Pazari unik i Krujës vijon të mbetet një nga pikat më atraktive që ky qytet ofron në çdo stinë. Ndonëse pandemia prej 1 viti ka ndikuar ndjeshëm në kufizimin e numrit të turistëve të huaj, janë sërish vizitorët vendas të pranishëm, ku tradita kuvendon aq bukur në punimet e larmishme të zejtarëve të zonës. Në punishten e qilimave të disa prej grave duararta të qytetit, u ndal këtë pasdite Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim të lirë me to mbi ecurinë dhe perspektivën e bizneseve të tyre.
Modelet e ekspozuara ngado, të cilat ofrojnë traditën të miksuar me modernen, janë krenaria e punës së zejtareve, ndërkohë që shqetësimi i tyre është trashëgimi i këtij profesioni të bukur tek më të rinjtë, përmes një shkolle profesionale e cila i nevojitet Krujës.
Duke e vlerësuar të drejtë kërkesën për trashëgimin e zanatit tek brezi më i ri, kryeministri tha se së pari duhet ngjallur tek ata interesi për artizanatin dhe të ardhmen e tij. “Çështja është të krijojmë interesin se nëse nuk krijohet interesi i plotë që në këtë punë ka të ardhme, atëherë ata nuk të vijnë në shkollë. Ne kemi student të rinj tani për të mbështetur dhe financiarisht që të gjithë produktet e artizanatit të hyjnë në një rrugë pak më të gjere se sa thjeshtë dëshira, vullneti dhe pasioni i grave që bëjnë këtë punë dhe të nxisim hallkat që edhe të eksportojmë.”
Ndërkohë që Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi tha se qeveria ofron një mbështetje të rëndësishme përmes granteve për ato që duan të zhvillojnë biznesin. “Që nga granti 10 mijë euro deri në grantin 400 mijë euro që edhe të trashëgojnë zejen, por edhe të ngrenë punishte, nëse kanë nevojë. Kështu që e kemi vënë këtë masë sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme.”
Lidhur me këtë aspekt, kryeministri Rama shtoi se mbështetja që do ti jepet artizanatit do të synojë krijimin e një rrjeti sa më funksional në të gjitha vendet ku gjallon ky aktivitet. “Ne e kemi hapur këtë program me Komisionin Europian, por përveç Komisionit Europian do vemë dhe ne një program tonin të qeverisë të kombinuar në mënyrë që të gjithë këto pikat e artizanatit dhe këto duart e arta të krijojnë rrjet që të jetë funksional në të gjitha pikat e Shqipërisë ku ushtrohet kjo veprimtari.”- tha kryeministri.
Nga ana e tyre gratë zejtare u shprehën të kënaqura me taksën zero, gjë e cila i ka ndihmuar mjaft. “Atë që kursejmë nga taksa zero ne e investojmë në biznes.” – shprehet njëra prej tyre.
Kryeministri vlerësoi edhe transformimin rrënjësor që ka pësuar pazari i Krujës, nga një vend ku mbetjet dhe hedhurinat i shihje ngado, në një atraksion të mirëfilltë turistik. “Vije këtu dhe gjithë pjesa që është me pllaka dhe me stola, dikur ishte me plehra, me makina, me gropa. Ngjiteshe këtu dhe që nga pazari që ishte sikur po binte në tokë dhe deri te kalaja brenda ishte bërë si parku rinia dikur, gjithë kioska dhe ndërtime.” Ndërsa sa i përket procesit të rindërtimit, i cili po ecën intensivisht Kryebashkiaku Bushi shpjegoi se “Tani po bëhen 700 banesa që do dorëzohen çelësat. 350 janë apartamente individuale jashtë siti, 350 brenda sitit. Do akomodohen mbi 3 mijë banorë vetëm në qytetin e Krujës për shkak të rindërtimit.”
* * *
Kryeministri Rama u takua edhe me një grup të rinjsh, maturantë dhe studentë ekselentë, me të cilët pati një shkëmbim të shkurtër idesh mbi synimet e tyre, por edhe vizionin e qeverisë për arsimin e lartë. Maturantët janë në momentet kur u duhet të vendosin për fushën e studimeve të mëtejshme. Ata u shprehën se kishin vlerësuar edhe opsionin e studimeve jashtë vendit, megjithëse do të dëshironin që mundësia për të studiuar në universitete të huaja t’u ofrohej në vend ku mund të qëndrojnë edhe pranë familjave.
“Instituti Teknik i Stambollit ku kemi çdo vit nga 5-10 maturantë shqiptarë dhe kanë dalë tek më të mirët, a vjet më i miri i të mirëve ishte në vajzë shqiptare, për të cilën bënë edhe një ceremoni, – do të jetë së shpejti këtu. Ne kemi filluar punën me ta. Sa të vendosen gjërat në vend, në kuptimin e programeve etj., besoj se në fillim të vitit akademik 2022-2023 do të jetë hapur. Për shkencat komjuterike, Instituti Teknik I Stambollit është njëshi. Sfida është të bëjmë universitetet e huaja këtu, që nxënësit më të mirë të rrinë pranë familjes e të shkojnë në një universitet jashtë, në kuptimin njësoj sikur të jenë në një universitet jashtë shtetit, por e kanë këtu. Kemi disa universitete me të cilët po komunikojmë dhe do t’i sjellim këtu. Universitete publike, jo private, si pjesë e sistemit tonë publik, me tarifat e këtushme për të gjithë. Ky është qëllimi”, – shprehet Kryeministri.
Ndërsa një prej të rinjve sapo ka nisur rrugën e aktivitetit privat me një biznes të vogël, piceri, për të të cilën u shpreh se e mori guximin për ta hapur edhe nga taksat zero. “Të hapësh një biznes është kohë e vështirë, por jemi ndihmuar me taksën zero. Shpresojmë edhe tek turizmi”, – thotë i riu.
Kryeministri shprehet optimist se me intensifikimin e procesit të vaksinimit do të kemi një sezon turistik më të lehtësuar. “Turizmi besoj që këtë sezon do ta kemi më të lehtë se do të bëjmë shumë vaksinime tani. Kjo do ta ulë shkallën e rrezikut, sidomos duke mbrojtur të gjithë pjesën e të moshuarve dhe do jetë më e lehtë të jemi më të hapur”, – shprehet Kryeministri, edhe me një këshillë për të rinjtë: “Kjo botë është e guximtarëve, jo e frikacakëve, ndaj ki besim”.