Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Forumi i parë Ndërkombëtar në Shqipëri për “Qytetin Inteligjent”, nisi sot punimet në Durrës. Synimi i forumit është të mbledhë dhe të shkëmbejë ide, dije, eksperienca e praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat do të shkrihen me vizionin e qyteteve inteligjente, për një zhvillim të qëndrueshëm.

Përfaqësues të kabinetit qeveritar shqiptar, ministra të Kosovës, Maqedonisë dhe aktorë të rëndësishëm në fushat përkatëse nga Italia, Anglia, Austria, Holanda e Gjermania, diskutuan bashkërisht për iniciativat e ardhshme dhe bashkëpunimin për krijimin e qyteteve inteligjente.

Në fjalën e mbajtur në forum, Kryeministri Rama theksoi se në thelbin e përpjekjes për krijimin e qyteteve inteligjente qëndron procesi i ristrukturimit të zhvillimit urban sa kreativ aq edhe të qëndrueshëm.

Kryeministri evidentoi se në një hark 20 vjeçar, zhvillimi i paqëndrueshëm ka lënë pasoja negative në shumë aspekte të jetës ekonomike të vendit, duke cunguar dhe dëmtuar burimet e mirëfillta të zhvillimit të qëndrueshëm.  “Në thelbin e këtij procesi qëndron procesi i një ristrukturimi të zhvillimit urban të atillë që të jetë nga njëra anë kreativ, por dhe nga ana tjetër i qëndrueshëm. Ajo që na ka ndodhur në këtë hark 20 vjeçar ka qenë e kundërta. Kemi pasur zhvillim padyshim, por zhvillimi ka qenë i karakterizuar nga një paqëndrueshmëri, pasoja  që sot ndihen  gjithmonë  e më tepër posaçërisht në të gjitha burimet natyrore, sepse nëse një nga burimet më të mëdha të rritjes në 20 vite ka qenë ndërtimi. Nëse përmes këtij burimi rritjeje ka përfituar ekonomia e ditës dhe ka përfituar familja shqiptare në tërësi sepse sot shqiptarët kanë shumë më tepër metra katrorë në dispozicion për të jetuar apo për të zhvilluar aktivitet të natyrave të ndryshme, po të shohim koston e shfrytëzimit të këtij burimi rritjeje jemi përpara një panorame jashtëzakonisht tronditëse. Sa shumë pyje kemi humbur. Sa shumë territore tokash bujqësore shumë të vlefshme kemi humbur. Sa shumë kemi humbur në peizazhin tonë si një nga burimet e rëndësishme të rritjes së qëndrueshme në vetvete dhe sa shumë kemi humbur në të gjithë ekosistemin e vendit tonë. Mjafton t’i hedhim një sy demit që është shkaktuar në shtretërit  e lumenjve dhe gërryerjes që i është bërë shtretërve të lumenjve për pasojë pastaj ndikimin në një proces eroziv që e shohim, që shfaqet gjithmonë e  më tepër në formën  e përmbytjeve, rrëshqitjeve e kështu me radhë për të kuptuar se kemi humbur jo vetëm kohë, por kemi humbur dhe një pjesë të rëndësishme të këtij potenciali të madh. Por, njëkohësisht jemi në kohë për të mos lejuar rrëshqitjen e mëtejshme në një rrugë të zhvillimit të paqëndrueshëm dhe për t’i dhënë qëndrueshmëri zhvillimit.”

Kryeministri bëri të ditur se në projektin e financimeve për vitin e ardhshëm është përcaktuar volumi më i madh i parashikuar ndonjëherë i financimit për sistemet inteligjente dhe inovacionin, ndërsa theksoi se zëri i infrastrukturës dixhitale do të jetë çdo vit e më i fuqishëm, ndër zërat e investimeve publike. “Sigurisht që jemi me fat që jetojmë në një moment të historisë së zhvillimit njerëzor ku të gjithë hendeqet e mëdha të trashëguara nga e shkuara mes vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim, mund të ngushtohen me shumë më tepër shpejtësi se më parë falë inovacionit, falë sistemeve inteligjente. Kjo është arsyeja pse në projektin e financimeve për vitin e ardhshëm ne kemi përcaktuar volumin më të madh të bërë ndonjëherë të financimit për sistemet inteligjente dhe inovacionin, duke  e konsideruar këtë pjesë si pjesë të investimit në infrastrukturën në tërësi. Nëse kemi një domosdoshmëri të madhe dhe një volum të madh të të ardhurave, ne i drejtojmë tek infrastruktura e jetës së përditshme që na mundëson lëvizjen, komunikimin, ndërveprimin fizik, zëri i infrastrukturës dixhitale do të jetë çdo vit e më i fuqishëm, ndër zërat e investimeve tona publike.”

Me besimin se përmirësimi i qyteteve është një proces që do të intensifikohet vit pas viti, Kryeministri tha se rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri përparësish në ndërtimin e kësaj rrjete investimesh, do të sjellë rezultate të dukshme. “Nga ana tjetër besoj se përmirësimi i qyteteve që është një proces që ka nisur këtë vit dhe do të intensifikohet më shumë vitin e ardhshëm dhe vitet që vijnë është një rrugë e sigurt për t’i dhënë qëndrueshmëri dhe kohezion zhvillimit në kushtet kur kemi trashëguar një sistem si një rrjet të prishur merimange në aspektin e investimeve publike në infrastrukturë dhe në ndërlidhjen e zonave të ndryshme urbane dhe zonave të ndryshme të banimit dhe në lëvizshmërinë në tërësi në territorin e Republikës sonë. Rikonceptimi dhe vendosja e një rendi të ri përparësish në ndërtimin e kësaj rrjete investimesh, jam i bindur se do të na sjellë rezultate të dukshme,” u shpreh Kryeministri Rama.

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se zbatueshmëria e ligjeve të miratuara dhe procesi i ndërveprimit mbetet sfida më e madhe. “Për numër konferencash, për numër strategjish, për numër ligjesh, për numër platformash, për numër forumesh, për numër seminaresh, workshop-esh etj, ne sigurisht lëmë pas një numër të konsiderueshëm vendesh të Bashkimit Europian. Padyshim, në këtë aspekt jemi përpara Gjermanisë. Nuk janë ligjet që sigurisht do t’i bëjmë, por është zbatueshmëria e tyre dhe është procesi i ndërveprimit që është sfida jonë e madhe.”

Sekretari i Përgjithshëm i Euro rajonit Adriatiko–Jonik, Francesco Cocco, i pranishëm në forum, u shpreh se për Shqipërinë, – e cila këtë vit ka përfituar edhe statusin i vendit kandidat për në BE, – se është momenti më i përshtatshëm për të luftuar për zhvillimin e qëndrueshëm e inteligjent.

Mikpritësi i Forumit, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, solli eksperiencën e re mbi të cilën po planifikohen projekte e reja në qytetin e Durrësit për rikualifikimin e hapësirave urbane. Duke renditur disa prej projekteve më të rëndësishme, ai theksoi se ato janë produkt i një analize të mirëdetajuar për të shfrytëzuar maksimalisht hapësirat publike. “Sot jemi duke realizuar shumë projekte të cilat i kemi në fazën e ndërtimit. Mund të përmend rikualifikimin e mbikalimit të Plepave. Rikonstruksionin dhe rivënien në jetë të nënkalimit të rëndësishëm tek Ura e Dajlanit dhe sheshin qendror të qytetit. Në të gjitha projektet kemi kombinuar elementët teknikë të projektimit të qëndrueshëm, si gjelbërimin, gurët natyralë, modele të ndjekura në të gjitha qytetet moderne të Mesdheut. Në temën e lëvizjes së qëndrueshme kemi bërë rrugën e plazhit, me 7 km korsi biçikletash, e cila është e lidhur me rrugën e re që po ndërtojmë paralel me murin e portit. Në temën e mbrojtjes së mjedisit kemi krijimin e parkut të gjelbër në zonën e ish Kënetës, i cili në të ardhmen do të bëhet edhe mushkëria e qytetit të Durrësit. Në temën e informatizimit, prej disa kohësh gjithashtu bashkia është në proces informatizimi, i cili ul ndjeshëm burokracinë e ligjit shqiptar dhe afron qytetarët me institucionet e qeverisjes vendore,“ u shpreh Dako.

Ndërsa ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Giaiani, tha se përpjekja për krijimin e qyteteve inteligjente përbën një sfidë që lidhet sa me zhvillimin, aq edhe me zgjidhjen e problematikave nga më të ndryshmet ekonomike e sociale. Planifikimi urban, theksoi ai, do të mund të çojë drejt një zhvillimi më të strukturuar dhe efikas.  “Besoj se kjo është një ndryshim hapi, një ndryshim kulture që dëshmon interesin e qeverisë së re për këto tematika. Nuk ka asnjë dyshim që qytetet përveçse kanë qenë djepi i qytetërimeve tona do të jenë edhe ato ku do të luhet edhe sfida e zhvillimit. Shqipëria ka një avantazh kur flitet për mbështetje sepse ka një prodhim komplet të pastër të energjisë, por besoj se edhe Shqipëria nuk ka imunitet nga problemet. Pika e parë me të cilën duhet të përballemi është ajo e të shkuarit drejt një eficence më të madhe në përdorimin e energjisë. E, në këtë pikë qytetet shqiptare mund të bëjnë hapa përpara shumë të forta. Pika qendrore e të gjithë çështjes mendoj se është planifikimi urban që ka munguar totalisht në Shqipëri në vitet e fundit dhe që mund të sjellë një zhvillim më të rregullt dhe më efiçent. Jam i bindur që është një temë që ka vëmendjen e qeverisë që po i dedikon një vëmendje të veçantë. Do jetë e mundur gjithashtu të përdoren fondet europiane dhe besoj se kështu do të zhvillohet edhe e ardhmja e Shqipërisë.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.