Fjala e Kryeministrit Rama, gjatë prezantimit të Raportit të inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri:
Për hir të së vërtetës unë nuk do të doja që të kishte lindur nevoja e këtij takimi. Nuk do të doja që disa ditë më parë sëbashku me Ministren e Arsimit dhe me Zëvendësministren të isha ndodhur përballë rezultateve sa alarmante aq dhe turpëruese për shoqërinë tonë, por sigurisht në radhë të parë për politikën arsimore në vite dhe për qeverisjen e arsimit në vite. Rezultate të cilat na vendosin përpara një përgjegjësie të plotë dhe të madhe.
Kemi marrë përsipër që të bëjmë një transformim rrënjësor të vendit tone. Kemi marrë një mandat për të mos lejuar zgjatimin e mëtejshëm të së shkuarës, në formën e një përditshmeje që justifikohet me çka e shkuara na ka lënë si plagë dhe si pasojë.
Sot jemi në fazën kur reforma në arsim ka hyrë në një proces pa kthim, por edhe kur duhet të thellohet duke vazhduar të prekë plagë që janë infektuar dhe gangrenizuar në vite. Por, ama, sot jemi në një moment shumë kritik sepse nuk mund të tolerojmë që viti që nis, 2015-ta, të jetë vazhdim i vitit që po mbyllet, si pjesë e një zinxhiri të tërë dhe të gjatë vitesh, ku në Shqipëri është cënuar drejtpërdrejt e ardhmja e qindra dhe mijëra fëmijëve të pafajshëm.
Në Shqipëri për dy arsye, nga njëra anë klientelizmi politik dhe nga ana tjetër korrupsioni, është goditur në kokë një numër i atillë fëmijësh i barabartë me 26% të fëmijëve që frekuentojnë arsimin publik. Duke ua lënë 177 mijë fëmijë, në dorë mësuesve pa arsimin përkatës, mësuesve jashtë profilit, apo mësuesve që nuk paraqiten fare në punë.
Ky është një krim i ftohtë me të cilin ne kemi përgjegjësinë ta ndajmë një orë e më parë sistemin tonë arsimor. Gjithçka që ne bëjmë ka një vlerë, por të gjitha të tjerat pa reformuar rrënjësisht dhe pa operuar deri në metastazën e fundit, në tumorin e fundit kancerin në sistemin tonë arsimor, s’kanë asnjë vlerë.
Prej vitesh organizmi i arsimit tonë është prekur nga një kancer që e ka ngrënë të gjallë dhe që e ka katandisur në një derexhe, që është e mjaftueshme sot për të kuptuar se ku do të shkojë Shqipëria pas 10 apo 20 vjetësh me këtë kapital njerëzor që akumulohet përgjatë gjithë zinxhirit të sistemit.
E kemi ditur që në krye të herës që problem është në rrënjë. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm se prerja e të gjithë atyre degëve të kalbura të sistemit në arsimin e lartë, ka qenë vetëm fillimi i një procesi që do të shkojë deri në rrënjë.
Shikoni me vëmendje grafikët që ekspozoi Ministrja e Arsimit dhe shikoni se çfarë përputhshmërie fatale ka midis mungesës së zhvillimit ekonomik dhe social dhe cilësisë së burimeve njerëzore në arsim.
Nuk është rastësi, përkundrazi është tregues shumë domethënës. Mjafton të bëjmë një vështrim të përgjithshëm në ecurinë e zhvillimit ekonomik dhe social të vendeve të Europës për të parë se transformimet e mëdha ekonomike dhe sociale kanë ndodhur si rezultat i reformave në arsim, e për të parë se si grafikët e rritjes ekonomike dhe sociale të vendeve, përkojnë me periudha që lidhen me reforma në arsim, me investime në arsim.
Investimi në arsim nuk është i mjaftueshëm kur përqendrohet në tulla dhe në llaç për të bërë godina dhe për të shtuar numrin e klasave, nëse nuk fillon dhe nuk zhvillohet në mënyrë këmbëngulëse tek kapitali njerëzor, tek mësuesi. Këtu ne pamë situatën skandaloze. Situatën, absolutisht, të papranueshme për një vend që është kandidat i BE dhe ju siguroj të pangjashme me asnjë vend të Rajonit, të Europës, jo e jo, lidhur me mësuesit pa arsimin përkatës, lidhur me mësuesit jashtë profilit, apo lidhur me mësues që janë paguar sikur janë, por që në fakt nuk janë. E nuk kemi parë akoma cilësinë e burimeve njerëzore që nga kjo anë konsiderohen në rregull, pra kanë arsimin përkatës, janë në profil dhe japin mësim. Pra, këtë s’e kemi pare. Nuk do presim një analizë tjetër për ta parë, por do të veprojmë me shumë shpejtësi për t’i dalë përpara një procesi që nuk mund të jetë më një proces ku ne i besojmë evolucionit.
Në arsimin parauniversitar, ne duhet të bëjmë revolucion. Në arsimin parauniversitar ne nuk mund të ecim më tutje, duke i besuar një ritmi hap pas hapi. Ne në arsimin parauniversitar duhet të vrapojmë. Operacioni duhet të bëhet radikal pa asnjë kompromis dhe asnjë mëshirë, sepse këtu nuk luhet fati i një qeverie këtu luhet fati i një gjenerate dhe luhet fati i të ardhmes së Shqipërisë në 20-30 vjet.
Ne nuk mund të tolerojmë që për hir të klientelave politike, të vjetra apo të reja, dhe për më tepër për pjesën që i ka takuar historikisht korrupsionit në këtë sistem, të braktisin qysh në ditën e parë të shkollës qindra mijëra fëmijë. Të bëhemi pjesë e një tradhtie të madhe kombëtare ndaj prindërve që ata fëmijë i çojnë në shkollë me besimin se tek dyert e shkollës i lënë në dorën e mësuesve të duhur dhe se nga dera e shkollës i marrin të përgatitur për të vazhduar më tutje.
I pamë mirë dhe i pa mirë gjithë Shqipëria, e për këtë arsye ky popull e mbështeti fort reformën në sistemin e piramidave universitare. Por, fatkeqësisht, jo vetëm që piramidat nuk kanë mbaruar, por këtu jemi përballë një tjetër lloj piramide. Një piramidë që i ka rrënjët tek klientelizmi politik dhe tek korrupsioni, se nuk ka asnjë shpjegim tjetër për të konstatuar praninë e mijëra mësuesve pa arsimin përkatës. Të cilët, nuk kanë hyrë në sistem nga dritarja, por kanë hyrë nga dera me firmën e zyrtarëve të këtij shteti.
Shqipëria është një vend shumë i vogël për të patur një mësues të vetëm pa arsimin përkatës dhe jo 1984. Shqipëria është një vend shumë i vogël për të patur një mësues vetëm jashtë profilit dhe jo 2065. Shqipëria është një vend shumë i vogël për ta lënë të ardhmen në dorën e klientelës politike dhe të korrupsionit në sistemin tonë arsimor.
Ky është fryt i një pune të filluar me kohë. 11 ditët intensive të monitorimit që i përshkroi Ministrja kanë provuar dy gjëra, sesa të drejtë kemi pasur qysh ditën e parë, kur kemi filluar të projektojmë këtë reformë, por edhe sesa më e thellë është sëmundja që e ka prekur sistemin tonë arsimor. Një sëmundje nga e cila janë prekur edhe njerëz, këtu në sallë. Një sëmundje nga e cila janë prekur edhe drejtorë të vënë rishtas në krye të institucioneve arsimore. Një sëmundje nga e cila rrezikojmë të lejojmë të preket as më shumë e as më pak, por fati i ekonomisë shqiptare. Sigurisht që, kemi besuar dhe besoj që ditët, muajt dhe rruga jonë e ecjes intensive përpara, përmes reformave po e tregon se nuk janë njerëzit që e korruptojnë një sistem, por është sistemi që i korrupton njerëzit. Mënyra sesi është ndërtuar ky sistem e bën korrupsionin, zot, dhe klientelën politike, mbret. Prandaj ne do të përmbysim urgjentisht këtë sistem. Prandaj ne do të marrim përsipër, të gjithë sëbashku, që brenda muajit dhjetor, ky sistem të jetë përtokë, i rrafshuar plotësisht. I rrafshuar në pikën që asnjë mësues pa arsimin përkatës, asnjë mësues jashtë profilit dhe asnjë mësues që nuk figuron fare në shkollë, të mos mund t’i marrë më shtetit, përmes taksave të shqiptarëve, asnjë rrogë, duke filluar nga janari i ardhshëm.
Padyshim që ne mund ta bëjmë këtë gjë. Jam i bindur që një reformë që nuk bëhet në tre muaj, nuk bëhet as në 30 vjet. Po bëhen 30 vjet që ne jemi ndarë nga një sistem tjetër dhe që kemi mbetur peng i një sistemi tërësisht të deformuar, që kemi krijuar vit pas viti, në çerek shekulli, duke menduar për pushtetin, për kohëzgjatjen e pushtetit, për karrigen në kurriz të së ardhmes, në kurriz të vendit dhe sigurisht, në kurriz të njëri tjetrit.
Ajo që përjetojmë sot me sektorin elektroenergjetik, ajo që përjetojmë sot me sistemin shëndetësor, ajo që përjetojmë sot këtu, me këtë sistem është pikërisht pasoja e politikës që ka menduar vetëm sot për sot dhe duke lënë për nesër dhe për të tjerët më pas, barrën e rëndë të futjes së thikës për të bërë operacionet. Sepse asnjë shpjegim tjetër nuk ka për faktin që Shqipëria është i vetmi vend në Europë që vjedh veten e vet, në mënyrë sistematike, duke i hequr vetes vetë, përmes një grabitjeje masive, kolektive, 150 milionë euro vetëm nga sistemi elektroenergjetik. Ne nuk ka zgjedhur kush që të mendojmë si do rizgjidhemi sa më lehtë, pas katër vjetësh. Ne nuk e kemi marrë mandatin, që t’i vëmë njerëzit në gjumë dhe t’i themi se gjërat, të gjitha janë mirë dhe nga halli se mos humbasim vota për shkak të këtyre reformave, të mos bëjmë reforma. Duke e lënë kalbëzimin të vazhdojë dhe duke e bërë tmerr ditën kur do të gjendesh para kalbësirës dhe nuk ke ku shkon më, për ata të cilët, politika e vjetër deri dje ka menduar se do ta kishin këtë barrë.
Fatmirësisht ka ende shumë kohë për të gjitha, edhe pse shumë kohë është humbur. Fatmirësisht, ne jemi shumë të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Së pari, do të heqim të drejtën, monopolin e institucioneve arsimore rajonale apo në rrethe mbi fatin e njerëzve që duan të bëhen mësues. Ky monopol është ngritur në gjithë këto vite nga klientela politike dhe nga korrupsioni. Unë mund ta kuptoj një justifikim, edhe pse nuk bie dakord, që në filan zonë ka mësues pa arsimin përkatës, sepse nuk ka mësues me arsimin përkatës, fare, zona. Por si mund ta pranoj që radhët e mësuesve në pritje, që kanë dorëzuar dokumentet në institucionet përkatëse, me arsimin përkatës, me profilin përkatës janë shumë më të gjata sesa zinxhiri i mësuesve pa arsimin përkatës dhe jashtë profilit përkatës. Këtë të çohet një këtu e të ma shpjegojë si ndodh kjo. Si ndodh që drejtor pas drejtorësh në vite, i kanë përcjellë njëri-tjetrit, stafetën e qorrit dhe të shurdhit dhe kanë riprodhuar këtë sistem! Sepse sistemi është i gabuar dhe për këtë arsye të gjithë ata, të cilët kanë arsimin përkatës dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e trupës mësimore të Republikës së Shqipërisë, do të hyjnë jo më, në radhën, që s’dihet ku mbahet në fakt, të institucioneve arsimore nëpër rajone apo nëpër rrethe, por do të hyjnë në Provimin Kombëtar të Mësuesve. Provimi kombëtar i mësuesve që do të realizohet deri në 30 dhjetor, në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Gjatë fushatës elektorale, kur bënim ato këndet e fjalës, figura që përsëritej rregullisht nëpër kënde fjale, nga veriu në jug, ishte figura e vajzës së re apo djalit të ri që kishte mbaruar mësuesi dhe që nuk gjende dot, rrugën për t’u bërë mësues. Sa kemi dëgjuar gatë asaj fushate, vajza e djem që të thonin përpara kamerave që nuk i kemi paratë për t’u bërë mësues dhe pa para nuk bëhemi dot mësues! Kështu është akumuluar ky zinxhir, vit pas viti, për të ardhur tek këto numra tronditës mësuesish pa arsimin përkatës. Njësoj si të çojmë në spital berberë, kasapë, marangozë, për të bërë kirurgji, për të bërë operacione, për të prerë e për ngjitur gjymtyrë. Është e njëjta gjë. Absolutisht e njëjta gjë. Me ndryshimin se me berberët e me kasapët si mjekë e si infermierë, vdekja do të ishte e atypëratyshme, kurse kjo është një vdekje e ngadaltë e trurit të këtij vendi. Një vdekje që i është përgatitur këtij vendi, 20 e kusur vite rresht dhe që e ka sjellë sistemin tonë në agoninë e trurit të 177 mijë fëmijëve. 177 mijë fëmijë që nisen për në shkollë dhe që janë tërësisht me kokë të prerë. Kush ia ka prerë kokën? Ia ka prerë kjo politikë, ia ka prerë kjo mënyrë e të kuptuarit të pushtetit që buron nga vota e njerëzve dhe e kthimit të pushtetit që i takon njerëzve, në një pushtet për të riprodhuar vetveten në kurriz të njerëzve. Si mundet një drejtor rajonal apo një drejtor zyre arsimore ta zërë gjumi! Si mundet ta lërë zyrën e të shkojë të flejë në shtëpi, duke ditur që në trupën e vet ka mësues pa arsimin përkatës dhe që nesër në mëngjes, ndërkohë që drejtori shkon hap zyrën, mijëra fëmijë shkojnë tek mësuesi pa arsimin përkatës! Kjo është e papranueshme!
Pa e hedhur poshtë, punën e admirueshme të bërë nga Drejtoritë Arsimore, nga Zyrat Arsimore që i gjetën drejtorët e rinj si magazina pa asnjë lloj inventari, është dita sot për t’u ndarë përfundimisht nga ky sistem dhe nga kjo praktikë. Është dita sot, për të provuar integritetin moral të kësaj shumice qeverisëse, në raport me gjithë familjet e këtij vendi që çojnë fëmijët në shkollë. Kanë votuar apo s’kanë votuar për ne, kjo s’ka pikë rëndësie. Është dita që trupa drejtuese e arsimit në Shqipëri të ndahet nga çdo drejtues që nuk e meriton të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje dhe që është i padenjë për ta çuar përpara këtë revolucion.
Menjëherë, pasi mbyllet faza e parë deri në fund të dhjetorit për të pastruar sistemin dhe për t’ua hequr nga qafa fëmijëve, mësuesit pa arsim përkatës, mësuesit jashtë profilit, të cilët mund të bëjnë shumë punë të mira, mund të jenë njerëz shumë të mirë, por nuk mund të jenë mësues, ne do të hyjnë në fazën e licencimit të çdo mësuesi të Republikës së Shqipërisë. Fati i mësuesve nuk mund të varet as nga cila parti fiton zgjedhjet, as nga cila parti humb zgjedhjet, as nga sa i mirë apo sa i keq qëllon drejtori i zyrës apo drejtori i rajonit, por duhet të varet vetëm nga aftësitë e veta, të provuara përmes provimit kombëtar dhe të mishëruara në licencën e mësuesit, bashkë me kreditet e marra nga provimi.
Është angazhimi ynë që të ngremë, të rilindim autoritetin e mësuesit. Si mund ta rilindim ne, autoritetin e mësuesit, kur ne pranojmë që bashkë me mësues që kanë 30 vjet në arsim dhe që janë drita e syve e prindërve dhe fëmijëve, përzihen njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me arsimin, sado të mirë të jenë. Si mundet ne t’ia besojmë letërsinë një metalurgu dhe metalurgjinë një poeti! Si mundet ne, dikë që vjen e thotë “unë kam studiuar gjermanisht”, ta vëmë mësues anglishteje! Një mësues anglishteje ta lëmë pa punë dhe mësuesin e shqipes ta bëjmë mësues fizkulture. Këto janë gjëra që do ishin për të qeshur me të madhe, nëse nuk do ishin realiteti ynë dramatik, sot. Po si mund të pranojmë ne, që një mësuese që ka 20 vjet në një shkollë merret dhe transferohet sikur të ishte ushtar në front, për të hapur një vend, që të vijë dikush tjetër që nuk ka arsimin përkatës!
Këto kanë ndodhur në vite. Këto nuk është se kanë mbaruar gjatë këtij viti, pavarësisht se proporcionet janë të vogla, por problemi është shumë i madh. Prandaj dua ta përsëris, do të isha po kaq i shqetësuar dhe do isha po kaq pa gjumë që atë moment që kam parë ato të dhëna, sikur të kisha parë që është një mësues pa arsimin përkatës, jo mijëra, sikur të kisha parë që është një jashtë profilit, jo mijëra. Për më tepër pastaj, sikur të kisha parë që ndonjë gabim është bërë edhe në këtë periudhë. Por jo, nuk është bërë ndonjë gabim, është bërë më shumë se ndonjë gabim. Kjo është e vërteta.
Ne nuk kemi ardhur këtu, në këtë detyrë, as unë që jam këtu, as ministrja, as zëvendësministra, as gjithë ekipi drejtues i arsimit, për të prodhuar gënjeshtrat më të ëmbla. Por kemi ardhur këtu, për të përcaktuar ilaçet, sado të hidhura, që të ndërhyjmë në gjithë sistemin, ta kurojmë dhe ta shërojmë sistemin. Ky është misioni ynë. Ne nuk i trembemi hidhësisë së ilaçit, kur ilaçi është ai i duhuri dhe përgjegjësia jonë është të zgjedhim ilaçin e duhur dhe t’u themi njerëzve, drejtpërdrejt në sy, të vërtetën. T’u themi këtyre mësuesve pa arsimin përkatës, që ju jeni vëllezërit tanë, jeni motrat tona, jeni qytetarë dhe qytetare të respektuar të këtij vendi si ne, por nuk mundet dot t’ju lëmë fëmijët e këtij vendi në dorë. Sepse të jesh mësues nuk është vend pune, është mision. Të marrësh një mësues në sistem, nuk është të marrësh një njeri në punë, është të marrësh një misionar dhe ta bësh pjesë të një misioni të madh, që nuk është tjetërsuar në këtë vend, asnjëherë, deri ditën kur ky vend ra në duart më të paafta dhe më të pashpirta, që e katandisën arsimin në këtë gjendje. Të jesh mësues do të thotë që të jesh pjesë e atij misioni që i bëri shumë shqiptarë, që ne i shohim nëpër filma, i lexojmë nëpër libra dhe ndoshta mund të na duken edhe sikur nuk kanë qenë realë, por që kanë qenë realë, që kanë dhënë jetën për gërmat shqipe. Këto fjalë mund të duken si të tepërta, në një mjedis të idiotizuar nga gjithë këto vite marrëzi dhe rrënim, por nuk janë fare të tepërta. Të tillë mësues ka plot, për fat të mirë. Të tillë mësues, asnjë nuk duhet të guxojë të parafytyrojë se mund t’i marrë e t’i heqë nga një shkollë e t’i çojë diku tjetër e pastaj t’i spostojë edhe më larg për të hapur një vend për dikë tjetër, por duhet të bëhen simbolet frymëzuese të këtij procesi.
Ne nuk e kemi kontratën me disa njerëz dhe as me më shumë se disa njerëz që me nevojën për punë t’i marrim dhe t’u japim punën që nuk dinë të bëjnë. E, t’u japim punën më të vështirë me ngarkesën më të madhe për fatin e vendit, që është puna e mësuesit. Ne, kontratën e kemi me gjithë ata prindër që çojnë fëmijët në shkollë, qofshin çfarëdo qofshin, e votofshin për këdo votofshin, sepse ne këtu kemi detyrimin të ruajmë si sytë e ballit dritën e diturisë në breza dhe jo të riprodhojmë errësirën, ku o burra kush të gjejë ndonjë cep, o burra kush të hapë ndonjë vend, o burra kush të marrë ndonjë lek.
Deri në qershorin e vitit 2015 gjithë ky sistem do t’ia ketë lënë vendin një sistemi ku të ketë një bazë të dhënash për çdo mësues të Republikës së Shqipërisë, vitet në karrierë, dijet, meritat e vërtetuara shkencërisht, e sigurisht kreditet.
Unë e shikoj me shumë entuziazëm edhe idenë për shkollën e drejtuesve të shkollave. Duhet të jemi shumë të vërtetë me njeri-tjetrin. Le ta shikojmë njeri-tjetrin në sy dhe t’i japim njeri-tjetrit vetëm një përgjigje. Cili ndër ju që jeni këtu do ta çonte fëmijën e tij në një mësues pa arsimin përkatës. Le të çohet njeri dhe të thotë: për hir të kësaj apo asaj dhe për hir të faktit se ai mësuesi pa arsimin përkatës është një burë i mirë apo është një grua e mirë, apo nuk e di ka merita të jashtëzakonshme në jetë apo ka qenë aviator dhe ka mbrojtur hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, unë jam gati që fëmijën tim t’ia besoj atij apo asaj. Kush mundet? Po në qoftë se nuk e bëni për vete, si mund të pranoni që t’ua bëni fëmijëve të tjerëve që nuk janë në këtë sallë? Po si mund ta pranoni që kjo mund t’i ndodhë prindërve që nuk e dinë fare që kjo po u ndodh? Është shuëm e thjeshtë; Ashtu sikundër kush nga ju mund të çohet dhe të thotë se në gjithë këto vite, por dhe gjatë këtij viti të parë është arritur që drejtoret dhe drejtorët e shkollave të Republikës së Shqipërisë të jenë njerëzit më të përzgjedhur dhe autoritetet më të padiskutueshme në komunitet?! Çohu, thuaje, kush!! Ndërkohë që Korça e “Mësonjëtores”, Elbasani i “Normales”, si mund të kenë sot, në vitin 2014, 100 vjet e kusur nga krijimi i shtetit shqiptar, mësues pa arsimin përkatës dhe mësues jashtë profilit, jo një e dy, por me përqindje 3, 4 – 5%.
Po pse mbaroi Vlora me të tëra që të mbetet në dorën e mësuesve pa arsimin përkatës dhe në dorën e mësuesve jashtë profilit. Po kush i mblodhi në Dibër ata që janë pa punë, por që janë me arsim dhe që janë gati të bëhen mësues dhe t’u thotë ‘Hajdeni dhe zëvendësoni këta që na ngelën në derë me vite të tëra këtu dhe pa arsimin përkatës’? Kush i mblodhi? I mblodhi drejtori i ri? Nuk besoj.
Nuk ka vend në Shqipëri ku nevojat të mos përballohen brenda kritereve. Nuk ka. Sepse është ajo që tha ministrja. Jo të gjithë ata që pretendojnë të bëhen mësues e kanë dorëzuar dosjen e tyre, sepse jo të gjithë ata besojnë se duke dorëzuar dosjen mund të bëhen mësues. Ka shumë prej tyre që thonë se “nuk ia vlen fare”, se “nuk njoh njeri” se “nuk kam lekë”. Copë.
Sot që flasim e kemi ende një justifikim që na lehtëson, por nuk na shfajëson që kjo është një gjendje e trashëguar. Në fund të vitit nuk ka më asnjë justifikim prej cilitdo prej institucioneve që nuk do të përmbysë këtë situatë, që nuk do të ketë larguar dhe plotësuar të gjitha vendet me mësuesit e nevojshëm, jo vetëm do të largohet nga puna, por do të kallëzohet për shpërdorim detyre. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë situatë. Në këtë situatë përgjegjësia nuk është vetëm morale, nuk mund të jetë vetëm morale. Në këtë situatë përgjegjësia nuk mund të jetë e deleguar tek ata që ishin. Ata që ishin, ishin. I bënë të gjitha ç’mund të bënin si s’ka më keq, kjo dihet, por kjo nuk është një arsye që këtë çështje ta trajtojmë hap pas hapi. Çfarë do të bëjmë hap pas hapi? Në qoftë se planin e keni që t’i bëni hapat për 4 vjet domethënë, që ata që hynë në vitin e parë, vitin e katërt e mbaruan me këta. Kush paguan?! Paguajnë prindërit, paguan dhe Shqipëria. Paguajnë prindërit sot, paguan Shqipëria nesër. Kush na e jep ne këtë të drejtë? Dëgjova një nga drejtuesit që tha: “Po ana sociale?” Cila anë sociale?! E kuptoj që pyetja ishte po ana sociale në kuptimin që këta që janë në punë do të ikin nga puna. Jo këta nuk janë në punë, këta janë në punën e dikujt tjetër, po bëjnë punën për dikë tjetër dhe s’po e bëjnë si dikush tjetër, por po bëjnë komplet atë që s’dinë të bëjnë. Ndërkohë që dikush tjetër është gati që të vijë dhe të bëjë punën, por nuk i krijohet mundësia që të vijë e ta bëjë se qenka ana sociale.
Situatë e trashëguar, sa të doni, por ama askush s’ka autorizim që të bëjë politikë me këtë situatë. Detyra juaj nuk është të bëni politikë. Detyra juaj është të zbatoni deri në fund ligjin dhe programin tonë të ripërtëritjes së plotë të sistemit duke u dhënë fëmijëve, mësuesit që meritojnë. Shkojnë për biologji, mësues biologjie. Shkojnë për matematikë, mësues matematike. Dalin për fizkulturë, mësues fiskulture, se përndryshe s’kemi bërë asgjë.
Shkolla e drejtuesve është një domosdoshmëri absolute, sepse të drejtosh sot një shkollë është shumë ushtrim i vështirë. E për më tepër të drejtosh sot një shkollë për të realizuar ambiciet e shkollës qendër komunitare për të qenë në mes të ndërveprimit të trupës mësimore dhe të komunitetit të prindërve dhe nxënësve, për të siguruar që motivimi dhe cilësia është ajo e dëshiruara, është shumë më tepër se sa një punë drejtori. Është menaxhim dhe është menaxhim kompleks. Kështu që shkolla e drejtuesve është domosdoshmëri. Ne, unë jam i bindur se, do ta bëjmë realitet, siç kemi bërë realitet deri më sot të gjitha ato që kemi dashur të bëjmë dhe që kemi thënë se do të bëjmë deri tani në sistemin arsimor.
Paralelisht, për ta mbyllur, do të shembim përtokë sistemin e altertekstit, një paçavure që pak pa arsimin përkatës, pak me librin e gabuar, llogariteni vetë se ku përfundon nxënësi dhe ku përfundon investimi i një shteti, i një populli, i një shoqërie të tërë. Pak jashtë profilit, pak me një libër që ta mëson mbrapsht shkencën që ke marrë përsipër të japësh, parafytyroheni vetë se ku jemi. Të zgjedhim një model të konsoliduar botërisht nga një vend i botës ku duam të integrohemi dhe do të fillojmë sipas planit të Ministres, vitin e ardhshëm, klasën e pare, të gjashtën dhe vitin e parë të së mesmes me një tekst, botërisht të njohur. Të gjitha lëndët, përveç gjuhës shqipe, letërsisë shqipe, historisë shqiptare, gjeografisë shqiptare dhe boll. Ndërkohë që për klasat e ndërmjetme do të kemi një tekst alternativ, sepse nuk mund ta bëjmë të gjithën me një goditje dhe teksti alternativ do të jetë për çdo lëndë teksti që është përdorur më shumë nga mësuesit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pra s’kemi nevojë të bëjmë asnjë shpikje. Në ciklin e 4 viteve kemi mbaruar punë me tekstin alternativ. Do të vazhdojmë të merremi me historinë çfarë date është ajo data…Por të paktën në këtë pikë u mësuam. Por nuk mund të bëjmë zoologji duke ngatërruar skeletin e luanit me skeletin e maces.
Atëherë faleminderit për vëmendjen. Shpresoj që mesazhi ynë të jetë i qartë. Arsimi është sfida jonë e madhe. Ambicia jonë është që ta transformojmë tërësisht të gjithë themelin e sistemit e pastaj në ecurinë e viteve sistemi të garantojë që Shqipëria e nesërme të jetë shumë më e ditur se Shqipëria e sotme. Duke qenë më e ditur do të jetë shumë më e pasur. Sepse vendet nuk dallohen nga njëri-tjetri për atë që kanë, por për atë që dinë. Ka shumë vende që kanë shumë më pak, por që janë shumë më të pasur se dinin shumë më shumë. Ka vende që kanë shumë më shumë, por që janë shumë më të varfër se dinë shumë më pak. Shembulli i Norvegjisë dhe Shqipërisë është tipik. Ata janë të parët në Europë, për burime ujore dhe për potencial hidroenergjitik, ne jemi të dytët. Ata janë superfuqi reale, jo si ajo superfuqia e para 23 qershorit dhe janë ndër më të pasurit sot. Ne jemi të parët nga fundi për mënyrën se si këtë pasuri e kemi kthyer në telash. Kemi një pasuri nga e cila bota nxjerr fitime. Vende me këtë pasuri nuk mund të kenë kurrë varfëri. Nuk mund të ekzistojë varfëria të kesh këtë pasuri ujore dhe hidroenegjike, që ka Shqipëria dhe në vend se të jemi më të pasur, jemi më në hall, a thua se do ishte më mirë po mos ta kishim fare se s’do kishim ku t’i lidhnin telat për të vjedhur energjinë.
Ju faleminderit!
***
Në prani të Kryeministrit Edi Rama u prezantua sot, raporti i inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar në Shqipëri.
Gjetjet e këtij Raporti u bënë publike nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila theksoi se Raporti është rezultat i punës së përfaqësuesve të MAS pranë çdo Drejtorie Arsimore Rajonale dhe Zyre Arsimore, për të kryer monitorimin e zbatueshmërisë së akteve nënligjore që rregullojnë profilet e mësuesve, në përputhje me standardet e MAS.
Nga inspektimi rezultuan 1184 mësues tepër në të gjithë Shqipërinë mbi nevojat, 2065 mësues jashtë profilit dhe 1984 mësues që janë pa arsimin përkatës. Në takim u prezantuan edhe nismat e reja të MAS që synojnë t’i japin përgjigje kësaj situate si Provimi Kombëtar për aplikantët për mësues, licencimi i të gjithë mësuesve dhe krijimi i një database kombëtare të mësuesve deri në qershor 2015.