Mbrëmjen e sotme, Kryeministri Edi Rama së bashku me Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari dhe kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, ishin në zonat më problematike të përmbytjeve në këtë bashki. 24 orë pas emergjencës së rreth 60 familjeve të cilat u evakuuan të enjten, situata paraqitet më e qetë. Ndërkohë, Kryetari i bashkisë Xhelal Mziu informoi kryeministrin mbi gjendjen e përgjithshme. “Këtë vit, siç duket ka rënë më shumë shi e ngaqë patëm bërë dhe disa investime tek kjo pjesa e sipërme, erdhi e u grumbullua dhe mbrëmë ishte rreth 1 metër më shumë tek kjo pjesa këtu dhe janë rreth 50-60 familje që evakuuar dhe janë sot në qendrën ditore në Tiranë. Jo pak probleme janë krijuar dhe mbi kolektor. Kolektori është i tillë që nuk ka shumë pjerrësi për të shkuar deri në lumë, është rreth 850 metra deri tek gryka e lumit. Dje nuk e përballonte dot dhe kishte shkuar rreth gjysmë metri mbi të. Por, krahasuar me mbrëmë është goxha më mirë. Kemi dhe një pikë tjetër rreziku që është në frutikulturë. Aty, meqenëse uji vjen më poshtë sesa lumi dhe nuk i përballon e futet në gjithë zonën e frutikulturës.”
Interesimit të kryeministrit, Kryetari i Bashkisë Mziu iu përgjigj se “vetëm në këtë zonë janë rreth 60 familje, aktualisht 250 familje të konstatuara deri tani që nuk banojnë njerëzit. Kryesisht në këtë zonë, por ka dhe në pika të tjera. Zona e Valiasit të ri dhe e frutikulturës janë më të rrezikuara. Të dyja vijnë për shkak të kolektorëve të hapur. Veç tubacioneve nëntokësore nuk përballojnë reshjet e shiut. Edhe këtu poshtë po hiqen me pompat e ushtrisë, sepse edhe kjo ka një rënie tektonike për shkak të minierës së Valiasit.”
Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari, e cila gjithashtu ka ndjekur hap pas hapi situatën shprehet se nata e kaluar ka qënë një sfidë për të gjithë. “Sot është situata shumë më ndryshe në krahasim me natën e kaluar. Ajo ka qenë një sfidë e vërtetë për të gjithë. Sot kemi bashkëpunuar që në mëngjes me kryetarin e Bashkisë, dhe situatat që ka pasur më tepër për evakuim të popullsisë sepse janë banesat në ujë, ne i pamë para dy orësh, por me forcat e veta i ka sistemuar. Aktualisht po punohet në dy, tre pika brenda në qytet, që ka ujë dhe po i thithim me pompa. Në Tiranën e re, tek Rruga e Elbasanit, por situata është nën kontroll, nuk ka probleme.”
Kryetari i Bashkisë Xhelal Mziu informoi gjithashtu Kryeministrin edhe për gjendjen e kolektorit dhe investimet që janë realizuar aty. “Në situatën që është ky kolektori, ne në fakt kemi filluar, është tre kilometër i gjatë, dhe shkon deri afër aeroportit të Rinasit. Kemi filluar nga grykëderdhja dhe aty jemi ulur 12 metra thellë e po vijmë e kemi avancuar rreth 1 kilometër. Janë dhe dy kilometra të tjerë. Po tentojmë që të mos ketë rrjedhje uji në këtë drejtim, sepse nuk i përballon që ta kthejnë në anën tjetër rrjedhën. Po t’i shohësh, këtu janë të paktën 30 shtëpi që nuk banojnë. Përveç ujit, ka dhe rënie tektonike e cila është problem.
Nëse do t’i kishim dhënë një zgjidhje këtij kolektorit të ujit, kemi një kolektor që kalon mes përmes bathores që vjen që nga pjesa e Zallherrit. Këtë investim e kam bërë unë. Këtu janë tre investime, është një kolektor 2 mijësh. Pastaj vazhdon në të dy krahë që kanë bërë dhe ka ngelur ky 350 metra që shkon këtu poshtë dhe ky kolektori, por sidomos ky këtu për ta hedhur deri te lumi. Kjo është zgjidhja më emergjente dhe është ajo e Bathores që kalon mes përmes Kamzës. Unë mund të sjell edhe dy projektet e dy kolektorëve të cilët krijojnë probleme rreziku për bashkinë, të cilët mund të shihen edhe nga ana e ekspertëve për ta parë zgjidhjen që japin në këto situata.”
Ndërkohë kryeministri Rama siguroi se pas kalimit të emergjencës së përmbytjeve, do të merren të gjitha masat që situata të tilla të mos përsëriten më, për të njëjtat arsye.
“Ne patjetër pasi të kalojë kjo faza e krizës duhet t’i shikojmë me kujdes këto pikat këtu dhe kudo, për të nxjerrë detyrat e para që vitin tjetër apo kurdo qoftë të mos përsëritet të paktën në këto pika dhe jo për këto arsye. Pastaj për arsye të tjera s’kemi çfarë i bëjmë, por për këto do i shikojmë dhe do i marrim me radhë si pika prioritare sepse kjo është e gjitha një situatë e ndërlidhur. Unë besoj që do shkojë situata duke u vënë nën kontroll dhe gjëja më e mirë e kësaj situate është që jemi të gjithë për një qëllim dhe të bashkuar për t’i dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Ndërkohë që, patjetër, pasi të kalojë kriza, do merremi me kujdes me pikat më nevralgjike edhe këtu në Kamëz, por edhe në zona të tjera për të bashkëpunuar që të shohim mundësinë që t’i dalim përpara në të ardhmen, të paktën në këto pika, pastaj hap pas hapi. Faktikisht reshjet kanë qenë jashtëzakonisht të larta dhe unë pashë dhe ato rezultatet e këtyre Instituteve që jepnin një nivel më të lartë se 2015-ta. Deri tani s’kemi dëmet e 2015-ës. Kjo natë është shumë e vështirë në zonat e jugut. Këtu nuk besoj se do ketë intensifikim. Këtu është thjesht vetëm mbajtja nën kontroll, pastaj kalojmë në fazën tjetër.”