Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Më lejoni që në pamundësi për t’ju përcjellë drejtpërdrejt ngushëllimet për një anëtar të grupit tuaj parlamentar dhe për një mik dhe shok të armëve prej shumë vitesh, ta bëj këtë sot, me keqardhjen më të madhe për ikjen e tij tragjike nga jeta dhe t’ju uroj me gjithë zemër që ngjarje të tilla të mos përsëriten më kurrë në jetën e këtij Kuvendi për asnjërin prej deputetëve, për asnjërin prej miqve, prej të afërmve, prej pjesëtarëve të komunitetit tonë.

Sot, ne jemi këtu, për të diskutuar për një Rezolutë që është paraqitur nga opozita, në funksion të inkurajimit, të procesit të integrimit dhe në prag të shprehjes së vendeve anëtare, lidhur me propozimin e bërë nga Komisioni Evropian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, në dhjetor. Por, nga ana tjetër më lejoni që t’ju them të gjithëve, se statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit dhe se sigurisht edhe kjo përpjekje, kjo Rezolutë, ky debat dhe votimi në fund i saj ndihmon për të shkuar deri në çastin e fundit, me gjithçka ne kemi në dorë që të ofrojmë si shprehje të një vullneti për të avancuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë të veçantë, ashtu sikundër e ka nënvizuar edhe Komisioni Evropian në paraqitjen e propozimit.

E vërteta është se, ende duhet të bindim një numër vendesh anëtare. Këtë e dimë ne, këtë e dini ju dhe këtë nuk kemi pse ta fshehim. Përkundrazi, me këtë dijeni, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë gjithçka mundemi, që rezultati i dhjetorit të jetë pozitiv dhe Shqipëri ta marrë statusin e vendit kandidat, të tjerat besoj se janë legjitime për opozitën, por nuk besoj se ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi shumë afatshkurtër, praktikisht, në pak javë vendimtare.

Nga ana tjetër, çfarë po them, nuk do të thotë se, nuk e mirëkuptoj edhe gjithë këtë përsiatje të gjatë të opozitës. Jeni në detyrën tuaj, bëjeni ashtu siç e mendoni se duhet bërë më mirë. Nga ana jonë nuk do të dëgjoni ndonjëherë ato që kemi dëgjuar ne, për vite me radhë këtu si opozitë, nuk do të dëgjoni që jeni antievropianë, nuk do të dëgjoni që jeni bashkëpunëtorë të albanofobëve, nuk do të dëgjoni që punoni ditë natë, për të penguar dhe për të bllokuar Shqipërinë, sepse në fund të fundit, ky është normaliteti i një marrëdhënieje mes nesh dhe jush që le ta themi hapur ka shënuar një fazë të re me ndryshimin e vendeve, ju në opozitë dhe ne në shumicë, me një shumicë të cilësuar përmes së cilës, kemi jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën të udhëheqim vendin në realizmin e programit për të cilin jemi votuar. Por, e cila qysh prej ditës së parë e deri më sot, nuk ka qenë asnjëherë arsye për ne që të sillemi me ju, siç jeni sjellë ju me ne. Përkundrazi, ka qenë një arsye për t’u provuar shqiptarëve, për t’u provuar edhe miqve tanë dhe partnerëve tanë, se Shqipëria është e aftë që të ketë një parlament normal; Shqipëria është e aftë që të ketë një parlament që të drejtohet në mënyrë luajale me të gjitha palët dhe që nuk vendos në pozicion të vështirë asnjërën nga palët; Shqipëria është një vend i aftë që  kapitullin e parlamentit jo funksional dhe të drejtimit primitiv të parlamentit, ta konsiderojë të mbyllur dhe të shkruajë një kapitull të ri, që besoj se jemi duke e shkruar përditë, gjë për të cilën kemi marrë vazhdimisht vlerësime mjaft pozitive nga të njëjtët miq dhe partnerë, që deri dje e shihnin parlamentin e Shqipërisë si një nga arsyet për të mos e afruar më pranë Shqipërinë në bashkësinë e vendeve, ku qenia në qeveri dhe qenia në opozitë, nuk është parakusht për të kthyer parlamentet në arena të shkëmbimit të baltës, por përkundrazi është parakusht, për të krijuar mundësitë e një debati normal, mes palëve që përfaqësojnë të njëjtin popull dhe që janë të ndara në shumë gjëra, por kanë mjaftueshmërisht dhe arsye për të mos qenë të ndara, kur vjen puna për respektin ndaj tjetrit. Ky është parlamenti i respektit ndaj tjetrit.

Është e qartë për ne, nga të gjitha kontaktet e përditshme që kemi, posaçërisht me vendet që ende janë të dyzuara se mbi Shqipërinë rëndon, ende shumë, një bilanc angazhimesh të pambajtura, një bilanc zhgënjimesh të vazhdueshme, një bilanc, i cili iu lë vend, miqve dhe partnerëve për të mos qenë ende, plotësisht, 100%, unanimisht të bindur se Shqipëria është gati. Ndërkohë që, ju siguroj se kemi gjetur jo vetëm mbështetjen e plotë, por edhe më shumë se mbështetjen e plotë, një dëshirë për të inkurajuar Qeverinë e re që të vazhdojë në drejtimin që ka përcaktuar dhe të thellojë ende më shumë luftën që ka hapur, në radhë të parë me krimin dhe korrupsionin dhe sigurisht në afat të gjatë, me gjithë pasojat e rrënimit të përgjithshëm të vendit, në radhë të parë të rrënimit ekonomik dhe social të tij.

Kaq e vërtetë është kjo, saqë në takimin që ne patëm me Komisionin Evropian, në kuadrin e Dialogut të Nivelit të Lartë, pamë nga njëra anë, vullnetin e Komisionit për të shkuar deri në fund në mbështetjen e propozimit që i ka bërë shteteve anëtare, por edhe vlerësimin e Komisionit për gjithçka ka bërë deri më sot Qeveria në pak kohë që ka pasur në dispozicion. Ashtu sikundër ky takim që vetë Komisioneri për Zgjerimin e quajti, si “Dialogu i Nivelit të Shkëlqyer” ishte për ne i mjaftueshëm për të kuptuar se realisht mund të bëjmë shumë më shumë së bashku. E këtu, dhe nuk them asgjë të tepërt, nëse nënvizoj edhe kontributin e Kryetares së Komisionit të Integrimit, e cila për hir të së vërtetës ishte shumë e angazhuar dhe dha një ndihmë reale në ecurinë e gjithë atij procesi që sapo ka filluar dhe ne urojmë dhe shpresojmë të vazhdojë si i tillë, me idenë që sa më shumë takime të bëjmë me ju jashtë kamerave, aq më shumë mundësi na jepen për të kuptuar sesa më të lehtë e kemi që të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, ndërkohë që kamerat me siguri ju shkaktojnë një domosdoshmëri të brendshme, për të dalë mirë në provimin e radhës para syrit të Big Brother-it. Kjo prapë se prapë është pjesë e mënyrës sesi ju e jetoni të qenurit në partinë tuaj dhe sesi e jetoni nevojën për të bërë karrierë.

Ajo që është e rëndësishme, është që ne jemi shumë të vendosur për gjithëpërfshirje. Ne jemi shumë të vendosur për transparencë. Gjithëpërfshirja dhe transparenca janë kyç në këtë proces që përmes Dialogut të Nivelit të Lartë shkon përpara, mjaft që të kemi vullnetin e mirë.

Kemi rënë dakord që me anën e një udhërrëfyesi konkret dhe Plani Veprimi për zbatimin e reformave të nevojshme, në procesin e mëtejshëm që lidhet me hapjen e negociatave, të adresojmë ashtu siç duhet 5 prioritetet kyçe të vendosura nga Komisioni, në funksion të konsiderimit edhe pastaj të hapjes së negociatave për anëtarësim.

Qëllimi ynë është i qartë dhe i shprehur;

Duam të krijojmë një platformë dialogu kombëtar për integrimin evropian, ku jo vetëm opozita politike të jetë e përfshirë, por edhe Shoqëria Civile, e cila hap pas hapi po fillon të marrë frymë dhe hap pas hapi do të çlirohet nga gjithë makthet e një të kaluare që e mbyti dhe praktikisht e asgjësoi, si aktor i dorës së parë në debatet dhe në jetën e vendit. Sigurisht që përfshirja e Shoqërisë Civile është më shumë se sa një fjalë e thënë kështu, për të përfshirë disa përfaqësues të disa organizatave në një proces si ky që është kaq i ndërlikuar dhe që kërkon kaq shumë punë të përbashkët. Sepse, ajo çka ne mendojmë dhe ajo çka ne do të bëjmë, hap pas hapi, është që në gjithë procesin e ligjvënies  të kemi sa më shumë kontribut nga Shoqëria Civile si e tillë, por edhe nga të gjitha grupet e interesit që preken drejtpërdrejt ose indirekt nga çdo reformë që do të jetë në axhendën e parlamentit dhe që kanë të drejtën e tyre legjitime që të dëgjohen, pas kaq shumë vitesh që jo vetëm nuk u dëgjuan asnjëherë, por përkundrazi, shijuan me detyrim baltën me të cilën iu mbyll goja një e nga një, të gjithë protagonistëve të një rrjeti shoqëror që ishte në një fazë embrionale zhvillimi dhe sot, praktikisht, është në domosdoshmërinë për të rilindur.

Tani, sigurisht që ky debat në prag të kësaj Rezolute është dhe një moment i mirë për disa kujtesa, që lidhen me atë që thashë pak më parë dhe që adresojnë drejtpërdrejt jo vetëm pse-në e një mbështetjeje popullore që Qeveria vazhdon ta ketë në kuota shumë të larta, por edhe pse-në e një mbështetjeje të plotë që ne po gjejmë në çdo kontakt dhe në çdo marrëdhënie me miqtë dhe me partnerët tanë evropianë. Sikundër, po lexojmë ditë pas dite edhe dëshirën për ta kapërcyer ngërçin në disa kryeqytete. Ngërç që lidhet kryesisht me të shkuarën dhe që besoj do të mund ta kapërcejmë falë rezultateve me të cilat ne e po e përballim këtë proces, në këto javë të fundit.

Kam dëgjuar disa herë, këtu, që thuhet se ”akoma nuk po sillni ligje”. Në fakt, jam i bindur që Qeveria apo shumica e deridjeshme do të hyjë në historinë e këtij parlamenti si Qeveria dhe shumica që prodhuan numrin më të madh të ligjeve. Por, për momentin, jeni padyshim në historinë e këtij vendi si shumica dhe Qeveria që i zbatoi më pak ligjet që i miratoi vetë.

E pikërisht, ky hendek i madh mes Shqipërisë në letër dhe Shqipërisë reale, është edhe hendeku i madh që duhet kapërcyer në procesin e çuarjes përpara të rrugës sonë të integrimit dhe në procesin e mbushamendjes  së të gjithë vendeve anëtare se ne shqiptarët jemi më shumë se kaq. Jemi më shumë se sa të aftë që të ngremë dorën dhe të miratojmë ligje; Jemi më shumë se sa të aftë që t’i hedhim hi syve popullit tonë dhe hi syve miqve dhe partnerëve tanë, duke paketuar blloqe të tëra letrash që sapo miratohen, mbeten thjesht letra pa vlerë.

E në këtë aspekt, dua t’ju them mos prisni nga ne që të kthehemi në një fabrikë miratimi ligjesh, sepse nuk do të kthehemi në një fabrikë miratimi ligjesh. Këtë nuk e presin nga ne shqiptarët, këtë nuk e presin nga ne miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nga ne prisni diçka tjetër; që të rritim në mënyrë të përditshme dhe ta çojmë në nivele evropiane shkallën e zbatueshmërisë së ligjit. Pikërisht, në funksion të zbatueshmërisë së ligjit, kanë ardhur në këtë Kuvend edhe një sërë nismash që, në vetvete, janë nisma më të vogla se një ligj i tërë, por që janë të domosdoshme për të siguruar zbatueshmërinë e një tërësie ligjesh që sot e gjithë ditën mbeten letra pa vlerë, për shkak të kulturës suaj qeverisëse.

Nuk po i rendit me radhë këto, sepse përsëri nuk i quaj rezultate konkrete, por ju siguroj se janë pjesë e një pakete që na ndihmon në arritjen e rezultateve konkrete dhe pa dyshim, na ndihmon për të përcjellë mesazhin e qartë edhe tek miqtë e partnerët, edhe tek ata më skeptikët, se ne jemi plotësisht të vendosur për t’u shkuar deri në fund gjithë objektivave të programit tonë për rilindjen e këtij vendi.

Do të rendis disa rezultate konkrete, duke filluar nga ai rezultat që nuk e di përse, ose e di përse, ngjall gjithmonë reaksion kur përmendet në sallën e këtij Kuvendi që lidhet me evazionin vjetor prej 110 milionë eurosh, për shkak të ngritjes së një industrie të paligjshme të lojërave të fatit. Me goditjen e pamëshirshme që kjo industri e paligjshme ka marrë dhe që çdo bisht i saj do të marrë ditë për ditë, deri sa në këtë vend të mos ketë më asnjë individ që të gëzojë jo vetëm mbështetje, por edhe të gëzojë, për shkak të mungesës së eficencës së strukturave përkatëse, duke i marrë në qafë njerëzit e varfër të këtij vendi që e kërkojnë ngushëllimin në bixhoz.

Po ashtu, dëgjova që; dhe e kuptoj përse, e kuptoj shumë mirë përse; ka një prekje shumë të ndjeshme të nervit kur flasim për korrupsionin në sistemin tonë të tatimeve. Ju keni qejf ta përsërisni shpesh atë që “ky është vetëm fillimi” dhe unë kam shumë qejf që t’ua rikujtoj që ky është vetëm fillimi. E si fillim, kemi zbuluar vetëm një pjesë të vogël të skemës së mashtrimit me TVSH-në, prej të cilës u janë hequr shqiptarëve nga xhepat 5.4 milionë dollarë, për të shkuar në xhepa të tjera dhe në mes të atyre xhepave, edhe në xhepa që transmetojnë drejtpërdrejt dhimbjen në trupin tuaj. Është vetëm fillimi, sepse ndërkohë ai sistemi shumë i lëvduar i IT-së në Tatime, po rezulton në fakt një sistem i mbushur me vrima, ku kanë rrjedhur vijimësisht para që duhet t’u shkonin shqiptarëve, atyre që paguajnë taksat, atyre që kanë nevojë për ndihmën ekonomike, atyre që janë me aftësi të kufizuara. E në fakt, u kanë shkuar vetëm pak shqiptarëve, atyre që e përdorën pushtetin për të ngritur një sistem grabitjeje kudo, kurdoherë dhe vazhdimisht.

Më lejoni t’ju them që vetëm në periudhën 2-mujore, 16 shtator deri më 20 nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, është rritur; e dini sa?; 473% numri i rasteve të luftës kundër korrupsionit dhe 402% numri i autorëve të proceduar penalisht. Ashtu sikundër, është rritur 50% numri i autorëve të arrestuar apo të ndaluar. Gjatë periudhës në fjalë, 16 shtator – 20 nëntor, janë evidentuar 102 raste trafiqesh të paligjshme, me 116 autorë, nga të cilët 106 janë arrestuar dhe 6 janë në kërkim. Nuk e di përse sa herë ka njerëz në kërkim, ju vini këtu e kërkoni llogari nga ne, në emër të njerëzve në kërkim. Nuk e di përse, ose e di përse, por dua të ndaj me pjesën më të madhe të grupit tuaj pikëpyetjen që përse? Nuk e di, por sa herë ka njerëz në kërkim, ka këtu klithma dhimbjeje që kërkojnë nga ne nuk e di çfarë.

Po kështu, si rezultat i masave antikorrupsion, masave që luftojnë evazionin fiskal dhe kontrabandën, në vetëm 30 ditë; dhe të paktën për ata që kanë ndenjur në karrigen e ministrave 8 vjet besoj është e kuptueshme sa çfarë janë 30 ditë; kemi shkuar në 105% dhe në 106%, respektivisht në Dogana dhe në Tatime. 123 vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e zyrtarëve në detyrë, kanë implikuar 180 të dyshuar nga të cilët 173 janë të arrestuar, ndërsa 7 janë në kërkim. Janë bërë 10 operacione policore specifikisht antikorrupsion dhe ka 27 të arrestuar dhe përsëri 7 në kërkim.

Janë goditur 5 grupe kriminale dhe 20 persona sot janë prapa hekurave, por ata që janë prapa hekurave kanë filluar të flasin gjëra me interes të veçantë. Është arrestuar ish drejtorja e Kontrollit Tatimor dhe një tjetër zyrtar i lartë, për abuzimet me skemën e rimbursimit të TVSH-së, ndërkohë të tjerë janë në kërkim nga drejtësia. Jemi të vetëdijshëm që në sistemin e tatimeve, ky është niveli i kategorisë së dytë, në gjithë skemën e madhe të mashtrimit me paratë që duhet të kishin shkuar në arkën e shtetit.

E dini pjesën tjetër, por mbase duhet të nënvizoj diçka që nuk e dini, që vetëm në periudhën 16 deri më 20 nëntor janë arrestuar më shumë shtetas shqiptarë të kërkuar nga organet e drejtësisë së vendeve të tjera, sesa në gjithë periudhën paraardhëse të vitit. Ky moment ka qenë një nga momentet, që ka krijuar skepticizëm të lartë lidhur me aftësinë e Shqipërisë për të përballuar të gjithë kërkesat që burojnë nga statusi i kandidatit dhe ky numër i madh arrestimesh ka ndikuar pozitivisht në uljen e këtij skepticizmi. Po ashtu më lejoni që t’ju them se edhe pjesa për të cilën e vini shpesh herë, nuk po them kujën, por po them, veten në lëvizje, që ka të bëjë me lëvizjet në administratë, jo vetëm që nuk ka asgjë të ngjashme me lëvizjet masive në administratë të 8 viteve më parë, por përkundrazi karakterizohet nga domosdoshmëria për t’ia kthyer shtetit dhe publikut struktura dhe institucione të marra peng për interesat e pushtetit të pak njerëzve dhe të atrofizuara nga koka tek këmbët. Kështu që, patjetër kemi anuluar licenca për ndërtimin e impianteve energjetike, 13 të tilla, 6 të tilla janë në rishikim. As nuk e kemi fshehur dhe as nuk kemi ndërmend ta fshehim sot që kemi angazhimin ta bëjmë, se do t’i anulojmë të gjitha kontratat e bëra në dëm të interesave të Shqipërisë dhe në dëm të interesave të publikut shqiptar. Të tilla janë të gjitha këto që po anulohen. Ashtu sikundër jemi duke e riparë edhe një numër tjetër të konsiderueshëm koncesionesh në fusha të ndryshme që sjellin dëme marramendëse të përvitshme ekonomike për buxhetin e shtetit dhe për xhepat e shqiptarëve. Sigurisht që ka shumë ende për të bërë dhe jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka që duhet bërë, por është e sigurt se, çdo ditë provon që më 23 qershor ka ndodhur një ndryshim rrënjësor. Ka ndodhur një ndryshim rrënjësor që mishërohet çdo ditë, në krijimin e një kulture të re qeverisëse. E një kulture qeverisëse bazuar tek vetëdija, se as nuk jemi në këto pozicione për gjithë jetën dhe as nuk na kanë votuar që t’i përdorim këto karrige në dëm të njerëzve që me të drejtë kanë kërkuar ndryshimin dhe me të drejtë do të vazhdojnë të kërkojnë një për një realizmin e objektivave tona.

Sigurisht që dy muaj janë pak, por dy muaj janë dhe shumë. Unë besoj që duke u dëgjuar ju në radhë të parë, mund ta konsiderojmë këtë periudhë dy mujore plotësisht të suksesshme. Gjithçka ju thoni është konfirmimi se në Shqipëri realisht ka ndryshuar diçka me rëndësi dhe se në Shqipëri realisht, po qeveriset për shumicën jo për pak njerëz, që përfaqësojnë shumicën në këtë sallë, apo në Qeverinë e këtij vendi.

Kolegët ministra bënë një paraqitje të përgjithshme, pjesë-pjesë, të të gjithë këtij procesi. Unë nuk dua të humbas më shumë kohën e parlamentit për këtë temë, por siç e fillova dua ta mbyll duke rinënvizuar edhe njëherë tjetër që ky nuk është vendi për të rrahur gjoksin se kush është më evropian dhe se kush e do më shumë Shqipërinë. Ky është vendi për të bërë detyrat që na kanë ngarkuar ata që na kanë votuar. Ne na kanë votuar për të qeverisur, ju u kanë votuar për të qëndruar në opozitë. Besoj që si ne, si ju, në fund të ditës nuk kemi asnjë arsye që të ndahemi kur vjen fjala tek ky proces i ndërlikuar dhe i domosdoshëm për Shqipërinë siç është procesi i integrimit.

Prandaj unë e çmoj përpjekjen apo nismën tuaj për t’i paraqitur këtij Kuvendi Rezolutën në fjalë dhe do të çmoja dhe do të çmonim çdo përpjekje, që deri në fund dhe ju, do të bënit bashkë me ne, për të kapërcyer pengesën e fundit, por nuk besoj të parëndësishme të hezitimit të një sërë vendesh anëtare. Sigurisht për ta kapërcyer këtë, nuk mjafton që Qeveria të prodhojë çdo ditë rezultate që gjejnë, jo vetëm miratimin, por edhe vlerësimin më të lartë të miqve dhe të partnerëve tanë, por është e domosdoshme, që edhe opozita të mos ngatërrojë atë që është pjesë e fiziologjisë së saj me atë që është pjesë e një qëllimi, që unë e besoj të përbashkët, që është Integrimi Evropian.

Në fund fare besoj që ka shumë eksperiencë në sallën e këtij Kuvendi dhe ka shumë eksperiencë edhe ndër ata që e ndjekin këtë Kuvend, për të kuptuar, se nuk është vetëm vdekja, që duhet të na bashkojë në një ditë krejt natyrshëm, duke u ndjerë të gjithë shumë të përkohshëm dhe të dobët dhe po aq të njëjtë para saj, por është edhe ajo pjesë e jetës së përditshme të punës sonë, që lidhet jo me ne, por lidhet me të ardhmen e fëmijëve tanë dhe këtu sot, ne jemi duke folur, pikërisht më shumë sesa në shumë raste të tjerë, drejtpërdrejt për të ardhmen e fëmijëve tanë, të cilëve u detyrohemi një Shqipëri të anëtarësuar në Bashkimin Evropian, në qoftë se nuk duam që të na detyrohen në mallkimin e tyre për gjithë pjesën e mbetur të jetës.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.