Partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë instrument për peshën e faktorit shqiptar në rajon

Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Pas ceremonisë së mirëseardhjes dy kryeministrat të shoqëruar nga delegacionet përkatëse zhvilluan një takim në sallën e hartave.

Në përfundim të takimit, kryeministrat Rama dhe Mustafa dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Kryeministri Rama:

Përshëndetje të gjithëve!

Sot pata kënaqësinë e veçantë të pres kryeministrin Mustafa, i cili viziton për herë të parë Tiranën, zyrtarisht, si drejtues i qeverisë së re dhe shpreh besimin se me Qeverinë e re të Kosovës ne do të vazhdojmë të hedhim më tutje hapa të rëndësishëm drejt bashkërendimit të forcave dhe bashkimit tonë kombëtar në rrugën e BE.

I shpreh edhe publikisht Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës mirënjohjen e thellë për solidaritetin e treguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga qytetarët e Kosovës, ndaj zonave dhe njerëzve të prekur prej përmbytjeve të fundit në jug të Shqipërisë.

Nga ana tjetër, edhe publikisht dëshiroj që në emër të Qeverisë së Shqipërisë të përshëndes progresin e deritanishëm në konsolidimin e shtetit dhe fuqizimin e sovranitetit të Kosovës, si dhe shtrirjen e autoritetit të institucioneve shtetërore në të gjithë territorin e saj, përfshirë dhe njehsimin e pushtetit gjyqësor.

Ne ndajmë së bashku vlerësimin se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë të shkëlqyera e vëllazërore dhe se partneriteti strategjik mes dy shteteve tona, i institucionalizuar në mbledhjen e Prizrenit më 11 janar 2014, është një instrument themeltar që përcakton dhe do të përcaktojë në vijimësi, peshën e faktorit shqiptar në rajon.

Mund të nënvizoj sot edhe bashkëpunimin doganor, mes dy shteteve, si dhe unifikimin e institucioneve tona doganore në Morinë, në 16 shkurt të këtij viti, jo vetëm si shenja të fillimit të ndërveprimit ekonomik Shqipëri-Kosovë, por edhe si shenjë domethënëse e vullnetit të përbashkët për një sinergji administrative, në shërbim të krijimit të një zone të vërtetë ekonomike, jo vetëm në hapësirën shqiptare të rajonit, por në të gjithë rajonin në tërësi.

Ndërkohë, ne diskutuam edhe për ecurinë e përgatitjeve për mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila do të mbahet në 23 mars të këtij viti, këtu në Tiranë dhe për projektimin e objektivave të reja për të ardhmen.

Sigurisht që, të gjitha këto së bashku, janë problematika që trajtohen brenda kuadrit të ambicies së përbashkët të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, por jo vetëm, për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ne i kuptojmë vështirësitë me të cilat përballet procesi i zgjerimit, megjithatë ne do të vazhdojmë të përpiqemi intensivisht që të luftojmë me këto vështirësi dhe të nënvizojmë kurdo dhe kudo që është e mundur dhe e nevojshme faktin se sot Europa ka nevojë për shqiptarët, po aq sa shqiptarët kanë nevojë për Europën.

Duke e falenderuar Kryeministrin për vizitën e tij në Tiranë dhe për bisedën shumë vëllazërore që zhvilluam, duke falenderuar në mënyrë të posaçme, edhe Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Kosovës për kontributin e veçantë që së bashku me Ministrin tonë të Jashtëm po japin në përgatitjen e mbledhjes së dy qeverive dhe duke falenderuar të gjithë miqtë që i shoqërojnë në këtë vizitë, më lejoni që t’i jap fjalën Kryeministrit të Kosovës, mikut tonë Isa Mustafa.

 

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa:

Faleminderit, zoti Kryeministër!

Ju falenderoj shumë për pritjen që gjetëm këtu!

Ju përshëndes të gjithëve!

Ne jemi mirënjohës për çdo gjë që kemi bërë së bashku. Jemi mirënjohës për mbështetjen e çmuar që kemi pasur nga Qeveria shqiptare dhe nga populli shqiptar, në të gjitha fazat e shtetndërtimit tonë. Mendoj se ky ka qenë një kontribut i veçantë dhe në forcimin e shtetit ligjor në Kosovë, por dhe një kontribut i veçantë që ne të bëhemi pjesë e politikave europiane dhe të politikave botërore dhe që bashkërisht të marrim pjesë në ndërtimin e proceseve dhe në çuarjen përpara të proceseve tona të përbashkëta.

Ne e konsiderojmë me rëndësi të veçantë edhe marrëveshjen për bashkëpunim strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. I konsiderojmë po ashtu shumë të rëndësishme punët që kemi bërë deri tani bashkërisht, përmes të cilave ne në një formë po i kalojmë tërësisht kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, po ndërtojmë marrëdhënie të drejtpërdrejta edhe në fushën e ekonomisë dhe në fushat e tjera. Janë arritur rezultate shumë të mira në arsim dhe në kulturë. Do të bëjmë përpjekje që këto rezultate të shprehen edhe në marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po ashtu kemi nevojë që të punojmë bashkërisht në projekte ekonomike, në zhvillimin ekonomik sepse është një fushë të cilës ne i kemi dhënë prioritet të veçantë dhe fokusimin tonë themelor do ta bëjmë këtu. Ne llogarisim që kemi hapësira të madha të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, duke filluar nga energjetika, nga turizmi, nga infrastruktura dhe me realizmin e projekteve të përbashkëta, të cilat do t’i bashkërendisim me ju dhe pastaj këto projekte do të jenë projekte përmes të cilave do të ndërlidhemi edhe me vende të tjera në rajon.

Përkrahja juaj personale, por edhe e Qeverisë shqiptare, përsa i përket njohjes nga vende të tjera, e konsiderojmë si përkrahje të veçantë, sepse Kosova ka nevojë në këto momente që të njihet edhe nga vende të tjera, sidomos nga vende të BE, të cilat nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Po ashtu, e çmojmë përkrahjen tuaj edhe në anëtarësimin tonë në misionet e tjera shumëkombëshe, sepse prezenca jonë atje, është themelore për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për dhënien e kontributit tonë paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në rajon, por edhe paqes dhe stabilitetit në Europë dhe paqes botërore. Ne vlerësojmë më shumë këtë bashkëpunim. Ju falenderojmë shumë për përkrahjen tuaj. Gjithashtu sot theksojmë përkushtimin tonë që këtë bashkëpunim ta thellojmë më tutje.

 

Çfarë prisni ju konkretisht nga qeveritë përkatëse. Përveç projekteve të bashkëpunimit, mund të kemi diçka më konkrete?

Kryeministri Rama:

Faktikisht, ne nuk e kemi shqetësimin çfarë presim nga qeveritë përkatëse, por ne e kemi shqetësimin çfarë presin njerëzit nga secila qeveri në funksion të këtij bashkëpunimi dhe sikundër jeni të informuar, kemi hedhur hapa të rëndësishëm të bashkërendimit të energjive dhe te forcave në një sërë drejtimesh; në kulturë, në arsim, në infrastrukturë, sigurisht në bashkëpunimin ekonomik, por edhe për çështje të natyrës strategjike që lidhen me energjinë e me radhë.

Nuk dua të ezauroj gjithë listën e punëve të bëra dhe të punëve që do të bëjmë, por besoj se mbledhja e përbashkët e dy qeverive më 23 mars do të jetë momenti, kur ne do t’i japim një raport të hollësishëm publikut në Shqipëri dhe në Kosovë lidhur me sa kemi bërë dhe do të firmosim bashkërisht një sërë aktesh të tjera, të cilat na imponojnë bashkërendimin e forcave dhe për një sërë çështjesh të tjera.

 

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa:

Ne e kemi për detyrë që t’i krijojmë kushtet e bashkëpunimit institucioneve tona, bizneseve tona dhe njerëzve tanë.

Unë mendoj se me marrëveshjet që janë arritur deri tani dhe ato që janë në vijim e sipër, ne do ta bëjmë këtë. Do të punojmë që të harmonizojmë programet mësimore, në mënyrë që ato të jenë përafërsisht të njëjta dhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Do të punojmë që të ndërveprojnë bizneset tona. Të krijojmë një hapësirë që ato të bashkëpunojnë, në mënyrë që të bëjmë një kthesë, për sa i përket bashkëpunimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës dhe në këmbimin e mallrave dhe shërbimeve, por dhe në sferën e prodhimit, pasi kemi mundësi që të angazhohemi dhe në prodhime dhe në produkte të përbashkëta, në mënyrë që të lirohemi nga importet që ne marrim nga vendet e tjera dhe të intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik në këtë fushë.

Në fushën e energjetikës, po ashtu kemi hapësirë të madhe, si dhe po ashtu kemi marrëveshjen që na mundëson që të kemi këmbime në fushën e energjitikës, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të përplotësojnë nevojat e tyre përmes këtij këmbimi. Po ashtu kemi hapësirë që të punojmë bashkërisht në projektet, të cilat i thashë edhe më parë dhe që nuk janë projekte vetëm të këtyre vendeve, por lidhin edhe vende të tjera në fushën e infrastrukturës. Ne kemi disa orientime në infrastrukturë, duke u nisur edhe nga hekurudha edhe nga vija ajrore, edhe në fushën e turizmit në mënyrë që të kemi një pako turistike, të cilën do ta këmbejmë me Shqipërinë dhe me vende të tjera në rajon.

 

Me objektivat e partneritetit strategjik që kanë miratuar dy qeveritë a parashikohet të ketë investime në fushën ekonomike, investime shqiptare si andej dhe këtej kufirit. Ka ndonjë strategji në këtë fushë?

Kryeministri Rama:

Ajo që ne na takon është që të lehtësojmë deri në fund rrugët e sipërmarrjes këtej dhe andej kufirit. Ambicia është që kufiri të mos jetë më një pikë doganore ndërkombëtare, por të jetë një pikë kalimi ku të gjithë autorizimet dhe licencat që kërkohen në këtë pikë kalimi të jenë të njehsuara. Pra, nëse një sipërmarrje shkon drejt anës tjetër, nga Shqipëria në Kosovë dhe nga Kosova në Shqipëri dhe disponon të gjitha dokumentet e autoriteteve përkatëse në anën nga niset, në anën tjetër të mos i kërkohen dokumentet e anës tjetër, por dokumentat e anës nga niset, të jenë të njohura dhe të unifikuara si praktikë juridike me dokumentet e anës tjetër.

Kjo do të bëjë që për biznesin nga dy ditë, nganjëherë dhe më shumë, momenti i kalimit të kufirit të jetë vetëm 5 minuta. Ne praktikisht këtë e çelëm si kapitull së bashku me Kryeministrin Mustafa para pak ditësh në Morinë, por kemi një sërë hapash të tjerë administrativë për të hedhur së bashku, në mënyrë që i gjithë territori fizik i Shqipërisë dhe i Kosovës të jetë një territor i vetëm për të investuar dhe taktikisht hapësira mes dy shteteve të jetë një hapësirë e vetme për të gjithë sipërmarrjet këtej dhe andej kufirit.

Kjo nuk është një dëshirë. Kjo sot është një punë konkrete që po zhvillohet dhe jemi të bindur se brenda një periudhe të arsyeshme kohore, do të jetë realitet i patjetërsueshëm i jetës së biznesit në të dyja anët e kufirit. Po ashtu, në mbledhjen e përbashkët ne do të bëjmë një sërë hapash për të hequr një sërë procedurash dhe rregullimesh që e pengojnë ose e rëndojnë të gjithë procesin e ndërveprimit për biznesin dhe të gjithë procesin e bashkëveprimit ekonomik mes të dyja shteteve.

Faleminderit!