Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Mes grave dhe vajzave të Bulqizës vijoi sot bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama në këtë zonë, ku energjia dhe forca e grave ka spikatur e ku roli dhe kontributi i tyre në familje është bërë gjithnjë e më domethënës. Gjatë vitit 2022 qeveria dyfishoi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike, fillimisht për familjet me 3 e më shumë fëmijë (pjesë e së cilës janë dhe gratë kryefamiljare) dhe nga 1 Tetori, u dyfishua ndihma ekonomike edhe për gratë kryefamiljare me dy fëmijë. Aktualisht nga skema e ndihmës ekonomike përfitojnë 6,757 gra kryefamiljare.  

 

* * *

Përshëndetje dhe shumë faleminderit e shumë mirënjohje për gjithë këtë prezencë të madhe! E vlerësoj shumë dhe shpresoj që të mos bëheni pishman që erdhët, por biseda t’ia vlejë.

Shumë gjëra të reja nuk besoj se do mund t’ju them, sepse më shikoni vazhdimisht nëpër ekrane edhe natyrisht që gjërat përsëriten. Besoj që ja vlen, sidoqoftë të nënvizojmë disa gjëra që kanë rëndësinë e tyre duke pasur parasysh edhe faktin që kjo zonë, gjithë territori i bashkisë Bulqizë, ndryshe nga çfarë mund të mendojnë njerëzit që nuk e dinë fare se ku bie Bulqiza dhe që të vetmen gjë që i lidh me fjalën Bulqizë kanë imazhet e vjetra dhe të tmerrshme të fëmijëve mbi kodrat e kromit. Ia vlen të nënvizohet që këtu është një zonë shumë punëtore. Këtu kemi një shfrytëzim shumë domethënës të gjithë tokave që janë toka prodhuese. Kemi prodhim të larmishëm. Njerëzit jetojnë me mund, me djersë, me tokën e tyre, bagëtitë, shpendët, me bletët e tyre dhe potenciali është shumë i madh.

Përpara sesa të vinim këtu, ishim në një pikë të sapo hapur grumbullimi të bimëve medicinale. 

Kjo zonë është shumë e pasur në bimë medicinale, po gjëja që dëshiroj t’ju tregoj është që ai djali që së bashku me familjen ka ndërtuar atë pikë me mbështetjen e qeverisë, për të shfrytëzuar sa më shumë këtë potencial të madh, që është një potencial i madh eksporti, kishte një sasi të parë, të grumbulluar brenda një dite nga një familje. 35 mijë lekë të reja për familje, një ditë. Mbledhja e bimëve medicinale është punë e vështirë, nuk është e lehtë. Nuk janë në oborrin e shtëpisë. Janë zona më malore, rreth e rrotull kuptohet. Po 35 mijë lekë të reja, 350 mijë lekë të vjetra një ditë punë. Nuk është një punë që mbase bëhet përditë se është punë e lodhshme, po bëjeni vetë llogaritë. Është një ekonomi e re që ne do ta stimulojmë maksimalisht dhe që me pikën e grumbullimit, të paketimit kthehet në një ekonomi zinxhir. Nuk ka mundësi që edhe sikur të gjithë banorët e Bulqizës të merren me këtë punë, ky burim të shterojë. Bimët medicinale janë shumë më tepër sesa kapaciteti për t’i mbledhur të gjitha, që do të thotë burimi është i pashtershëm.

Nuk janë as grurë, as misër, as domate, as mollë, as rrush që duan hyzmet. Nuk kanë nevojë as për t’i mbjellë, t’i ujitur, as për t’i prashitur. I ka bërë natyra dhe janë vetëm për tu mbledhur dhe pika e grumbullimit është 10 hapa larg. I dorëzon te pika e grumbullimit, merr lekët, shko në shtëpi. Besoj që kjo është një gjë e mirë dhe ndërtimi i kësaj pike është një lehtësi shumë e madhe sepse përndryshe ju e dini shumë mirë sesa e vështirë është, shko mblidhe e ku do e çosh, si do e transportosh, kush do e marrë, çfarë do të japë. Ne do të mbështesim edhe këtë pikë, siç mbështesim edhe pikat e tjera, për të krijuar rrjetin e njerëzve të angazhuar.

E dyta që dua ta përsëris në fakt sepse e keni dëgjuar shpesh, është domosdoshmëria për t’iu mbrojtur ju dhe të gjitha familjet nga goditja e çmimit të energjisë elektrike. Ju e dini shumë mirë që nëse ju vjen një faturë energjie elektrike më e lartë se kjo që keni sot, jeta bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe nëse vjen një faturë energjie elektrike sa kushton realisht sot, bëhet e pamundur. Se nëse sot, 1 kWh paguhet 9.5 lekë, imagjinoni 44 lekë. Është e pamundur. Për këtë arsye, ne kemi vendosur një mburojë financiare që gjithë diferencën e paguan shteti. E çmimi rritet, nuk ulet. Pashë sot që ERE kishte nxjerrë një çmim tjetër, 44 lekë, nga 42, prap është rritur. Megjithatë ne do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, të bindur që kjo është gjëja e duhur, qoftë për familjarët, qoftë për çdo biznes të vogël sepse kështu ne bëjmë edhe tjetrën, mbajmë inflacionin më ulët sesa gjithë vendet e tjera të rajonit pavarësisht se çmimet janë rritur dhe këtë gjë ne nuk e ndalojmë dot se s’e ka ndaluar askush, por mund ta zbusim. Arsyeja pse po të shikoni çmimet në rajon të produkteve kryesore janë dyfishi i rritjes të produkteve tona, është në radhë të parë energjia. Po t’ia kishim rritur faturën e energjisë dyqaneve, ata do ta hidhnin barrën te ju që blini ushqime, produkte bazë dhe nga ana tjetër, kemi pasur një diskutim, ata që ju bombardojnë ju dhe gjithë popullin shqiptar me gjithë llojet e helmeve, sajesave e deformimeve e gjysmë të vërtetave që janë dhe rrenat më të mëdha, kanë filluar të bërtasin që po rriten gjobat për biznesin. Është e vërtetë. Ne do t’i rrisim në mënyrë të ndjeshme gjobat, po jo për biznesin e vogël. Biznesit të vogël ne i mbrojmë çmimin e energjisë, nuk i marrim taksa. Thjesht i themi punëso, paguaj sigurimet për të punësuarit dhe kaq. Nuk i marrim taksa, nuk i marrim TVSH dhe nuk do t’i rrisim asnjë gjobë, por ama biznesit të madh, po. Gjobat nuk janë taksa, gjobat janë për sjellje të kundërligjshme. Mos u sill në mënyrë të kundërligjshme, s’ke pse paguan gjobë. Po kur vihet gjoba, duhet të vihet tamam, që të marrësh vesh mirë ti, të marrin vesh edhe të tjerët. E këtë gjë na ka thënë edhe gjithë ai publik që kemi pyetur në Këshillimin Kombëtar. A duhen rritur gjobat për bizneset e mëdha? Po. E ne do t’i rrisim gjobat për bizneset e mëdha që të mos bëjnë shmangie nga taksat sepse duke shmangur ata taksat dhe duke bërë lodra me faturat, .ne kemi më pak të ardhura për të mbështetur ata që kanë më shumë nevojë.

Ndërkohë, dje e dëgjuat presidenten e KE, me siguri e keni dëgjuar, për taksën e jashtëzakonshme që ne do të vendosim mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë, e mëdhenj të energjisë jo të vegjlit! Për prodhuesit që e eksportojnë energjinë jashtë dhe e shesin shumë herë më lartë sesa e shisnin përpara krizës. Pse? Sepse iu ra fati. Iu ra fati dhe kriza që për fat të keq bie mbi shpatullat e shumë të tjerëve, për ta ishte fat. Shkoi çmimi në stratosferë, por ama ata s’kanë bërë asgjë për ta merituar këtë fat. Ndërkohë që ata të tjerët si ju që e ndiejnë krizën ne kurriz, patjetër që nuk e meritonin këtë fat në anën tjetër, kështu që ne atyre do i vëmë një taksë të lartë, do tua u marrim një pjesë të konsiderueshme të fitimeve për të cilat ata s’kanë bërë asgjë, por iu kanë ardhur nga qielli dhe do tua japim atyre që janë më në nevojë dhe ndër ata që janë më në nevojë janë gratë me dy, tre dhe më shumë fëmijë dhe me ndihmë ekonomike, të cilave ua kemi dyfishuar ndihmën ekonomike. Por përsëri do t’ju japim mbështetje sepse nuk mundet dot t’i lëmë gratë kryefamiljare njësoj si gjithë të tjerët. Gratë kryefamiljare që janë me ndihmë ekonomike duhen mbështetur më shumë se të tjerët sepse kanë në kurriz fëmijë të cilët janë si me qenë në punë, aq me tepër kur je dhe vetëm.

Ashtu sikundër kemi bërë dhe masën e re për të mbështetur, për të paguar shteti sigurimet për gratë me tre fëmijë apo më shumë fëmijë që janë në punë dhe kjo është një masë që lehtëson dhe garanton shëndetin, garanton dhe pensionin e këtyre grave pa iu futur duart në xhep për këto të dyja. Një masë tjetër që po diskutojmë dhe do ta kemi besoj në paketën e re është rimbursimi i shpenzimeve për shkollën e fëmijëve dhe këtë po e studiojmë si do ta modelojmë, por përsëri duke u nisur nga gratë me tre fëmijë, për të zbritur tek ato me dy fëmijë dhe më shumë, nuk diskutohet!

Belinda foli për atë investimin për të krijuar këtu një pikë industrie të lehtë ushqimore. Unë do t’ju sjell një shembull tjetër dhe kryetari i bashkisë është në dispozicion. Në një takim me gratë në Dibër, në Peshkopi diskutuam si mund ato të zhvillonin ekonominë e tyre. Ato punonin në shtëpi dhe bënin byrekë, jufka në shtëpi. Unë iu thashë: ju nëse doni të zhvilloni më shumë, duhet të bëheni bashkë dhe duhet të bëni një projekt dhe ne do ta mbështesim atë projekt dhe ju do shkoni përpara. Sot kemi në Peshkopi rezultate të kësaj bisede dhe ajo që do t’ju sugjeroja dhe këtu do të luajë një rol bashkia, është po themi, nënat që kanë jetimë dhe që duan të kenë më shumë të ardhura dhe të kenë më shumë punë, fare mirë mund të bashkohen për të bërë agroturizma këtu. Mos t’ju vijë fare çudi sepse nuk ka nevojë të vini ju para, është bashkia që ju jep një mbështetje, është qeveria që ju jep një mbështetje dhe ne mund të ndërtojmë këtu,  ju mund të bëni këtu aktivitete agroturizmi fantastike. Nuk ka nevojë për të bërë shumë investime të mëdha dhe kjo ju jep punë, kjo ju sjell të ardhura për të bërë gjithë punët e shtëpisë faktikisht sepse ajo është një shtëpi e hapur për njerëz. Mund të marrim, këtu ka godina të vjetra plot, godina të vogla, gjysmë të mëdha të cilat mund të kthehen në bujtina, mund të kthehen në hotele. Për kë? Për njerëzit që vijnë për turizëm, për njerëzit që vijnë për natyrë, për njerëzit që vijnë për tu ngjitur nëpër male, për njerëzit që vijnë për të bërë shijimin e gjithë kësaj natyre fantastike. Atje te ai Hupi te agroturizmi është plot, pjesë e kësaj natyre është. Dhe për këtë edhe Belinda edhe kryetari i bashkisë do të angazhohen për ju dhe të krijojmë një shoqëri, të krijojmë një kooperativë, quheni si të doni, federatë.

Në Elbasan kam takuar gra si ju që merreshin me mbledhjen e ullirit. Ishin bërë bashkë me disa burra të tjerë, 130 e disa persona, ishin bërë bashkë, kanë krijuar një federatë të ullirit, kanë marrë një mbështetje financiare, kanë bërë pikën e grumbullimit aty ku e çojnë, nuk ka më nevojë secili të bredhë ku ta çojë. Kanë bërë dhe një linjë prodhimi dhe prodhojnë vajin e tyre dhe nuk kanë më stresin që: dakord, po e mbledh, po ku do ta çoj, si do e shes, çfarë do bëj. Këtu mund të krijojmë pikërisht këtë dhe do të shikoni që do funksionojë. Do funksionojë dhe me mbështetjen e bashkisë dhe me mbështetjen për të administruar nga pikëpamja e aspektit administrativ kurse për gjithë pjesën tjetër, për të gatuar, për të larë, për të fshirë, për të hekurosur, për të mirëmbajtur ju jeni vetë dhe kështu mund të krijojmë edhe një kooperativë të vogël, një federatë, një shoqëri, një shoqatë, quajeni si të doni se kjo fjala kooperativë i tremb shumë njerëzit por gjithë bota, gjithë BE me kooperativa është, për bimët medicinale por edhe një shoqëri për mikpritjen, agroturizëm, bujtina, hotele të vogla që janë pa salltanete të mëdha, por që ju japin mundësi edhe të rinjve që duan të vijnë për të parë, për tu ngjitur, për të eksploruar natyrën që të kenë kushte të mira, por jo të shtrenjta. Kështu juve mund të vazhdoni të krijoni një ekonomi dhe këto janë gjëra që do t’i bëjmë, nuk janë gjëra që hajde se po i flasim dhe po ikim. Do t’i bëjmë dhe do të shikoni që shumë shpejt, këto do të jenë realitete të reja që pastaj me siguri do shtyjnë të tjera gra, do shtyjnë të tjera familje që të vazhdojnë dhe të zhvillojnë më tutje.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.