Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Qeveria do të rrisë mbështetjen, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, për njësitë vendore që ristrukturohen me reformën e re territorialo-administrative, njoftoi Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Zëvendëskryeministri Peleshi, i cili zhvilloi një vizitë në Maliq ku inspektoi punimet për sistemimin e trotuareve të qytetit, një projekt i financuar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, u shpreh se FSHZH dhe FZHR po rikonceptohen për t’u shndërruar në instrumente të rëndësishme, për të siguruar një mbështetje më të gjerë për projektet zhvillimore të komuniteteve.

“Është iniciativa e pushtetit lokal, por qeveria shqiptare nuk do të rri pa marrë rolin dhe përgjegjësitë e veta. Ne do të mbështesim edhe me kapacitete, me ekspertizë, por edhe me fonde përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, që tani janë duke u riformatuar, do të mbështesim bashkitë e reje për të hartuar në një kohë sa më të shpejtë, planet e tyre strategjike të zhvillimit,” – u shpreh Peleshi.

Në vitin 2014, Qeveria dyfishoi fondin për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve, duke mbështetur në total 73 projekte urbanizimi dhe rikualifikimi urban, që kanë si qëllim parësor nxitjen e zhvillimit në zonat periferike dhe ato me potencial turistik.

Zëvendëskryeministri Peleshi theksoi rëndësinë e projekteve të FZHR në ndihme të bashkive, por u ndal edhe tek ndikimi pozitiv qe do të ketë reforma territoriale-administrative, në rritjen e kapaciteteve financiare të bashkive të reja që do të krijohen.

“Ky investim që sot mbështetet nga Qeveria shqiptare është baras me buxhetin e dy viteve të Bashkisë së Maliqit. Ka qenë praktikisht e pamundur për bashkitë e vogla sidomos, por edhe për komunat të financonin projektet e zhvillimit të infrastrukturës, por edhe me gjerë, të shërbimeve e të tjera. Bashkia e madhe do të ketë qoftë edhe nga kursimet e reformës, buxhete më të mëdha. Bashkia e Maliqit do të ketë plus rreth një milionë euro, të çliruara thjesht edhe vetëm nga kursimet e shumë fondeve që thërrmoheshin deri dje,” – u shpreh Zëvendëskryeministri Peleshi, i cili nënvizoi se me fuqizimin e FZHR-së dhe FSHZH-së, Qeveria do të mbështesë projektet e bashkive të reja.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.