Partneriteti mes Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe biznesit është dëshmuar një bashkëpunim i frutshëm në gjetjen e fuqisë punëtore të aftë dhe të gatshme për punë. Një nga këto biznese është edhe fabrika e prodhimit të konstruksioneve metalike “Europa Construksion”, në Elbasan, kryesisht për tregun jashtë vendit, që falë këtij bashkëpunimi ka rekrutuar punonjësit e rinj që do të zëvendësojnë brezin e vjetër të profesionistëve. Kryeministri Rama, i cili vizitoi këtë fabrikë, u njoh me nevojat akoma më të mëdha për profesionistë të rinj që ka kjo kompani, e cila pritet të zgjerojë edhe më tej aktivitetin e saj.
“Kryesisht punojmë për kompani të huaja. Pothuajse 80-90% e tregut është eksport. Janë 5-6 kompani italiane dhe gjermane, të cilat sjellin projekte për ne. Prodhimet tona kanë shkuar në Amerikë, Nikaragua, Gjermani, Francë, Spanjë në të gjithë vendet dhe tregun e kemi shumë, shumë të hapur. Për momentin kemi rreth 120 punëtorë. Mundësi kemi të shtojmë, për nevojat që kërkon tregu,” shprehet sipërmarrësi.
Ndërkaq, përfaqësues të kompanisë nënvizojnë si një tjetër problem mungesën e profesionistëve të rinjve në profilin industrial.
“Specialistët më të vjetër që kemi në ndërmarrje, janë të hershëm. Duam t’i zëvendësojmë me breza të rinj,” nënvizon një prej përfaqësueseve të kompanisë, duke shtuar se më i vjetri prej tyre është sot 76 vjeç dhe për këtë shtroi nevojën e rritjes së numrit të atyre që i drejtohen shkollave profesionale. “E gjitha historia në këtë ndërmarrje është që, duhet rritur shkolla profesionale,” shprehet ajo.
Sipërmarrësi thekson se janë krijuar tashmë nga kompania edhe ambiente të posaçme për të gjithë ata të rinj që duan të bëjnë kurse profesionale, për t’u aftësuar në proceset e punës, në bashkëpunim edhe me qendrat e formimit profesional dhe të gjitha pa asnjë kosto për të përfituar nga këto profesione, ku paga mesatare mujore shkon në 80 mijë lekë.
“Te kapanoni i ri duam të bëjmë edhe klasa, sepse këtu po sjellin tani për praktikë, edhe universitetet, edhe shkollat e mesme dhe i kemi bërë pa asnjë kosto, vetëm t’i sjellin të mësojnë. Rroga mesatare këtu shkon te 80 mijë lekë të reja,” shton ai, duke garantuar edhe kushtet e punës, spas standardeve.
“Jo vetëm standardet e ndërtimit, por edhe proceset e punës këtu janë të gjitha të standardizuara. Po t’ia tregoje dikujt, nuk e besonte që mund të bëhen këto gjëra në Shqipëri,” shprehet ai.