Fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë shpërndarjes së certifikatave të pronësisë në Paskuqan:
Përshëndetje të gjithëve!
Më kujtohet kur afro një vit më parë kemi qenë këtu, në këto mjedise, ishim në fillim fare të procesit, pasi na u deshën rreth 6 muaj për të gjetur dhe për të sistemuar aq dosje sa mund të gjendeshin në atë depo pa inventar, që quhej ALUIZNI. Një depo pa inventar, ku dhjetëra mijëra qytetarë kishin dorëzuar dokumentet e shpresës së tyre të madhe, bazuar edhe tek premtimet e mëdha të qeverisë së kaluar dhe kishin paguar mbi dorë dhe nën dorë, – ju këtë e dini më mirë se unë – dhe jo vetëm nuk kishin marrë përgjigje, por askush nuk ishte kujtuar për t’ju trokitur ne derë.
Atë ditë, ne shpërndamë rreth 55 lejet e para të legalizimit falas dhe u zotuam që do të bënim shumë më shumë.
Sot jemi rikthyer këtu, pas një pune të madhe që është bërë nga Drejtoria, nga strukturat e kësaj Drejtorie për zonën, nga vajzat dhe djemtë që punojnë në këtë Drejtori dhe ju i njihni, sepse ne e ndryshuam mënyrën se si funksiononte procesi, ashtu sikundër u zotuam që jo më ju të shkonit dhe të rrinit në radhë dhe të prisnit për të marrë një përgjigje, por ALUIZNI të vinte derë më derë për të bërë matjet dhe për t’ju ndihmuar që të mbushnit të gjithë formularët, pa e futur dorën në xhep.
E, faktikisht, në bashkinë e Kamzës, që sot është bashkia e re e Kamzës që përfshin edhe Paskuqanin, pra, në Kamzë dhe Paskuqan, ku është dhe zemra e problemit siç e tha dhe Artan Lame, me të drejtë dhe ku për 20 e kusur vite me radhë nuk u lodhët që nuk u lodhët duke e çuar votën në drejtimin e gabuar, në tetë vjet, ata bënë vetëm 155 legalizime. 155 legalizime janë më pak se 2 % e kërkesave që për tetë vjet prisnin për të marrë përgjigje. Nga këto 155 legalizime, pjesa më e madhe nuk janë fare shtëpi. Janë magazina, dyqane, motele, janë histori biznesi dhe lekësh, por nuk janë shtëpi.
Ndërkohë që, nga ajo ditë që ne kemi bërë këto gati dhe do të shpërndajmë sot 750 legalizime, plus legalizimet që janë bërë gjatë kësaj periudhe kemi kaluar 1000 legalizime vetëm këtu. Dhjetë herë më shumë legalizim sesa ata në tetë vjet i kemi bërë vetëm në një vit dhe falas dhe pa ju torturuar për të shkuar dhe për të kërkuar Shabën që s’dihej se ku ishte dhe pa ju futur dorën në xhep, sa herë që ju donit të preknit Shabën, sikur Shaba ishte statuja e ndonjë shenjti që ju e kërkonit dhe nuk e gjenit dot. Shaba po e them meqë ishte drejtori, po ju e dini që nuk është punë Shabe kjo, është punë Sale dhe Shaba i shkretë ishte pjesë e drejtimit të gabuar.
Ndaj sot i shpërndajmë me shumë kënaqësi, por dhe me bindjen që ka edhe shumë për të bërë, sepse vërtet ne i kemi kaluar 1000 legalizimet në këtë zone, por janë ende mijëra dhe mijëra të tjera që duhen dhënë për të mbyllur këtë proces. Për ta mbyllur këtë proces që u bë litar në qafën e çdo familjeje, që ka bllokuar kapitalet, sepse të gjitha paratë, të gjitha kursimet, të gjithë mundin dhe djersën, familjet tuaja dhe të gjitha familjet që presin legalizimet në zonat informale e kanë bërë tulla, llaç, tjegulla, materiale ndërtimi për shtëpinë.
Ndërkohë që shtëpitë janë me dy e tre kate, të gjithë janë të varfër, sepse ky kapital është i bllokuar. Në momentin kur ju merrni lejen e legalizimit do të thotë që mund të regjistroni shtëpinë në hipotekë dhe në momentin kur e regjistroni shtëpinë në hipotekë, shtëpia kthehet në kapital të qarkullueshëm, sepse është një dokument që provon që ju keni një pasuri. Me atë dokument, ju mund të drejtoheni në bankë për të kërkuar kredi, për të çelur një biznes, për t’u bashkuar me të tjerë, që janë në zonat nga keni ardhur dhe që kanë një fermë të vogël, për ta shtuar, për të marrë pjesë në një aktivitet biznesi, bujqësor ose blegtoral, për të ndihmuar fëmijën për shkollimin dhe kështu me radhë.
Gjithë ky kapital, miliarda e miliarda të gjakut, të djersës, të mundit, të viteve, të të gjithë atyre që e nisën këtë betejë për një jetë më të mirë vite më parë, nuk mund të jetë më i bllokuar, por do të çlirohet pak nga pak. Duke u çliruar do të lehtësojë ekonominë tuaj familjare, por do të fuqizojë edhe ekonominë tonë kombëtare. Arsyeja se proceset e legalizimit të këtyre kapitaleve kanë rëndësi për vendin dhe për ekonominë dhe aty ku bëjnë mirë janë histori suksesi, është pikërisht sepse çlirojnë flukse të reja kapitalesh për çdo familje, për çdo komunitet dhe për vetë vendin.
Unë besoj, që kjo që po bëjmë, do të jetë një gur i rëndë themeli për rimëkëmbjen ekonomike të të gjithë këtyre familjeve. Sigurisht që e kam më të thjeshtë të flas me ju, të flas me ata që i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre me mund dhe që jam i bindur që më kuptojnë shumë më thjeshtë dhe shumë më mirë, sesa disa të tjerë që nuk i kanë thënë ndonjëherë punës mirëmëngjes. Kur them se puna do kohën dhe punën e vet, edhe një shtëpi do kohën dhe punën e vet. Shtëpia jonë e përbashkët, Shqipëria është njësoj si shtëpia juaj, ndërtuar pak nga pak me mund dhe për ta bërë ashtu siç e duam, na duhet shumë mund, na duhen sakrifica, siç keni bërë ju shumë sakrifica, për të arritur deri tek pika që të hidhni edhe çatinë dhe duhet natyrisht, edhe kohë.
Mua më kujtohet shumë vite më parë, fillimi i kësaj historie. E kam para syve imazhin e fushave tek Universiteti Bujqësor, të mbushura me kasolle plasmasi, të shumë familjeve që vinin nga zona të thella, të varfra, në kërkim të një jete më të mirë dhe që e shihnin Tiranën si Amerikën e tyre të vogël. Nga ato kasolle plasmasi filluan të lindin themelet e pastaj, tullat e para, katet e para, katet e dyta. Por kjo u bë në vite, sepse u deshën vite pune të rëndë, qoftë këtu, qoftë në emigracion, kursimesh të mëdha, shpeshherë duke hequr edhe nga buka e gojës për të përfunduar shtëpinë.
Kjo është historia e një procesi që ka brenda një mësim të madh, për si mund të ndërtohet shtëpia e përbashkët dhe se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të ndërtuar shtëpinë e përbashkët, përveç punës, përveç sakrificave, përveç durimit të madh, solidaritetit me njëri-tjetrin dhe besimit se jemi në drejtimin e duhur.
Unë e di shumë mirë që në këtë zonë, ashtu si dhe në shumë zona të tjera, problemet janë të mëdha dhe shqetësimet janë të mëdha, por unë besoj se nuk ka njeri të arsyeshëm, njeri që mendon me kokën e tij, që sheh me sytë e tij, që dëgjon me veshët e tij, jo me kokën e partisë, me sytë e me veshët e partisë, që të pretendojë se në 18 muaj mund të bëjë më shumë sesa ç’u shkatërrua për vite të tëra rrënimi në drejtimin e gabuar.
Unë jam i bindur që ju të gjithë jeni të vetëdijshëm dhe çdo njeri i arsyeshëm është i vetëdijshëm se varfëria, papunësia, problemet e mëdha sociale e me radhë nuk lindën 18 muaj më parë dhe as janë thelluar në këto 18 muaj. E kundërta është e vërtetë.
Ne gjetëm një shtëpi që ishte duke rënë. Një shtëpi që rrezikonte të zhytej në një terr katastrofik, për shkak të kolapsit energjetik, në radhë të parë. Një sektor i shpartalluar dhe një situatë hemorragjie e plotë. Gjysma e popullit që nuk paguante, vjedhje, abuzime, historira që nuk ndodhin në Europë dhe gjysma tjetër që duhet të paguante për gjysmën që nuk paguante. Pastaj, shteti që me taksat e qytetarëve duhej që çdo ditë të mbushte gropën që hapej nga vjedhjet, abuzimet dhe mungesa e investimeve në sistem, 150 milionë euro. Sikur këto 150 milionë euro të mos kishin shkuar çdo vit për të mbushur këtë gropë, por të kishin shkuar për çerdhe, kopshte, shkolla, spitale, rrugë e me radhë, sot do të kishim një Shqipëri tjetër.
E kam shumë të qartë që reforma që ne kemi ndërmarrë, masat që ne kemi ndërmarrë dhe rruga që ne kemi çelur dhe ku ne po udhëheqim për të vendosur barazi të plotë në këtë sektor, nuk është e kënaqshme për të gjithë. Për shumëkënd është e dhimbshme. Por është e vetmja rrugë, është i vetmi drejtim, për të bërë të mundur që fëmijët tanë, fëmijët e Shqipërisë të mos mbeten rrugëve. Dhe që Shqipëria të mos mbetet rrugëve, por, përkundrazi, një orë e më parë të shpëtojmë nga ai kancer i madh, që thithte në mënyrë të pangopur gjakun e ekonomisë tonë dhe të fokusohemi tek çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së jetës.
Reformat nuk janë festa, nuk janë koncerte, nuk janë ndeshje futbolli, nuk janë dasma dhe gëzime të mëdha. Reformat janë operacione të dhimbshme dhe masat që i shoqërojnë janë ilaçe të hidhura. Por, a ka ndonjë prind që thotë “unë fëmijën nuk e çoj në operacion se nuk dua që t’i dhembin plagët”, pavarësisht se fëmija ka një kërcënim në trup nga një sëmundje e rrezikshme? Nuk ekziston. Prindi nuk e çon fëmijën në operacion për ta torturuar, e çon në operacion për ta shpëtuar.
A ka ndonjë nënë që do që t’i japë fëmijës ilaçe të hidhura dhe jo mjaltë? Nuk ekziston. Por nuk ka një nënë që të thotë “nuk po i jap ilaç, kur fëmija ka temperaturë, se i hidhërohet goja, por po i jap karamele, që të mos mërzitet”. Kështu janë reformat dhe kështu janë masat që i shoqërojnë. Sepse, nëse duam nesër që të mos vazhdojë historia që ka vazhduar për kaq shumë vite, ku nuk kemi dalë dot në një tjetër nivel jetese si vend, si shoqëri, si komunitete, si familje, atëherë duhet që të gjithë sëbashku jo vetëm t’i pranojmë, por t’i përballojmë operacionet e nevojshme, në mënyrë që nesër, çka e pësuan ata që e jetuan këtë kohë, të mos ta pësojnë ata që janë e ardhmja, fëmijët, të rejat, të rinjtë.
Nuk po i marr me radhë të gjitha reformat, por një gjë dua t’jua them shumë qartë.
Më vjen shumë çudi që dalin ca e flasin që Kryeministri po kërcënon njerëz, po kërcënon komunitete, po kërcënon qytete se po votuat ata të Partisë Demokratike, do të mbeteni pa punë e pa ujë. Nuk është kështu fare!
Unë ju detyrohem të vërtetën, ju vendosni se cilin drejtim zgjidhni. Unë di t’ju them që nëse këtu ku jemi, për shembull, në Kamzë, votoni për atë që keni pasur gjithë këto kohë, nuk keni ç’ prisni ndryshe. Çfarë do të prisni ndryshe? Çfarë do të bëjë ndryshe dhe çfarë do të bëjë më mirë? Ku janë provat që mund ta bëjë më mirë? Nuk ekzistojnë. Do të përsëritet e njëjta gjë. Të kërkosh të ndryshosh një situatë, të krijuar nga ecja në një rrugë të gabuar, duke vazhduar në po atë rrugë, do të thotë të kesh po të njëjtin rezultat.
Ne sigurisht kemi nevojë në çdo bashki për partnerë, kemi nevojë për drejtues, të cilët janë aty për të bashkëpunuar ngushtë me ne, për të zgjidhur problemet e njerëzve. E përfytyroni që pas kaq shumë vitesh, Paskuqani është treçereku jashtë harte, nuk është kujtuar njëri të bëjë regjistrimin e objekteve dhe po të shohësh në hartë sot, aty s’ka gjë fare. E si mund ta bëjnë këtë, ata që nuk e bënë për kaq shumë vite në pushtet vendor?!
Nga ana tjetër, kryetarët e bashkive që kërkon Parti Demokratike që t’i votoni nuk janë për punën tuaj, janë për punët e partisë. Dhe punët e asaj partie janë të shpallura, janë të thëna çdo ditë dhe në një punë përmblidhen “si të rrëzojmë qeverinë”. Nuk ka problem, por kryetarët e bashkive dhe bashkitë nuk mund të përdoren për të bllokuar dhe për t’ju thënë njerëzve “shiko se nuk bëjmë dot gjë, se e ka fajin qeveria”. Kryetarët e bashkive janë aty për të punuar dhe për të zbatuar ato që kanë premtuar dhe ato që ju keni nevojë.
Unë nuk do të ndaloj së përsërituri një shembull që i shpjegon të gjitha. Një kryetar bashkie i PD-së më çon një mesazh dhe më thotë “zoti Kryeministër, komuniteti im ka shumë probleme urgjente, duhet t’ju takoj urgjent”. Unë i ktheva përgjigje “nesër në zyrë” dhe ai më thotë “jo në zyrë, se më shohin”.
Çfarë pune mund të bëj unë si Kryeministër, me një kryetar bashkie që ka frikë se e shohin kur takohet me mua? Ta takoj fshehurazi?! Ku të takohem unë, me këtë kryetarin e bashkisë këtu, tek rezervuari i Bovillës, natën?! Ja po takohem, – ai s’di as not, – po rrimë në cekëtinë, në errësirë, me këmbët në tokë, me ujë deri në mes, por për çfarë do të flasim? Si do t’i zgjidhim problemet, si do t’i diskutojmë projektet? Kjo vlen për këtë dhe vlen për të gjithë. Sepse ata, – nuk ka rëndësi janë burra të mirë, s’janë burra të mirë, nuk hymë fare tek kjo, – janë aty për të bërë punën e partisë dhe mbi të gjitha, më i miri i tyre, sipas logjikës dhe modelit të tyre se çfarë duhet të bëjë një njëri kur bëhet kryetar bashkie, është ky i Tiranës. Çfarë ka bërë ky, 4 vjet? Më i miri i tyre, 4 vjet, asgjë! Nuk mund të dali e të thotë një gjë. E keni parë? Por dalin e thonë “këtu do të ishte bërë kjo, por s’duhet të ishte gjallë Edi Rama”, “atje do të ishte bërë kjo, po të mos ishte Edi Rama gjallë”. Tani, për çfarë do t’i votoni këta? Që të dalin të vazhdojnë “ju na votuat, por puna është që është Edi Rama gjallë. S’duhet të jetë Edi Rama gjallë, që të bëjmë ne punë”. Janë tamam, fushë. Keni parë fushë ku nuk ka asnjë lloj mundësie që aty të ndodhi ndonjë gjë, asgjë!
Ka qenë një Xhemal Tafai, shumë vite përpara, Kryetar Komiteti Ekzekutiv. Unë kam qenë i vogël, por ia mbaj mend emrin se u bë i famshëm se të paktën vuri ca drita. Shkoi në Kajro, pa dritat, erdhi në Tiranë e tha ”do ta bëj Tiranën si Kajro”. Vuri ca drita dhe kujtohet sot e gjithë ditën. Ka qenë një Sali Kelmendi, ndjetë pastë, mirë, keq, ai i hapi ca kioska te “Sheshi Skënderbe”, edhe piqnin qofte, me raki. Nuk ka rëndësi, aq i tha mendja, aq bëri. Solli tymin e qofteve të demokracisë te “Sheshi Skënderbe”. E bëri një gjë. Të gjithë do e mbajnë mend, në kohën e Sali Kelmentit, ndjesë pastë, kemi pas qofte kudo. Erdhi një Albert Brojka më mbrapa, ndërtoi ca pallate shtrema-shtrema, po i bëri. Po tani, ky çfarë ka bërë? Edhe vazhdojnë dalin atje dhe thonë “ne do të kishim bërë këtë, ne do të kishim bërë atë, aty do të kishim bërë atë”. Çfarë bërë zotëri? Asgjë, zero! Ky është më i miri, llogarisni ju tani këta të tjerët. Të votosh këta, si të marrësh në qafë veten, shtëpinë, lagjen dhe gjithë qytetin. Çfarë ka këtu që nuk është e vërtetë! Kështu është.
Ndërkohë që vota në 21 qershor është shumë e thjeshtë. Nuk ka lidhje me partitë. Je me PD-në, do që ta tundësh shopin e flamurit të PD-së, tunde. Por votën në 21 qershor, pse do ia japësh? Pyetja është e thjeshtë dhe për këtë, unë i drejtohem të gjitha grave dhe vajzave që janë këtu, se përgjithësisht të gjitha gratë dhe vajzat janë më të kthjellëta. Se burrat turbullohen. Të vërtetën e ka thënë Çajupi dhe mos më bëni t’jua përsëris. Ju mos bëni si të fortë, se në mexhlis kështu bëni, si të fortë, kur shkoni tek shtëpia dhe mbyllet dera, aty ndryshon problemi. Pyetja është e thjeshtë: Do votojmë në 21 qershor? Po. Atëherë kë kemi për të votuar? Kemi këtë dhe këtë. Për çfarë do të votojmë? Na duhet çerdhja për nipin, për mbesën, për gocën, për çunin dhe kush e bën këtë. Na duhet kopshti dhe kush nga këta të dy na e bën kopshtin. Na duhet rruga he kush nga ata të dy na krijon besim se mund ta bëjë rrugën. Më thoni një përgjigje që thotë “ai i PD-së”. Çfarë lidhje kanë ata me çerdhet, me kopshtet, me shkollat, me rrugët? Ata me rrugën kanë vetëm një lidhje, që dalin në rrugë për miting. Por, në qoftë se doni mitingje, është i vetmi drejtim ku duhet çuar vota. Për zhurmë, për propagandë, për llafe. Në qoftë se doni punë konkrete dhe në qoftë se doni të bëjmë gjëra konkrete bashkërisht, na jepni mundësinë që në bashki të kemi një partner. Kryetari i bashkisë të jetë partner i qeverisë dhe ne do ishim shumë të lumtur që të kishim partnerë pa dallim partie, por ata janë repart ushtarak. Nuk janë kot tek shtëpia e oficerëve. Vetëm se oficerë pa uniformë. Domethënë, të lodhur deri në fund.
Më e bukura është se para disa ditësh bëmë një ndarje lejesh dhe ata thanë: “E bëjnë për fushatë”. Por ne kemi që nga dita e parë që filluam punën, që po e bëjmë këtë punë vazhdimisht, e vazhdimisht, e vazhdimisht. Si e bëkemi ne për fushatë?! Ose tjetra, edhe më e bukur, që sa herë bëhet diçka thonë: “Po këtë tjetrën, pse se ke bërë?” Por prit, me radhë. Siç më thoshte njëri, mbas ndeshjes me Serbinë, ku unë thashë që do të ndërtojmë stadiumin në Shkodër për të pritur fqinjët në ndeshjen e kthimit, tre ditë mbrapa: “O mashtrues, ku e ke stadiumin.” Ai kishte në Facebook edhe fotografinë e bluzës së Cristiano Ronaldo-s, as veten e vet nuk e kishte. Dhe sikur e kam përpara. Çohet në mëngjes, xhelin te flokët, o babë lekët, i jep baba lekët. Shkon tek klubi, kafen, cigaren, skedinën, X, 2, 2, 1, X, dhe kujton se të ndërtosh stadiumin është punë 90 minutash. Atë ditë do ketë humbur dhe ndonjë bast dhe është marrë me mua: “Pse o mashtrues se bëre stadiumin”.
Faleminderit!
***
Rreth një vit më parë, në nisje të procesit legalizimeve, atëherë kur ALUIZNI ishte ende si një depo pa inventar, Paskuqani përfitoi 55 lejet e para të legalizimit falas, me premtimin se qeveria do të bënte shumë më tepër.
Sot, pas gati një viti, banorët e Paskuqanit, mirëpritën për herë të dytë, Kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të ALUIZNI-t. Të cilët, në përmbushje të zotimit të qeverisë, shpërndanë për ta 750 leje legalizimi të tjera falas, për shtëpi në këtë zonë.
Me lejet e dorëzuara sot, si dhe ato të shpërndara gjatë kësaj periudhe, në Paskuqan numërohen 1000 objekte të legalizuara, ose 10 herë më shumë se në tetë vitet e qeverisjes së mëparshme.
Banorët u shprehën të kënaqur, ndërsa morën prej vetë kryeministrit lejet e legalizimit dhe për shumë prej tyre mori fund ëndrra e keqe e rikthimit në zonat nga kishin ardhur.
Liman Lita, ishte njëri nga banorët, anëtar i Partisë Demokratike, i cili me lejen e legalizimit në dorë, e ndjen veten plotësisht banor të zonës, në të cilën ka ngritur dhe shtëpinë. “Unë jam anëtar i PD edhe na thanë që mos e votoni Edi Ramën se do të ikni për Kukës. Kur ma dhe ti legalizimin u ktheva me ty sepse ti më bëre banor të këtushëm. Ka aq shumë kohë sa nuk e mbaj mend, që kur e kam bërë kërkesën për legalizim, ka 15 vjet.” – tregoi ai.