Për një ekonomi dinamike dhe të integruar

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Me shumë kënaqësi i drejtoj kësaj audience disa fjalë që lidhen me gjendjen e ekonomisë, me sfidat dhe me qasjen tonë të re ndaj një situate që lë pak vend për shumë optimizëm.

Shqipëria përjeton një krizë sistemike që vjen si pasojë e neglizhimit apo mosadresimit disavjeçar të nevojave të ekonomisë në përmbajtjen e vet strukturore. Nevoja që u bënë shumë më therëse si rrjedhojë e krizës financiare ndërkombëtare dhe e efekteve të saj të mëpastajme edhe në ekonominë tonë. Ndërsa ishte pak e prekur nga kjo krizë në vitet e para të saj, qoftë edhe si pasojë e shkallës së ulët të integrimit dhe të ekspozimit të Shqipërisë në tregjet globale, financiare, mosveprimi nga ana e autoriteteve dhe refuzimi i vazhdueshëm për ta parë dhe për ta ndarë me publikun realitetin e ekonomisë, çoi në një thellim të përshpejtuar të problemeve konjukturore dhe strukturore. Në rënie të eksporteve dhe importeve; në rënie të kërkesës së brendshme; në rënie të punësimit; në shtimin e kredive të këqija dhe në ngadalësim të kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar e padyshim, në fund fare, por jo për nga rëndësia, në një rënie dramatike të rritjes ekonomike.

Ne kemi marrë një angazhim dhe do të jemi besnikë të këtij angazhimi për të filluar menjëherë auditimin e sistemit tonë të administrimit të parasë dhe njëkohësisht të shpenzimeve në të gjitha drejtimet. Një auditim ky që do të bëhet nga një prej katër kompanive të mëdha ndërkombëtare të auditimit. E, që ne shpresojmë të na sjellë më në fund pasqyrën reale të ekonomisë sonë dhe të raporteve të shtetit me paranë publike dhe me atë private, sepse sot ne gjendemi në një situatë, në të cilën e kemi ndarë ekonominë në dysh, në një ekonomi për të cilën shteti është i interesuar, që është ajo e buxhetit dhe në një ekonomi që është ajo e sektorit privat, ndaj të cilës shteti ka një përgjegjësi shumë të rëndë, për shkak të një borxhi të madh të akumuluar, për të cilin do të flas pak më poshtë.

Modeli ekonomik, në vetvete, ka, sot, domosdoshmërinë për t’u transformuar nga një model qartësisht i një ekonomie tranzicioni, në një model të një ekonomie të së nesërmes. Për 22 vjet ekonomia jonë është mbështetur në të ardhurat nga remitancat, në privatizimet si llogari rrjedhëse, në borxhin e brendshëm dhe të jashtëm që aktualisht ka kapur nivelin më të lartë të historisë, por përtej nivelit të vet zyrtar është ende më i lartë, duke filluar që nga lidhja e këtij borxhi zyrtar me atë borxhin për të cilin sapo fola, që shkon në rreth 400 milion dollarë përfshirë edhe TVSH-në e parimbursuar, dhe më tutje një ekonomi e bazuar mbi importet e larta dhe konsumin, pa patur në vetvete një nivel të atillë produktiviteti të shoqëruar me punësim që do të mund ta bënte sot një model më të qëndrueshëm.

Sot, më shumë se për gjithçka tjetër ne kemi nevojë për një ndryshim të strukturës dhe të burimeve të rritjes ekonomike dhe të kontributit të sektorëve të ndryshëm në prodhimin e brendshëm, duke orientuar realisht burimet e financimit dhe burimet njerëzore drejt këtyre sektorëve. Ne nuk mund dot të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këtë ngërç të krijuar nga borxhi ndaj sektorit privat. Është një borxh që e ka futur gjithë ekonominë në një ngërç dhe që praktikisht ka paralizuar në një masë të konsiderueshme dhe fuqinë ndikuese të bankave mbi ekonominë për shkak të ndërthurjes së gjithë këtij zinxhiri borxhi.

Ne po përgatitemi që një orë e më parë ta shlyejmë këtë borxh. Nuk mundet dot që të bëjmë sikur ky borxh nuk ekziston, nuk mundet dot që këtë borxh t’ja lëmë në kurriz sektorit privat dhe kompanive që aktualisht po asfiksohen nën peshën e këtij borxhi. Nuk mundet dot të kërkojmë nga bankat që të jenë më aktive në qoftë se ne nuk e shlyejmë këtë borxh dhe ne do ta shlyejmë këtë borxh me çfarëdo kosto.

Sigurisht, që ajo çka për ne është kryesorja, është ndryshimi i qasjes ndaj të vërtetave të ekonomisë dhe ndryshimi i qasjes ndaj protagonistëve të ekonomisë. Ne nuk e konsiderojmë shtetin protagonistin themelor dhe nuk i konsiderojmë protagonistët e tjerë, protagonistë të dorës së dytë. Jemi këtu për të ndryshuar në mënyrë radikale këto raporte dhe për ta vendosur shtetin në shërbim të ekonomisë dhe jo ekonominë në shërbim të shtetit. Ka shumë pësime në këto vite dhe janë pësime të cilat mjaftojnë për të nxjerrë të gjitha mësimet për të cilat kemi nevojë që të shkojmë më tutje, pa pretenduar se nuk do të bëjmë gabime, por duke pretenduar që të jemi të pagabueshëm në raport me ato gabime që janë bërë, pra të mos përsërisim të njëjtat gabime.

Askush nuk na kërkon ne, ashtu sikundër askujt nuk i kërkohet në këtë botë që të jetë i pagabueshëm. Ajo që i kërkohet një qeverie është që të mos përsërisë gabimet e të shkuarës. Ne jemi shumë të angazhuar për ta bërë një gjë të tillë. Më shumë sesa ndikimin direkt në ekonominë tonë, krizën duhet ta shohim si një burim për të nxjerrë mësime, për sa i përket pasqyrës që na vuri përpara për eficencën dhe për nivelin e performancës që prodhojnë politikat tona ekonomike dhe financiare, si dhe ato sociale.

Ne kemi marrë një votë të qartë për të ndryshuar qeverisjen e vendit. Unë besoj që është një votë e qartë për t’i dhënë jetë një profili të ri të ekonomisë shqiptare, duke synuar një model më dinamik dhe më integrues të saj dhe një strukturë që na afron çdo ditë e më tepër me ekonominë evropiane, si ekonomi demokratike në radhë të parë dhe pastaj dhe si një ekonomi që prodhon sukses përmes lirisë së konkurrencës, që prodhon mirëqenie përmes asaj që konkurrenca e lirë sjell paskëtaj.

Për këtë arsye ne synojmë që të adresojmë në mënyrë të menjëhershme disa çështje kyçe për të filluar një proces rimëkëmbje të ekonomisë në afat të shkurtër pa pretenduar që kjo rimëkëmbje të jetë e menjëhershme dhe as duke vazhduar në hullinë e vjetër të një rimëkëmbje të stisur.

Ne duam që të mbështetemi, jo vetëm mbi politikat tradicionale apo themeltare të thellimit të privatizimeve, të hapjes së tregjeve apo të liberalizimit ekonomik në përgjithësi që janë absolutisht të patjetërsueshme në një proces demokratizimi të ekonomisë, por mbi të gjitha ne besojmë shumë për vetë kontekstin, gjeografinë, përmbajtjen dhe numrin, pse jo të popullsisë sonë, që ndryshimi i marrëdhënieve të shtetit me ekonominë, i marrëdhënieve të qeverisë me sipërmarrjen, i marrëdhënieve mes procesit qeverisës dhe tregjeve në tërësi është një bazë mbi të cilën mund të ngremë shumë më pas.

Për këtë ne duam që të ndërtojmë një model të ri të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe të orientohemi drejt

1-            Një marrëdhënieje të re me biznesin, me prioritet biznesin e vogël në veçanti.

2-            Në politika të punësimit

3-            Në politika të stimulimit dhe të mbështetjes së investimeve dhe të financimeve në ekonomi.

Është shumë e rëndësishme që të rikthejmë sa më shpejt besimin tek ekonomia e vendit tonë, tek reformat strukturore dhe eficenca e tyre, me synim që ta bëjmë Shqipërinë përmes rimëkëmbjes së marrëdhënies me vetë sipërmarrjen e brendshme, një vend me një ekonomi atraktive dhe për investimet e huaja dhe për partneritetin me biznesin dhe investitorët e mëdhenj ndërkombëtarë. Por, shembujt duhet t’i gjejmë këtu dhe t’i ndërtojmë këtu mes vedi më së pari.

Për këtë, po përgatisim një sërë masash që do t’i ndajmë, më herët se sa vonë, me vetë sipërmarrjen, me bankat, me institucionet financiare ndërkombëtare, pra me të gjithë protagonistët e ekonomisë, duke ripozicionuar shtetin dhe vetë qeverinë si një nga protagonistët, jo si protagonistin që bën ditën dhe natën në raport me të tjerët.

·                     Një strategji e re për rritjen ekonomike nëpërmjet ristrukturimit dhe reformave të duhura është e domosdoshme.

·                     Rritja me prioritet e prodhimit të brendshëm është e domosdoshme.

·                     Ndërtimi i politikave specifike dhe mbështetëse për të nxitur eksportet, është e domosdoshme.

·                     Rikonceptimi i marrëdhënies – ndoshta po rikthehem shpesh në këtë pikë dhe po e konsideroj pikën nga duhet nisur i gjithë ky proces -, mes biznesit dhe shtetit, për të siguruar që kjo marrëdhënie të prodhojë më shumë të mira publike dhe më shumë lehtësi për të dy anët, është e domosdoshme.

·                     Shteti, jo si një rregullator i verbër që dikton, por si një partner i interesuar dhe i angazhuar për të luftuar monopolet, për të luftuar korrupsionin, për të garantuar lirinë në të cilën pastaj operatorët të mund të funksionojnë në bazë të meritës, është domosdoshmëri.

·                     Politika specifike fiskale që mbështesin zhvillimin afatgjatë, duke përmirësuar klimën e biznesit, duke siguruar një thjeshtim real të sistemit, jo një thjeshtim për të paktët që është komplikim për të shumtët dhe duke nxitur investimet e brendshme dhe të huaja është një domosdoshmëri.

·                     Politika specifike për punësimin, ne kemi një angazhim madhor me të cilin shumëkush qesh, por ne jemi më seriozë se asnjëherë kur themi se do t’ia dalim lidhur me krijimin e 300 mijë vendeve të punës. Një angazhim që nuk bazohet thjesht tek një shifër shumë e madhe, por bazohet tek realiteti i një ekonomie që sot, aq sa është e shtrënguar, aq ka edhe shumë mundësi, në kushtet kur shumë nga këta njerëz janë përballë pamundësisë për të punuar, jo sepse nuk ka tregje, por sepse nuk ka kushte elementare bazë, si një certifikatë pronësie mbi tokën fjala vjen, është prapë domosdoshmëri.

·                     Mbështetja me përparësi e çdo sipërmarrjeje që krijon vende të reja pune dhe përfitime afatgjata në ekonomi, është e domosdoshme.

·                     Rishikimi nga themeli i sistemit tonë arsimor për të siguruar një forcë pune të kualifikuar dhe që i përgjigjet nevojave të tregut, në bashkëpunim me sipërmarrjen, është e domosdoshme.

·                     Politikat e rikualifikimit profesional dhe përshtatjes me tregun, që sot një sërë kompanish shqiptare i bëjnë brenda vetes dhe janë bërë modele nga të cilat ne duhet të marrim mësim si qeveri dhe duhet të bëjmë gjithçka që të përhapen tek të tjerët, në funksion të përfitimit të tyre, janë të domosdoshme.

·                     Rivlerësimi i mënyrës se si përdoren apo shpërdoren burimet tona natyrore, në mënyrën që të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin e tyre, është domosdoshmëri.

·                      Fokusimi tek një mënyrë e re e përdorimit të parave publike dhe e dhënies së shërbimeve përmes kësaj paraje, është domosdoshmëri.

·                     Masat konkrete për të krijuar kushte lehtësuese dhe mbështetëse që të rrisim kreditimin e ekonomisë nga sektori bankar, – dhe edhe këtu në këtë aspekt nuk ka asgjë për të zbuluar, nuk ka asgjë për të shpikur, ka vetëm për të dëgjuar nga vet sektori bankar, duke filluar nga Banka e Shqipërisë -, është përsëri një domosdoshmëri për të zhvilluar në të njëjtën kohë tregje financiare dhe për të rritur efektin e tyre në financimin e ekonomisë.

Rishikimi i ekonomisë shqiptare si një ekonomi, që nuk është më vete dhe për vete, por është minimalisht gjithnjë e më e integruar me ekonominë apo ekonomitë e rajonit.

Më lejoni që ta shfrytëzoj këtë rast, ku prania e të ftuarve nga rajoni është e konsiderueshme dhe shumë e respektuar, për të thënë që jetojmë në një epokë të re në rajon, pas Marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, që ka shënuar fundin e një historie konfliktesh të përgjakshme dhe i ka mbyllur përfundimisht derën hijes së këtyre konflikteve, duke hapur një horizont të gjerë mundësish, që në radhë të parë janë mundësi ekonomike dhe janë mundësi zhvillimi social. Është koha që ne, të gjithë së bashku në rajon, të mos mbetemi thjesht në pozitën e “djemve të bezdisshëm” të Brukselit, e “djemve harrakatë” të Brukselit, që duhet të sillen mirë, duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë, duhet t’i çojnë drejtorisë raportet për sjelljen me komshinjtë, por edhe njëkohësisht si shtete ambicioze që t’i drejtohemi Brukselit me ide të përbashkëta të zhvillimit të përbashkët ekonomik, me projekte të përbashkëta në infrastrukturë, në energji, në mbrojtjen e mjedisit, në arsim, në kulturë, duke kërkuar që këtë moment paqeje, i pari moment paqeje në historinë e rajonit pa hijen e konflikteve rreth e rrotull, të mos e lëmë të bëhet një moment vakumi, ku përsëri mund të lindin hije të reja të nacionalizmave, të ekstremizmave, që mund ta shfrytëzojnë edhe vetë marrëveshjen si një arsye për t’u thënë njerëzve se jeni pa punë sepse u pajtuam me armikun.

Për të mos u zgjatur më tutje, dua t’ju them se në muajin e ardhshëm ne do të ngremë dhe do të vëmë në punë Këshillin Ekonomik Kombëtar, i cili do të jetë një forum i munguar në gjithë këto vite, që do të ulë bashkë protagonistët, në mënyrë permanente, Kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Zhvillimit Ekonomik nga njëra anë, por në të njëjtën tavolinë dhe krah për krah, Guvernatorin, përfaqësinë e sektorit bankar, përfaqësinë e sipërmarrjes, përfaqësinë e institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësinë e investitorëve të huaj dhe një numër këshilltarësh të nivelit më të lartë botëror të ekonomisë, që në mënyrë sistematike do të diskutojnë për mbarëvajtjen dhe korrigjimet e mundshme të trajektores së strategjisë sonë të re të zhvillimit. Nga ana tjetër, por jo më pak e rëndësishme, do të garantojmë që epoka e marrjes peng të bizneseve nga drejtorë doganash, drejtorë tatimesh dhe gjithfarë strukturash, të marrë fund, duke hapur një epokë ku njeriu që merret me biznes, duhet të vendoset në të njëjtin piedestal si njeriu që merret me sport, si njeriu që merret me muzikë, si çdo hero i kohës sonë, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. E di tani që me këtë “heroin e kohës sonë” do të kapen dhe do të bëjnë statusin e radhës në Facebook, por kjo pak rëndësi ka. Rëndësi ka që të mos i lemë edhe ata pa punë.

Ajo që dua t’ju anonçoj është vullneti për t’i dhënë doganave dhe tatimeve të Shqipërisë fytyrën e Shqipërisë së gjeneratës tjetër. Fytyrën e Shqipërisë së gjeneratës tjetër që në pamje dhe padyshim në sjellje dhe sigurisht në performancë. Ne po përgatisim dhe një plan që mund ta them thjesht si një ide dhe kur ta artikulojmë do t’ia prezantojmë sipërmarrjes. Ne duam ta çlirojmë sipërmarrjen e madhe, të paktën 1 mijë tatim paguesit më të mëdhenj, nga kontrollet tatimore. Ne nuk duam të kontrollojmë më sipërmarrjen e madhe, ne duam që sipërmarrja e madhe të vetkontrollohet përmes auditit nga 4 kompanitë e mëdha dhe pastaj kontrolli të zhvillohet në përputhshmëri të plotë me respektin më të madh të atyre që bëjnë sipërmarrjen në Shqipëri dhe në një marrëdhënie në të cilën ne së bashku, sigurisht në pozicione të ndryshme, duhet të sillemi si një, sepse ne jemi këtu për të zhvilluar ekonominë. Ekonomia nuk mund të zhvillohet pa sipërmarrjen, përkundrazi sa më shumë të marrë frymë dhe të vrapojë sipërmarrja, aq më shumë do të zhvillohet ekonomia. Ashtu sikundër, epoka e një perceptimi të ekonomisë që ekonomia është një me buxhetin e shtetit dhe ministri i Financave është gardiani i buxhetit të shtetit, me çfarëdo çmimi në kurriz të sipërmarrjes dhe nga ana tjetër është një ekonomi tjetër, ekonomia e kulakut, ekonomia e armikut, ekonomia e dikujt që fiton para duke pirë gjakun e popullit, do të marrë fund, sepse për ne epoka e re duhet të fillojë nga vendosja e sipërmarrësit shqiptar në piedestal dhe nga krijimi i një raporti të ri me sipërmarrjen që unë besoj do të jetë dhe baza e suksesit në luftën kundër korrupsionit.

Korrupsioni është shërbim alternativ dhe korrupsioni fiton aty ku shërbimi ligjor mungon apo është i avashtë, apo është i kamufluar në emër të shtetit për interesa që me shtetin nuk kanë të bëjnë. Ne do ta shkatërrojmë korrupsionin si shërbim alternativ, duke bërë së bashku rrugëtimin për të nxjerrë ekonominë nga kriza dhe duke mos e lënë më shtetin në pozitat e një armiku xheloz të suksesit të sipërmarrjes, por duke e bërë shtetin protagonistin krenar për çdo sipërmarrës të suksesshëm dhe për çdo sukses në sipërmarrje.

Faleminderit!

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Konferencën me temë: “Forcimi i lidhjeve në Evropën Juglindore: Vendosja e politikave dhe perspektiva e biznesit”.