Perceptimi qytetar mbi nivelin e sigurisë në Shqipëri dhe besimi tek Policia e Shtetit u prezantua sot përmes rezultateve në shifra, të anketës së 6-të kombëtare për matjen e punës së policisë, një studim i realizuar nga projekti suedez për policimin në komunitet për të 12-n vit radhazi.
Studimi ofron një tablo të qartë të zhvillimeve dhe ndryshimeve që kanë ndodhur në punën e Policisë së Shtetit gjatë viteve, e parë nga sytë e qytetarëve. Anketa ka nisur në vitin 2013 dhe është realizuar çdo dy vjet, duke përdorur të njëjtën metodologji, të njëjtat pyetje dhe duke siguruar që rezultatet të jenë të matshme dhe të krahasueshme me njëra-tjetrën.
Anketimi u prezantua në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë publike, zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Brendshme, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, si dhe përfaqësuesve të zinxhirit të aktorëve, që kanë një rol në sigurinë publike, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, policisë së shtetit, organizata të shoqërisë civile dhe bordin e prindërve.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë publike u ngrit në muajin tetor të vitit të kaluar me vendim të posaçëm të qeverisë shqiptare, si një organ i rëndësishëm i koordinimit dhe mbikëqyrjes të veprimtarive që lidhen me sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e komunitetit. Këshilli ka qëllim të sigurojë që masat dhe politikat për sigurinë të jenë të efektshme, duke përfshirë çdo nivel të administratës shtetërore, duke angazhuar të gjitha strukturat që merren me ruajtjen e rendit dhe të ligjit.
Referuar rezultateve të anketës, Kryeministri theksoi se: “82 % e qytetarëve ndihen sot të sigurt ose shumë të sigurt në Shqipëri dhe kjo është totalisht brenda normës së BE. Ndërsa, 65 % e qytetarëve vlerësojnë punën e qeverisë si të mirë ose shumë të mirë që është një përmirësim domethënës në raport me nga jemi nisur.”
* * *
Të nderuar pjesëmarrës të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Komunitet si dhe përfaqësues të institucioneve këtu të pranishëm,
Është një arsye e rëndësishme kjo e sotmja për të ndarë disa mendime.
“I vetmi shtet i qëndrueshëm është ai në të cilin të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit”-, thotë Aristoteli dhe kurrë më shumë sesa sot Shqipëria nuk ka qenë e mobilizuar për ta arritur nivelin e barazisë përpara ligjit. Çka nga njëra anë, na është konfirmuar si fakt i pamohueshëm nga çelja e negociatave me Bashkimin Europian, të cilat nuk janë asnjë dhuratë dhe as një vendimmarrje thjeshtë politike, por janë një konstatim i progresit të bërë në radhë të parë në aspektin e rritjes së nivelit të barazisë përpara ligjit dhe nga ana tjetër na vendos kjo nevojë përditë, përballë sfidës së rritjes së vazhdueshme të atij niveli barazie që rrit qëndrueshmërinë e lirive individuale, të bashkëjetesës demokratike dhe të sundimit të ligjit.
Sot, unë erdha këtu sepse së pari Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Komunitet meriton një vlerësim të veçantë si mishërim i bindjes se siguria nuk është vetëm një atribut i Policisë, por i një sërë aktorësh, të bashkive, institucionit të shëndetësisë, të arsimit, të drejtësisë, të teknologjisë digjitale dhe vetë qytetarëve, duke nisur në radhë të parë nga çdo prind i kësaj Republike, madje qytetarët janë baza e sigurisë.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Komunitet është një organizëm i krijuar rishtazi, fundvitin e shkuar me një vendim të posaçëm të qeverisë shqiptare, si një strukture që i shtohet arkitekturës institucionale të sigurisë publike me objektiva dhe pritshmëri në koordinimin mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore për çështje të sigurisë, në bashkërendimin institucional, në pasurimin e politikave ekzistuese dhe në përmirësimin e standardeve të sigurisë. Dhe kjo hapësirë e përbashkët ndërinstitucionale me përfshirjen e përfaqësuesve të komunitetit është shprehje e vullnetit për të qenë në reflektim të vazhdueshëm dhe për të përmirësuar vazhdimisht funksionimin e shtetit në raport me qytetarin, pra si e tillë meriton dhe mbështetjen pa rezervë nga të gjithë aktorët e përfshirë dhe natyrisht nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, në radhë të parë.
Nga ana tjetër, unë erdha sot këtu edhe sepse tema e zgjedhur për ta ndarë me publikun është realisht e dobishme në përpjekjen e dobishme për të ndarë faktet nga fabrikimet, për të ndarë realitetin konkret të punës të uniformave blu me realitetin mediatik të baltosjes së punës së tyre nga falanga urrejtje politike dhe mediatike për qeverinë, por që padrejtësisht lëshohen edhe kundër Policisë së Shtetit sa herë që gjendet qoftë dhe sebepi më i vogël. Për të ndarë pasqyrën e ecurisë së Shqipërisë në fushën që mbulon Policia e Shtetit me pasqyrat e deformuara të ekraneve, të portaleve, të socialeve ku Policia e Shtetit bëhet rëndom shënjestër e furive të akuzave, shpifjeve, gjysmë të vërtetave që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha
Prej një dekade e pak më shumë tanimë, qeveria e Suedisë bujarisht financon dhe mbikëqyr një anketim shkencor tërësisht të pavarur nga qeveria shqiptare për të matur sa i kënaqur apo i pakënaqur është publiku, në raport me punën e Policisë së Shtetit dhe ne pamë një përmbledhje të anketimit profesional të pavarur dhe voluminoz dhe çka mua më bën posaçërisht përshtypje dhe besoj i bën përshtypje kujtdo që ndërkohë është i vetëdijshëm për tam-tamin e daulleve që bien në të kundërt të fakteve dhe praktikisht është një hendek i madh që konfirmohet siç e patë në të gjitha projeksionet për të gjashtën herë në 13 apo 14 vjet, mes imazhit të Policisë së Shtetit dhe të perceptimin për rendin dhe sigurinë në Shqipëri që shfaqet në ato pasqyra të deformuara nga interesa gjithfarë politike, tregtare, mediatike dhe këndvështrimit të publikut vet mbi Policinë e Shtetit dhe mbi punën e saj.
Faktikisht është një anketim ku përsëriten po ato pyetje dhe ku rezultatet janë aty një tregues i qartë që ka një ecuri, ka një progres, por që ato shifra pasqyrojnë çfarë mblidhet nga publiku dhe jo ndonjë vullnet tjetër jashtë lirisë së plotë të publikut për tu shprehur dhe prandaj kanë dhe atë natyrshmëri dhe stabilitet të vazhdueshëm. Po të shikosh, po të dëgjosh, po të lexosh çfarë shfaqet, çfarë shkruhet për Policin e Shtetit, për rendin dhe për sigurinë në Shqipëri, në fakt ky është një vend “për të ikur të gjithë me vrap, ku s’ka rend, s’ka siguri dhe ku Policia e Shtetit është një institucion pa asnjë forcë, pa asnjë besueshmëri”, por gjëja më e mirë dhe më inkurajuese është që në ndërkohë faktet dhe shifrat që ne sigurisht i ndjekim sepse mbi bazën e tyre vlerësojmë edhe ku jemi flasin krejt të kundërtën, flasin për ulje të vazhdueshme të kriminalitetit.
Edhe viti 2024 nuk zhgënjeu, por u mbyll përsëri si të gjitha vitet qysh ne kemi ardhur në detyrë, me ulje të mëtejshme të numrit të vrasjeve, ku faktikisht sot si në të gjitha të dhënat kryesore aty, ose thuajse si në të gjitha të dhënat kryesore, ne jemi në mesatare, shumë pranë mesatares së Bashkimit Europian dhe lajmi i mirë është që këtë të vërtetw që ne e shohim tek shifrat dhe tek faktet e lexon dhe në faqet e kësaj ankete.
Pra publiku, shqiptarët, ata që jetojnë jetën e përditshme në qytete dhe në fshatrat e Shqipërisë në të gjitha herët e anketimit, qëkurse kryhet kjo anketë, janë shumë, po shumë afër, shumë afër logjikës së fakteve dhe të shifrave të progresit të matshëm të Policisë së Shtetit, të atyre fakteve dhe të atyre shifrave që ne i marrim nga puna e policisë së shtetit; numri i vrasjeve, numri i aksidenteve, numri i vjedhjeve, numri i denoncimeve e kështu me radhë. Ka një përputhje thuajse të plotë.
Ky faktikisht dhe thënë thjeshtë, është një fakt që thotë se populli është shumë më i qartë në leximin e situatës së rendit dhe të sigurisë edhe në leximin e problematikave, si dhe në vlerësimin e punës së Policisë së Shtetit sesa të gjithë ata që ia rrokanisin kokën përnatë, përnatë në ato sallonet e debateve televizive dhe pavarësisht nga balta e përditshme që hidhet në mexhelis nga ata që prej më shumë se 10 vitesh tanimë, nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër Policisë së Shtetit dhe kundër drejtuesve apo punonjësve të saj.
Nuk dua të përsëris shifrat, u thanë edhe për të gjithë ata që janë të interesuar, edhe për mediat, janë në dispozicion që t’i marrin, t’i studiojnë edhe t’i shohin edhe pse dyshoj se do të kenë interes t’i komentojnë pasi nuk i përkasin fare qasjes, frymës dhe qëllimeve të tyre që janë krejt të kundërta nga dhënia me objektivitet e të vërtetave, qofshin kur ato na pëlqejnë, qofshin kur ato s’na pëlqejnë.
82% e qytetarëve ndihen sot të sigurtë ose shumë të sigurtë në Shqipëri dhe kjo është totalisht brenda normës së mesatares së Bashkimit Europian dhe anketa ka të dhëna edhe për pozicion e Shqipërisë në raport me vendet e tjera në të gjitha vitet që është bërë dhe edhe aty shihet qartë se si pozicioni ka ndryshuar dhe si Shqipëria nga vrima e fundit e kavallit në vitin 2013 në të gjithë parametrat, është afruar drejt mesatares së BE-së, duke qëndruar në mes vendesh evropiane, ku përpara nesh apo pas nesh janë vende që përndryshe në një perceptim të sipërfaqshëm mendohet se janë ku e ku më të avancuara, ndërkohë që problemi i sigurisë, dihet botërisht që është bërë një problem gjithmonë e më i madh sidomos në vendet më të zhvilluara, sidomos në kryeqytetet më të mëdha.
Vetëm 4% e qytetarëve kanë qenë viktima të vjedhjes ose sulmit fizik në 5 vitet e fundit, vetëm 4%. Kjo shifër është më e ulët, pra pozitivisht, sesa mesatarja e BE që është 9% dhe është në normën e vendeve më të sigurta të BE. Në këtë vendin tonë ku të gjithë “vriten”, të gjithë “sulmohen”, të gjithë “zvarriten të plagosur rrugëve” po të ndjekësh kanalet dhe portalet, natën dhe ditën, pavarësisht në cilën orë. E nëse ka një hapësirë në fakt, që është hapësira më e rrezikshme ku mund të ndihesh i kërcënuar, i sulmuar, i nëpërkëmbur, i dhunuar është jo hapësira e qyteteve tona natën, por hapësira e portaleve ditën dhe natën.
65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si të mirë ose shumë të mirë që është një përmirësim domethënës në raport me nga jemi nisur dhe që tregon se reformimi i vazhdueshëm i Policisë dhe puna këmbëngulëse vazhdojnë të japin fryte dhe ajo që është gjëja më e rëndësishme, është që në të gjithë trajektoret e viteve, shifrat në pjesën dërrmuese të tyre janë konstante në përmirësim. Kjo është gjëja me rëndësishme!
Si shpjegohet që ndërkohe, asgjë, asgjë fare nga këto, asgjë nga çfarë percepton edhe publiku për fat të mirë, hiç, hiç fare, nga thelbi i gjithë këtyre të vërtetave dhe nga shumë fakte të tjera që e mbështesin këndvështrimin shumë pozitiv të publikut për punën e Policisë së Shtetit, jo vetëm nuk del gjëkundi, jo vetëm nuk komentohet nëpër ekrane, nëpër portale se foltoret politike as nuk po i llogarisim, po përkundrazi mbulohet me këmbëngulje, me baltë e me zift përditë e përnatë.
Mirëpo këto shifra të anketës nuk janë numra, nuk janë statistika pa vlerë tjetër, përtej numrave, nuk janë as propagandë siç rëndom përpiqen t’i zhvlerësojnë gjithnjë me këtë fjalë ata që nuk duan të dëgjohet, nuk duan të flitet mirë për qeverinë jo e jo, por as për Shqipërinë se për qeverinë as nuk na duhet që të flasin mirë ata, se siç e shihni pavarësisht se ata flasin keq e keq, ky popull ka tjetër opinion dhe kjo është dhe arsyeja pse ata nuk e kuptojnë asnjëherë se si qeveria kur vjen puna tek gjykimet e publikut, vlerësohet nga gjykimet e publikut atëherë kur ato gjykime materializon në vendimmarrje çdo 4 vjet të popullit shqiptar.
Këto shifra janë histori, janë histori të jetuara, janë histori njerëzish që sot lëvizin të qetë në rrugët e qyteteve tona ditën dhe natën, janë histori turistësh që vijnë me miliona e miliona në vit dhe në 3 fjalë që thonë në të gjitha ato anketime që ne i bëjmë vetë për të kuptuar se çfarë i pëlqen e çfarë s’u pëlqen, 99% e tyre thonë 3 fjalë dhe në këto 3 fjalë, një është për sigurinë, mikpritjen njerëzore, bukurinë natyrore, siguri shembullore. Këto janë 3 fjalët që thonë të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri. Se këtu më kujtohet fjala e një aneje nga Gjirokastra; këtu është të kesh dy, një ta mbash e një ta çash- thoshte, se të bëjnë që të thuash ‘’ore, mos nuk është gjithë populli në rregull në ketë mes, kur të thonë që këtu nuk ka as turistë, këtu edhe turistët i sjell me autobus qeveria’’.
Tani unë nuk jam këtu që as të përsëris çfarë u shpjegua qartësisht nga përfaqësuesi i kompanisë, studios, nuk e di si quhet, që ka bërë anketimin dhe as për të brohoritur punën e Policisë së Shtetit, por pa diskutim që nuk mund të mos e shpreh konsideratën time për progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë kjo trupë në dekadën e fundit si dhe nuk mund të mos e theksoj që pavarësisht krahasimeve që s’kanë krahasim; duken këtu, duken në të gjitha shifrat; mjafton të shohësh numrin e vrasjeve, ishte mbi 100 vrasje në vit mesatarja, pra ishte 1 vrasje çdo tre ditë, ndërkohe që sot është në numrin më te ulët historik.
Pavarësisht të gjithë këtyre pra, ka akoma plot të meta për të adresuar, boshllëqe për të mbushur dhe masa të tjera për të marrë për të transformuar Policinë e Shtetit deri në pikën që të jetë, që të qëndrojë aty në mes të policive të Bashkimit Europian, natyrisht as e para e as e fundit po aty në mes, tek mesi i artë, duke i garantuar standardet dhe nga ana tjetër, duke i garantuar vazhdimësinë e saj, që si do që rrotullohet politika, Policia e Shtetit të mos kthehet kurrë mbrapa dhe besimi te Policia e Shtetit që është rritur vijimësinë duhet të vazhdojë forcohet, është guri themelor për një shtet të së drejtës ku barazia para ligjit dhe kërkesa e llogarisë nga kushdo që e shkel ligjin duhet të kthehen në një normë jo vetëm të padiskutueshme, po edhe të pashmangshme dot nga askush.
Nga ana tjetër një Polici realisht e fortë nuk është thjeshtë ajo që lufton krimin apo shkelësit e ligjit, por është ajo që fiton përditë zemrat e qytetarëve, me përkushtim dhe respekt ndaj tyre. Kushdo qytetar ta di dhe kjo nuk është diçka që nuk ekziston në këtë botë, sepse ato Policitë e Bashkimit Europian që janë në krye fare të të gjithë anketimeve dhe pikëzimeve, ato e kanë arritur që çdo qytetar e di që një oficer policie është aty për ta mbrojtur pa diskutim, për ta ndihmuar dhe për ta respektuar pa kushte edhe kur ai qytetar është në gabim dhe jo për ta frikësuar, për ta shpërfillur, apo për ta shqetësuar me gjeste të kota dhe fjalë të kota gjë që fatkeqësisht ndodh dhe nuk ndodh një, dy herë, po ndodh më shpesh. Atëherë ne mund të themi që e kemi fituar betejën e betejave të transformimit demokratik të Shqipërisë. Dhe beteja e betejave është respekti, që duhet të ndjejë çdo qytetar i kësaj Republike kur përballet ose kur sheh të tjerë si vetja të përballen me një punonjës Policie për çfarëdolloj arsyeje.
Një qytetari të Republikës së Shqipërisë të cilit i ndalohet makina për t’i kërkuar dokumentet i duhet bërë i gjithë respekti sepse po i merret 1 minuta, 2, 3, 5 nga koha e tij për të bërë punën Policia dhe ato tre, katër, pesë minuta që po i merren, i duhen shpërblyer me shumë respekt.
Transparenca dhe llogaridhënia janë pika kyçe për rritjen e mëtejshme të besimit te Policia e Shtetit dhe prandaj unë e çmoj shumë këtë këshillë në nivel kombëtar dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë për ta forcuar pavarësinë e forcës tonë policore duke siguruar që veprimtaria e saj të udhëhiqet gjithmonë nga ligji dhe interesat më të mirë të qytetarëve kanë bërë diferencën me të shkuarën, por janë të pamjaftueshëm. Ashtu sikundër është e pamjaftueshme transparenca dhe llogaridhënia e deri sotme në raport me qytetarët, përmes të gjithë strukturave që tanimë janë të ngritura për policimin në komunitet.
Policimi në komunitet është një mjet i jashtëzakonshëm edhe për të rritur besimin e qytetareve tek Policia e Shtetit, por edhe për të rritur vetëdijen e çdo oficeri dhe punonjësi Policie që arsyeja themelore e misionit të Policisë nuk është thjeshtë lufta me të këqijtë, por është shërbimi ndaj të mirëve.
Në nivel vendor janë themeluar këshillat vendor për sigurinë publike, bashkë drejtohen nga kryetari i bashkisë dhe nga drejtori i Policisë dhe kanë në përbërje drejtoritë Arsimore, drejtoritë e Shëndetit Publik, Prokurorinë dhe Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Shërbimin Social Shtetëror. Dhe këtu besoj që flamuri duhet ta mbajë në mënyrë të vazhdueshme Policia e Shtetit dhe duhet të jetë drejtuesi i Policisë së Shtetit në qark dhe pastaj edhe në nivelin tjetër që të kërkojë mbarëvajtjen, mbledhjen dhe efikasitetin e këtyre këshillave.
Këto këshilla tani me vendimin e qeverisë raportojnë te Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Komunitet dhe prandaj duhet të bëhen aktiv kudo, duhet të bëhen të vërtet dhe duhet të bëhen konkret , zoti Drejtor i Përgjithshëm, sepse është shumë e rëndësishme që të rritet vëmendja e drejtpërdrejtë nga niveli qendror në atë vendor dhe të përmirësohen kushtet për forcimin e llogaridhënies së ndërsjelltë.
Përpara disa kohësh ndodhi një tragjedi që preku të madh e të vogël, ku humbi jetën tragjikisht një djalë 14 vjeçar, një nxënës, u ngrit një histeri e madhe kundër Policisë së Shtetit, një absurditet total, por në ndërkohë ne u angazhuam në një këshillim intensiv dhe të një mase kompakte si asnjëherë më parë, me mësuesit dhe me prindërit dhe kemi sot falë atij këshillimi edhe një plan të ri për sigurinë të konsultuar ngushtësisht edhe me Policinë e Shtetit. Por ama është shumë e rëndësishme që ai plan të vihet në jetë dhe në vënien e atij plani në jetë ky Këshill dhe Këshillat Vendor janë çelës.
Tani, një nga pikat negative të anketës ku unë dua të ndalem ishte përvoja e qytetarëve. Qytetarët e pyetur për përvojën në raport me Policinë e Shtetit kur e kanë e kanë kontaktuar për të shprehur një shqetësim, një ankesë për të bërë një denoncim etj. 53 % e tyre thonë se përvoja është negative, e pra kjo pikë duhet të ndryshojë katërcipërisht. Kjo pikë duhet të ndryshojë katërcipërisht, sepse kjo është një e varetë e hidhur që lidhet me atë që thashë më parë, është i mirë kuptueshëm stresi, është i mirëkuptueshëm ngarkesa është e mirëkuptueshme edhe lodhja nga probleme shumë serioze me të cilat merret Policia e Shtetit, por asgjë nga këto nuk justifikon një sjelle që prodhojë një përvojë negative për qytetarin që i drejtohet Policisë së Shtetit dhe në atë pikë pjesën e luanit e zinte Rrugoja nëse do ta vini re.
Tani duhet parë me kujdes, duhet analizuar se të çfarë natyrë janë ankesat e qytetarëve që lidhen me Policinë Rrugore, me aksidentet rrugore, me shkeljet e natyrës të qarkullimit rrugor, por nga ana tjetër këtu ne do ta ndihmojmë, flas qeveria, ministri i Brendshëm do ta ndihmojë Policinë e Shtetit me një instrument të ri që është pjesë e modernizimit të mëtejshëm teknologjik të Policisë së Shtetit dhe do të kemi një transformim epokal për sa i përket survejimit me kamera të qyteteve dhe me fokus qarkullimin rrugor, shkeljet dhe shkelësit.
Një sistem i bazuar tek fjala e fundit e teknologjisë digjitale, i pasuruar edhe me Inteligjencë Artificiale që do t’i japë mundësi në kohë reale Policisë së Shtetit, përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem fillimisht. Do të fillojë me 20 qytete në mos gabohem, ashtu sikundër së shpejti fillon dhe investimi që i njëjti sistem të hyjë në rrugët kombëtare. Do të fillojë me 200 kilometrat e para dhe ai sistem do të japë mundësinë që çdo ankesë e çdo qytetari të jetë e verifikueshme në kohë reale, edhe kur qytetari ankohet me të drejtë, dhe kur qytetari se ka dhe rasti që bën një telefonatë për të nxjerrë një inat me një komshi etj etj por këto janë pjesë e jetës.
Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi të përgjithshme por verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë.
Ky është një projekt i jashtëzakonshëm që më në fund e kemi garantuar edhe si financim dhe në bashkëpunim me partnerët tanë të Emirateve të Bashkuara do të fillojmë ta implementojmë.
E fundit që kam është Akademia e Sigurisë ku janë bërë përmirësime të ndjeshme por ku duhet të bëjmë ende më shumë sepse, për të pasur një Polici Shteti me mesataren e Bashkimit Europian në të gjitha aspektet sepse këto që trajton anketa janë aspektet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë më publikun por janë dhe një sërë aspektesh të tjera që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë por që e prekin drejtpërdrejtë interesin e publikut dhe na duhet një Akademi Sigurie e nivelit europian që sot ende nuk e kemi, që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin.
Tani me planin e ri për të përfshirë studentë në një fakultet të ri të drejtësisë dhe të hetimit, rreth 100 studentë, si dhe me planin për Kampusin e ri të Sigurisë, besoj që mund të themi se Policia e Shtetit e 2030 do të jetë një nga krenaritë e mëdha të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Shumë faleminderit!