Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Parlament, për projektbuxhetin e vitit 2026

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Po edhe të ankoheni për ligjin edhe të më ktheni mua kurrizin, sikur nuk shkon mor burrë.

Megjithatë shume faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim sepse më mirë shpina sesa fytyra juaj dhe dua të them që jam thellësisht i prekur nga konstatimi i zotit Noka, i cili akuzoi Kryetarin e Kuvendit për besnikëri të tepruar ndaj kryetarit të partisë, ndërkohë që zoti Noka e ka besnikërinë ndaj kryetarit të partisë monopol dhe nuk ka autoritet konkurrence që ia vë në dyshim monopolin. Unë madje do ta quajë Besnik Flamur Noka, kështu që Niko është jashtëzakonisht larg teje, Flamur, as mos e ki merak fare, se ty në historinë e Shqipërisë, mund të të afrohet vetëm Shefqet Peçi, ndërkohë që në historinë e botës je rrotë më rrotë me Lei Feng.

Ky është një opinion që mund ta diskutojmë ndërkohë u ngacmova dhe nga një deputet tjetër.

Dëgjo, duhet të ndani ju, duhet të ndani opinionet nga ofendimet. Tjetër opinioni, tjetër ofendimi edhe duhet të ndani opinionet nga akuzat. Tjetër opinionet, tjetër akuzat. Ndajini këto dhe jeni në rregull me rregulloren.

Ndërkohë që u ngacmova dhe nga deputeti që e falenderoj që po më rri përballë, kjo tregon që ligji nuk e ka afektuar dhe dua t’i them që po, isha në Bruksel edhe Shqipëria hapi të gjithë kapitujt e negociatave dhe meqë më pyete ‘’çfarë mendojnë ata për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri’’, po të them se ata mendojnë se si sot korrupsioni nuk është luftuar ndonjëherë në historinë e këtij vendi, sepse po të mos e mendonin këtë, nuk do t’i hapnin kapitujt e negociatave dhe ndërkohë, juve nuk e keni kuptuar akoma që në këtë vend, punët janë ndarë dhe përsa kohë do të vazhdoni të bëni këtu ‘’prokurorinë popullore’’, për aq kohë do vazhdoni të jeni aty ku jeni dhe gjithmonë e më të tkurrur.

Tani natyrisht që këtu nuk jemi për të diskutuar për ju, por meqë më ngacmoni sa herë që ju shoh dhe prandaj ju vij, që të mos ngacmohem, ju thashë disa fjalë në lidhje me sa thatë. Ndërkohë që dua ta nis pikërisht me varfërinë dhe me të ardhurat, sepse pikërisht këtu tek raporti me varfërinë, qëndron edhe arsyeja pse ne jemi sot në mandatin e 4 dhe dua ta nis duke cituar Eurostatin, Institutin Europian të Statistikave. “Shqipëria ka një nivel më të ulët rreziku për varfëri sesa Serbia, sesa Mali i Zi, sesa Bullgaria dhe sesa Turqia dhe Shqipëria është më pranë mesatares së BE në këtë aspekt”. Këtë e thotë Eurostati, nuk e them unë.

Po vazhdoj me një tjetër burim serioz që përsëri nuk është burim qeveritar, lidhur me ndryshimin e peshës së ushqimit në buxhetin e familjeve shqiptare, i cili ishte afro 50% si peshë në buxhetin familjar  kur ne morëm detyrën dhe sot është nën 40%. Ndërkohë që sipas Bankës së Shqipërisë jo sipas qeverisë së Shqipërisë, të ardhurat e disponueshme reale të familjes shqiptare, janë rritur mesatarisht 4%-5% në vit, në periudhën 2021-2024 dhe po e mbyll me Fondin Monetar Ndërkombëtar i cili jo më larg se pak ditë më parë tha se ‘’Shqipëria është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë, me politika fiskale dhe monetare te kujdesshme”. Këto janë burime të padyshimta për pavarësinë e plotë të tyre nga qeveria e Shqipërisë dhe nga shumica parlamentare në Shqipëri. Ndërkohë që dëgjova këtu se në Shqipëri paska një taksë korrupsioni dhe që me 450 milionë eurot e inceneratorëve, mund të bëhej një rritje agresive e pensioneve.

Problemi është që ky 450 milionë euroshi, është thjesht aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por që e kujtoj përmes jush, “7×7=42”.

Ky konstatim nuk figuron asgjëkundi në asnjë nga fashikujt e një çështjeje të hetuar thellësisht prej shumë vitesh, ku jo 450 por as 45 nuk duken asgjëkundi, që do të thotë qe gënjeshtrat tuaja të vetëdijshme apo të pavetëdijshme janë me dhjetëra herë mbi realitetin.

Përsa i përket tunelit të Llogorasë, dua te them se ai 50 milionëshi është si 450 milionëshi i inceneratorëve dhe ndërkohë natyrisht, që sot, pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe nuk i referohen atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë, mbeten kashtë e kokrra siç me thanë, se kishit mbetur përpara nja dy netësh.

Dhe e fundit që kam në këtë aspekt, është ‘’kënga’’ e mjerueshme e fondeve të bujqësisë. Dua t’i them shqiptarëve se OLAF i cili bën hetime për llogari të Komisionit Evropian, për vitin 2019 – 2023, nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë siç ka gjetur në Shqipëri vetëm në këto vende; Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë ndërkohë që shuma e vendosur nga OLAF-i përpara vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që nga Italia tek Greqia, nga Hungaria tek Portugalia, nga Bullgaria tek Danimarka dhe Estonia, nga Polonia tek Rumania është mbi 1 miliard euro. 1 miliard euro që në konsideratën e zyrës së hetimit të Bashkimit Europian janë të keq administruar, kështu që duhet të mësohemi edhe me këtë aspekt, sepse jemi pranë Bashkimit Europian dhe thjeshtë duhet të ulim kokën, të korrigjojmë çfarë mund dhe duhet të korrigjojmë dhe gjithmonë të jemi të hapur për t’u korrigjuar përmes jo ndërhyrjes apo refuzimit të auditive apo hetimeve të pavarura, po përmes respektimit të tyre. Edhe kjo është një arsye pse i kemi hapur të gjithë kapitujt, edhe kjo është një arsye pse shqiptarët na besojnë ne dhe jo juve.

Në ndërkohë ky buxhet është një buxhet historik për Partinë Socialiste, sepse për herë të parë adreson në mënyrë domethënëse dhe të qëndrueshme përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1.7 miliard eurosh rritjen e mbështetjes së pensionistëve dhe e mira e kësaj pune që gjithmonë vjen pastaj në favorin tonë është se fjalët i merr era, faktet mbeten dhe në ndërkohë ato që dëgjojnë njerëzit nga foltorja apo nga tryezat e këtij parlamenti kanë mundësi t’i vërtetojnë në muajt dhe në vitet që vijnë, siç i kanë vërtetuar të gjitha ato që ne kemi thënë. Kështu që sa më shumë do të thuhet që ne nuk po i rrisim pensionet, aq më shumë pensionistët do të binden se nuk ka asnjë alternativë tjetër në Republikën e Shqipërisë për ta dhe për nipërit dhe mbesat e tyre përveç Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Vijojmë me Mbrojtjen Shoqërore.

Mbrojtja Shoqërore arrin sot me këtë buxhet në 257 miliard lekë ose me një rritje prej 11.6 miliard, që e thënë ndryshe janë 116 milion euro. Kjo shumë për Mbrojtjen Sociale, ndërkohë që nga një anë varfëria ulet, nga ana tjetër papunësia ulet është më shumë sesa dyfishi i mbrojtjes që kishin shqiptarët kur ne morëm detyrën.

Më tutje, pensionistët janë kryefjala e këtij buxheti dhe do të jenë kryefjala e këtij mandati, por pa diskutim pa harruar edhe ata që vazhdojnë të jenë në skemën e ndihmës ekonomike, pa harruar përfituesit si persona me aftësi të kufizuara dhe pa harruar edhe domosdoshmërinë për një qasje të re dhe një shtysë të re në aspektin e strehimit, e duke mbetur besnikërisht pranë të gjitha familjeve të reja, me vazhdimësinë e bonusit të bebes.

Nga ana tjetër jemi sot në një tjetër vit, me një tjetër buxhet dhe me një tjetër paketë fiskale, por mbetemi besnikërisht të palëvizshëm nga pozicioni ynë, se deri në vitin 2029, biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim fitimi dhe atyre që flasin për varfëri dhe që flasin për papunësi dhe që flasin për taksa, dua t’ju them se Shqipëria ka nivelin më të lartë të biznesit pa TVSH në të gjithë Europën. Deri në 100 mijë euro xhiro biznesi nuk paguan as tatim fitimi, as të TVSH, ndërkohë që deri në 140 mijë euro nuk paguan vetëm tatimin e fitimit dhe në këtë pikë jemi pa diskutim, jo vetëm shumë më lartë në të gjithë rajonin, në mbështetje të biznesit të vogël, por me herë mjafton t’ju them që pragu i TVSH-së për biznesin e vogël në vendin fqinj, Maqedoninë e Veriut është 16 mijë euro.

Nga ana tjetër një tjetër zotim i dhënë në pranverë dhe që mbahet në këtë buxhet, është rritja e pagës minimale që qysh prej janarit do të jetë 500 euro dhe do të jetë një pagë që do të vazhdojë të rritet brenda mandatit të katërt me objektivin ambicioz që deri në fund të këtij mandati, paga minimale në Shqipëri të jetë 700 euro.

U fol këtu për një falje të madhe, është e vërtetë, është një falje e madhe që përmes “Paqes Fiskale” do t’i bëhet të gjithë sipërmarrjes, duke i dhënë mundësinë që të mbyllë të gjitha çështjet e vjetra, duke ushqyer më tepër besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë  mes sipërmarrjes e administratës tatimore dhe duke e lehtësuar marrëdhënien mes tyre, e duke lehtësuar edhe kostot administrative të sipërmarrjeve. Prandaj i ftoj të gjitha sipërmarrjet, të lexojnë me kujdes paketën tonë fiskale dhe t’i referohen faljes së detyrime tatimore që do të bëhet në katër forma;

– Fshirje e plotë e detyrimeve të papaguara më të vjetra se 10 vite,

– Fshirje 50% e detyrimeve të periudhës 5-10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet menjëherë, me fshirje totale të gjobave dhe të interesave.

-Fshirje 25% e detyrimeve të periudhës 5-10 vite, nëse pjesa e mbetur paguhet me këste brenda vitit, gjithashtu me fshirje të gjobave dhe interesave.

-Dhe fshirja e gjobave ka marrë vonesa për periudhën 1-5 vite, me kusht që të paguhet i plotë tatimi dhe kontributi i asaj periudhe.

Kështu, bizneset jo vetëm do të kenë mundësi të lehtësohen nga kjo barrë e vjetër, por do të ketë mundësi të korrigjojnë deklarimet dhe pasqyrat e mëparshme financiare. Për diferencën e korrigjuar vullnetarisht mes deklarimit të vjetër dhe atij të riut, tatimi i fitimit do të jetë vetëm 5%. Sipërmarrja mund të angazhohet të rrisë me 18% fitimin e tatueshëm krahasuar me vitin e kaluar dhe çdo fitim mbi këtë nivel do të tatohet me vetëm 5%.

Kjo është një marrëveshje e re, një marrëveshje kuptimplotë dhe një marrëveshje transparente në funksion të fuqizimit të ekonomisë dhe pa diskutim, edhe në funksion të lehtësimit të kompanive e të rritjes së mëtejshme të ekonomisë.

Më tutje dua të them se në ndërkohë buxheti bën edhe një rritje tjetër domethënëse të pagave, pasi rritja e pagës minimale nuk është vetëm një rritje e pagës minimale në vetvete, por është edhe një shtytje nga poshtë, lartë për të rritur pagat më sipër dhe faktikisht duhet kujtuar se e filluam me përjashtim nga tatimi mbi pagën i atyre që kishin pagë minimale 300 euro. E vazhduam më pas me ata që pagën minimale e morën 400 euro dhe sot do ta vazhdojmë me ata që pagën e kanë 500 euro. Që përbëjnë rreth 35% të të punësuarve.

Paga minimale në Shqipëri kur ne morëm detyrën ishte vetëm 157 euro. Ajo sot shkon në 500 euro dhe në ndërkohë duhet ta mbajmë mirë parasysh se pesha e të punësuarve me pagë minimale në tregun e punës ka rënë nga 60% në 14%, gjë që tregon një rritje të vazhdueshme drejt pagave më të larta.

Ne e kemi dyfishuar pagën mesatare në sektorin privat e cila sot është shumë me e lartë se ç’ishte dhe e kemi çuar pagën mesatare në sektorin publik në 1000 euro, ndërkohë që paga mesatare e përgjithshme është 840 euro.

Për herë të parë do të fusim edhe indeksimin periodik të pagës çdo dy vjet për administratën publike, në mënyrë që të vazhdojmë të fuqizojmë familjen dhe të mbështesim rritjen e standardit të jetesës.

Gjithashtu kemi parashikuar përsëri për herë të parë dhe rritjen e diferencuar pagash për të mbështetur më shumë punonjësit me paga më të ulëta dhe për të siguruar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit të gjithë administratës. Kështu si më poshtë 10 mijë e 600 punonjës shërbimi, sanitare, shoferë, teknikë, aktivistë, arkivistë, magazinier, protokollistë do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lek të reja në muaj.

Specialistët e administratës publike do të përfitojnë 5 mijë lek të reja në muaj.

Mësuesit do të përfitojnë 3 mijë lek të reja në muaj.

Dhe në shëndetësi për herë të parë përveç indeksimit vjetor do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë, gjë që pagën e mjekut të përgjithshëm për shembull do ta çojë nga 131 mijë e 700 lekë në 143 mijë e 500 lekë.

Ndërsa pagën e infermiereve do ta çojë nga 87 mijë lekë, në 92 mijë e 500 lekë.

Të njëjtën gjë, përveç indeksimit me rritjen për vjetërsinë në punë do të bëjmë dhe për punonjësit e policisë së shtetit që për gradat më të ulëta do të ketë një rritje mesatare prej 5000 lekësh të reja në muaj dhe pastaj sipas vjetërsisë në punë për inspektoret nga 80 mijë e 500, paga do të shkojë në 84 mijë e 500 ndërsa shtesa do të shkojë në 100 mijë lekë.

Nën komisarët, 95 mijë e 500 do të shkojnë në 100 mijë lek, me shtesa do të shkojnë në 116 mijë lekë.

Komisarët sot janë në 105 mijë dhe në total do të shkojnë në 125 mijë.

Drejtuesit e thjeshtë sot janë 130 mijë, do të shkojnë në 156 mijë e 540 lek të reja pagën.

Kostoja totale e këtyre masave për sa i përket administratës është 100 milionë euro.

Më tutje dua të theksoj edhe diçka tjetër sepse flitet për taksa e flitet për barrë fiskale. E thashë për sa i përket biznesit të vogël, por dua të shtoj dhe se tek biznesi i madh krejt ndryshe nga çfarë thuhet dhe propagandohet ne jemi vendi që ata që fitojnë më shumë i takson më shumë. Të gjithë vendet e tjera të rajonit biznesin e madh e taksojnë më pak sesa Shqipëria.

Ndërkohë që pikërisht pse nga njëra anë taksojmë më shumë ata që fitojnë më shumë, nga ana tjetër taksojmë më pak se të gjitha vendet e rajonit ata që fitojnë më pak, pra biznesin e vogël.

Nga ana tjetër dua të them diçka që është shumë e rëndësishme se ka pasur shumë lloj fjalësh në eterin e rrjeteve sociale dhe në tribunat e propagandës kundër gjithë këtyre masave. Është thënë që po, do të rriten pensionet, do të rriten pagat, por do të rriten edhe kontributet. E vërteta është që normat e kontributeve që aplikon Shqipëria janë më të ulëta sesa vendet e rajonit, por ne nuk do të bëjmë asnjë rritje të kontributeve në këtë fazë. Kështu që të gjithë duhet ta dinë se gjithçka që do të rrisim në buxhetin familjar për pensionistët, për punonjësit e administratës dhe gjithçka që do të rritet në buxhetin e familjareve dhe punonjësve të sektorit publik si rezultat i rritjes së pagës minimale është vetëm rezultat i rritjes së ekonomisë.

Nuk dua të marr shumë kohë edhe pse do më pëlqente të vazhdoja gjatë me këtë pamje ekskluzive që kam këtu. Jo më pëlqen por më frymëzon shumë dhe kështu me faqe për muri ju pafsha gjithmonë, vetëm me shëndet aman se na duheni gjallë.

Për sigurinë, drejtësinë dhe rendin kemi një buxhet masiv. Natyrisht është një buxhet që diktohet nga detyrimet tona të patjetërsueshme në dy drejtime. Detyrimi në raport me anëtarësimin tonë në NATO dhe detyrimi në raport me drejtësinë e pavarur, pavarësinë e së cilës e garanton vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kështu në buxhetin që do të miratojmë kemi një rritje domethënëse të mbështetjes qoftë për mbrojtjen qoftë për drejtësinë.

Nuk dua të marr kohën e kolegëve të tjerë ministra që do të flasin më drejtpërdrejte për sa i përket aspekteve të përvecme të buxhetit në çdo sektor dhe do të flasin me detaje, por dua të shtoj një element të fundit që është skema e re e kompensimit për fermerët që nuk janë subjekt i TVSH. Me këtë kompensim të TVSH që do të kryhet drejtpërdrejtë nga administrata tatimore besoj që do t’i japim një shtytje domethënëse përpara edhe sektorit të bujqësisë duke i mbështetur drejtpërdrejtë fermerët dhe norma e rimbursimit që kemi vendosur është më konkurruesja në rajon dhe vendoset mbi nivelet 5% deri në 8% të vendeve të tjera, duke qenë në nivelin 10%.

Duke e mbyllur dua të siguroj të gjithë ata që na ndjekin që Shqipëria nuk ndalet sepse kemi hyrë në një fazë vendimtare. Një fazë vendimtare që dje mori një shtysë të re në Bruksel, ku jo vetëm hapëm të gjithë kapitujt e negociatave, por jemi çmuar me notat më pozitive ddhe jemi çmuar me notat më pozitive pikërisht se jo vetëm i kemi qëndruar strikt të gjitha detyrave dhe praktikisht sot jemi në vendin e parë për plotësimin e të gjithave atyre kërkesave të parashikuara nga plani i ri i rritjes, samiti i cili do të mbahet nesër apo pasnesër këtu në Tiranë dhe nga ana tjetër, jemi të çmuar posaçërisht, pikërisht për atë që mallkohemi non- stop nga ata që sot po më fusin në një borxh shumë të madh me këtë pamje spektakolare që po më ofrojnë, pikërisht për drejtësinë, pikërisht për reformën në drejtësi, pikërisht për pavarësinë e drejtësisë, pikërisht për respektin ndaj asaj pavarësie dhe pikërisht për faktin që nëse sot Shqipëria, për herë të parë në histori, lufton me korrupsionin; nëse sot Shqipëria për herë të parë në histori heton pa dallim; nëse sot Shqipëria për herë të parë në histori, ka vendosur në të njëjtin nivel me pushtetin legjislativ dhe pushtetin ekzekutiv, edhe flamurin e pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, kjo jo vetëm është merita ekskluzive e Partisë Socialiste të Shqipërisë, por nga ana tjetër, botërisht dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është dhe garantja ekskluzive e asaj pavarësie.

Parafytyrojeni vetëm për një moment se si do ta përplasnin për muri, drejtësinë e pavarur ata që për momentin dhe për një kohë të gjatë, do të vazhdojnë të përplasin vetëm veten.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.