Fjala e kryeministrit Rama në dhënien e lejeve të legalizimit për banorët e kullave Hawai në Tiranë:
Besoj se kjo është një ditë e shënuar për familjet tuaja pasi këtu ka familje që këtë copë letër, që në fakt është titulli i pronësisë, e presin prej 20 vjetësh. Ka 20 vjet që ka filluar ndërtimi i kullave të famshme. Sot janë 600 leje legalizimi që janë automatikisht të vlefshme për hipotekimin e apartamenteve dhe të njësive të shërbimit në këtë zonë, të cilat prej 20 vjetësh ju i prisni.
Në këtë proces, sot 600 familje marrin lejet e legalizimit, por janë 1520 familje që përfitojnë, sepse e njëjta metodologji është ndjekur për 14 kulla në Tiranë dhe për 4 në Durrës. 1520 familje gjithsej, 7500 banorë 120 mijë metra katrorë ndërtim.
Juve besoj i mbani mend të gjitha, por unë dua t’ju sjell në vëmendje se çfarë ju thoshte dikush që më pas u bë si u bë, por u bë kryetar bashkie, para 4 vitesh.
Ju thoshte “sa të bëhem unë kryetar bashkie, ju do të merrni në dorë tapinë e apartamentit, sepse Edi Rama nuk donte t’ua jepte”. Kaluan 4 vjet, as tapia në dorë nuk ju erdhi, as dorën që do ju jepte tapinë nuk e patë më. Për një arsye të thjeshtë, sepse ajo që ne thoshim atëherë dhe që unë jua kam thëne ishte që jo Bashkia e Tiranës, por qeveria e kohës nuk e kishte fare në mend që zgjidhte problemin tuaj. Sepse për të zgjidhur problemin tuaj duhej vullneti i qeverisë. E unë sot jam shumë krenar që pas vetëm 18 muajsh që ne jemi në qeveri dhe pasi jemi takuar këtu para 6 muajsh për të filluar punën e përbashkët dhe për t’i plotësuar të gjitha pengesat ligjore dhe pasi po këtu ju jam zotuar që me zgjedhjen tonë në qeveri, ky problem do të zgjidhet, sot ju jeni këtu për të marrë në dorë zgjidhjen e problemit, lejen e legalizimit.
Jo vetëm kaq, por ju merrni në dorë lejen e legalizimit falas. Ju jeni dëshmitarë se sa shumë jeni përpjekur, sa shumë keni trokitur, sa shumë keni ndenjur në radhë edhe sa keni paguar, ca që i keni paguar mbi dorë, ca që i keni paguar nën dorë,- por ato ikën dhe s’ka nevojë të na i tregoni- dhe vetëm gishtin në gojë mbanit.
Ndërkohë që ky proces, jeni dëshmitarë, u bë duke ardhur ALUIZNI tek ju, duke bashkëpunuar ALUIZNI dhe punonjësit e ALUIZNI-it me ju, duke mbushur bashkërisht letrat dhe pa asnjë qindarkë. Sot ju merrni lejen e legalizimit falas. Sot ata që 8 vjet me radhë, – që të mos jua llogarisim vitet e tjera se ju keni 20 vjet që prisni, – por për 8 vjet me radhë premtuan që do jua zgjidhnin problemin, tani duan t’ju bëjnë dhe budallenj, duke thënë “jo nuk janë falas”. Tani janë falas apo nuk janë falas?
Tjetra, nuk e them se kush ma tha, rrugës kur po vija, njëri nga këta që kam në krah, jo Artan Lamja se Artan Lamja nuk i di këto, njëri nga ata që di më shumë, por as Sadriu, – më çoi një mesazh dhe më tha ‘zoti Kryeministër ç’po vjen këtu tha se këtu është e mbushur me njerëz të PD-së.’ Unë ku ta gjej – i thashë – të vij dhe të takoj ata të PD-së se kemi, e para, detyrimin që në këtë proces të mos i ndajmë njerëzit jo të PD-së, jo të PS-së se në këtë pikë janë të gjithë familjarë, qytetarë shqiptarë, por tani edhe kënaqësia që duke ia u dhënë atyre të PD që të shohin në sy edhe t’ju themi “nga e pritët s’të erdhi, por të vjen nga s’e pret”, na lejohet besoj. Është një kënaqësi që nuk ia mohojmë dot vetes. Sepse normale do ishte që aq shumë sa keni bërë për PD-në, qeveria e PD-së t’ua jepte një copë letër që nuk është asnjë gjë përveçse; “Po, shpija është e jotja”, se nuk po thotë njeri t’ju bënte dhe shtëpi. Shpinë tuaj t’ua njihte, “po, është e jotja”, por as këtë fare sepse ata mendojnë që shtëpia juaj është PD-ja, pastaj se ku jetoni se si jetoni, kjo nuk është puna e tyre. Madje, sa më keq të jetoni, aq më mirë se kështu ju marrin edhe nëpër protesta.
Tani unë po kaloj në dhënien e disa lejeve. Në fakt këtu janë 600, kanë filluar të jepen, do të vazhdojnë deri në fund. I kam kërkuar Artan Lames të rrijë këtu deri në fund, se ju nuk mund të prisni asnjë ditë më shumë, pasi keni pritur 20 vjet, por edhe po nuk pritët, prapë lejet këtu janë, nuk ju thotë njeri, “jo kjo ishte loja” siç ju thoshte Shabani. Këto janë leje legalizimi, nuk janë “shabantapi” si ato që jepnin përpara zgjedhjeve dhe pastaj pas zgjedhjeve katandiseshin në letra që nuk kishin asnjë vlerë; Zero!
***
Banorët e apartamenteve të kullave Hawai në Tiranë, morën sot në dorëzim lejet e legalizimit, pas dy dekadave pritje. 600 leje legalizimi u shpërndanë sot për dy prej kullave në zonën Don Bosko. Ndërkohë që janë 1520 familje që përfitojnë, më të njëjtën procedurë legalizimi që është ndjekur për 14 kulla në Tiranë dhe për 4 në Durrës.
Kryeministri Rama së bashku me Ministren e Turizmit Eglantina Gjermeni, Drejtorin e Përgjithshëm te ALUIZNI-t Artan Lame ishin sot me banorët e lagjes “Don Bosko” për t’u dorëzuar personalisht lejet e legalizimit.
Drejtori i ALUIZNIT Artan Lame, shpjegoi se në procesin e legalizimit të këtyre ndërtimeve hasën në një kaos të vërtetë dokumentacioni, me mungesa dhe kontrata të parregullta. “Na u desh të bënim disa akte ligjore dhe nënligjore për ta bërë të mundur procesi dhe për ta futur në rrugën e zgjidhjes. Një pjesë e tyre ishin pa asnjë dokument, disa objekte prej tyre, për pjesën më të madhe nuk ekzistonin fare projektet e ndërtimit. Të gjithë banorët kishin lidhur kontrata, por në një pjesë prej tyre kontratat ishin o të paplota, o të papërfunduara.”
Kryeministri iu dorëzoi vetë lejet qytetarëve të pranishëm. Shumë prej tyre i morën ato, në emër të familjarëve të tyre emigrantë, duke ju përcjellë atyre prej së largu, gëzimin e një ëndrre të plotësuar. “ Kjo është shtëpia e vëllait. U bënë 8 vite që pres t’i çoj një lajm të mirë vëllait që kam në Angli. Atij i them nga kjo sallë- se ëndrra jote u bë realitet”, – u shpreh Zemrie Heta, – duke falënderuar me mirënjohje te gjithë punonjësit, dhe drejtuesit e ALUIZNIT ”.
Sokol Alushani, ndërsa mori në dorëzim lejen e shumë pritur u shpreh se kjo gjë ia shtonte më shumë besimin në të ardhmen. “Fakti që po bëhen realitet këto, na bind që në të ardhmen do të jemi më mirë akoma”
Ndërkohë që kryeministri sqaroi për banorët se tashmë ata kanë në zotërim prona të vërteta, të cilat mund t’i përdorin për të zhvilluar edhe më shumë ekonominë e tyre. “Është e rëndësishme të theksohet për procesin. Për ju që jetoni në pallate nuk ka qenë asnjëherë problem që “do ma prishin, s’do ma prishin”. Kjo leje duhet për një arsye tjetër. Në momentin kur apartamenti apo njësia e shërbimit hipotekohet, pra bëhet pasuri e patundshme, nga ai moment, ti, familja jote ke mundësi që të shkosh në bankë dhe të kërkosh një kredi për të hapur një biznes të vogël, për të mbështetur studimet e fëmijës, për të blerë një makinë, për t’u bashkuar me dikë tjetër, atje nga zona ku ke ardhur, për të marrë pjesë si aksionerë në një fermë, etj. Pra, ky titull pronësie bën që shtëpia, nga një vend për të futur kokën, që nuk figuron asgjëkund, kthehet në një pasuri që përdoret si kolateral në një bankë. E kjo është një vlerë e shtuar për çdo familje sepse nga momenti që familja disponon këtë pasuri të patundshme nuk është më pa asnjë gjë, por ka këto para që ka investuar, të kthyera në vlerën e kësaj letre, por kjo është një gjë me rëndësi të madhe për ekonominë kombëtare, sepse të gjithë ata që jetojnë në shtëpi të palegalizuara, faktikisht, gjithçka që kanë pasur e kanë kthyer në tulla dhe në llaç dhe janë në përgjithësi të varfër ose me vështirësi shumë të mëdha. Nga momenti që hipotekojnë pasurinë e tyre, ata kanë një pasuri. E me këtë pasuri mendojnë dhe zgjedhin vetë se çfarë do të bëjnë”.