Përfundon rehabilitimi i aksit rrugor Elbasan-Banjë

Loti i tretë i aksit Elbasan – Banjë është rehabilituar dhe tashmë është i aksesueshëm për të gjithë banorët e zonës që shtrihet përgjatë tij por edhe vizitorët tashmë kanë një infrastrukturë më të mirë e cila do ta lehtësojë ndjeshëm aksesin për në këtë zonë. Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ishin në lotin e tretë të aksit i cili përfshin ndërtimin e 3 urave, 1 në Mollas dhe 2 në Sulovë, mbi lumin Devoll si dhe punime të sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, përfshirë këtu dhe ato në zona të banuara.

“Kjo është një rrugë mjaft e rëndësishme pasi lidh shumë fshatra, të cilat kanë një zhvillim agrikulturor. Kështu që është dukur impakti në zonë. Me përfundimin e studimit dhe pas nisjes së implementimit të projektit Mollas –Kuçovë, kjo rrugë do të përfundojë plotësisht duke i dhënë një mbështetje shumë të madhe zhvillimit bujqësor të zonës”, – u shpreh ministrja Balluku.

Rehabilitimi i këtij segmenti është një lehtësim i madh edhe për fermerët e kësaj zone të cilët do të aksesojnë më lehtë tokat e tyre por edhe tregjet për të tregtuar produktet.

Ndërkohë, për herë të parë në këtë aks rrugor janë përdorur goma makinash, të ricikluara për të realizuar shtresat asfaltike. Janë përdor 250 000 goma të ricikluara të cilat janë përkthyer në 800 ton pluhur gomash që kanë bërë të mundur pjesën e asfaltit.

“Për herë të parë është përdorur një produkt i cili vjen nga riciklimi i gomave të automjeteve të përdorura i cili përveçse është një produkt “green”, nga ana tjetër ka dhe një jetëgjatësi më të madhe nga asfalti normal. Kjo ka qenë një proces eksperimental që ka dalë me sukses dhe ne do mundohemi që ta implementojmë edhe në projektet e ardhshme duke qenë se është i bazuar mbi gjithë proceset e riciklimit dhe gjithë proceset “green” edhe në asfaltimin e rrugëve”, – tha ministrja e Infrastrukturës, Balluku.