Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në këtë pjesë të seancës lidhur me Aktin Normativ dhe duke nënvizuar me kënaqësi faktin se u fol qartë, u fol në mënyrë të argumentuar, iu komunikuan publikut të gjitha arsyet, ku mbështetet ky akt, pa iu vërsulur opozitës dhe pa e kthyer këtë debat në një debat me frymë urrejtjeje, me frymë mllefi, me frymë denigrimi për opozitën. Kjo është vija jonë e sjelljes ndaj opozitës. Kjo është vija jonë e re e sjelljes, si një Qeveri e lindur nga vullneti sovran për të mbyllur njëherë e mirë kapitullin e keqqeverisjes, duke i ndarë Shqiptarët në të mirë dhe në të këqinj, në këtë sallë dhe duke i ndarë palët në partizanë të Brukselit apo në diversantë të SHQUP-it.

Unë kam disa gjëra për të shtuar, me shpresën se i duhen këtij debati dhe me bindjen se i duhen publikut. Kur e kemi marrë për herë të parë sinjalin e alarmit për pazbatueshmërinë e ligjit në fjalë dhe për nevojën e këtij Akti Normativ? E kemi marrë kur drejtoresha e Administratës Publike,  – që çdo gjë mund të thuhet, por nuk mund të thuhet se përfaqësonte as Partinë Socialiste, as Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe as shumicën e re qeverisëse, – na ka njoftuar me shkrim të gjitha arsyet pse rrezikonim që në datën 1 tetor të gjendeshim në kushtet e një vakumi absolut dhe në kushtet e mosfunksionimit të Qeverisë dhe të shtetit. Menjëherë kemi kontaktuar projektin e asistencës së Bashkimit Evropian, SIGMA-n që na ka konfirmuar një për një, të gjitha arsyet e shtruara nga drejtoresha e Administratës Publike e këtij vendi. Në ato kushte, jemi ulur dhe kemi nisur punën me ekspertizë dhe me vullnetin e mirë që në këtë proces të përfshijmë edhe opozitën.

Ky Akt Normativ nuk ka lidhje me asnjë prishje të asnjë konsensusi, por është shprehje e përgjegjshmërisë dhe e përgjegjësisë së Qeverisë dhe të kësaj shumice të re. E përgjegjshmërisë, për t’i dalë përpara vakumit absolut ku do të gjendeshim dhe përgjegjësisë për ta udhëhequr këtë vend në rrugën e duhur. Kush flet për prishje konsensusi dhe kush kërkon konsensus abstrakt, nuk duhet ta harrojë për asnjë çast se kjo shumicë gëzon fuqinë konsensuale që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, me plot 84 vota. Nuk besoj se gjej mosdakordësi në asnjë mendje të arsyeshme, nëse them se po t’i kishte 84 vota shumica e deridjeshme do të kishim parë shumë më keq se ç’pamë, kur për vite të tëra asnjëherë nuk e pamë të shtrirë, sinqerisht, dorën e bashkëpunimit, por vetëm në kushtet detyruese të mungesës së votave dhe kur asnjëherë nuk e pamë Kryeministrin e vendit të kërkonte dialog pa kushte. E pra, është këtu vendi për të numëruar ftesat e njëpasnjëshme të bëra nga një grup i posaçëm i ngritur për dialogun me opozitën prej Qeverisë, në përbërje të të cilit ishin Zëvendëskryeministri, Ministri i Marrëdhënieve me Parlamentin, Ministri i Integrimit dhe Ministri përgjegjës për Administratën Publike. Katër anëtarë Qeverie që nuk e teproj po të them, i janë lutur përfaqësuesve të opozitës së sotme, të gjithë grupeve opozitare, për t’u ulur dhe për të biseduar. Kanë pasur vetëm një përgjigje pozitive dhe kanë mundur të bëjnë vetëm një bashkëbisedim me partinë që sot gjendet edhe këtu në sallë dhe që unë e falenderoj edhe pse nuk e kuptoj votën kundër, me PDIU-në. Të gjithë të tjerët kanë refuzuar në mënyrë absurde bashkëbisedimin. Ashtu sikundër, le të kërkojmë në arkivin e 8 viteve të qeverisjes së mëparshme një ftesë të vetme me shkrim, publikisht, të Kryeministrit të deridjeshëm për kryetarin e opozitës dhe për drejtuesit e tjerë të opozitës. Për të kërkuar, çfarë? Asgjë tjetër, përveç dialogut. Asgjë tjetër, përveç atij instrumenti që ndan demokracinë me barbarinë, që ndan ata që qeverisin me vetëdijen se nuk janë aty për të sunduar nga ata që me votën e marrë me pahir sundojnë me idenë e gjithëpushtetshmërisë. Kjo është e vërteta e gjithë kësaj kohe dhe kjo do të jetë përsëri e vërteta e të gjithë kohës në vijim. Sot, Partia Demokratike nuk është në sallë, por sot nuk ka një demokrat të vetëm, në të gjithë Shqipërinë, që të ndihet i lënduar siç janë lënduar socialistët dhe siç është lënduar një popull i tërë nga një 1001 shpifje, sharje, denigrime në çdo seancë, ndaj opozitës së deridjeshme. Sepse për ne, edhe pse nuk është këtu, Partia Demokratike është opozita më e madhe e këtij vendi dhe nuk është as antishqiptare, as antievropiane, as anti çfarëdo gjëje qoftë, përveçse është në rrugën e saj, që e ka zgjedhur vet, me të drejtën e vet, për ne e gabuar, për ta e drejtë. Ata vendosin, populli gjykon!

Nga ana tjetër, dua ta rinënvizoj për të gjithë ata që besojnë tek konsensusi, si një mekanizëm absurd, se për ne konsensusi është nevojë, por nuk është domosdoshmëri. Ne jemi këtu për të dëgjuar. Kemi kërkuar të dëgjojmë. S’kemi mundur të dëgjojmë, sepse nuk kanë dëshiruar të flasin. Kanë zgjedhur ta bëjnë këtë nga barrikadat e tribunave mediatike, por ai nuk është dialog. Ama, ne jemi këtu për të udhëhequr dhe ne do të udhëheqim pa humbur asnjë minutë të kohës së këtij vendi, në pritje të cilitdo konsensus. Ne e kemi bërë të qartë për të gjithë atë që kemi lexuar qartë nga vota e 23 qershorit. Shqiptarët kanë vendosur të na japin një votë për të mos na lënë asnjë alibi. Nuk na kanë dhënë një mandat të thjeshtë. Na kanë dhënë mandatin më të fortë që një shumicë ka pasur qysh prej vitit 1992, që nesër të na kërkojnë llogari një për një. E në kërkesën e tyre të llogarisë nesër, ne nuk mund të justifikohemi me asnjë minutë të humbur, se opozita nuk desh të dëgjonte, se opozita nuk desh të dialogonte, se opozita nuk desh të votonte, se opozita nuk desh të vinte në parlament.

Këto janë të gjitha zgjedhje sovrane të opozitës. Ndërkohë që, zgjedhja sovrane e popullit sovran është tjetër. Populli sovran ka vendosur të na japë këtë mandat për të mos na lënë asnjë shteg nga ku t’i shpëtojmë kërkesës ulëritëse të këtij vendi për drejtësi, nga ku t’i shpëtojmë kërkesës ulëritëse të këtij vendi për rimëkëmbje ekonomike, nga ku t’i shpëtojmë kërkesës ulëritëse të këtij vendi për një administratë në shërbim të qytetarëve të këtij vendi dhe jo për një administratë që është vegël e pushtetarëve në këtë vend.

Ndryshimi mes nesh dhe atyre që deri dje ishin në vendin ku jemi ne sot, është se ata ishin në pushtet, ne jemi në qeverisje. Ky është një ndryshim shumë i madh kulturor, politik dhe thelbësor për natyrën e bashkëjetesës në një vend.

Ndërkohë, më lejoni të shtoj se është e drejta e çdo opozite që të mbështetet në vlera dhe në parime të cilat, shpesh herë, mund të mjegullohen edhe nga natyra burokratike e integrimit dhe nga natyra burokratike e marrëdhënieve me botën. Por, në këtë rast është krejt e qartë, është më e qartë se në shumë e në shumë raste të tjera, kur edhe e vërteta më e kthjellët ha diskutim. Është e qartë që ky Akt Normativ ka të gjithë mirëkuptimin e Bashkimit Evropian, në emër të të cilit gabimisht flet opozita, që sot mungon këtu në sallë, çka do të thotë që për ne, ky proces është sprova më e madhe evropianizuese e këtij vendi.

Unë nuk e di se për çfarë do të mbahet mend kjo shumicë në ditën kur do të bëhen të gjitha llogaritë. Por di një gjë që: Nëse kjo shumicë nuk do të mbahet dot mend se arriti të ndërtojë një administratë në shërbim të qytetarit, gjithçka tjetër do të jetë shumë relative dhe lehtësisht e harrueshme në kohë. Sepse tek e fundit, ajo çka na mban sot ende kaq larg Evropës, ajo çka sot mban larg shumë forca, shumë burime, shumë energji ndërtuese, që mund të drejtohen kah Shqipëria, është në krye të herës, mungesa e një administrate të besueshme që shërben në funksion të të gjithë atyre vlerave dhe parimeve të shkruara më së miri në Kushtetutën e këtij vendi që le ta themi sot e gjithë ditën, është një libër i shkelur me këmbë për vite e vite të tëra.

Tani, më lejoni t’ju jap vetëm një pjesë të vogël të rezultateve të deritanishme të faktit se ligji ka hyrë në fuqi, por nuk i ka filluar efektet e veta. Që do të thotë, në ndërkohë, ne kemi punuar ditë – natë, intensivisht, për një ristrukturim të nivelit të parë të qeverisjes, nga Kryeministria, tek të gjitha ministritë. Duke pasur parasysh edhe faktin se kemi një kompozim tjetër të Qeverisë dhe kemi 2 ministri të reja që sot nuk do të ngriheshin dot, në rast se ne nuk do të kishim shtyrë efektet e këtij ligji që e përsëris, ka hyrë në fuqi, në bazë të konsensusit me të cilin është votuar.

Kemi bërë një premtim solemn, të gjithë bashkë, për një qeverisje efiçente dhe transparente dhe për një qasje inovative, në mënyrë që të transformojmë gjithë procesin qeverisës. E pra, sot unë mund t’ju them se, ndërkohë që kemi 2 ministri më shumë dhe kemi edhe 2 ministra më shumë të Shtetit, kemi reduktuar kostot e Qeverisë me 15 %. Kemi hequr hallkat e tepërta në menaxhim. Kemi hequr struktura që nuk janë të lidhura me njëra – tjetrën, por që i mbivendosen njëra – tjetrës dhe kemi vënë shërbimin ndaj qytetarëve në qendër të të gjithë procesit të ristrukturimit të nivelit të parë të qeverisë. Sikur të mos kishim 2 ministri të reja, ku një numër i caktuar funksionesh janë të detyrueshme, sot me një qeveri më të madhe, në thonjëza, për nga numri i ministrive dhe ministrave, do të kishim  20 % më pak shpenzime. Por gjithsesi, do të kemi 15 % më pak shpenzime.

Në këtë strukturë kemi disa risi shumë të rëndësishme që janë risi që do t’i shërbejnë cilësisë së qeverisjes dhe do t’i shërbejnë qytetarit shqiptar dhe dinjitetit të këtij vendi.

Do të shpenzojmë së paku, në fazën e parë, – sepse unë besoj se do të ketë dhe një fazë të dytë për shkurtime të tjera -, 15% më pak nga paratë e shqiptarëve, duke krijuar:

1-   Një Rrjet Kombëtar Antikorrupsion, me një Koordinator masash parandaluese antikorrupsion në çdo ministri dhe me Koordinatorin Kombëtar Antikorrupsion, që është ministri i Çështjeve Vendore.

2-   Kemi fuqizuar kapacitetet integruese dhe krijuar kushte të reja për të mundur të përfitojmë realisht nga programet e asistencës nga Bashkimi Evropian, duke lidhur bashkë ministritë, Kryeministrinë dhe duke fuqizuar veçanërisht Ministrinë e Integrimit Evropian, me një rritje 20%.

3-   Kemi ndërtuar në gjithë strukturën e re të qeverisë, një model planifikimi dhe menaxhimi strategjik, tërësisht të munguar dhe një skemë financimi në bazë të rezultateve.

4-   Jo vetëm në Kryeministri, por në çdo ministri, do të ngrihet Njësia e Jetësimit të Prioriteteve, që do të jetë një Njësi Speciale e ngarkuar për të ndjekur gjithë ecurinë e vendimeve dhe të urdhrave që kanë të bëjnë me prioritetet.

5-   Krijojmë Rrjetin Kombëtar të Inovacionit dhe të Teknologjisë së Informacionit, duke patur një nyje të këtij rrjeti në çdo Ministri, nën koordinimin e ministres, por duke e kthyer të gjithë këtë rrjet në bërthamën strategjike të zhvillimit në këtë sektor.

6-   Kemi shtuar Platformën e Redaktorit Gjuhësor në nivelin e parë të qeverisjes, për të shpëtuar gjuhën shqipe që është në përpëlitjet e fundit, kur sheh dokumentacionin zyrtar të këtij vendi. Për të shpëtuar germat e gjuhës shqipe që, në dokumentacionin zyrtar të këtij vendi, në pjesën më të madhe, janë një specie në zhdukje. “ë”-të dhe “ç”-të, që mund të duken gjëra të vogla, në një vend ku gllabërohen pasuri kombëtare me një të rënë të lapsit dhe jo më dy pika mbi një “e” të shkretë.

Por jo vetëm kaq! Numri total i punonjësve në Qeverinë e deridjeshme, – flas gjithmonë në Kryeministri dhe Ministri – tani do të zbresë më poshtë, për të bërë shkurtime të tjera. Nga 2162 që ishte, do të shkojë në 1834. Shkurtimet nuk janë pjellë e thjeshtë dhe vetëm idesë “Hajde të shkurtojmë”. Jo! Shkurtimet janë të balancuara dhe në funksion të prioriteteve. Që do të thotë, nëse në një pjesë të strukturës së qeverisë kemi shkurtime drastike në burokraci, kemi shkurtime drastike në funksion të luftës me parazitizmin që thith para publike, në një pjesë tjetër kemi rritje, në funksion të prioriteteve.

Më lejoni t’ju jap pak pamje. Në Qeverinë paraardhëse, 25% e punonjësve të lidhur me ekonominë punonin në financë dhe vetëm 10% ishin të lidhur me zhvillimin ekonomik dhe me energjinë, përkatësisht si një nga prioritetet themelore të zhvillimit të këtij vendi. Sot kemi një ridimensionim të këtyre raporteve; Kemi 21% të punonjësve që do t’i dedikohen financës dhe kemi respektivisht, plus 14% që do t’i dedikohen zhvillimit ekonomik dhe energjisë si prioritet. Po ashtu kemi bërë një ulje shumë shembullore në nivelin e parë, kur vjen puna për shërbime publike. Për t’i çuar shërbimet publike tek qytetarët dhe jo për të mjelë qytetarët në emër të shërbimeve publike. Kështu që, ministritë e linjës së shërbimeve, të gjitha shkurtohen drastikisht. Ndërkohë linja e shërbimeve drejtpërdrejt me qytetarin, në arsim, në shëndetësi, në mirëqenie sociale, forcohet aty ku qytetari e kërkon shërbimin.

Edhe një e dhënë tjetër. Flasim për integrimin evropian. Është për të ulur kokën me turp, kur dëgjon se çfarë komentesh kanë partnerët tanë, lidhur me aftësinë tonë që integrimin ta kalojmë nga një propagandë e përditshme antiopozitare, në një instrument për të projektuar të nesërmen, duke thithur fonde nga Bashkimi Evropian. Deri dje, raporti punë të jashtme dhe integrim ishte: 71% punë të jashtme, 29% integrimi. Punët e jashtme ishin përqendruar tek telegramet urgjente se kush është sharja e radhës për kryetarin opozitës dhe për opozitën. E gjithë tufa e Trupit Diplomatik, tufa e kushërinjve, e dhëndurëve, e nuseve, e mbesave turrej për të mbushur veshët e miqve dhe partnerëve të këtij vendi, me “çfarë e keqe i kishte rënë në kokë Shqipërisë që kishte opozitën nëpër këmbë”. Sot jemi në një raport komplet tjetër: nga 71%, punët e jashtme kanë shkuar 61% dhe nga 21%, integrimi ka shkuar në 39%. Flasim gjithmonë në nivelin e ministrive.

·   Sundimi i ligjit.

Cili është sundimi i ligjit? Deri dje, në këtë lloj mejhaneje ku koburja ka zënë vendin e mikrofonit dhe ku në vend të këngëtarit është killeri i radhës në çdo lokal, deri dje ishte 63% punët e brendshme, vetëm 37% drejtësia. Sot kemi një përmbysje të raportit: Vetëm 58% punët e brendshme dhe 42% drejtësia. Flasim gjithmonë në nivel ministrish. Flasim në atë nivel që çoi në një reduktim drastik të frymorëve, në atë folenë e konviktit të dikurshëm të deputetëve, që ishin bërë 800 e ca njerëz, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Ndërkohë që njerëzit vriten rrugëve dhe duhet një orë që të mbërrijë policia. Kjo ka ndryshuar! Në zyra do të rrinë pak më shumë se 200 njerëz, ndërkohë që, të gjitha forcat do të shkojnë pranë qytetarëve, atje në terren. Kjo është reforma jonë dhe është vetëm faza e parë. Vetëm në vijën e parë. Ashtu sikundër ka ndryshuar rrënjësisht struktura e Kryeministrisë. Nga një kryeministër me 24 këshilltarë dhe me një kabinet mbi 30 veta, do të kalojmë në një Kryeministri, ku kabineti është vetëm 13 veta, plus një. Kryeministri dhe ku pjesa tjetër do të jetë e angazhuar drejtpërdrejt me reformat, me ndjekjen e punëve, me ndjekjen e fatit të investimeve të huaja, me ndjekjen e fatit të njerëzve në administratën publike e me radhë.

Ndërsa kur vijmë tek pjesa tjetër, tek pjesa që ka të bëjë me kush po flet e çfarë po na thotë në mbrojtje të administratës dhe të nëpunësit civil, atëherë, kjo vërtet i kalon kufijtë e atij durimi që përmban edhe gazin e madh që thoshte Faik Konica: “Atë të papërmbajturin gaz që të rrëmben, kur shikon shqiptarë që i bien gjoksit për atë që nuk janë dhe kërkojnë nga ty, atë që kurrë nuk e kanë bërë për veten e tyre.”

Mjafton t’ju them se sot jemi në kushtet, kur gjendemi përpara vetëm fillimit të auditimit të tatimeve të Shqipërisë. Ndërkohë që, ky vend dhe ndërkohë që, ky popull është sot i ngërthyer nga litari i një krize ekonomike që ka në bazën e vet borxhet dhe ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e borxheve lidhen me TVSH-në, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të parimbursuar, ndaj kompanive që kanë bërë punë dhe që i kanë shërbyer këtij vendi, falë kontratave. Çfarë na del përpara? Na dalin përpara miliona rimbursime TVSH-je për kompani fantazmë, që nuk ekzistojnë. Rimbursime TVSH-je, të bëra deri ditën e fundit.

Ashtu sikundër, më 30 shtator, Qeveria emëron drejtorin e ri të ALUIZNI-t dhe më 1 tetor, ALUIZNI merr me kontratë më shumë se 200 të tjerë. Të 200-tët, të marrë arbitrarisht! Dhe çfarë ndodh? Ende më interesante. Në rast se shohim punonjësit e deritanishëm me kontratë, të ALUIZNI-t , jo këta të shtuarit në fund, dhe ata me emërim të përhershëm, gjejmë që inxhinierët janë me kontratë, kurse blegtorët, muzikantët, mësuesit e fiskulturës e me radhë, profesione pa asnjë lidhje me territorin në kuptimin e truallit, pa asnjë lidhje me ndërtimin në kuptimin inxhinierik, janë aty, që të gjithë. Po kështu, edhe doganat. Kemi sot realizimin e të ardhurave më të ulëtin në historinë e këtij vendi, në raport me parashikimet, pas vitit ’97-të. Pse? Sepse kemi një administratë ekselence që është në rrezik, apo sepse kemi një administratë përgjithësisht në tatime e dogana, të vetëdijshme që është aty, për arsye që nuk kanë lidhje fare me shërbimin tatimor e doganor, por kanë lidhje me shërbimet ndaj partisë. E qysh prej 23 qershorit i janë turrur parave që duhet t’i shkojnë këtij populli dhe vazhdojnë edhe sot, me shpresën që çdo ditë, edhe një ditë, edhe një orë, t’ju sjellë edhe më shumë para. Apo policia? Për çfarë flasim. Krimi ekonomik. Krimi ekonomik i veshur me uniformën blu, i kthyer në një strukturë në bashkëpunim dhe sinergji me aktivitetin kriminal ekonomik. Fakt!

Çfarë duhet tjetër për t’i thënë një inspektori të krimeve, apo një punonjësi të Tatimeve, se cila është puna që ke bërë, në qoftë se m’u përpara hundës tënde, xhirojnë ruletat pa licencë? Cila është puna që ke bërë në qoftë se para hundës tënde, hapen zinxhirë kazinosh dhe mbyllen dyqane ushqimesh?! Se nga një anë, dyqanet e ushqimeve vuajnë padrejtësinë ekstreme të standardit të dyfishtë, kush është në dyqan duhet t’i paguajë të gjitha, kush është në rrugë nuk paguan asgjë dhe nga ana tjetër, ata që i blejnë zinxhir këto mjedise mes lagjeve, që shkatërrojnë përditë jetë prindërish, burrash që edhe ndihmën ekonomike shkojnë dhe e lënë në ruletë jetë fëmijësh, që në vend që të shkojnë në shkollë, shkojnë në kazino, kanë mbështetjen e Policisë Kriminale, të atyre shefave të Krimit, që sapo morën urdhrin për operacionin “Fund Marrëzisë”, menjëherë rendën të lajmërojnë. Shefa krimesh që ju thonë kriminelëve: Ikni se po vijmë.

Për çfarë administrate flasim, për cilën Evropë flasim? Në cilin vend të Evropës mund të imagjinohen dhe jo të ndodhin këto?! Sigurisht, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç shkrirjes së gjithë zinxhirit të policisë kriminale, marrjes në hetim një nga një të të gjithë atyre që kanë shërbyer në Policinë Kriminale dhe ndarjes së të njomit me të thatin, duke ndarë ata që janë të pafajshëm për t’i riintegruar dhe ata që janë të fajshëm për t’ia çuar Prokurorisë. E njëjta gjë për Tatimet, e njëjta gjë për Doganat, e njëjta gjë për spitalet, e njëjta gjë për arsimin. Sot e gjithë ditën, vazhdojnë të merren para për të futur në punë mësues, për t’i rrjepur deri në sekondën e fundit. Ndërkohë që Drejtori i Arsimit në një qark, i thotë Ministres së Arsimit:  “Zonja Ministre, para se të na kërkoni llogari, mos harroni që ne kemi ndërtuar rrugë”. Kur ministrja i thotë: “Pse, Drejtoria Arsimore ka pasur objektiv të punës së vet ndërtimin e rrugëve!? -, “Drejtoria Arsimore është pjesë krenare e Partisë Demokratike”, i përgjigjet Drejtori i Arsimit të Qarkut. Çfarë duhet të bëjmë ne me këta?!

Është ky momenti për të thënë se: Po, edhe njëherë tjetër, asnjë drejtor shkolle, asnjë drejtore shkolle, që është në krye të shkollës falë aftësive të veta, falë meritës së vet dhe që gëzon mbështetjen dhe respektin e komunitetit, jo vetëm që nuk do të cenohet, por përkundrazi, nuk duhet të ndjehet për asnjë moment asgjë tjetër përveçse krenar dhe krenare për punën që bën dhe do të ketë gjithë mbështetjen dhe respektin tonë. Por ama, nuk shkohet në Evropë dhe nuk ndërtohet Evropa në shkollat tona në qoftë se ne mbyllim sytë, duke lejuar që të na dalin përpara në të ardhmen dhe të përsëriten historia e drejtorëve dhe e drejtoreve, që i mbyllnin shkollat për të shkuar bashkë me gjithë fëmijët dhe për të duartrokitur Kryeministrin.

Sigurisht që, Shqipëria nuk ka më një Kryeministër për ta duartrokitur nëpër oborret e shkollave, për fjalimet kundër opozitës. Nuk ka më as një shumicë qeverisëse, që do t’i përdorë nxënësit si kope për të mbushur sheshet. Madje nuk ka më as një qeveri, që do të ngrejë tribuna, do të paguajë këngëtarë, në pritje të ardhjes së Kryeministrit, që të mbajë fjalimin e madh të çlirimit të radhës nga opozita, në çdo stacion që marrim një certifikatë në Bruksel. Certifikatat e Brukselit janë gjëja e fundit që ne duhet të na interesojë, përpara ndërtimit të Shqipërisë evropiane këtu, çdo ditë. Ato, në fund të fundit, thjeshtë reflektojnë atë që ne jemi, atë që ne kemi bërë dhe atë që ne tregojmë se jemi në gjendje ta bëjmë, asgjë më shumë.

Ne nuk kemi ardhur këtu në Qeveri që t’i rrokanisim kokën shqiptarëve çdo ditë, “Integrimi, integrimi, integrimi”, por kemi ardhur këtu që ta bëjmë integrimin realitet, duke u dhënë mundësi shqiptarëve që të shërbehen si në Evropë dhe duke u dhënë mundësi njerëzve që të shërbehen në administratën e këtij shteti, pavarësisht se mund të mos kenë kushëri asnjë deputet, pavarësisht se mund të mos kenë lidhje me asnjë parti.

Pas këtij ristrukturimi, që nga Kryeministria dhe çdo ministri, do të fillojnë konkurset e hapura për të gjithë. Në Kryeministri dhe në ministritë e këtij vendi, synimi ynë është të kemi ajkën e gjithë atyre njerëzve të shkolluar, njerëzve të përgatitur, që duan t’i shërbejnë këtij vendi dhe që në  momentin e dhënë tregojnë se janë më të aftë se të tjetër. Patjetër!

Çfarë do t’u themi ne, të gjithë atyre të rejave dhe të rinjve që vijnë nga Greqia, pasi familjet e tyre kanë sakrifikuar gjithë jetën për t’i çuar në shkollë, për t’i bërë të shkëlqyer në universitet, kur këtu janë të gjithë pa punë? Pse duhet të rrinë pa punë ata? Pse të mos e kenë ata një shans që të shkojnë dhe të konkurrojnë? Pse duhet që ripërtëritja e gjithë sistemit tonë tatimor e doganor të mos bazohet tek ata njerëz dhe tek shumë të tjerë, që janë gati t’i shërbejnë këtij vendi, por që nuk vijnë, sepse nuk besojnë që mund të kapërcejnë farefisin e një deputeti? Nuk besojnë se mund të kapërcejnë ato letrat që lexoi këtu, pak nga mijëra të tilla, Taulant Balla dhe nuk besojnë kurrë se këtu mund të ketë meritokraci.

E pra, për këtë kemi ardhur ne. Për këtë jemi votuar ne nga një milionë njerëz. Kjo është gjëja që do ta bëjmë me vendosmëri deri në fund, sepse ne duam të marrim fjalë të mira, duam patjetër të marrim certifikatat përkatëse nga Brukseli, por duam t’i marrim ato bazuar në rritjen e Shqipërisë Evropiane këtu. Duam t’i marrim ato në emër të të gjithë atyre, që do të jenë mishërimi i fjalëve tona, që do të jenë mishërimi i reformave tona, që do të jenë fakti konkret, në numra, në njerëz, i të vërtetës, se ne jemi këtu për t’i hapur rrugë talenteve, për t’i hapur rrugë meritës, për t’i hapur rrugë aftësive. Jo për të rrëmbyer edhe pjesën e fundit që i ka mbetur pasurisë së këtij vendi dhe as për të zëvendësuar ata që ikën, një çetë me një çetë tjetër.

Ky është Akti Normativ. Tek ky Akt Normativ janë të përmbledhura të gjitha këto që thashë. Ky Akt Normativ, koha do ta tregojë, jo pas gjashtë vjetësh, por pas gjashtë muajsh, që do të vlejë për të pasur një forcë administrative, në nivelin e parë të qeverisjes dhe në nivelin e atyre shërbimeve që ligji që ka hyrë në fuqi dhe që i shtrin efektet pas gjashtë muajsh, parashikon që do të bëhen pjesë e Nëpunësit Publik, që të jetë krenaria e mandatit tonë dhe që të jetë prova më shembullore e faktit, se ne nuk jemi këtu, për të çuar letra, as Kryetari i Kuvendit, as Kryeministri, as Ministrat, duke thënë; – hiqini nga puna ata që janë të zotët dhe “o burra” të fusim në punë kushërinjtë tanë. Gjëja që Taulanti nuk e tha, është që këto letra përgjithësisht karakterizohen edhe nga diçka që nuk e shkruajnë; Përveç asaj, anëtar i përkushtuar i Partisë Demokratike, mungon dhe shprehja anëtar i devotshëm i fisit tim.

Faleminderit!

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama mbajtur në Kuvend.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.