Komiteti i Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile pranë Kryeministrit raportim për situatën:
Sot, në orët e para të mëngjesit, në Zyrën Operacionale të Situatës u mblodh Komiteti i Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile pranë Kryeministrit, i cili raportoi për situatën më të në fund në vend, e shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit:
Sandër Lleshi, këshilltar i Kryeministrit për sigurinë: Po e fillojmë me një kujtesë për 105 vjetorin e Forcave të Armatosura, sot. Le të jetë edhe një lajm i mirë në këtë situatë të ngarkuar.
Përgjithësisht, moti ka ndryshuar pozitivisht dhe tendenca është po ashtu, pozitive. Ende mbetet shqetësim lumi Vjosë, për arsyen e prurjeve që ende janë mbi nivelin kritik, por pritet që gjatë ditës së sotme, këto ta kalojnë nivelin e 1200 m/kub për sekondë, pra, të bien në nivelin poshtë nivelit kritik.
Edhe njolla e kuqe [e rrezikut] në hartë është zvogëluar shumë. Ka ngelur vetëm zona e Fierit dhe e Vlorës, , zona problematike. Pjesa tjetër është stabilizuar, jo normalizuar.
Në kaskadën e Drinit mbetet i njëjti nivel si në takimin e fundit.
Sa i përket masave të marra, janë zhvilluar operacionet e kërkim shpëtimit dhe evakuimit ne Fier dhe në Vlorë me intensitet shumë të lartë, sidomos në Fier ku edhe situata ka qënë shumë kritike.
Kanë mbërritur disa ndihma të para nga Mali i Zi, mbrëmë vonë.
Kanë vazhduar operacionet e mbështetjes për qytetarët e prekur, pastrimi dhe normaliteti i zonave të përmbytura. Ka filluar lëvrimi i ndihmave të para komunitare. Është vënë një numër telefoni në dispozicion në Zyrën Operacionale për ata që kanë interes dhe dëshirë për të ofruar ndihma, një pikë kontakti. Ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes ka ngritur një qendër pritjeje dhe administrimi për ndihmat që mund të vijnë nga jashtë. Gjatë ditës së sotme do të hapen konto bankare në disa banka, me qëllim që qytetarët të solidarizohen me ata që janë dëmtuar të kenë mundësi dhe të orientojnë donacionet e tyre.
Masat e marra në gjërat më jetike ka qënë ndërhyrja në Darëzezë, ku gjatë natës së parmbrëmshme u bë e mundur të shpëtohet një situatë kritike, që kishte të bënte me përmbytjen e hidrovoreve, që do kishte pasoja të renda. Ka mbetur si dem ura, por Ministria e Mbrojtjes ka filluar që mbrëmë për të vendosur një urë bejli, për të siguruar ndërlidhjen e qytetareve që janë të izoluar momentalisht.
Kemi bërë një bilanc paraprak të gjendjes, i cili është mjaft i rëndë. Ka 590 familje të evakuuara, 1552 persona të shpëtuar, 4715 banesa të dëmtuara, 41 biznese, 10 622 hektarë të përmbytur, 5526 hektarë me prani ujë. Ndërkohë që 27 shkolla, sot nuk e fillojnë mësimin për arsye të kushteve të papërshtatshme. Dje, Ministria e Arsimit ka bërë njoftimin ku janë njoftuar të gjithë nxënësit dhe qytetarët.
Po i afrohemi një faze tjetër. Në interes të përgatitjes për fazën e likuidimit të pasojave dhe stabilizimit është bërë një vlerësim paraprak, kryesisht për infrastrukturën kritike të dëmtuar, për rrugët, urat, ujësjellësit, shkollat, digat, argjinaturat, rrjetin elektrik, kabinat dhe nënstacionet. Ky ka qënë fokusi për të parë si e kemi gjendjen në këtë sektor, që është jetik për funksionimin e gjithë aktivitetit normal të vendit.
Bie në sy një fakt, që ka shumë ura të dëmtuara, që është e pazakontë në raport me emergjencat e mëparshme dhe kjo lidhet me faktin që furia ka qenë shumë e madhe, ka pasur volum dhe shpejtësi të madhe, të cilat i kanë bërë urat të parezistueshme. Janë rreth 65 ura të dëmtuara.
Është e rëndësishme për fazën që do të hyjmë tani, disa përfundime paraprake. Faza e parë e përballimit të emergjencës tashmë konsiderohet e përfunduar, rreziku imediat për jetën, e cila është mbyllur me sukses të plotë. Objektivi i fazës së parë, shpëtimi i jetës njerëzore është përballuar me sukses të plotë. Shumica e dëmeve janë në infrastrukturë dhe në objekte publike dhe private.
Është krejt i pazakontë dëmtimi i 65 urave për shkak të intensitetit të reshjeve dhe nevojë për vijimin e programit të mbrojtjes së infrastrukturës kritike të vendit në fazën që vijon. Argjinatura, digat e ulëta dhe kanalet kulluese mbeten ende problem për t’u zgjidhur. Me gjithë punë e bërë përsëri mbeten problem.
Kryeministri Edi Rama: Së pari, një moment më të mirë, në kuptimin e simbolit, për të uruar 105 vjetorin e Forcave të Armatosura, për të gjithë ata që kanë dhënë dhe japin edhe tani që po flasim më të mirën e tyre në misionin atdhetar të ushtrisë shqiptare, nuk ka.
Duke i falënderuar me shumë mirënjohje të gjithë ushtarakët, vajzat, djemtë, gratë dhe burrat që janë angazhuar në këto ditë dhe net tejet të vështira dhe duke falënderuar edhe gjithë të tjerët, që po ashtu i dhanë një pamje kuptimplotë reagimit të shtetit në këtë situatë, dua të nënvizoj se tani është momenti për të çuar përpara fazën e dytë, atë të kapërcimit të pasojave, në radhe të parë, për familjet e prekura dhe sigurisht, për ato pjesë të infrastrukturës që janë jetike për lëvizshmërinë dhe për garantimin e vazhdimit të jetës normale në komunitetet e zonave të përmbytura.
Do të na duhet më tej që të ecim me zbatimin e planit që ka nisur prej disa muajsh nga ministri i Bujqësisë, për të ndërhyrë në të gjitha pikat e dobëta të sistemit të mbrojtjes nga uji, në bashkëpunim me ministrin e Infrastrukturës. Fakti i shembjes së një numri të konsiderueshme urash flet qartë për potencialin katastrofik që kishte kjo situatë, nëse shumë investime mbrojtëse nuk do të ishin bërë në këto dy vjet. Nga ana tjetër e kemi parë qartësisht se në çdo zonë ka ende një sërë pikash të dobëta, ku duhet ndërhyrë me përparësi.
Për këtë arsye, ne do të punojmë intesinvisht me dy ministrat që lartpërmenda dhe me mbështetje të Ministrisë së Financave që është gjithmonë e gatshme.
Duhet të bëjmë edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera, për të marrë masa më afatgjata për mbrojtjen e shtratit të lumenjve nga aktivitete dëmtuese dhe për mbjelljen me përparësi të pemëve në të gjitha ato zona ku dëmtimi serioz i pyjeve, dëmtimi serioz i shiritave të gjelbër ka sjellë edhe erozion edhe aluvione.
Pa diskutim është përparësi hapja e shkollave përkohësisht të mbyllura, por besoj se kjo do kapërcehet më shpejtësi .
Po ashtu është përparësi marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe të bizneseve nga përmbytjet. Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë me ligj dhe ku pastaj, njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit, që nuk mund të përballojë gjithçka dhe gjithmonë, edhe pse këtë herë, ne do t’i përballojmë si edhe herën e kaluar, të gjitha detyrimet që burojnë nga kjo krizë e rëndë.
Por është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët, të gjithë sipërmarrësit të stabilizohen dhe të kuptojnë se duhet si në çdo vend normal të marrin masa, të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore, në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi.
Natyrisht, përsa na takon, ne do të bëjmë maksimumin, siç kemi bërë edhe herën e shkuar, ku nuk kemi lënë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet që ka pasur.
Është shumë e rëndësishme që të bashkëpunojmë ngushtësisht me prefektët, është shumë e rëndësishme që të bashkëpunojmë ngushtësisht me pushtetin vendor.
Tani është një fazë ku mediat spostohen në të tjera drejtime, po ku për ne është e domosdoshme të vazhdojmë në këtë drejtim dhe të bëjmë çmos në çdo pikë të detyrimeve tona, për ta përmbushur atë plotësisht, pavarësisht nëse ka apo nuk ka vëmendje të përqendruar tek kjo çështje.
Faleminderit të gjithëve për gjithçka keni bërë në këto ditë dhe net shumë të vështira! Faleminderit dhe të gjithë të tjerëve që vazhdojnë dhe janë edhe tani që po flasim në terren, pranë familjarëve dhe njerëzve në nevojë!
Shumë faleminderit!