Për projektet e zhvillimit të Qarkut Gjirokastër

Cikli i bashkëbisedimeve me qytetarë vijoi sot në qytetin e Gjirokastrës, në shtëpinë muze të Kadaresë, ku kontribuues në profesione të ndryshme, mësues, mjekë, sipërmarrës, studentë, të rinj e të reja, përfaqësues të pushtetit lokal etj, zhvilluan me Kryeministrin Rama një bisedë pyetje-përgjigje, mbi çështje të ditës, problematika dhe perspektivën për zhvillim të qytetit.

-Interesimit qytetar lidhur me problemin shqetësues të shumë shtëpive karakteristike, shpesh të rrënuara dhe të lëna në mëshirë të fatit nga vetë pronarët e tyre, si dhe hartimit të një strategjie të posaçme për mbrojtjen e tyre, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Nëse do të kthejmë kokën pas vetëm 6 apo 7 vite më parë dhe do të kujtohemi ku ishte Gjirokastra, me siguri ankthi i zhdukjes, ankthi i rrënimit të pasurive të krijuara dhe të trashëguara prej kaq shumë brezash do të ishte shumë më i madh dhe përjetimi i dramës do të ishte shumë më i madh. Sot jemi në kushtet që jo vetëm Gjirokastra nuk ka asnjë krahasim me çfarë ishte më përpara, por kur sigurisht na duhet të bëjmë edhe më shumë.

Sot, vetëm në perimetrin e pazarit, ne kemi 700 shtretër në dispozicion të vizitorëve dhe megjithatë janë të pamjaftushëm për kërkesën. Ashtu si me Korçën, Beratin, edhe me pika të tjera të vendit, por po marr këto tre destinacione që janë shumë tipike në fundjave, nuk ka vend.

Ka plot godina me vlerë të jashtëzakonshme që presin ndërhyrjen dhe ndërkohë degradojnë. Patjetër që është e mundur të ndiqen rrugë për të shtrenguar pronarët, por, sidoqoftë, këto rrugë janë rrugë alternative në këtë fazë zhvillimi dhe në këta fazë hallesh dhe problemesh që kanë njerëzit. Ne i kemi patur në diskutim rrugët e ndryshme për të krijuar një përgjegjësi shoqërore përmes ligjit, në raport me pasurinë e përbashkët, kur vjen fjala për trashëgiminë kulturore. Kjo nuk duhet të na lehtësojë barrën e përgjegjësisë për të investuar. Investimet më shumë vijnë në radhë të parë, nga krijimi i kushteve për subjektet private që të përfshihen në këtë proces.

Ne kemi bërë një marrëveshgje me qeverinë e Republikës së Turqisë për të investuar në mënyrë të konsiderueshme, pikërisht tek objektet e trashëgimisë kulturore, por ajo që unë ju kam kërkuar prej disa kohësh është që eksperienca e tyre e jashtëzakonshme në restaurimin e zonave të vjetra historike, janë në kushtet që mund të japin një dorë edhe këtu. Kemi rënë dakord për Gjirokastrën dhe Beratin dhe jemi duke punuar për planin e ndërhyrjes. Besoj se qeveria shqiptare do të jetë pjesë e kësaj ndërhyrjeje, por besoj që plani do të na mundësojë një ndërhyrje më të gjerë nga pikëpamja sasiore, sepse kemi bërë plot ndërhyrje, por ato janë cilësore, që në sasinë e përgjithshme janë të pamjaftueshme.

Kam shumë besim që Gjirokastra me daljen nga pandemia do ta ndjejë shumë fort vlerën e gjithë investimeve që janë bërë. Ndërkohë, duhet shfrytëzuar kjo kohë, për të bërë maksimumin që investimet e reja, qoftë by-pass-I, qoftë parkingu i madh nëntokësor tek sheshi, që do të heqi gjithë lëvizjen e makinave, do të bëjnë që e gjithë qëndra historike të jetë këmbësore dhe do të jetë një vlerë më shumë, jo vetëm nga pikëpamja mjedisore, por edhe nga pikëpamja e atraksionit turistik.

-Lidhur me faktin se si do të veprohet me ndërhyrjet që janë bërë në godinat e vjetra përmes ndërtimeve të shtesave apo modifikimeve të ndryshme, Kryeministri Rama u përgjigj:

Kryetari i Bashkisë mund të thotë diçka lidhur me kërkesën që unë kam bërë, për të bërë një inventar të godinave që janë deformauar, por janë edhe ndërtuar si shtesa apo prapashtesa të një godine të vjetër, apo si një shtesë diku mes dy godinave të vjetra. Pasi të bëhet ky inventor, të konceptohen ndërhyrje të thjeshta që i fusin në gjuhën arkitektonike të të gjithë ansamblit. Besoj që kjo është rruga dhe këtë ne këtë do ta financojmë sipas mundësive që do të jenë, duke mos lënë që këto zhurmat vizuale që krijojnë këto lloj shtesash ta cënojnë harmoninë e përgjithsme që ka ansambli historik.

-Interes për sipërmarrësit e Qarkut të Gjirokastrës kanë zgjuar edhe investimet e huaja në fushën e turizmit. Interesimit të një prej sipërmarrësve të Përmetit, lidhur me marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Emiratet e Bashkuara Arabe, që parashikon të investojë në qytetin e Përmetit, por edhe për investimet në turizëm në zone në tërësi, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:

Investimet që ne kemi bërë në pjesën rurale të vendit kanë qenë dhe janë investime që synojnë të zhvillojnë burimet e energjisë për turizimin. Koncepti i acupunturës është një koncept i adoptuar nga urbanistët dhe i adoptuar nga teoritë e zhvillimit urban.

Duke lidhur Teplenën me të gjithë Labërinë e sipërme dhe poshtë me bregdetin e Himarës, ne krijojmë një mundësi të re për të gjeneruar shumë më tepër lëvizje dhe shumë më tepër të ardhura për këtë zonë. Por nuk është vetëm kjo pjesë. Është edhe pjesa e rrugës kombëtare, By-pass-it të Tepelenës, është edhe pjesa e lidhjes së Përmetit me Ersekën, është dhe aksi i shumëpritur, që besoj tani është drejt përfundimit, i Kardhiqit.

Të gjitha këto do të bëjë që të gjitha ata që vijnë në një nga këto pika të kenë shumë tundim për të shkuar në pika të tjera, duke e kthyer të gjithë këtë zonë në një park tematik natyror, ku në një njësi të shkurtër kohe ke detin, malin, historinë, traditat e mikpritjes dhe të kulinarisë.

Unë kam shumë besim që kjo do të shihet shumë shpej. Do të ketë një rritje të konsiderueshme dhe mbani shënim fjalën time, të vizitorëve nga Shqipëria që do të shkojnë në jug në breg dhe do të ngjiten lart, ose do të vijnë në këtë anë dhe do të shkojnë poshtë, d.m.th, është 40 minuta nga Labëria e sipërme bregu i Himarës, që ishte diçka e paimagjinueshme, deri me realizmin e rrugës.

Sa i përket marrëveshjes me Emiratet, ne po bëhemi gati, madje duhet të ketë patur një procedurë të ditëve të fundit, ose do të jetë në ditët në vijim, të aprovimit të masterplanit të fazës 1 të zhvillimit në Durrës, që përfshin projektin e investimit të transformimit të Portit të Durrësit në një port turistik dhe për spostimin e të gjithë aktivitetit të tregtimit të mallrave në një port të ri në anën tjetër në veri të qytetit të Durrësit.

Grupi i caktuar nga Princi i Kurorës për këtë investim ka shprehur shumë interes përr të investuar në Permet. Ideja e investimeve në Përmet lidhet me disa faktorë. Së pari, ata kanë bërë një studim të rajoneve të vendit dhe Përmeti është një nga zonat me potencialin më të madh të turizmit dhe të zhvillimit të turizmit në dekadën e ardhshme dhe për dekada më pas, gjithashtu. Pasi, – sipas tyre gjithmonë, – Përmeti ka disa karakteristika shumë të veçanta sa i përket pejzazhit dhe po ashtu, të traditës në aspektin e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Nuk bëhet fjalë për investime që cënojnë peizazhin apo natyrën, por ata duan të investojnë në struktura fermash, pra, turizëm fermash, ku njerezit të mund të vijnë të jenë në një zonë rurale dhe të ndërtojnë aty shtëpi, vila, ndonjë hotel të vogël, por të gjitha të lidhura me fermën dhe me traditën e kultivimit të të gjithë paketës bujqësore të zonës dhe të gatimit. Duan po ashtu të fusin si pjesë të investimit dhe shfrytëzimin e prodhimeve artizanale ushqimore.

Është një projekt shumë i bukur kur e dëgjon. Nuk kanë ende një projekt në kuptimin urbanistik dhe arkitektonik, por ata janë shumë të vendosur për këtë. Fillimisht duan të shohin terrenin me Durrësin, sepse janë investime shumë të mëdha. Në mometin kur projekti i Durrësit do të hyjë në një fazë, ku ata do ta kuptojnë përfundimisht vendin, atëherë Përmeti ka radhën. Mesa kuptoj nuk duan të bëjnë një projekt në një vend, por në disa vende të ndryshme.

-Pyetjes së një prej mjekëve të rinj që punojnë në qytetin e Gjirokastrës, lidhur me mundësinë e përfitimit të një bonusi për pagesën e shtëpisë me qera në qytetin ku ata punojnë, mes të tjerash Kryeministri Rama iu përgjigj:

Ne kemi bërë një rritje të konsiderueshme pagash për specialistët që punojnë jashtë qytetit të tyre dhe që nuk është rasti juaj, sepse ju jeni në fazën e parë. Është një pagë që me bonusin dhe me 40% plus shkon në atë nivel që ata do të merrnin nëse do të niseshin sot në Gjermani dhe do të hynin në sistem, jo si profesorë, por në nivelin bazë atje.

Për ata, të cilët duan të rrinë këtu dhe sigurisht, ne bëjmë çmos që t’u jepet mundësi e barabartë të rrinë me një pagë që të mos jetë qesharake siç ishte 6, apo 7 vjet më parë. Nuk është një pagë e konsiderueshme, po në raport me nga u nisëm dhe është një arsye për të besuar se në këtë rrugë do të mund të rritet akoma. Dhe që pagat të rriten duhet të kemi partasysh se nga vijnë paratë. Paratë vijnë nga krijimi i mundësive të reja. Mundësitë rriten duke rritur investimet, duke rritur punësimin, duke rritur të ardhurat nga puna, qoftë për njerezit, qoftë dhe për shtetin, duke luftuar evazionin, duke luftuar informalitetin, duke zgjeruar bazën fiskale.

Unë besoj shumë që ne jemi futur në një fazë që do të kemi një rritje të të ardhurave, jo thjesht nga rritja natyrale, por edhe si rezultat i një sistemi të ri të fiskalizimit që edhe në një raport të fundit ndërkombëtar për Shqipërinë parashihej që do të sillte një impakt në rreth 30%.

– Një qytetar u shpreh se para disa vitesh, me të ardhurat nga emigrimi ka blerë një tokë dhe ka bërë një vreshtari me qëllim për të krijuar një bujtinë. Interesimti të qytetarit nëse pë rata që kanë ndërtuar infrastrukturë, të bëhen pjesë e asistencës së qeverisë me subvencione apo mbështetje për realizmin e projekti, Kryeministri iu përgjigj:

Respekte për punën e për pasionin dhe vendosmërinë për të investuar kursimet në Shqipëri, sepse pavarësisht se unë jam kryeministri këtu, nuk mund të të them që Shqipëria është fushë me lule e puna në Shqipëri është e lehtë, por askund nuk është e lehtë. Në Shqipëri, kush ka kokëfortësinë e mjaftueshme për ta çuar punën deri në fund e çon.

Për t’u kthyer përsëri në Labëri, kemi parë zhvillimet që kanë filluar. Janë në embrion akoma, por kanë filluar në zonën e Nivicës dhe përgjatë gjithë pjesës ku faktikisht po ndryshon infrastruktura. Për çdo emigrant që në Greqi, në Itali, kudo, bën një punë të zakonshme, nuk po fals për ata, të cilët bëjnë një punë që mund të jetë e një niveli të lartë nga pikëpamja e shërbimit që ofrojnë, nuk flas për avokatë apo për mjekë të integruar prej vitesh. Flas për emigrantë që bëjnë punë të zakonshme. Nëse investojnë kursimet e tyre, edhe me ndihmën tonë me këto programet dhe me kreditë nga Fondi i Garancisë Sovrane i qeverisë, për të kthyer shpinë e vjetër të gjyshërve në bujtinë, në argotizëm apo për të ndërtuar një argotizëm të ri, të ardhurat që do të marrin në vit do të jenë pa diskutim dyfish, trefish, edhe më shumë sesa marrin atje nga paga e punës.

Patjetër ju mund të merrni mbështetje për këtë projekt. Ne në Gjirokastër kemi tetë raste, por skema është e hapur dhe paratë janë aty. Sikur të marrësh 50% po 70% të investimit, që nuk është kredi, por që është grant, është dhuratë, nuk është pak.

Për atë që keni bërë, nuk mundet dot të merrni financim, por, nëse ju keni një pjesë në vazhdim, nëse keni bërë planin për t’i bërë 6 dhoma, doni t’i shtoni t’i bëni 12 dhoma, ato po, ato të gjitha janë të financueshme.

– Nëse nga administrimi paralel, si nga Ministria e Kulturës edhe nga Bashkia e Gjirokastrës e Muzeut të Armëve brenda saj, rezultati përkon me pagesën e dy biletave të ndryshme, një në hyrje të kalasë dhe një për muzeun përkatësisht, u shtrua pyetja nëse do ketë një biletë të integruar. Për këtë Kryeministri u shpreh:

Nuk e kisha dëgjuar këtë gjë, por me siguri ka një zgjidhje dhe me siguri duhet të ketë një biletë, sipas meje. Nuk e di kujt i ngelet hatri këtu, Ministrisë së Kulturës apo Bashkisë së Gjirokastrës, por duhet të ketë një biletë.

Ajo që ka rëndësi, është ndërhyrja që kemi bërë në kala dhe ndërhyrja tjetër për gjithë forcimin e strukturës, për ta konservuar sepse ka shfaqur disa shenja shqetësuese që do t’i adresojmë para se të bëhen shumë shqetësuese. Edhe projekti i ndriçimit të kalasë që i ka dhënë goxha impakt gjithë ofertës turistike, sepse duket si gjë e vogël, por në studimet e bëra për impaktin e ndriçimit të monumenteve të kulturës së zonave turistike është shumë e qartë se pse vendet investojnë shumë në ndriçim të këtyre objekteve.

Për biletën, të jesh e sigurt që do marrësh përgjigje shumë shpejt dhe mua më thotë mendja që do jetë përgjigja që ti dëshiron, jo se duhet të të bëjmë ty qejfin, por është vërtetë e drejtë dhe është e pakuptimtë që të mund të kërkohen dy bileta për të hyrë në të njëjtin vend. Vetëm në Gjirokastër mund të ndodhë kjo.

– Lidhur me kërkesat e një pensionisti që tarifa e pensionit të pleqërisë kërkon një rimbursim për kategori të ndryshme, shtimin e analizave mjekësore në rimbursim dhe përmirësim i infrastrukturës për kohën e lirë të moshës së tretë, Kryeministri u shpreh:

Teatri do të përfundojë së shpejti dhe më në fund ai frigorifer do kthehet në një sallë komode, me të gjitha kushtet.

Tek pjesa e pensioneve dua të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet në rajonin tonë dhe le të themi në pjesën e Europës ish komuniste, kjo është tema më e vështirë. Rritja e pensioneve për shkak të problemit të madh të fondit të pensioneve. Ky është problemi më i madh.

Tek ilaçet, ne duam të bëjmë diçka specifike për pensionistët, por sigurisht që as këtë dhe asgjë tjetër që themi nuk duam të jenë si tema fushate apo si premtime fushate, sepse ne nuk jemi në fushatë. Ne fushatën sigurisht do ta bëjmë sepse është një detyrim përpara popullit dhe në funksion të zgjedhjeve, por ne duam të vazhdojmë të çojmë përpara punën që kemi nisur që është njësoj, siç janë sot kantieret e rindërtimit. Nëse sot shikon Thumanën apo Fushë – Krujën, shikon një ndryshim të madh nga momenti pas tërmetit ku kishte vetëm rënoja, por nuk shikon një zonë ku mund të jetohet me të gjitha kushtet, sepse është ende në ndërtim e sipër. Kështu janë të gjithë sektorët në Shqipëri dhe në këtë fazë është rruga jonë.

Kush del sot në pension ka një perspektivë tjetër nga kush ka dalë në pension që përpara reformës, sepse sot merr një pension më të lartë, ndërkohë që kush ka dalë në pension para reformës nuk e merr dot një pension më të lartë. Pra, ju keni qenë mësues. Një mësues që del sot në pension, falë reformës merr një pension më të lartë sesa ju. Në këtë aspekt, sfida e pensioneve është një sfidë shumë e madhe dhe rritja e pensioneve është një sfidë shumë e madhe që do duhet të shihet në perspektivën e krijimit të mundësive më të mëdha falë investimeve, falë rritjes ekonomike, falë zhvillimit të mëtejshëm, për të mos thënë gjëra që mund të tingëllojnë shumë të bukura, por janë thjesht gënjeshtra të ëmbla. Ky është realiteti.

– Interesimit në lidhje me ngritjen e një muzeu për Ali Pashë Tepelenën brenda mureve të kalasë dhe për të rijetëzuar edhe kalatë më të rëndësishme që janë në Tepelenë, si kalaja e Matohasanaj, e Leklit, të cilat përmendet edhe nga burime antike, Kryeministri u shpreh:

Ne e dimë që janë katër kala në Tepelenë, por të të them që jemi gati që të ndërhymë tek të katërta, nuk ta them dot sepse nuk e bëjmë dot këtë gjë menjëherë tani. Ajo që po bëjmë është që t’i japim formë përfundimtare Kalasë së Ali Pashës, që po del nga tmerri. Ju e dini që aty ishte kalaja, por kush kalonte mund të mos e shihte fare, sepse ishte mbuluar nga ferrat dhe ndërtimet abuzive.

Ajo që pyetet për muzeun e Ali pashës brenda në kala i takon një faze të dytë pas rehabilitimit të të gjithë lagjes brenda në kala, sepse po përfundon rindërtimi – aty edhe rrugë nuk kishte, e gjithë infrastruktura e brendshme, po përfundon tani projekti për të transformuar të gjithë shtëpitë, do marrin një gjuhë arkitektonike të harmonizuar, për t’i dhënë atë pamjen e një kalaje me një lagje turistike. Ne jemi duke diskutuar çështjen e muzeut të Ali Pashës. A do jetë aty apo diku tjetër këtë nuk di ta them pasi nuk është vendosur, por është e domosdoshme që të ketë një muze të Ali Pashait në Tepelenë.

– Lidhur me një plan për zhvillimin infrastrukturor të fshatrave të përfshira në projektin e 100 fshatrave, Kryeministri u shpreh:

Sigurisht nuk ka nevojë madje, për të pasur ndonjë plan shumë të sofistikuar për ta ditur që ka rrugë fshatrash këtu e kudo që kanë nevojë për të vënë dorë, sepse janë të degraduara. Këtu çështja është sa mundësi kemi dhe ato mundësi që kemi si i shfrytëzojmë. Këtu çështja është si të sjellim impakt ekonomik dhe të rrisim mundësitë për të vazhduar të investojmë për të bërë deri edhe rrugën e fshatit të fundit. Nëse ne nuk do të ishim duke bërë ato që po bëjmë, me të drejtë të gjithë mund të thonin, e keni mendjen që ka edhe njerëz në fshat që u duhet çuar infrastruktura?

Ne këtë po bëjmë. Duke krijuar gjithë këtë infrastructure, që nuk është infrastrukturë kombëtare, është rajonale. Rruga Tepelenë – Lekdush, rrugës Gusmar – Kuç janë infrastrukturë rajonale, por që fusin fluks të atillë që sjellin një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik. Ky impakt ekonomik vjen tek familjet, sepse bujtinat sjellin vizitorë e të ardhura.

Ne do vazhdojmë të investojmë duke pasur parasysh ku ka më shumë potencial për të sjellë më shumë njerëz, për të marrë më shumë lekë nga konsumi i tyre, për t’i dhënë më shumë punë njerëzve e pastaj me ato, për të vazhduar të shkojmë deri aty ku është një person i vetëm.

Gjithë zona këtu ka një tjetër aset të madh turistik që është polifonia. Ne, brenda këtij koncepti të këtij perimetri të madh të gjithë kësaj cope Shqipërie këtu, polifoninë e kemi një nga asetet që duam ta zhvillojmë duke e stimuluar, duke e promovuar e duke e kthyer në pjesë të kalendarit turistik me evente gjatë sezonit. I filluam këto eventet e sezoneve që më parë me Blendi Klosin, pastaj na ndaloi pandemia, por sidoqoftë jemi duke punuar që në momentin që do kemi një hapje, të jem gati për të pasur kalendarë eventesh kulturore dhe eventesh tradicionale edhe ushqimi, gjatë periudhave të sezoneve turistike.

– Duke qenë se për 30 vjet në zonën e Dropulli të Sipërm, tha një qytetar, nuk ka patur asnjë investim madhor sa i përket rrjetit të kanaleve vaditëse e kulluese, si dhe vënia në funksion e disa rezervuarëve në zone, a ka ndonjë plan konkret apo projekt për të ndërhyrë me investime konkrete për të lehtësuar punën e dhjetëra fermerëve që operojnë në këtë zonë e për të rritur sipërfaqet e kultivuara në këtë territor? Lidhur me këtë, Kryeministri Rama u shpreh:

Edhe këtu është e njëjta bisedë si me rrugët, si me plot elementë të munguar sot, në çdo sektor. Nëse doni të gjykoni me objektivitet atë që ne kemi bërë dhe atë që duhet të prisni prej nesh në këtë moment, referojuni pamjes së një kantieri të rindërtimit sot. Një kantier i rindërtimit sot nuk është një lagje ku njerëzit mund të banojnë. Është një lagje në ndërtim që ka aty plot gjëra që deri dje nuk ekzistonin pasi janë pastruar rrënojat e tërmetit. Tamam si një vend pas tërmetit ishte Shqipëria në aspektin ekonomik. E njëjta gjë dhe me kanalizimet dhe me infrastrukturën e ujësjellësve në bujqësi.

Ne kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës së punuar komëbtarisht. Kemi pasur 120 e kusur mijë hektarë tokë që punohej, ku shkonte uji dhe kemi 240 mijë sot që punohen. Është dyfishuar toka që punohet në Shqipëri, vetëm për shkak të sistemit të ujit. Në shumë zona nuk ishte se njerëzit e kishin braktisur token, por nuk e punon dot se nuk kishin ujë. Por kjo nuk do të thotë që puna ka mbaruar.

E vërteta është që nuk mund ta diskutojmë dot krahasimin me çfarë ishte sektori i bujqësisë përpara 7 vjetësh me çfarë është sot. Për një arsye shumë të thjeshtë, e tregojnë edhe eksportet, e tregon edhe shembulli juaj që nuk janë shembuj që i kemi krijuar ne. Ju nuk jeni produkt i punës që ka bërë qeveria, përkundrazi, mbase jemi pengesë që ju të bëni më shumë, në rast se kjo që thatë për kanalet ju impakton juve, por fakti që jeni atje sot e nuk ishit dje, tregon që kantieri është në punë, sepse janë të gjitha gjërat që lidhen me njëra- tjetrën.