi mos jem më kryeministër. Madje do jem më shumë, se do kem më pak angazhime për të shkuar në çdo cep të Shqipërisë. Se më ikën mendja kur thonë, dil shiko realitetin. Këta që më thonë mua dil shiko realitetin, nuk do arrijnë dot të bëjnë në jetën e tyre, aq metra sa unë kam bërë kilometra nëpër Shqipëri, duke i rënë Shqipërisë cep më cep, jo një herë, por disa herë. Aq shumë i kam rënë Shqipërisë cep më cep, saqë më besoni, e di nga rruga ku jam, a ka valë, apo nuk ka valë telefoni dhe kur jam duke folur në telefon në makinë, i them tjetrit do të të marr pak më vonë se këtu do më ikin valët. Kjo nuk është ndonjë zotësi, por për të thënë që nuk do kem nevojë t’i bëj më të gjithë këto kilometra e do më pëlqejë shumë më tepër të bëj shumë më tepër metra rretherrotull Vlorës me të cilën më ka lidhur fati, historia e familjes. E sigurisht, më lidh pafundësisht dashuria për këtë bukuri akoma të pazbuluar. Këtu jemi të gjithë së bashku, për të luftuar që ta zbulojmë deri në fund këtë bukuri, jo vetëm për vete e për fëmijët tanë, por për të gjithë botën mbarë, që Vlorës t’i dali zëri gjithandej, jo vetëm në shqip se në shqip i ka dalë me kohë, por në të gjithë gjuhët si vendi ku mund të shkosh dhe të kalosh ditë të paharrueshme, duke shijuar bukuritë e natyrës apo të Zotit. Duke shijuar njëkohësisht, mikpritjen dhe vlerat e krijuara së bashku nga njerëzit, se këta njerëz nuk janë as të ardhur nga hëna, as ata që bëjnë gam-gam përditë, por këta njerëz jemi ne që jemi këtu për ta vazhduar rilindjen e Vlorës deri në fund. Faleminderit!