Pas më shumë se 20 vjetësh rikthehet vaditja për 1800 familje të fshatrave të Elbasanit, të cilat e kishin plotësisht të pamundur të shfrytëzonin dhe përfitonin produkte nga tokat e tyre bujqësore.
Përmes fondit të vendosur dispozicion për bashkitë, nga qeveria, për rigjenerimin e sistemit e ujitjes dhe të kullimit në të gjithë vendin, – i cili tejkalon çdo dhënie fondesh nga qeveritë e mëparshme, – bashkia Elbasan po kryen punime për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes dhe kullimit.
Deri tani 70 % e kanaleve ujitës janë plotësisht funksionalë, në shërbim të tokave bujqësore, ndërkohë që këtij rrjeti të ri ujitës do ti shtohen edhe kilometra të tjerë me kanale të para dhe të dyta ujitëse, që vihen në funksion për herë të parë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 4500 hektarësh.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini ishte sot për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Kryetari i Bashkisë Sejdini informoi se shumë shpejt do të përfundojë plotësisht pastrimi i kanaleve kryesorë dhe do të fillojë puna me kanalet dytësore. “Ky është një kanal kryesor që vadit 1 mijë hektarë dhe përftojnë 1800 familje. Përveç këtyre kanaleve që sot jemi 70 % shkallë bashkie të re, në 31 maj ne përfundojmë 100% pastrimin të kanaleve dhe fillojmë me ato dytësore. Ajo që ka më shumë rëndësi është se janë kanale që për 20 vjet nuk janë vënë në punë. Elbasani ka gjithsej për të vaditur 4500 hektarë dhe ne I shtojmë rreth 2000 mije hektarë që kanë qenë të pavaditura këto 20 vjet. Krejtësisht e pabesueshme dhe për ne që punojmë është krejt e pabesueshme.”
***
Banorët e Elbasanit do të kenë së shpejti, në qendër të qytetit, një park tërësisht të rivitalizuar, i cili do të ofrojë për ta një zonë tërheqëse dhe kreative për çlodhje dhe argëtim. Përmes një investimi prej 110 milion lekësh, të mbështetur nga qeveria përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, Parku “Aqif Pasha” në këtë qytet do të jetë mjedisi më i ri, i sistemuar dhe riorganizuar, sipas një infrastrukture bashkëkohore, ku përfshihen sipërfaqet e gjelbëruara, rrugicat publike për këmbësore, ndriçimi, stolat, mjediset çlodhëse, etj.
Të gjitha punimet e realizuara dhe të parashikuara në projekt janë në përshtatje harmonike me zonën historike të Kalasë dhe objekteve të tjera të veçanta me vlera historike që ndodhen pranë kësaj zone e që të gjitha së bashku do t’i ofrojnë qytetit të Elbasanit një element tjetër të zhvillimit të qëndrueshëm urban.
Duke shtuar interesin e vizitorëve, rivitalizimi i parkut në qendër të qytetit do të bëjë përfitues edhe komunitetin e biznesit që operon në këtë zone.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini dhe deputetë ishte sot për të parë nga afër punimet për realizmin e këtij projekti.