Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm, në përurimin e qendrës së Bashkisë së Selenicës, rikonstruksion me vlerë 59 milionë lekë, financim i Qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit si pjesë e projektit “Rilindja e Qyteteve”.
“Besoj që kjo punë e parë që ne bëmë sëbashku me Bashkinë e Selenicës për transformimin e qendrës së Selenicës është një hap i mirë dhe i rëndësishëm për të treguar se jo vetëm braktisja 20 vjeçare e Selenicës ka mbaruar, por edhe se ky është vetëm fillimi,” – iu drejtua Kryeministri, banorëve.
Segmenti që lidh hyrjen e qytetit me qendrës dhe rruga që lidh Selenicën me Vlorën janë dy projektet e tjera të rëndësishme që Kryeministri premtoi për këtë qytet.
“Ne folëm me kryetarin e bashkisë dhe menjëherë do të vihemi në lëvizje për projektin që lidh qendrën me hyrjen, në mënyrë që edhe rruga hyrëse të jetë siç është qendra. Patjetër që më tutje do të na duhet të bëjmë edhe rrugën që lidh Selenicën me Vlorën, sepse është një rrugë që ju jeni të detyruar ta bëni shpesh, por mjafton ta bësh vetëm një herë për të dyshuar se mos ke shkallmuar ndonjë veshkë. Ne mendojmë për shumë më tepër. Ky vend që ka pasuri minerare të mëdha duhet të transformohet në një vend ku jo papunësia, por punësimi të bëjë kohën e mirë,” – theksoi Kryeministri.
Kryeministri shoqërohej nga Zëvendëskryeministri, deputetët, kryetari i Bashkisë së Vlorës. Kryetari i Bashkisë së Selenicë, Ferdinand Aligjoni
***
Nga Selenica, Kryeministri përsëriti edhe një herë rëndësinë e operacionit kundër përfitimit të paligjshëm të energjisë elektrike dhe pagimit të detyrimeve të prapambetura për energjinë e konsumuar.
“Nuk e di si jeni me faturat e energjisë? Mirë jeni me faturat e energjisë? Një gjë dua që ta ndaj me ju, që sa më shpejtë ta nxjerrim Shqipërinë dhe ekonominë tonë nga gropa e madhe e borxheve të pafundme që janë bërë litar në qafën e popullit tonë, për shkak të shpërdorimit masiv me energjinë, aq më shpejtë do jemi në gjendje të kemi në dispozicion shumë më tepër fonde për të investuar për infrastrukturën, për shkollat, për spitalet dhe për shërbimet e tjera. Parafytyroni vetëm kaq, sikur të gjithë paguanin energjinë siç e paguanin pensionistët, të cilët janë pjesa më e dobët, por janë paguesit më të rregullt të energjisë, ne do të kishim çdo vit mundësinë të ndërtonim 100 kilometra rrugë nacionale më shumë. Sikur të gjithë ta paguajnë energjinë ashtu siç e paguajnë invalidët, paraplegjikët, tetraplegjikët që janë më të pambrojturit dhe që, megjithatë, në 93 % të tyre respektojnë kontratën për energjinë, atëherë ne do të kishim mundësi të ndërtonim brenda 1viti 150 shkolla të reja të standardeve europiane.”
Duke e quajtur një betejë për të ardhmen, Kryeministri theksoi se moslejimi i vazhdimit të vjedhjes do të thotë më shumë shkolla për fëmijët, më shumë përkujdes për njerëzit në nevojë, më shumë investime në sistemin shëndetësor.
“Beteja kundër hajdutëve të energjisë është beteja për të gjithë këta fëmijë që kanë nevojë për kopshte dhe shkolla më të mira. Është beteja për gjithë gjyshet dhe gjyshërit që janë këtu në këtë shesh, që as nuk i ka vajtur ndonjëherë nëpërmend se mund ta vjedhin energjinë dhe që e paguajnë energjinë në mënyrë korrekte. Është beteja e të gjithë atyre qe duan të rrisin fëmijën në vend, jo si deri sot, por duke pasur sigurinë se fëmijët e tyre kanë një të ardhme këtu. Është beteja Shqipërisë që duam me Shqipërinë që na la Lala Gjoni. Lala Gjoni që thoshte vidhni sa të mundeni, zaptoni e ndërtoni ku të mundeni dhe që ndihmën ekonomike e shpërndante me tesera partie.”
Qendra e qytetit të Selenicës është rikonstruktuar me vlerë 59 milionë lekë, financim i Qeverisë shqiptare. Shatërvani në mes të qytetit, rehabilitim i sheshit qendror, lulishte ndriçim etj, janë investime që tashmë u shërbejnë qytetarëve të Selenicës.
Në këtë ceremoni Kryeministri shoqërohej nga Zëvendëskryeministri, deputetët e qarkut dhe drejtues të tij.